Po fillon Epoka e Gjykatës Speciale

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 11 nëntor 2017 09:49

Menjëherë pas zgjedhjeve do të ketë përgjigjje të qarta në thuaja të gjitha pyetjet spekulative të deritashme, me pasojat e të cilave do të merremi gjatë.Sidoqoftë, një pyetje do të qëndrojë pezull: A do të sjellë kjo Gjykatë, përfundimisht, drejtësi?.

TASH PO PËRFUNDON edhe cirku i vitit zgjedhor në Kosovë - fitoi kush fitoi, humbi kush humbi – dhe qytetarët do të përgatiten për festat e fundvitit. Fituesit do të festojnë më shumë, humbësit do t’i bëjnë hesapet se përse humbën.

Shkurt, ky do të ishte rrëfimi i rëndomtë për një shtet normal, pas një viti të mbushur me cikle zgjedhore.

Mirëpo, ja që Kosova, megjithatë, nuk është një shtet normal dhe si e tillë nuk do ta ketë luksin e ciklit të zakonshëm të funksionimit si shumica e shteteve të tjera. Një gjë që e dallon Kosovën nga një shikim romantik drejt festave vezulluese të fundvitit pas një viti dinamik është se me përfundim të “epokës” zgjedhore menjëherë do të fillojë një epokë tjetër, epokë e vrazhdë e pa asnjë lloj shkëlqimi – epoka e Gjykatës Speciale.

ËSHTË NJË NDËR temat më të përfolura të viteve të fundit në vend dhe në të njëjtën kohë tema pa dyshim me më së shumti spekulime e viteve të fundit.

Kush do të akuzohet?

A do të shkojnë “peshqit e mëdhenj” të përmendur në raportin e Dick Martyt, apo ata s’do të trajtohen fare?

A janë bërë pazare politike, në mënyrë që dikush të akuzohet dhe dikush të shpëtojë?

Pse nuk na përkrahu Amerika dhe a është kjo fitore e Rusisë?

A po gjykohet e gjithë lufta e shqiptarëve për çlirim, apo vetëm individët?

A u bë koalicioni PAN në Kosovë në mënyrë që komandantët e UÇK-së të jenë në pushtet në epokën e Gjykatës?

A do të akuzohet dikush për “trafikim të organeve”?

A do të trajtojë edhe “vrasjet politike” ndërmjet shqiptarëve pas luftës?

A do të bëjë që të harrohen krimet e pushtetit serb ndaj shqiptarëve dhe të mbeten në kujtesë vetëm krimet e supozuara të shqiptarëve ndaj serbëve?

A do të ketë, përfundimisht, drejtësi?

Në masën më të madhe, duket se askush as nuk ua ka pasur idenë përgjigjeve.

Me gjithë skepticizmin e bazuar të themelimit të Gjykatës Speciale, deri më tash përgjegjësit e saj ia kanë dalë që në një fushë të jenë veçanërisht “të suksesshëm” – në mosrrjedhjen e informatave. Së këndejmi, edhe konfuzioni i përgjithshëm, i cili pastaj është përdorur për interpretim të grupeve të ndryshme të interesit, varësisht prej kalkulimeve e qëllimeve respektive.

KJO HUTI reflektohet qartë edhe në raportin e përbashkët të organizatave Integra, CPT, PAX dhe Impunity Watch, me titull “Perceptimi Publik i Gjykatës Speciale të Kosovës – rreziqet dhe mundësitë”. Në matjen e opinionit publik të prezantuar në raport 60.4 për qind e shqiptarëve të Kosovës pohojnë të mos kenë marrë informacione të bollshme për funksionimin e Gjykatës.

Kurse, pavarësisht se pa informacione të bollshme, mbi tri të katërtat e respondentëve të pyetur, ose 76.4 për qind e shquajnë si jo të drejtë Gjykatën Speciale “për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, që lidhen kryesisht me UÇK-në”.

Për ta komplikuar edhe më tutje përshtypjen, gati dy të tretat e respondentëve shqiptarë, ose 60 për qind, shprehin besim se “ka gjasa” ose “ka shumë gjasa” që Gjykata Speciale të sjellë drejtësi për kryesit e krimeve të rënda të luftës.

Në anën tjetër, sërish, gjysma e tyre, ose 51 për qind, janë të gatshëm të protestojnë nëse luftëtarët e UÇK-së akuzohen nga Gjykata Speciale.

Natyrisht, kjo huti në popullatë pjesën më të madhe ia ka hak klasës politike.

PDK-ja, anëtarët e së cilës më së tepërmi janë përmendur si persona që eventualisht mund të përfundojnë në këtë Gjykatë, e ka votuar atë në Kuvend.

Edhe LDK-ja e ka bërë të njëjtën, duke u thirrur pikërisht në përgjegjësitë që ende nuk dihet se do t’i ketë Gjykata, siç janë “vrasjet politike” të aktivistëve të saj gjatë dhe pas luftës.

Lëvizja Vetëvendosje, AAK-ja dhe NISMA kanë qenë kategorikisht kundër, mirëpo edhe aty tash janë përzier llogaritë, për shkak se këto dy të fundit tashmë ndodhen në një qeveri të përbashkët me PDK-në, në periudhën kur pritet fillimi i punës së Gjykatës.

Një përzierje qëndrimesh e disponimesh, e cila nuk krijon asnjëfarë qartësie të qëndrimit insitucional të vendit.

MIRËPO, NË TË gjithë këtë, një është e sigurt – që nga java e përfundimit të zgjedhjeve do të fillojë të jetë më e prekshme epoka e Gjykatës Speciale.

Në javët dhe muajt në vazhdim gjithsesi do të ketë përgjigjje të qarta në thuaja të gjitha pyetjet spekulative të deritashme, me pasojat e të cilave do të merremi gjatë.

Sidoqoftë, një kryepyetje do të vazhdojë të qëndrojë pezull: A do të sjellë kjo Gjykatë, përfundimisht, drejtësi?

adriatik@kohavision

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi