OpEd

Mentaliteti i Odës së Burrave

Ky vend ka nevojë për një revolucion shoqëror, për një ndërrim mendësie që do ta sjellin së bashku burra e gra që kanë parime. Që kanë dashuri të njëmendtë për këtë vend. Që nuk duan që historinë të detyrohen ta rijetojnë brez pas brezi, për shkak se nuk kanë nxjerrë asnjë mësim nga pësimet që vetes ia ka shkaktuar ky popull sa herë ka pasur mundësinë të fitojë

Herën e parë që më patën ftuar që të hyja në një odë burrash kishte qenë viti 1996, në Drenicë. Ishim në vlugun e fushatës së vaksinimit kundër paralizës së fëmijëve, së bashku me mikun tim dr. Gani Demolli. Mbanim takime fshat më fshat me banorët, duke ua shpjeguar rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve nga epidemia që tashmë kishte shpërthyer. Përherë takimet do të mbaheshin në shkollë, por në Krojkovë shkolla po meremetohej nga vetë banorët, prandaj edhe u vendos që takimi të mbahej në një odë.

Këmbëzbathur, hymë në odë, dhe na nderuan Ganiun dhe mua që të uleshim në krye të odës, nga dy krahët e zotit të shtëpisë. Llafi për vaksinim kaloi relativisht shpejt. Vendimi u mor, krejt fëmijët do të shkonin në vaksinim, dhe ajo punë tashmë nuk diskutohej. U kalua në temat e përhershme politike – tha Amerika, tha Rugova, na bëri zarar Dejtoni, shpejt na pranojnë pavarësinë..., për luftën, nuk u fol.

E kuptova shpejt se kisha përjetuar njërin nga nderimet më të mëdha që mund t’i bëheshin një gruaje – që të lejohej të hynte në odën e burrave, ku edhe kafenë e shërbenin burrat. Në mesin e nja njëzet burrave dëgjohej zëri im tek shpjegonte për urgjencën e vaksinimit. E besa edhe kur e shprehte ndonjë mendim politik – ngase fliste motra e Vetonit, sepse “ajo din diçka” (që ka marrë vesh prej tij, kuptohet).

Sidoqoftë, e di se kur më ftuan në odë, e bënë me respektin më të madhin, të cilin përherë e kanë treguar ndaj meje, edhe pasi që iku furtuna e luftës. Dhe natyrisht se jam ndier e nderuar. Porse në të njëjtën kohë nuk më hiqej nga mendja fakti se në atë odë nuk u gjend asnjë grua tjetër, që do të mundë ta shprehte mendimin e vet për çfarëdo qoftë. Nuk mund ta pranoja as atëherë, e nuk e pranoj as këtë herë, që vendimet e rëndësishme që kanë të bëjnë me jetën e të gjithëve të jenë e drejtë ekskluzive e burrave. E aq më pak, që ato vendime të merren nëpër oda.

Oda e zgjeruar e burrave

Në një odë të madhe burrash është shndërruar Qeveria e Kosovës. Rritja skandaloze e numrit të zëvendësministrave që e ngarkojnë buxhetin e Kosovës pa fije nevoje, ka nisur të marrë përmasa astronomike dhe ka dalë komplet jashtë kontrollit. Me gjasë, numri i zëvendësministrave ka mbërritur në 59, dhe prej tyre më duket se janë gjithsej 4 femra (kjo mbetet për t’u vërtetuar se zor u gjenden emrat të gjithëve). Pra, rreth 85 veta e bëjnë Qeverinë e Kosovës (pa i llogaritur këshilltarët), dhe prej gjithë këtyre, vetëm 6 janë gra (apo 7%).

Në Kosovën që ka popullsi me ndarje të barabartë gjinore, politikën e bën oda e burrave. Gratë aty janë arsyetimi para botës se edhe “gjinia e bukur” merr pjesë në vendimmarrje, ani që përherë është në pakicë. E nuk është larg mendsh se shërbejnë edhe si dekor, nëse s’kanë fuqi për të shtyrë agjendat e dikastereve përpara.

Zëvendësministrat janë bërë objekt talljeje – nuk ka ditë që nuk i dëgjon me duzinë barsoletash në llogari të tyre. Por tallja më e madhe me këta zëvendësministra po u bëhet qytetarëve të Kosovës – në vend të një ekzekutivi efikas e dinamik, Kosovës i ofrohet një Qeveri që po të ftohej në përbërjen e plotë të marrë pjesë në ndonjë mbledhje plenare në Kuvend, do të duhej t’i zinte pothuajse të gjitha ulëset e deputetëve. Ky është turp për ata që deri dje e kritikonin Qeverinë e kaluar për numrin e madh të zëvendësministrave dhe për shpenzimin e pakontrolluar të parasë publike.

Rrogat e këtyre badihavxhinjve janë masakrim i parasë publike. Këto para po shërbejnë për kthimin e borxheve dhe për të dëshmuar edhe një herë, se paraja publike, në duart e njerëzve të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, harxhohet sipas tekeve.

Ndihmë kundërligjore për familjet e rastit Kumanova

“Kqyre qe ti po pisket atje, mshele pak..., mos më kallxoni çka duhet ma bâ...” – ishte një fjali e zënë nga kamera kur Haradinaj doli të takohej me protestuesit dhe familjarët e rastit Kumanova. Kryeministri mund të ketë zgjedhur të komunikojë në gjuhë kolokuiale dhe të mos lodhet ta përdorë gjuhën letrare në komunikim. Porse nuk do të duhej harruar se është kryeministër, dhe se nuk mund ta urdhërojë askënd që “ta mshelë atje” – se nuk ka dalë në pazar për t’u shtyrë me shitësit për të blerë speca.

Kjo sindromë e burrit mujshar nuk është karakteristikë veç e tija. Porse dallimi mes tij dhe kryeparlamentarit, për shembull, është se Haradinaj është “popullor” në shprehjet e tij kërcënuese, kurse Veseli cinik e arrogant sa herë e zënë në rrenë apo e akuzojnë për diçka.

Sidoqoftë, burrërinë e tij Haradinaj e dëshmoi me të dalë në rrugë për t’i takuar protestuesit e më pas duke i pranuar ata në zyrën e vet. Aty, në atë takim, u premtoi familjarëve ndihmë institucionale. Të cilën, në Odën e Burrave me Dy Gra e konvertoi në akordimin e ndihmës në vlerë prej 290 mijë eurosh, nga dhjetë mijë për familje, prej linjës “shpenzimet e paparapara”. Dhe me këtë gjest i bëri dy gabime shumë serioze, që në fakt paraqesin së paku një shkelje të ligjit.

Në Kumanovë ka ndodhur një incident shumë i rëndë. Vdiqën 18 veta. Është shkatërruar pothuajse një lagje e tërë. Nuk e kuptuam se çka kërkonin kosovarët e armatosur në Kumanovë. As kush i çoi atje, as kush i bindi të shkonin atje, dhe as për çfarë arsyeje.

Ndarja e parave nga buxheti i Kosovës për familjet e të dënuarve për vepra penale të kryera në një shtet tjetër nuk ka asnjë kuptim logjik. Nuk ka kuptim logjik as nëse kjo ndihmë u jepet të dënuarve në Kosovë, ngase kjo do të ishte ftesë për krim: “kryeje një vepër penale, hajt se shteti kujdeset për familjen”.

Nga ana tjetër, të thuash se të dënuarit shkuan në Maqedoni për të luftuar për ideal -- është ta shkelësh "Ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit", të cilin e ka miratuar Kuvendi i Kosovës në prill të 2015-s, pra një muaj para se të ndodhte Kumanova.

Të dënuarit në rastin Kumanova janë shtetas të Kosovës që kanë nevojë për përkujdesje nga shteti që të sigurohet një gjykim i drejtë. Por nëse gjykata ka vërtetuar se këta njerëz kanë shkuar në Maqedoni; janë armatosur; kanë pasur luftim me policinë ku janë vrarë gjithë ata njerëz – këta kanë kryer vepër penale, dhe kjo, në shtet të huaj. Pa hyrë në atë se sa drastike janë dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë, fakti është se këta janë dënuar për një ndërmarrje në të cilën do të kenë mundur t’i kurthonin, t’i mashtronin, t’i infiltronin. Por është një ndërmarrje të cilën nuk e kanë mohuar dhe si e tillë është e dënueshme me ligj. Për pasojë, edhe shteti nuk mund t’u japë para familjarëve, sepse këta nuk kanë vepruar në emër të shtetit. Apo është se kanë vepruar, dhe tash po u kthehet borxhi në këtë formë? Dikush duhet të dalë e ta sqarojë, sepse të gjithë duhet ta kuptojnë të vërtetën.

Burrat në drejtësi

Të vërtetën për rastin Lumezi nuk po arrijmë ta kuptojmë ende. Nga dokumentacioni dhe faktet që janë mbledhur deri tash tregojnë se shumica e personazheve të këtij trileri janë sërish burrat. Burrat kanë qenë në krye të institucioneve; dosja e një burri është manipuluar për ta vendosur emrin e një burri tjetër. Një burrë e ka zbuluar manipulimin dhe një burrë po e bën hetimin. Me gjasë, pa bazë ligjore.

Prokurori i krimeve të rënda, sipas një udhëzimi që lidhet për Ligjin për Prokurorinë Speciale, nuk ka të drejtë ta hetojë Kryeprokurorin e Shtetit. Me gjasë ky paskësh qenë edhe qëllimi kur u caktua mu ky prokuror për ta bërë hetimin: që kryeprokurori vetë të mos hetohej fare.

Grumbulli i letrave, fakteve dhe i provave materiale e kanë thelluar dyshimin për vërtetësinë e provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, dhe nuk ka asnjë dyshim të vetëm, që të gjithë të vërtetën e di vetëm ai. A ka zgjedhur ta bëjë publike certifikatën e nënshkruar nga dikush që e pranon autenticitetin e nënshkrimit. Porse të gjitha provat e tjera tregojnë se diçka nuk është në rregull me këtë dokument. E sa për rikujtim, nuk është në rregull data e paraqitjes së provimit (para se t’i skadojë puna praktike e obligueshme njëvjeçare), dokument i cili nuk është në dosjen e tij në Prokurorinë e Apelit. Nuk është në rregull dosja e “zhgallavitun”, siç e quajti vetë Zymer Krasniqi, emri i të cilit u mbulua me llak të bardhë. Nuk është në rregull data që mban dosja, krahasuar me datën që mban certifikata për ditën e dhënies së provimit. Nuk është në rregull që dosjet origjinale të Sekretariatit për Judikaturë të jenë dorëzuar në Arkivin e Kosovës më 2000-n dhe se deri më 2004-n askush nuk është marrë me to.

Oda e Burrave me Disa Gra, Këshilli Prokurorial i Kosovës, apriori tha se këtu nuk ka asgjë, dhe se kjo është fushatë për denigrimin e Lumezit. Nëse kështu u qasen krejt lëndëve që u bien në dorë, atëherë nuk do të duhej të habiteshim se përse lëndët parashkruhen, ose përse ka kaq pak raste që do të duhej të përfundonin me burg. Dhe jo, nuk mjafton të fajësohen gjyqtarët, atëherë kur prokurorët nuk mund të gjejnë prova. Mbase pse nuk i marrin parasysh që të gjitha që i kanë në dispozicion.

* * *

Dikush do të thoshte që burrat na qenkan problemi më i madh i Kosovës, pas leximit të këtij teksti. E në fakt edhe janë: burrat e këqij, burrat arrogantë, burrat injorantë, burrat mashtrues – janë ata që e kanë sjellë Kosovën në situatën që e jeton. Por do të isha shumë e padrejtë po t’ua lija fajin vetëm atyre: sepse fajin e kanë edhe gratë që pranojnë të jetojnë nën diktatin e mentalitetit të odave të burrave. E kanë fajin që nuk imponohen aty ku duhet për të marrë më shumë pushtet. E kanë fajin se pranojnë të bëhen marionetat e po atyre burrave që në fund vendosin për to.

Këtë që e jetojmë është problem i thellë shoqëror që do të na marrë kohë për ta eliminuar, po qe se do të mundemi ndonjëherë. Dhe është i thellë për shkak se ky popull është apatik; është dëshmuar i dëshpëruar në kufi me depresionin, dhe është lehtë i manipulueshëm për një rrogë, a një pension, a një tender. Për shkak se ende beson në fjalën “burrëri”, në kuptimin e njeriut të besës – njeriut të fjalës.

Ky vend ka nevojë për një revolucion shoqëror, për një ndërrim mendësie që do ta sjellin së bashku burra e gra që kanë parime. Që kanë dashuri të njëmendtë për këtë vend. Që nuk duan që historinë të detyrohen ta rijetojnë brez pas brezi, për shkak se nuk kanë nxjerrë asnjë mësim nga pësimet që vetes ia ka shkaktuar ky popull sa herë ka pasur mundësinë të fitojë.

flaka@koha.net