Çastet uau

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 18 nëntor 2017 08:41

Kjo kolumne është sall për qejf. Për loçkë të zemrës. Për t’i shënuar këto çaste të bukura e të rralla. Për t’ua rikujtuar vetvetes dhe të tjerëve se, pavarësisht lajmeve të këqija, kemi lajme shumë të mira të cilat duhet t’i festojmë. T’i jetojmë! Të krenohemi me to!.

KA SHUMË TEORI në fushën e komunikimit masiv të cilat mëtojnë të shpjegojnë se përse lajmi i keq është lajm që mbahet më shumë në mend sesa lajmi i mirë. Ose përse ne merremi më shumë me lajmet e këqija sesa me lajmet e mira.

Thuajse është njëjtë kudo, si në Kosovë, ashtu edhe në rajon, Evropë e gjetiu – nëse lexon ose dëgjon lajmet rregullisht e di se ka politikanë të korruptuar, zyrtarë të lartë mashtrues, terroristë fetarë e ideologjikë, grupe të organizuara hajnash, pedofilë, dilerë të drogës dhe mësues dhunues.

Një ndër përgjigjet më të shpeshta përse ndodh ky servim dhe konsumim i lajmeve të këqija është se një ndër emocionet kryesore te një individ është edhe një ndër emocionet më primitive – frika. Pra, njerëzit reagojnë ndaj lajmeve të cilat ua fusin frikën, në mënyrë që të dinë se si të ruhen prej tyre.

Mirëpo, ja që nëse ky është shpjegimi i drejtë, i bie se po jemi jo shumë të drejtë ndaj vetvetes e edhe ndaj të tjerëve, meqë po ua ngushtojmë hapësirën lajmeve të mira. Po e privojmë vetveten nga gëzimi e lumturia, prehja e qetësia, siguria e perspektiva që ofrojnë lajmet e mira.

MEGJITHATË, PAVARËSISHT gjykimit ogurzi të lajmeve, vlerësohet se brezi ynë është duke jetuar në njërën ndër kohërat më paqësore dhe më me mirëqenie ndonjëherë.

Statistikisht është shumë e lehtë të dëshmohet se viteve të fundit janë zvogëluar dukshëm sëmundjet vdekjeprurëse, është rritur jetëgjatësia, shumë më pak ka vdekje nga luftërat (sesa p.sh. në gjysmën e parë të shekullit të kaluar), shumë më pak njerëz vdesin nga uria, shumë më pak udhëheqës kanë pushtet absolut mbi qytetarët, shumë më liri dhe të drejta gëzojnë qytetarët, shumë më e madhe dhe e shpejtë është qasja në informacion/dije, shumë më e madhe dhe e shpejtë është qasja në kulturë dhe art, shumë më të shkurta udhëtimet e shumë të tjera të ngjashme.

Pra, ne jetojmë në kohët më të mira, por sërish më shumë merremi dhe ankohemi për të këqijat.

Dhe vështirë se mund ta ndryshojmë këtë shpejt.

SIDOQOFTË, SEBEPI që të nxit ta kujtosh këtë janë disa nga çastet e rralla shumë të çmueshme nëpër të cilat kalojmë – që austriaku Zweig i kishte quajtur orë yjore të njerëzimit – dhe i marrim si të mirëqena.

E, pra, jo. Gabim! Nuk duhet t’i lëmë si të tilla. Janë këto çastet e efektit “uau”. Çaste që meritojnë të shënohen, nënvizohen, kujtohen. Çaste që kërkojnë esullim të secilit. Që ta pickojmë vetveten. Ta kujtojmë se, po, kjo po ndodh vërtet. Dhe duhet ta kem të qartë se jam duke i jetuar disa ditë shumë të veçanta të jetës.

Një nga këto çaste pa dyshim se na ka ndodhur në këto ditët e fundit.

Të dielën shqiptarët kanë qenë kryesorët në ngjarjen më të rëndësishme muzikore në Evropë “MTV Europe Music Awards”, në arenën “Wembley” të Londrës.

E lindura në Prishtinë, Rita Ora, ishte nikoqirja kryesore dhe shkëlqeu në secilin aspekt, kurse po ashtu ishte në listën e të nominuarave për “dukjen më të mirë të vitit”.

Në të njëjtën konkurrencë krahas saj ndodhej edhe shqiptarja tjetër e Kosovës, Dua Lipa, e cila rrëmbeu një ndër shpërblimet kryesore – atë për artisten më të mirë të re, teksa kishte edhe një nominim tjetër për “veprën më të mirë në Britani dhe Irlandë”.

Për këngën më të mirë nga Zvicra në konkurrencë ishte këngëtari me prejardhje nga Kosova, Shkëlzen Kastrati, i njohur si XEN.

Kurse për ta rrumbullakuar shkëlqimin shqiptar u kujdes Ermal Meta, i lindur në Shqipëri, i cili u shpall si më i miri për “veprën italiane”, me këngën“Vietato Morire”.

A s’kërkon ky çast një pickim të vetvetes për ta rikujtuar se kjo vërtet po ndodh?!

Jo një, jo dy, jo tre, por katër shqiptarë po shkëlqejnë në njërën nga ngjarjet kryesore të muzikës në botë.

Kush e kishte menduar këtë vetëm disa vjet më parë!

E për të mos u ndalur me kaq, u kujdes edhe nata pasuese.

Të hënën, përfaqësueset e Kosovës dhe të Shqipërisë në futboll, që të dyja korrën fitore spektakolare. Kosova bëri historinë me fitoren e parë ndërkombëtare, me rezultat 4 me 3 kundër Letonisë. Kurse Shqipëria mundi 3 me 2 Turqinë duke qenë si mysafire.

Dy përfaqësuese të zemrës me dy fitore të rëndësishme.

Nuk është pak.

Kush do ta kishte menduar… vetëm pak kohë më parë.

KËSHTU QË EDHE kjo kolumne është sall për qejf.

Për loçkë të zemrës.

Për t’i shënuar këto çaste të bukura e të rralla.

Për t’ua rikujtuar vetvetes dhe të tjerëve se, pavarësisht lajmeve të këqija, kemi lajme shumë të mira të cilat duhet t’i festojmë.

T’i jetojmë!

Të krenohemi me to!

Është kaq e thjeshtë…

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Nexhi20/11/2017 09:02

Ta kisha ndalu me shkruajte per politik . Keshtu pozitiv me pelqen me se shumti. Braaaaaaaaaaaaavoooooooooooooooo per kete shkrim . Long live r'n'r .

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi