OpEd

BE-ja po e humb garën për rolin kryesor në Ballkan

Për dallim nga BE-ja, e cila në dokumentet e saj flet me gjuhë filozofike dhe me eufemizma, siç është “perspektiva evropiane”, aktorët tjerë në Ballkan, Rusia e Turqia, flasin me gjuhë të qartë dhe po bëjnë përpjekje për t’i kthyer popujt e Ballkanit kundër BE-së. Afrimi i Rusisë dhe i Turqisë, Putinit dhe Erdoganit, e bën edhe më të vështirë sfidën për BE-në, e cila për vete beson se është “aktori më i fuqishëm në rajon”

Thënia në gjuhën shqipe se dikush “e ka humbur rrugën në oborr” do të mundë të parashtrohej në kontekstin e zhvillimeve të sotme në rajonin e Ballkanit edhe për Bashkimin Evropian. Nëse marrim parasysh se ky rajon shpesh është quajtur si “oborr i BE-së” dhe ajo që sot BE-ja po bën për të rikthyer rolin kryesor në këtë rajon, atëherë edhe mund të parashtrohet vërtet kjo pyetje se a e ka humbur BE-ja rrugën në oborr, në Ballkan.

Nëse analizohen prononcimet që për situatën në Ballkan, dhe për problemet specifike të shteteve të këtij rajoni, japin zyrtarët në Bruksel, kësaj dileme mund t’i shtohet edhe ajo se e janë të vetëdijshëm se atë që flasin dhe realiteti në rajon nuk shkojnë bashkë.

Nuk mund të thuash në njërën fjali se “situata në rajon është e brishtë”, të shprehësh “shqetësim serioz për situatën” dhe në të njëjtën se “të gjitha vendet e rajonit kanë arritur sukses të madh”.

Mundësia komparative, duke krahasuar arritjet dhe kohën e shpenzuar, premtimet e para shumë viteve me arritjet e sotme, nuk e dimë se ku e marrin politikanët e sotëm evropianë motivin për të thënë se “rajoni i Ballkanit ka arritur shumë përparim”. Nëse situata e sotme krahasohet me periudhën e luftës, atëherë natyrisht se paqja është më e mirë se lufta. Dhe duhet dikush të jetë i marrë që të mos e pranojë këtë. Por 18 apo 22 vjet pas luftës të jesh i kënaqur vetëm me faktin se nuk ka luftë, nuk është edhe një arritje e madhe.

Prej luftës e deri sot situata në rajon asnjëherë nuk ka qenë më e brishtë, më e rrezikshme dhe më e paparashikueshme. BE-ja, siç e pamë edhe nga diskutimet që javën e shkuar u zhvilluan në nivelin e ministrave të jashtëm të BE-së e pastaj edhe të shefave të shteteve apo qeverive në samitin e BE-së, ka identifikuar dy lloj “sfidash” (“sfidë” është në gjuhën e BE-së termi për problem dhe rreziqe) në Ballkan. Jostabiliteti i brendshëm dhe ndikimet negative nga jashtë. Probleme të brendshme ka në të gjitha shtetet: në Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi këto probleme tashmë kanë karakter ndëretnik. Kosova është e ndarë në vija etnike dhe kjo ndarje po legjitimohet përmes dialogut të Brukselit. Bosnja e Hercegovina e ka ndarjen etnike të legjitimuar nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa ajo ndarje tash e ka bërë shtet jofunksional. Në Mal të Zi bashkësia etnike serbe, proruse, është vënë në shërbim të destabilizimit të shtetit për të parandaluar anëtarësimin në NATO. Në Maqedoni edhe në një konflikt të maqedonasve që është dukur të jetë i brendshëm, shqiptarët përdoren si arsyetim dhe protestat e partisë VMRO janë thjesht antishqiptare, pa marrë parasysh se si ia vënë emrin organizatorët e tyre. Në Shqipëri, për të cilën ka më së pakti kuptim në BE, problemet janë të vjetra dhe të brendshme, konflikt absurd dhe shpesh edhe primitiv politik, vetëm rolet ndryshohen. Në Serbi situata politike duket më e qetë për shkak se ky shtet po shkon drejt një sistemi autoritar, ku opozita pothuajse nuk ekziston. Edhe raportet mes vendeve të rajonit janë larg nga ato normalet. Presidenti i Maqedonisë sillet sikur Shqipëria t’i ketë shpallur luftë këtij shteti dhe Ushtria shqiptare vetëm sa nuk e ka aneksuar Maqedoninë. Serbia herë sulmon Kroacinë për “fashizëm”, Kosovën për “radikalizëm të ISISI-it”, Shqipërinë për ”krijimin e Shqipërisë së madhe”, Maqedoninë dhe Malin e Zi për “njohjen dhe mbështetjen e Kosovës” dhe Bosnjë e Hercegovinën për “kthim nga e kaluara”. E këtë Serbi BE-ja e vlerëson për “rolin konstruktiv në rajon” dhe Serbia pas lëvdatave të tilla vetëm e përforcon bindjen se vërtet po luan një rol të tillë në rajon.

