Historia e një bakshishi

Enver Robelli Enver Robelli 02 nëntor 2017 08:15

Ka mënyra të ndryshme për t’i dhënë bakshish kamerierit apo ndonjë shërbëtori. Albert Einsteini ishte tepër origjinal

Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, i cili ende nuk është pastruar nga marrëzitë e vokabularit komunist, te shpjegimi i fjalës bakshish thuhet se këto janë të holla që i jepen dikujt për shërbime të vogla mbi vlerën e punës që bën. Pastaj nënvizohet se “te ne (bakshishi) luftohet si mbeturinë e së kaluarës në ndërgjegjen e njerëzve”. Bakshishi si mbeturinë? Komunisti i vërtetë nuk pranon bakshish, as nuk jep. Komunisti është shërbëtor i atdheut, i ndërgjegjshëm, i moralshëm, 24 orë. Disa formulime në Fjalorin e Gjuhës Shqipe janë pasqyrë e qartë e mendësisë së kohës. Te shumë shpjegime mbizotëron fryma ideologjike: perëndimi i egër, i pamoralshëm, i degjeneruar, që lejon fenë, drogën, prostitucionin dhe bakshishin.

***

Për raportin e Albert Einsteinit me bakshishin dihet pak – po aq pak sa për tregimet se ai emigroi në Amerikë i pajisur me pasaportë shqiptare, të cilën ia dha regjimi i Zogut. Është një nga tregimet e popullarizuara ndër shqiptarë, fakte të besueshme duket se nuk ka ose nuk janë zbuluar ende. Por, çfarë dihet është mendimi i Albert Einsteinit mbi koprracinë, tamahqarllëkun, siç thuhet në Kosovë, ndonëse Fjalori i Gjuhës Shqipe tamahqarllëkun e shpjegon si pangopësi dhe lakmi. “Shkalla më e lartë e koprracisë është të mos përdorësh kurrë mendjen tënde”.

***

Më 1922 fizikani Albert Einstein vizitoi Japoninë. Duke bredhur gjithandej Einstein njëherë u gjend në një pozitë të pakëndshme: duhej t’i jepte bakshish një shërbëtori. Nuk dihet nëse kishte apo jo ndonjë jen në xhep, sidoqoftë Einsteini u tregua tepër origjinal: ia dhuroi shërbëtorit dy fletë me fjalë të urta. Në njërën fletë shkroi se jeta e qetë dhe modeste të ofron më shumë lumturi se ngarendja e suksesshme, e shoqëruar me trazim të përhershëm shpirtëror. Kush do të mundë ta kundërshtonte fizikanin e famshëm? Në fletën e dytë Einstein ia dha këtë porosi shërbëtorit të tij japonez: “Ku ka vullnet, gjendet një rrugë”. Një shërbëtor ballkanik ndoshta do t’ia kishte kthyer Einsteinit këtë përgjigje: “Shko në dreq të mallkuar me fletët dhe fjalët e tua”. Shërbëtori japonez i mori letrat dhe i ruajti me kujdes.

***

Javën që shkoi dy fletët me mesazhet frymëzuese të Einsteinit u shitën në ankand në Jerusalem – për 1.5 milionë euro. Shitësi i fletëve, një kushëri i japonezit me banim në Hamburg të Gjermanisë, deklaroi se Einsteini i kishte thënë shërbëtorit të tij t’i ruante fletët, sepse një ditë ato mund të jenë më të vlefshme se çdo bakshish. Një profeci e jashtëzakonshme. Dhe një bakshish origjinal. Në historinë e bakshishdhënies nga Amerika në Azi bakshishi i Einsteinit me gjasë i prin listës. Ndërsa të tjerët presin që kamerieri të kthejë edhe një cent a dy kusur, Einsteini i lë në dorë dy fletë një shërbëtori, të cilat gati 100 vjet më vonë shiten për 1.5 milionë euro. Japonezi që i mori fletët si dhuratë nuk është më gjallë, por kush mund të garantojë se pas një shekulli do t’i përmendej emri nga të gjitha mediat e botës bashkë me Einsteinin.

***

Gjenitë zakonisht bëhen të pasur pas vdekjes. Ndoshta jo me para, por me famë. Einsteini ishte i famshëm në të gjallë të tij, por jo patjetër i pasur, me gjithë çmimin “Nobel” për fizikë. Si hebre ai ishte viktimë e regjimit nazist të Adolf Hitlerit dhe braktisi Evropën në drejtim të Amerikës. Amerika është vend i mundësive të pakufishme. Këtë e kuptoi para katër vjetësh kamerierja Aurora Kephart nga Springfield (Oregon), së cilës një mysafir ia dhuroi dy formularë të lotos. Kephart fitoi 17.500 dollarë. Më 1984 një polic në Dobbs Ferry (New York) në vend të bakshishit ia dhuroi kamerieres së tij të dashur një formular të lotos. Ajo fitoi 6.5 milionë dollarë.

***

Të gjitha këto histori bartin një mesazh. Jo përherë duhet t’i dhuroni kamerierit tuaj të preferuar bakshish në formë të parave. Pse jo një formular të lotos, natyrisht të plotësuar me numrat e duhur. Një pikturë. Një libër. Një skicë. Një karikaturë, për shembull të Jeton Mikullovcit. Dhuratat e vogla e ndërtojnë miqësinë, të mëdhatë e shembin. Einsteini nuk merrte vesh vetëm nga teoria e relativitetit, por dinte me gjasë shumë edhe për raportet ndërnjerëzore dhe dhuratën e duhur. Të gjitha këto himne lavdëruese Einstein mbase do t’i hidhte poshtë me indiferencë, sepse, siç ka thënë, “nuk kam ndonjë aftësi të veçantë, jam vetëm kureshtar me pasion”. Kur ia kishte dhuruar shërbëtorit japonez dy fletët me fjalë të urta, Einsteini ka mundësi të ketë bërë një test: si do të reagojë aziatiku? A do të ndihet i ofenduar? Cila është vlera kulturore e bakshishit në Azi? A ka më shumë vlerë paraja e dhënë si bakshish apo disa fjalë të urta? Për këto pyetje do të mundë të shkruhej edhe një kolumne. Për Einstenin, ndërkaq, janë thënë gati të gjitha. Ose ndoshta edhe jo. Të presim. Ndoshta një ditë shfaqet ndonjë shkodran me lajmin e madh: “Babai im, kamerier në Kafen e Madhe, i shërbeu Einsteinit kafenë, para se ai të shkonte nga Shkodra në Dubrovnik, ku mori anijen për në Amerikë.” Pyetja që do t’ia bëjnë miliona njerëz shkodranit do të jetë: A e ke ruajtur faturën?

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Salih06/11/2017 09:14

Mahnitese. Sidomos kjo: “Shkalla më e lartë e koprracisë është të mos përdorësh kurrë mendjen tënde”. Si do te ishte Kosova nese shumica nuk do te ishin Koprracë te llojit te pershkruar me larte.

kodrasadikit02/11/2017 14:27

Shkrim i mrekullushem si qdohere ,ju lumte z.Rubeli !!

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli