Filmat e Kosovës

Flaka Surroi Flaka Surroi 07 nëntor 2017 07:51

Na u bënë shumë vjet të shikuarit e filmave të këqij, me aktorë të njëjtë, herë kryesorë e herë dytësorë. Dhe problemi i këtyre filmave është që një pjesë jo e vogël e popullatës vazhdon ta mbajë rolin e statistit. Të atij që duron gjithçka me shpresën se “hajt se bëhet mirë”; “hajt se iu kalon qejfi”; “hajt se kanë me ra dikur”... E kur? Nuk dihet

Të jetosh në Kosovë është sikur ta shikosh një film me skenar të njëjtë, të aktruar nga të njëjtët aktorë, por të cilët kohë pas kohe i ndërrojnë rolet. Kështu, në 18 vjetët e fundit, kryesisht kemi parë veprimet e njerëzve të njëjtë, kemi folur për të bëmat e tyre, kemi evidentuar fjalët boshe që na i kanë thënë dhe në fund kemi nxjerrë përfundimin shumë të logjikshëm se me njerëz të “vjetër” nuk mund të ketë “fillim të ri”.

Çka pamë gjatë javës së shkuar që tashmë ka mundur të jetë ndryshe prej asaj që kishim parë edhe më parë? Pos emrave të ca personave që u bënë kryetitull, ngjarjet qenë pak a shumë të njëjta. Pos mbase rastit Kumanova, që përfundoi në shkallë të parë me dënime shumë të rënda, përderisa ende e la një pikëpyetje shumë të madhe, së cilës nuk e di kush do t’i japë përgjigje.

Dosja e manipuluar dhe faktet e reja

Aleksandër Lumezi vazhdon të jetë kryetema. Dilemave rreth vërtetësisë së provimit të tij të judikaturës iu shtuan edhe dy deklarata publike të njerëzve që kishin qenë anëtarë të komisionit për formimin e gjyqësorit të Kosovës së pasluftës. Që të dy, Riza Smaka dhe Adil Fetahu, kishin deklaruar se Lumezi kur ishte intervistuar për punën e prokurorit, kishte thënë se nuk e kishte provimin e dhënë të jurisprudencës, dhe se si të tillë, duke iu përmbajtur rregullores, nuk kanë mundur ta propozonin për pozitën në të cilën kishte konkurruar.

Ishte fakt, megjithatë, se kryeadministratori i asaj kohe, Bernard Kouchner, e kishte emëruar për prokuror. Kjo me gjasë kishte ndodhur jo me dijen e komisionit, ngase nga shënimet që i kishin mbajtur dilte se propozimi për emërime të gjykatësve mbi të cilin ishte bazuar Kouchneri nuk kishte rrjedhur nga komisioni. Pra, deri në gjetjen e dokumentacionit burimor, do të jetë vështirë të dihet se çka në të vërtetë ka ndodhur aty. Kjo, nëse dokumentet gjinden.

Por, nga ana tjetër, dosja e Lumezit në Gjykatën e Apelit, ku ishin grumbulluar dosjet e ish-Gjykatës së Qarkut ku ky e kishte kryer praktikën, nuk përmban vërtetimin, i cili iu lëshohet kandidatëve për të aplikuar për provimin e judikaturës. Pra, do të kujtojmë që sipas dosjes së gjetur në Arkivin e Kosovës, aty ku emri i Lumezit është gjetur i shkruar mbi emrin e Zymer Krasniqit, kandidati i ishte nënshtruar provimit në shkurt të vitit 1991 dhe se kishte hyrë në riprovim në prill 1991. Ajo që është gjetur në dosjen e Lumezit në Apel, është kërkesa për pushim për ta përgatitur provimin e judikaturës në prill 1991. Pra, ka sërish ndërprerje të zinxhirit të dokumenteve që lë hapësirë për interpretim, por që assesi nuk jep sqarim.

Prokuroria thotë se tashmë ka nisur hetimet për këtë rast, dhe se me lëndën po merret prokurori Munishi, i cili ka qenë këshilltar i Lumezit dhe bashkëpunëtor i afërt i tij. Ky është konflikt i pastër i interesit, dhe ftesa që ministri i Drejtësisë i ka bërë EULEX-it që ta monitorojë nga afër këtë rast nuk do ta zgjidhë problemin assesi. Përkundrazi.

Fakti se dosja e gjetur në Arkiv është e manipuluar mbetet i pandryshuar. Dhe, si i tillë, është shumë brengosës – sepse po qe se do të ishte e vërtetë se kjo certifikatë nuk është marrë në mënyrë të rregullt, atëherë kjo do ta bënte kryeprokurorin njeri të shantazhueshëm – pra njeri që do të detyrohej të vepronte jashtë rregullave juridike në këmbim për heshtjen. E kjo është arsyeja kryesore se përse ky rast duhet të zgjidhet urgjentisht dhe me themel.

Qeveri e fryrë deri para shpërthimit

E themelet e kësaj Qeverie duket se së shpejti do të nisin të çahen nga pesha e ministrave, zëvendësministrave dhe e këshilltarëve politikë që janë mbledhur në ekzekutiv. Mbase karikatura e djeshme e Jemit, e një autobusi të cilit i ngjitet një tjetër prapa, është dashur të kishte formën e një balone të fryrë deri në pikën ku futja e edhe një zëvendësministri do ta shpërthente.

U gjeta jo pak e befasuar që në dy javët e fundit zbulova se sa shumë miq virtualë të Facebookut më ishin bërë zëvendësministra. Nuk kishte ditë që nuk më dilnin nga dy a më shumë postime me fotot e zëvendësministrave të rinj me Haradinajn, duke iu falënderuar këtij të fundit për besimin e dhënë.

E me gjithë këtë fakt, se po i shoh postimet për çdo ditë, ende nuk e kam të qartë se sa zëvendësministra i ka kjo Kosovë kineze. Nëse secili ministër do t’i ketë tre të tillë, në fund do të na bëhen 66 zëvendësministra. E nëse secili ministër i ka nga minimum 5 këshilltarë, e zëvendësministrat nga 2 të tillë, Kosova do të bëhet me rreth 250 këshilltarë – me ç’gjë përfundimisht do të hyjmë në Librin e Guinessit për qeverinë më të madhe në botë.

Një kalkulim i thjeshtë matematikor – ta marrim që të gjithë këta paguhen mesatarisht nga 500 euro në muaj (ani që e dimë se kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat paguhen më shumë), buxhetit të Kosovës i kushtojnë rreth 175 mijë euro në muaj vetëm rroga. Pra, rreth dy milionë euro në vit. Dhe shtrohet pyetja për çka? Çka bëjnë gjithë këta njerëz gjithë ditën e lume? Nëse njerëzit e zgjedhur për t’i udhëhequr dikasteret janë aty për shkak se dinë dhe kanë mend, për çka iu duhen gjithë ata zëvendës, këshilltarë, shefa kabineti, sekretare, asistentë?

Njerëzit e vjetër, të mësuar të “punojnë” me avazin e vjetër nuk mund të sjellin asnjë ndryshim. Njerëzit të cilët thonë se prioritet e kanë Kosovën duhet t’ia nisin më së pari me shkurtimin e shpenzimeve kot të buxhetit; nuk duhet që borxhet e fushatës apo të ndonjë favori të mëhershëm t’i kthejnë me poste në Qeveri që Kosovës nuk i sjellin dobi, përkundrazi. Sepse veprimet e para në këta dy muaj ekzekutivi të ri e kanë dëshmuar atë të vjetrën: formimi i një qeverie të këtillë, të përbërë prej 30 e sa subjekteve politike, me stabilitetin që mund t’i rrënohet në çastin e parë që dikush do të ndihet i “ofenduar” në këtë kombinim e ka për qëllim shfrytëzimin maksimal të pozitës për dobinë personale. Krejt të tjerat janë përralla.

Të flijuarit për çka?

Përralla mbase do t’i ketë shtyrë kosovarët që para dy vjetësh ia mësynë Kumanovës të bënin atë që e bënë. A do të ketë qenë përralla e pasurimit të shpejtë, apo përralla e “çlirimit” të shqiptarëve në Maqedoni ajo që e shkaktoi ngjarjen e 2015-s në këtë qytet, ku shqiptarët e bëjnë një të katërtën e popullsisë, me gjasë nuk do ta kuptojmë për shumë kohë. Fakti është se në majin e 2015-s u vranë madje 10 shqiptarë dhe 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë të Maqedonisë. Ndërkohë u arrestuan 37 veta. Prej pardje, 33 prej tyre morën dënime shumë të rënda burgimi nën akuzën, kinse të vërtetuar, për veprën e terrorizmit.