Ndër faktorët e jashtëm që BE-ja mendon se po luajnë rol negativ në rajon, edhe pse në dokumente nuk i kanë emëruar, janë Rusia dhe Turqia. Këtë e thonë shumë diplomatë të BE-së. Për dallim nga BE-ja, e cila në dokumentet e saj flet me gjuhë filozofike dhe me eufemizma, siç është “perspektiva evropiane”, aktorët tjerë në Ballkan, Rusia e Turqia, flasin me gjuhë të qartë dhe po bëjnë përpjekje për t’i kthyer popujt e Ballkanit kundër BE-së. Afrimi i Rusisë dhe i Turqisë, Putinit dhe Erdoganit, e bën edhe më të vështirë sfidën për BE-në, e cila për vete beson se është “aktori më i fuqishëm në rajon”. Për Rusinë besohet se ka një ndikim vendimtar në Serbi, tek entiteti serb në Bosnjë e Hercegovinë, te serbët e Kosovës dhe tek ata në Mal të Zi. Po ashtu duke i fryrë propagandës për “Shqipërinë e madhe” ka rritur ndikimin në Maqedoni. Për Turqinë besohet se ka ndikim te myslimanët në Bosnjë e Hercegovinë dhe ndikim në rritje në Kosovë dhe Maqedoni, duke luajtur me kartën fetare. Një konstelacion i tillë i faktorëve ndërkombëtarë nuk është aq i lehtë për vendet e Ballkanit. Ato tash janë mes Erdoganit e Putinit në njërën anë dhe BE-së në anën tjetër. Pa marrë parasysh se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ardhur sinjalet se nuk do të ndryshojë politikën ndaj rajonit është evidente se është zvogëluar vëmendja e kësaj superfuqie.

Rusia dhe Turqia paraqesin tash sfidë për BE-në edhe në Ballkan. Edhe njëri edhe tjetri shtet viteve të mëparshme kanë qenë aleatë të Perëndimit. Që nga fundi i luftës në Bosnjë e deri te konferencat për statusin e Kosovës dhe angazhimin e NATO-s. Madje edhe Rusia ishte pjesë e këtyre operacioneve të përbashkëta. Sot, si kurrë më parë, raportet e këtyre dy shteteve me BE-në janë tejet problematike. BE-ja ndaj Rusisë ka sanksione, ndërsa presidenti i Turqisë akuzon vendet kryesore të BE-së, Gjermaninë, Holandën dhe Austrinë, për sjellje “fashiste dhe jodemokratike”. Nga Evropa përgjigjen se personi i fundit që mund të flasë për demokraci është sot presidenti i Turqisë, Erdogan. E me kë të jenë tash vendet e rajonit: me Merkelin apo Erdoganin, me Putinin apo me Donald Tuskun.

Por përpos shprehjes së shqetësimit, porosive për vendet e rajonit dhe liderët e tyre, duket se BE-ja nuk ka çfarë të bëjë më shumë, sepse i ka problemet e veta të brendshme.

Sot kur BE-ja beson se Ballkanit i ka dërguar “mesazhe të qarta dhe të forta” duhet ta kuptojë se ajo që ka dalë si rezultat i diskutimeve të fundit në Bruksel nuk janë mesazhe as të qarta e as të forta.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, ka thënë pas takimit të ministrave se “askush nuk ka më shumë ndikim dhe fuqi në Ballkan sesa BE-ja, por ka shtuar se “fuqia varet edhe nga kredibiliteti”. Por sot BE-ja nuk ka aq shumë ndikim në vendet e Ballkanit. Ajo u ka bërë thirrje liderëve politikë që “të mos luajnë me zjarrin”. Pse të luajnë me zjarrin? Loja me zjarr është lojë që e dinë mirë dhe u shkon shumë mirë. Ata luajnë me zjarr, sepse dhe e ndezin, e pastaj të njëjtët ofrohen si zjarrfikës. Dhe në fund, në vend që Brukseli t’i dënojë, t’i qortojë, të distancohet nga ata se e kanë përgatitur zjarrin, apo edhe e kanë ndezur, u dërgon lëvdata pse e kanë parandaluar apo fikur zjarrin. Dhe kështu të gjithë dalin të lumtur, liderët që bëhen faktorë të rëndësishëm, BE-ja se “u parandalua konflikti”, por qytetarët mbeten me pasoja, sepse lojërat e tilla po parandalojnë zgjidhjen e problemeve konkrete.

Dhe ja si duket porosia “e qartë dhe e fortë” e BE-së për vendet e Ballkanit, me të cilat Brukseli mendon të kthejë kahen e zhvillimeve.

“Në dritën e sfidave të brendshme dhe të jashtme me të cilën po përballet rajoni, Këshilli Evropian diskutoi për situatën fragjile në Ballkanin Perëndimor, të cilën do ta mbajë në shqyrtim. Nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të rrugës së reformave, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nismave gjithëpërfshirëse rajonale. Rikonfirmon perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Duke mirëpritur progresin e arritur nga vendet e rajonit, Këshilli Evropian nënvizon se BE-ja do të mbetet e përkushtuar për t’u angazhuar në të gjitha nivelet për t’i mbështetur ato në reformat dhe projektet e orientuara nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e kryesuesit të Këshillit Evropian në pjesën që flet për Ballkanin Perëndimor.

A është kjo e qartë dhe e fortë? Jo, sepse nuk përmend perspektivën e anëtarësimit në BE. Me këtë BE-ja premton shumë më pak sesa kishte premtuar para 14 vjetësh në Selanik apo para 17 vjetësh në Zagreb. Atëherë kishte premtuar ecje drejt anëtarësimit në BE, ndërsa tash përmend vetëm “perspektivën evropiane” që nuk do të thotë asgjë. Fundi i fundit këto vende janë evropiane, sado problematike të jenë. Më shumë BE-ja flet për fqinjësinë e mirë mes vendeve të rajonit sesa për lidhjet e tyre me BE-në. Dhe diplomatët në Bruksel nuk e kanë fshehur se janë zgjedhjet në disa vende anëtare, sidomos në Holandë, Francë dhe Gjermani, që nuk mundësojnë të ketë një gjuhë më premtuese së paku në konkluzione të tilla për vendet e Ballkanit, ku do të përmendej “zgjerimi” apo edhe “perspektiva e integrimit në BE”. Gjithmonë dikur diku do të ketë zgjedhje dhe nëse kjo merret si arsyetim për të mos qenë i qartë për procese çfarë është zgjerimi i BE-së, atëherë kjo dëshmon më shumë dobësi sesa fuqi.

Ka kaluar koha kur qytetarët e vendeve të Ballkanit impresionohen me vizita të politikanëve evropianë. Ato tash më shumë shfrytëzohen për të rritur popullaritetin e liderëve të rajonit që i takojnë, për të ushqyer edhe egon e tyre, sesa që i ndihmojnë rritjes së bindjes se qytetarët e atyre vendeve kanë një perspektivë të integrimit në BE një ditë.