Faturat e dështimit politik

Valbona Mehmeti Valbona Mehmeti 19 nëntor 2017 08:00

Xhepin e qytetarit ka pesë vjet që e “terrorizon” vendimi politik i Qeverisë për përfshirjen në faturat e tyre edhe të shpenzimeve të rrymës në veri. Nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë dështon ta zbatojë vendimin e Gjykatës për pezullimin e këtij vendimi, qytetarët e ndërgjegjshëm, të cilëve u janë vjedhur paratë, duhet ta padisin drejtpërdrejt Qeverinë. Sepse nuk ia kanë me borxh t’ia mbulojnë dështimet politike asnjë qeverie

Terr, ngufatje nga tymi dhe zhurma e gjeneratorëve, zymtësi. Kështu dukeshin natën rrugët e qyteteve të Kosovës në dimrin e ‘99-s. Njerëzit sorollateshin rrugëve, sepse nuk mund të rrinin as në shtëpi. Si mund të rrinin në shtëpitë pa ngrohje, pa ujë, pa mundësi përgatitjeje të ushqimit. Rrymë ndodhte të mos kishte edhe me nga dhjetë orë. Terror psikologjik. Këtë po e përjetonin kosovarët disa muaj pas përfundimit të luftës nga mungesa e energjisë elektrike.

Ishte kohë kur gjithçka arsyetohej, përpihej çdo e keqe. Sepse e konsideronin si edhe një çmim që duhej paguar për lirinë, për shtetin që do të ndërtonin.

Vendi kishte dalë i shkatërruar nga lufta, dhe me gjithë frustrimin që shkaktonte mungesa e shërbimeve të mira publike, qytetarët i mbante shpresa se do të vijë dita kur jeta do t’u stabilizohej dhe mungesat elementare, si rryma e uji do t’i mbeteshin së kaluarës.

Por problemet me rrymën nuk iu ndanë asnjëherë. Për tetëmbëdhjetë vjet ritmin e jetës ua diktuan reduktimet e energjisë.

Në vitin 2012, në një proces jotransparent dhe të dyshimtë të privatizimit, asetet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) iu dhanë një kompanie turke me çmim aq të ulët, që shkaktoi jo pak pakënaqësi në publik. Brenda pakos së privatizimit ishin dhënë edhe katër hidrocentrale, gjë që ishte fshehur nga Qeveria, e që ishte zbuluar më vonë nga gazeta.

Por pasi që qytetarët tashmë ishin mësuar që qeveritë e pasluftës të mos u jepnin kurrë llogari as për privatizime e as për ndërtime autostradash me çmime të larta, u pajtuan dhe heshtën edhe për këtë shitje bagatellë të një pasurie shtetërore dhe për shkatërrimin e burimeve ujore të vendit. I ngushëllonte fakti se ndoshta privatizuesi do të vinte rend dhe nuk do të kishin më probleme furnizimi me rrymë. Furnizimi pak a shumë u stabilizua, edhe pse kohë pas kohe ende përballen me reduktime shkaku i riparimeve në rrjet, që ka marrë përsipër të bëjë kompania që e mori në menaxhim. Por veç fshehjes së hidrocentraleve, Qeveria u kishte bërë edhe një hile qytetarëve e që u zbulua më vonë po nga mediat. Kishte marrë një vendim që ka pesë vjet që ua “terrorizon” xhepin.

Katër muaj para privatizimit të ndërmarrjes publike të energjisë, Qeveria ishte kujdesur që t’ia rregullonte terrenin privatizuesit duke e liruar nga brenga se si do të faturonte rrymën në veriun problematik, ku që nga paslufta nuk faturohet energjia elektrike e as nuk mblidhen tatime. Zgjidhja që i kishte gjetur ishte të mos e faturonte fare energjinë në atë pjesë të vendit që assesi nuk po mund ta shkëpusë nga kontrolli i Serbisë. Me sugjerim të Qeverisë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 6 shkurt 2012 kishte marrë vendim që të gjitha humbjet në shpërndarje të energjisë nëpërmjet tarifave t’ua shtonte në fatura konsumatorëve, përfshirë edhe ato të mosfaturimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore, duke i llogaritur si humbje komerciale.

Ishte kjo edhe një zgjidhje e improvizuar e Qeverisë për t’ia lidhur kryet privatizimit, si edhe shumë zgjidhje të mëparshme. Sepse qeveritë e Kosovës funksionuan vazhdimisht në stilin “ta heqim qafe problemin tash për tash”, pa menduar për pasojat e marrëveshjeve dhe për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë dhe të qëndrueshme për çështjet me interes shtetëror.

Përderisa në veri KEDS-i thotë se kurrë nuk ka zhvilluar e as nuk zhvillon aktivitete të inkasimit, kjo kompani është shumë vigjilente për t’i shkyçur nga rrjeti i energjisë qytetarët e pjesëve të tjera të vendit edhe kur nuk paguajnë shumat minimale të faturave. Në veri punën e saj e kryen ndërmarrja energjetike e Serbisë. Nga shkollat, spitalet, bizneset dhe institucionet komunale ajo i inkason mjetet për energjinë elektrike që nuk ua siguron fare. Qytetarët e rëndomtë, serbë e shqiptarë, pohojnë se për tetëmbëdhjetë vjet nuk kanë paguar kurrë fatura rryme, uji apo ndonjë lloj tatimi. Dhe ata nuk kanë faj për mospagesat.

Faji bie mbi qeveritë e Kosovës, të cilat me vendime si ky për të rënduar xhepin e qytetarëve të pjesës tjetër të vendit, tentojnë të blejnë një paqe të rrejshme me veriun dhe të maskojnë paaftësinë ose mosvullnetin për ta shtrirë sovranitetin atje.

Megjithëse ka kohë që mediat ua kanë bërë me dije se janë duke paguar rrymën edhe për veriun, qytetarët vazhdojnë të paguajnë faturat pa u ankuar. Për protesta as që flet kush. Se këtë popull është vështirë ta nxjerrësh në rrugë për të protestuar kundër hajnisë dhe shkeljes së të drejtave të tyre është dëshmuar moti. Në protestat e organizuara nga qytetarët në mars 2013 dhe janar 2015 kundër faturave të fryra të energjisë së shpenzuar gjatë sezonit dimëror, nuk merrnin pjesë as 50 veta.

Pos që paguajnë për veriun, qytetarët e përgjegjshëm të Kosovës sot paguajnë edhe për hajnitë e bashkëqytetarëve që e vodhën me vite të tëra rrymën. Për disa vjet pas luftës kanë paguar edhe tarifën prej 3.5 për qind për televizionin publik, medium i themeluar për të qenë zëri i qartë i qytetarit, por që më shumë i pëlqen t’i rrijë në krah çdo pushteti.

Në shkurt të vitit 2013, në një vend anëtar të Bashkimit Evropian, në Bullgari, u mbajtën protesta të përgjakshme që rrëzuan qeverinë pikërisht për shkak të shtrenjtimit të rrymës dhe rënies së standardit të jetesës. Kurse kosovarët nuk i këndellë nga letargjia as vjedhja direkte e kuletës së tyre nga qeveritë.

Vetëm sivjet padrejtësia me faturat mori vëmendjen e Qeverisë. Kjo pas një hetimi dhe një padie në gjykatë nga Avokati i Popullit me kërkesën për të ndalur diskriminimin e mëtejmë të qytetarëve. Gjykata e Apelit aprovoi kërkesën që të pezullojë vendimin e padrejtë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për përfshirjen e humbjeve të energjisë në faturat e qytetarëve.

ZRRE-ja thotë se nuk mund ta zbatojë vendimin e Apelit për shkak se Bordi i saj është i pakompletuar. Është bërë praktikë që bordet e ndërmarrjeve shtetërore të mos kompletohen me muaj e vite për shkak të garës së partive politike për të futur në to njerëzit e vet, në mënyrë që të mundë t’i mbikëqyrin më lehtë edhe politikat, edhe fondet e tyre.

Qeveria e re premton se në bisedimet e ardhshme në Bruksel do t’i kërkojë Serbisë kthimin e borxhit për energjinë e shpenzuar në veri. Se si do ta bindë kjo qeveri Serbinë që t’ia kthejë Kosovës këtë borxh - ndër shumë të tjera që ia ka - mbetet të shihet.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka premtuar se Qeveria do t’ua kompensojë mjetet qytetarëve, duke ua kthyer nëpërmjet investimeve të ndryshme publike.

Qytetarët nuk do të duhej të pranonin një formë të tillë kompensimi. Kjo do t’u jepte mundësi zyrtarëve të keqpërdornin ato mjete nëpërmjet tenderëve. Ata duhet të kërkojnë kthimin direkt të parave të veta ose nëpërmjet lirimit nga pagesa e rrymës për një kohë të caktuar, ose me zbritjen e shumës së faturave.

Nëse ZRRE-ja dështon ta zbatojë vendimin e Gjykatës, qytetarët e ndërgjegjshëm të cilëve u janë vjedhur paratë me vite duhet ta padisin drejtpërdrejt Qeverinë. Qytetari nuk ia ka me borxh asnjë qeverie t’ia mbulojë dështimet politike apo ekonomike. As t’ua “subvencionojë” hajnitë.

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Valbona Mehmeti