Pjesa dërrmuese e të dënuarve janë nga Kosova – dhe as pas dy vjetësh nuk u kuptua se përse shkuan atje. Çfarë ishte ajo që i shtyu të shkonin, të afroheshin te kufiri, të armatoseshin (me gjasë me përfshirjen e shërbimit sekret shtetëror të Maqedonisë, siç përsëritet vazhdimisht), ta zbraznin Kodrën e Trimave e të nisnin një aksion që nuk e ka logjikën, as më të voglën bile?

Kush do të ketë qenë organizatori i transferimit të tyre matanë kufirit dhe cilat do të kenë qenë arsyet për një punë të tillë? Paraja? Kontrolli politik? Kontrabanda? Kush ka qenë ai njeri apo ai grup njerëzish me fuqi të mjaftueshme organizative e logjistike qe ka mundur t’i qaset një aksioni të këtillë që nuk ka pasur ndonjë kuptim – pos nisjes së një lufte, e cila nuk do të mundë të zhvillohej e as të forcohej pa numra më të mëdhenj ushtarësh, e aq më pak pa armë të tjera që nuk janë kallashnikovë.

Kur kishte ndodhur ngjarja në Kumanovë ishte folur për pagesën e ca miliona eurosh për ata që do ta shkaktonin një incident në Maqedoni, ashtu që të shpërqendrohej vëmendja nga përgjimet telefonike që po bëheshin publike nga opozita, dhe t’i shpëtohej lëkura Gruevskit. Po të ishte kjo e vërteta – atëherë kjo shpalos dy gjëra tepër negative për shqiptarët, në veçanti ata të Kosovës. E para është se as pas një dekade e gjysmë Kosova nuk ka qenë në gjendje t’u sigurojë jetë normale njerëzve që e gjetën vdekjen në Kumanovë, e që për para pranuan të bëheshin mercenarë për të krijuar një situatë destabilizimi për ta favorizuar dikë që me ngulm i ka ngulfatur shqiptarët gjatë qeverisjes së vet dhjetëvjeçare. E dyta, se shqiptarët, në sytë e opinionit publik, dalin të jenë njerëz të dhunshëm, të cilët nuk meritojnë asnjë përkrahje e as kujdes, e besa asnjë investim – për shkak se apriori ngjallin frikë.

Kushdo që e ka nxitur Kumanovën e 2015-s mbase edhe do të jetë pasuruar nga kjo punë. Porse favor më të keq nuk ka mundur t’i bëjë Kosovës, kurse të implikuarve dhe familjarëve të tyre u ka shkaktuar dëm të riparueshëm: dikujt ia ka këputur jetën, e dikë e ka detyruar t’i rijetojë gjykimet e rënda ku dënimin nuk e marrin ata që vërtet e meritojnë.

* * *

Na u bënë shumë vjet të shikuarit e filmave të këqij, me aktorë të njëjtë, herë kryesorë e herë dytësorë. Dhe problemi i këtyre filmave është që një pjesë jo e vogël e popullatës vazhdon ta mbajë rolin e statistit. Të atij që duron gjithçka me shpresën se “hajt se bëhet mirë”; “hajt se iu kalon qejfi”; “hajt se kanë me ra dikur”... E kur? Nuk dihet.

Sa mirë do të ishte po qe se e gjitha do të mundë të niste nga e para, nga 1999-a, por me përvojën që e kemi mbledhur për këta 18 vjet. Mbase do të kishim ditur të vepronim ndryshe, e mos t’i mbanim në pushtet këta që na dërrmuan. Mbase nuk do të kishim lejuar që t’i shtrinin pipthat ngado që kanë mundur, e ta kontrollojnë secilin cep të jetës. Mbase.

Do të ishte mirë, por kjo është e pamundur.

Dhe i pamundur do të jetë ndryshimi në Kosovë, përderisa në filmat tanë do të luajnë të njëjtët aktorë.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi