Si u bë Surinami, shteti me gjysmë milioni banorë, temë kryesore në Kosovë dhe Serbi

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 08 nëntor 2017 08:20

Nëse nuk ka njohje të reja të Pavarësisë së Kosovës dhe nëse ndonjë shtet i bie pishman pse na ka njohur, kjo nuk është aq shumë për shkak të dështimit të Qeverisë së Kosovës, apo meritë e Serbisë. Është thjesht dëshmi se aleatët kryesorë dhe sponsoruesit e pavarësisë së Kosovës, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, kanë ndalur angazhimin në sigurimin e njohjeve. Edhe ashtu gati të gjitha njohjet janë siguruar nga këta aleatë, ndërsa disa politikanë kosovarë vetëm kanë pritur të ndodhnin njohjet dhe t’i merrnin meritat. Harta e botës, me vendet që e kanë njohur dhe nuk e kanë njohur Kosovën, pak a shumë tregon edhe ndarjen e shteteve properëndimore dhe ato që janë në anën tjetër, me përjashtim të disa vendeve të BE-së

Një shtet i cili ka problem ta forcojë shtetësinë e vet edhe 10 vjet pas shpalljes së Pavarësisë e konsideron si tragjedi edhe dyshimin e një shteti të vogël dhe të largët rreth njohjes së pavarësisë së saj. Kështu ndodhi këto ditë me Kosovën pasi ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, shpalli lajmin se, sipas tij, Republika e Surinamit, ish-kolonisë së Mbretërisë së Holandës, e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në rrethana normale për një shtet do të ishte krejtësisht e parëndësishme nëse e njeh apo jo Surinami. Ky shtet, me rreth vetëm gjysmë milioni banorë, nuk ka ndonjë rëndësi as për Kosovën, as për Serbinë. Por tash në të dyja anët përdoret emri i këtij shteti për të pasqyruar një proces dhe për të imponuar një debat nëse njohja e pavarësisë së Kosovës është proces i pakthyeshëm apo jo.

Për Kosovën problem serioz nuk është mosnjohja apo jo nga ana e Surinamit. Me kalimin e numrit 100 të shteteve që e kanë njohur Kosovën është siguruar njohja nga shumica e shteteve të botës. Natyrisht se secili shtet i ri që njeh Kosovën e shton këtë numër, por nuk do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe në pengesat që ka Kosova në proceset e integrimit në strukturat rajonale, evropiane dhe botërore.

Për Kosovën mungesa e njohjeve nga disa shtete paraqet pengesë serioze, shpesh edhe të pakapërcyeshme për faktorizimin ndërkombëtar të saj dhe për realizimin e aspiratave të integrimit në organizmat ndërkombëtarë. Fakt është se shumica e shteteve anëtare të OKB-së, shumica e madhe e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së e kanë njohur Kosovën. Problem për Kosovën është kundërshtimi dhe pengesat që i bën Rusia Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku ajo, krahas Kinës që është më pak e interesuar, ka të drejtë vetoje, pastaj Spanja me katër shtetet e tjera në BE dhe tri shtete të tjera në NATO, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina në rajon.

Në rastin e BE-së dhe NATO-s nuk ndihmon shumë as fakti se Kosovën e kanë njohur pothuajse të gjitha shtetet anëtare (në NATO 24 prej 28, ndërsa në BE 23 prej 28) pasi në çështjet që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në BE, e në rastin e NATO-s në të gjitha çështjet, vendoset me konsensus. Madje fitohet përshtypja se më aktive janë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën sesa ato që e kanë njohur. BE-ja ia përmend Kosovës emrin me fusnotë, ndërsa NATO-ja heziton madje edhe emrin t’ia përmend Kosovës dhe kur përmend liderët politikë ata i përmend me emra e jo me funksione që kanë. Pa njohje nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe të BE-së Kosova nuk mund të anëtarësohet në këto shtete. E pamë edhe në vizitën e fundit të Këshillit të Atlantikut të Veriut (Trupi kryesor politik i NATO-s i përbërë nga ambasadorët e 28 shteteve anëtare) se NATO-ja madje në mënyrë qesharake do të thoshim edhe poshtëruese e trajton Kosovën. Sipas NATO-s, ky delegacion nuk e ka vizituar fare Kosovën, por vetëm KFOR-in, ndërsa nuk është takuar me president apo kryeministër e ministra, por vetëm me disa persona privatë.

Përpos numrit, për Kosovën e rëndësishme është njohja nga disa shtete kyç, apo së paku pranimi i atyre shteteve që të mos e pengojnë Kosovën. Kroacia dhe Sllovenia, dy shtetet e para të krijuara në territorin e ish-Jugosllavisë, kanë më shumë se 25 vjet që janë njohur ndërkombëtarisht. Si datë e njohjes ndërkombëtare konsiderohet njohja e tyre nga Bashkimi Evropian.

Është interesant të thuhet se ende janë 14 shtete që nuk e kanë njohur Kroacinë si shtet dhe nuk kanë lidhur marrëdhënie diplomatike me të. Edhe më interesante është se shumica e atyre shteteve që nuk e kanë njohur Kroacinë e kanë njohur Kosovën. Si për shembull: Butani, Gjibuti, Liberia, Ishujt Mareshal, Swaziland, Tonga dhe Tuvalu. Për disa nga këto shtete vështirë se do të kishim dëgjuar sikur të mos ishin në listën e vendeve që e kanë njohur Kosovën, ndërsa për Surinamin do të kenë dëgjuar vetëm ata shqiptarë që dinë më shumë për Holandën.

Shpesh në Kosovë është bërë debat dhe bëhet edhe tash rreth njohjeve. Por ky debat është i shtrembëruar për shkak të egos së politikanëve që të marrin meritat për njohje, ndërsa të mos ndiejnë kurrfarë përgjegjësie për dështimet në rritjen edhe më të madhe të numrit në njohje.

E fakt është se shumica e madhe e njohjeve të Kosovës janë bërë falë punës dhe insistimit të shteteve sponsoruese të pavarësisë së Kosovës dhe atyre që mbështesin këtë shtetësi që nga fillimi i procesit të caktimit të statusit. Nëse shihet harta e botës me shtetet që e kanë njohur Kosovën, vërehet qartë se fjala është për shtete ku ndikim të madh kanë fuqitë perëndimore, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Deri diku ka ndihmuar edhe Turqia. Njohjet kanë munguar nga vendet ku kanë ndikim Rusia dhe Spanja dhe këto shtete kanë një prirje kundër SHBA-së dhe Perëndimit, siç është Irani dhe Koreja e veriut.

Rusia tek vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në disa vende islamike, të cilat kanë qëndrim antiperëndimor, ndërsa Spanja në disa vende të Afrikës së Veriut dhe të Amerikës Latine. Politikanët nga Kosova ose kanë vendosur kontakte formale kur një shtet na ka njohur, pasi puna ishte kryer nga dikush jashtë Kosovës, ose prisnin që të shpallej njohja e pastaj të mundoheshin të merrnin meritat për vete. Një sjellje e tillë pos që ka qenë manipuluese, ka qenë edhe jokorrekte ndaj shteteve diplomacia e së cilave ka investuar shumë në njohjen e Kosovës. Dhe një sjellje e tillë e marrjes së meritave ka ndikuar edhe në zbehjen e vullnetit tek këto shtete që të vazhdojnë me nivelin e njëjtë të lobimit për njohje me të cilin kishin filluar në fazën e parë të passhpalljes së Pavarësisë.

Nëse nuk ka njohje të reja të Pavarësisë së Kosovës dhe nëse ndonjë shtet i bie pishman pse na ka njohur, kjo nuk është aq shumë për shkak të dështimit të Qeverisë së Kosovës, apo meritë e Serbisë. Është thjeshtë dëshmi se aleatët kryesorë dhe sponsoruesit e Pavarësisë së Kosovës, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, kanë ndalur angazhimin në sigurimin e njohjeve. Edhe ashtu gati të gjitha njohjet janë siguruar nga këta aleatë, ndërsa disa politikanë kosovarë vetëm kanë pritur të ndodhnin njohjet dhe t’i merrnin meritat. Harta e botës me vendet që e kanë njohur dhe nuk e kanë njohur Kosovën pak a shumë tregon edhe ndarjen e shteteve properëndimore dhe ato që janë në anën tjetër, me përjashtim të disa vendeve të BE-së.

Ajo që tash është evidente është dështimi i dialogut në Bruksel që të ndikojë në parandalimin e obstruksioneve që Kosovës i bën Serbia duke bërë përpjekje të vazhdueshme dhe duke i inkurajuar të tjerët që të pengojnë integrimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Vazhdimi i sjelljes së tillë të Serbisë dëshmon se nuk ka avancuar fare normalizimi i raporteve edhe pse Qeveria e Kosovës, duke dashur të mbrojë pjesëmarrjen në dialog dhe disa kompromise të dëmshme, gjithmonë flet së në dialog po normalizohen raportet mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane dhe të pavarura.

Duhet pranuar se Serbia në dialog nuk ka pranuar asnjë obligim që të mos e pengojë Kosovën në integrimet në organizmat ndërkombëtarë, edhe pse kjo ka qenë një ide para se të arrihej Marrëveshja e parë e atëherë dy kryeministrave, Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit. Por në vend të fjalisë që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën për integrimet në nismat dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare u pranua kërkesa e Serbisë dhe u vendos formulimi që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën “në rrugën e tyre përkatëse evropiane”, pra një formulim i cili nuk ka kurrfarë vlere apo kuptimi. Së pari, “rruga përkatëse evropiane” është e papërcaktuar dhe e padefinuar, ndërsa nëse me këtë mendohet në integrimet në BE, Kosova nuk mund edhe ashtu ta pengojë Serbinë, ndërsa as Serbia për momentin nuk mundet në mënyrë direkte ta pengojë Kosovën. Prandaj ky ka qenë një rast i humbur për Kosovën që përmes dialogut Serbia të obligohet që të mos e pengojë Kosovën të integrohet në organizatat ndërkombëtare dhe e inkurajuar Serbia e ka bërë fushatën kundër Kosovës edhe në mënyrë shumë agresive.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj