Hetimi që nuk na bind

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 05 nëntor 2017 08:00

Presioni publik do të duhej të ishte i fundit që të bindte Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) që të ndërmerrte veprime ndaj kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, nëse ky nuk largohet me vetiniciativë. Me inicimin e procedurës së shkarkimit, apo të paktën pezullimit, Këshilli do t’i jepte shans hetimit të pavarur dhe më shumë se kaq, kthimit të besimit gati krejt të humbur në institucione dhe në shtet

Ka dy javë që ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, ka akuzuar kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin, për falsifikim të provimit të jurisprudencës. Për po aq javë janë duke u shpërfillur nga vetë kreu i organit të akuzës, argumentet që i ka hedhur në dritë Hasani e që janë përimtuar ditëve në vijim nga media dhe monitoruesit e sistemit të drejtësisë. Çuditërisht, për po aq javë është duke vazhduar edhe heshtja e bartësve të institucioneve ligjvënëse, shoqërisë civile dhe e “ekspertëve të fushës“, për “bombën” që, nëse jo dëme, do të kishte shkaktuar pak më shumë zhurmë, në vendin që ka prirje për të.

Meqë argumentet e njërës palë flasin kundër Lumezit, dhe mungojnë kundërshtimet e këtij të fundit, s’ka kuptim që në krye të institucionit më të lartë të akuzës të mbahet personi, emri i të cilit është lakuar publikisht si i dyshuar për falsifikim. Kjo s’ka kuptim edhe sikur e ardhmja të flasë në favor të tij.

Presioni publik do të duhej të ishte i fundit që të bindte Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) që të ndërmerrte veprime ndaj kryeprokurorit. Nuk ka nevojë të paragjykojë fajësinë e tij deri në përfundim të ekspertizës dhe veprimeve juridike. Me inicimin e procedurës së shkarkimit, apo të paktën pezullimit, Këshilli do t’i jepte shans hetimit të pavarur dhe më shumë se kaq, kthimit të besimit gati krejt të humbur në institucione dhe në shtet.

Qëndrimi i Këshillit Prokurorial nuk duhej të ishte i ngjashëm me atë të Shoqatës së Prokurorëve, që para disa dite i doli në krah Lumezit. Anëtarët e Këshillit me heshtjen e tyre dhe solidarizimin me “shefin” do t’i bënin dëm, jo Lumezit, por vetë sistemit të drejtësisë. Do të ishte shkatërrues deklarimi si ai i Shoqatës së Prokurorëve kur dyshimet e hedhura mbi Lumezin i quajnë “të fabrikuara dhe të papranueshme, të rrezikshme dhe tendencioze, që krijojnë pasiguri...“ e pallavra të tjera.

A ka më shumë pasiguri për institucionin dhe vendin, sesa shefi i Prokurorisë së Shtetit të “kapet“ në falsifikim, dhe jo të çfarëdolloj dokumenti. Falsifikimi ka të bëjë me përgatitjen e tij profesionale, si dëshmi për avancimin e tij në institucionin më të lartë të akuzës. Ka të bëjë me moralin publik, që është më i rëndësishmi për kryerjen e këtij funksioni publik. Falsifikimi, jo vetëm që diskrediton atë personalisht, por vë në dyshim edhe besueshmërinë tek të gjithë vartësit e tij, të vendimeve, të emërimeve e të menaxhimit të Këshillit Prokurorial.

Prokurorët, edhe po të kishte kundërshtime të forta nga Lumezi se nuk e ka falsifikuar provimin e jurisprudencës, do të duhej të mbanin distancën derisa t’i vihet pikë çështjes. Ata, nëse nuk kanë mësuar se dyshimi çon te e vërteta, atëherë nuk janë për këtë punë.

Ata dhe të tjerët që po heshtin sot, nuk duhet ta vlerësojnë peshën e institucionit të Prokurorisë së Shtetit mbi bazën e marrëdhënies personale me vetë kreun e tij. Kryeprokurorin e njohim shumë nga ne, nga jeta private, madje me vlerësim pozitiv. Publiku ka mbajtur shpresën se ardhja e tij në krye të organit të akuzës mund të lëvizë për mbarë luftën kundër krimit, korrupsionit dhe fenomeneve të tjera negative. Se mund të nisë me zhdukjen e strukturave të korruptuara e të kalbura brenda këtij sistemi. Se fuqia ligjore dhe autoriteti i tij, që shkon edhe mbi atë të presidentit e të kryeministrit, mund të rrisin efikasitetin dhe profesionalizmin e Prokurorisë së Shtetit.

Por, pavarësisht njohjeve personale dhe vlerësimit pozitiv për Lumezin si person jashtë institucionit, tash janë “100 arsye” të tjera që rasti i tij të trajtohet me seriozitet. Kemi obligim të reagojmë, ngase na obligon denoncimi publik, pavarësisht nëse ai vjen nga ish-kryetari i Kushtetueses dhe ish-rektori i UP-së, Enver Hasani, që është dënuar muajin e kaluar me një vit burgim me kusht për “mashtrim në detyrë”. Hasani gjetjet i ka bërë si qytetar. Dënimi i tij nga shkalla e parë, nuk i bënë as më pak e as më shumë të besueshme argumentet. Edhe përplasjet që pati me Lumezin gjatë procesit të zgjedhjes së këtij të fundit në KPK e edhe pas ngritjes së dy aktakuzave kundër Hasanit nga institucioni që drejton Lumezi, nuk do të duhej t’i përjashtonin dyshimet për një falsifikim të mundshëm të provimit të jurisprudencës. Nuk na intereson as motivi “hakmarrës” që ka shtyrë Hasanin që t’i futet një hetimi privat të dosjes së Lumezit. Për opinionin publik është e rëndësishme e vërteta, si për Hasanin që drejtoi Kushtetuesen dhe Universitetin e Prishtinës, e po ashtu për Lumezin që drejton ende Prokurorinë.

Opinioni do që të dijë nëse Lumezi është fajtor dhe po aq i dëmshëm për institucionin, siç ishte jo vetëm Hasani, por ta zëmë edhe njëri nga pasardhësit e tij në UP, Ibrahim Gashi. Të gjithë jemi dëshmitarë se si për largimin e Gashit ishte mobilizuar struktura politike, shoqëria civile dhe organizatat studentore. Botimet shkencore në revista fiktive quan në reagim të ashpër qytetar, aq sa se protestuesit e mllefosur ishin gati ta nxirrnin zvarrë nga zyrat e Rektoratit.

Gashi ka mundur të vihet në lajthitje për shkak se, si ai, ka qindra studiues që kanë botuar nëpër revista, “pa ditur” nëse ato janë fiktive dhe pjesë e skemave mashtruese. Por ai pagoi çmimin e karrierës dhe të vlerësimit publik, për aq sa rëndoi faji mbi të.

Më ndryshe është rasti me Hasanin. Me të ka përfunduar punë, jo publiku, por drejtësia dhe për këtë nuk mund t’i hipim më në qafë derisa nuk kemi një tjetër arsye shtesë për ta fajësuar. Nisur nga kjo, inicimi i rastit Lumezi është meritë e Enver Hasanit. Dhe këtë meritë nuk ke si ta kontestosh, pos nëse i ke inat Hasanit e i ke borxh Lumezit.

E “borxhlija” i parë u bë i gjallë të mërkurën. Isa Mustafa ishte i pari lider politik që u vu në mbrojtje të kryeprokurorit. Përveç që u rreshtua në anën e tij dhe denoncimin e quajti “gjueti”, Mustafa tentoi të gjejë behane tek Hasani. Ia zuri për të madhe atij pse e ka mbajtur fshehtë argumentin për falsifikim, e nuk kërkoi asnjë përgjegjësi nga Lumezi. Hasani ka sqaruar se të vërtetën e falsifikimit e di që nga prilli i këtij viti, por se nuk e ka bërë publik për të mos cenuar procesin gjyqësor që zhvillohej kundër tij për rastin e librave të UP-së.

Të tjerat, Hasani duket se ia ka lënë Mustafës që pretendon se është lideri i partisë më të madhe në vend, që ka ambicie të fitojë gjysmën e pushtetit komunal në Kosovë dhe pse jo edhe rikthimin e tij në pushtetin qendror. Mustafa e do pushtetin, por nuk hap front me drejtësinë, tek e cila janë dërguar nga komuna 70 dosje që rëndojnë mbi të. Nga reagimi tij lë të kuptohet se ose Aleksandër Lumezi është “i tij” ose e kundërta. Nuk ka asnjë arsye tjetër që personi që kishte shumë vjet pushtet ekzekutiv, të bëhet zë i fuqishëm i shefit të një institucioni të pavarur dhe që ka për obligim të vërë para organit të akuzës politikanët e përfshirë në krim e korrupsion.

Reagimi i tij dhe heshtja e të tjerëve dëshmojnë se këta nuk e kanë hallin as te skandali e as te ulja e besimit në institucionin më të lartë të akuzës. Më shumë se kaq, ata kanë hallin e ndryshimeve që mund të pasojnë në të ardhmen në këtë institucion, se mund të rinisin proceset që janë mbyllur me forcë, e edhe më keq, se edhe mund të hapen dosjet e tyre dhe të familjarëve, ashtu siç bëri Hasani me Lumezin. Pra, një praktikë që mund të kontestojë moralin politik e qytetarë të drejtuesve të partive e të institucioneve.

Nëse këta që nuk i rrëzon as vota e as drejtësia arrijnë të notojnë në ujin e ndotur po nga ta, Aleksandër Lumezi ka shansin të bëjë të kundërtën, të largohet vetë nga Prokuroria e Shtetit dhe të dëshmojë se për këto vite ka mësuar të paktën se si bëhet drejtësia, dhe se i nënshtrohet asaj. Nëse ai nuk e ka kurajën që t’i bëjë një nder vetës, atëherë vendimin duhet ta marrë Këshilli Prokurorial që t’i bëjë nder institucionit.

Hetimi në rrethanat kur Këshilli Prokurorial dhe Shoqata e Prokurorëve vihen publikisht në anën e shefit të tyre, nuk na bind.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi