Politikanët në pushtet nuk e kanë lirinë e shprehjes të njëjtë me gazetarët

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 01 nëntor 2017 08:06

Nuk ka dyshim se mediat meritojnë të kritikohen. Por do të ishte mirë sikur kritikat të vinin nga publiku, nga vetë gazetarët e jo nga politikanët, sidomos jo nga ata që janë në pushtet. U pëlqeu apo jo politikanëve, e drejtë apo jo, liria e shprehjes për ata që janë në pushtet nuk vlen si për gazetarët. Gazetarët munden dhe e kanë për detyrë ta kritikojnë pushtetin, ndërsa e kundërta nuk vlen, sepse kritika e pushtetit për gazetarët është ndërhyrje dhe presion politik

Javën që vjen në Tiranë do të zhvillohet një konferencë e madhe e organizuar nga komisari i BE-së për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, Johanes Hahn, kushtuar mediave në rajonin e Ballkanit. Kjo konferencë dyditore është emërtuar si “Ballkan media days” (ditët e mediave ballkanike) dhe ka për qëllim të diskutohet rreth sfidave të mediave, si të përmirësohet kualiteti i gazetarisë në rajon, çfarë roli duhet të luajnë mediat përmes informimit të saktë në luftë kundër “lajmeve të rrejshme” dhe si të kontribuojnë në procesin e pajtimit në këtë rajon.

Është paralajmëruar se edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do ta ketë fjalën hyrëse në këtë konferencë në kryeqytetin e Shqipërisë. E vetë Rama ditëve të fundit është gjetur në shënjestër të kritikave për një qortim që u ka bërë gazetarëve, duke i konsideruar si injorantë dhe të painformuar, dhe më vonë duke u arsyetuar se ai nuk e ka ofenduar askënd, por vetëm ka shprehur një opinion të tij.

Rama nuk është kryeministri i parë, dhe nuk do të jetë as i fundit, që ka kritikuar dhe qortuar gazetarët. Këtë e kanë bërë shumë të tjerë para tij, e do ta bëjnë edhe në të ardhmen. Nuk është e lehtë për politikanët që të kenë mirëkuptim gjithmonë për mediat. E në Shqipëri një gjë e tillë është edhe më e vështirë. Sepse mediat në Shqipëri janë po ashtu të polarizuara tej mase, duke reflektuar kështu edhe polarizimin e skenës politikë dhe polarizimin e tërë shoqërisë. Në këto rrethana mediat vërtet lehtë në Shqipëri, me disa përjashtime, mund të ndahen në “të majtë” dhe “të djathtë”, sikurse edhe skena politika. Sa herë që ndodh ndonjë skandal, ndonjë dyshim për korrupsion dhe krim, ndonjë akuzë, mediat bëhen argatë të preferencave politike, apo të interesave të pronarëve, duke bërë fushatë në favor apo kundër personit në fjalë. Këtë po e shohim tash në rastin e dyshimeve për përfshirje në një skandal droge të deputetit socialist dhe ish- ministrit të Brendshëm, Tahiri. Sikur edhe në rastet e tjera, mediat ndahen në raportimet e tyre. Në të shumtën e rasteve vërtet nuk bëjnë hetime të veta, aq sa kanë mundësi, por vetëm e transmetojnë atë që thonë politikanët. E kur në Shqipëri media bëhet transmetuese e deklaratave të politikanëve, atëherë bie në grackë dhe bëhet e tillë çfarë është, e tmerrshme. Sepse e tillë është skena politike, i tillë është Kuvendi, të tilla janë edhe strukturat e shtetit që janë të politizuara. Dhe kështu mediat janë vetëm pasqyrë e gjendjes së përgjithshme të shoqërisë. Kështu është në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe në vende të tjera të rajonit.

Dhe kur një pjesë e madhe e mediave janë të tilla, atëherë pësojnë gazetarët vërtet profesionistë dhe mediat profesionale që duan të ruajnë standardet etike të gazetarisë.

Ka shumë arsye për kritika ndaj mediave dhe ndaj mënyrës se si sot gazetarët kryejnë punën e tyre. Por ka shumë arsye pse situata është e tillë. Mediat dhe gazetarët profesionistë përballen me sfida më të mëdha se asnjëherë më parë. Ato sfida nuk vijnë vetëm nga presionet, por edhe nga degradimi i gazetarisë së ndikuar nga rrjetet sociale. Edhe opinioni është gjetur në një pozitë konfuze dhe e ka ngatërruar gazetarinë e vërtetë me postimet në rrjetet sociale. Kështu, duke u bërë edhe transmetuese të postimeve në rrjetet sociale, mediat kanë degraduar edhe më shumë, sepse shpesh nuk e verifikojnë fare atë që ka shkruar dikush në “Facebook”, por vetëm e përcjellin tutje. Të tilla janë bërë edhe disa portale. Ky fenomen nuk kufizohet në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkan por është edhe më i gjerë. Për shkak të rrjeteve sociale, të cilat edhe janë platformë dhe forum i mirë për debate, por edhe platformë për psikopatë dhe nxitës të urrejtjes dhe dhunës, është fituar përshtypja se asnjëherë nuk ka pasur më shumë informacione se tani. Por e vërteta është se asnjëherë nuk ka pasur më shumë rrëmujë në skenën mediale dhe më shumë lajme të paverifikuara. Dhe asnjëherë ato nuk janë përcjellë me më shumë lehtësi sesa tash. Pak minuta pasi dikush në “Facebook” të shënojë ndonjë porosi, ndonjë akuzë ndaj dikujt, ajo do të bartet nëpër portale dhe do të jetë e pamundur pastaj të qartësohet se çfarë në të vërtetë ka ndodhur. Fenomeni i “fake news”, për të cilin do të diskutohet edhe në “Media days” në Tiranë, është bërë sot një prej kërcënimeve kryesore edhe të demokracisë perëndimore dhe madje edhe të sigurisë. Prandaj edhe po krijohen “task forca” të ndryshme për ta luftuar këtë fenomen.

Pra, nuk ka dyshim se mediat meritojnë të kritikohen. Por do të ishte mirë sikur kritikat të vinin nga publiku, nga vetë gazetarët e jo nga politikanët, sidomos jo nga ata që janë në pushtet. U pëlqeu apo jo politikanëve, e drejtë apo jo, liria e shprehjes për ata që janë në pushtet nuk vlen si për gazetarët. Gazetarët munden, dhe e kanë për detyrë ta kritikojnë pushtetin. Por kur kryeministrat dhe njerëzit e tjerë në pushtet i kritikojnë dhe i qortojnë gazetarët, ata me këtë rrezikojnë të hyjnë në terrenin e presionit ndaj mediave. Në këtë mënyrë ata edhe mund të akuzohen, me të drejtë, se keqpërdorin pushtetin për të qëruar hesapet me ata puna e të cilëve nuk u pëlqen.

Janë të qarta rregullat e raporteve mes pushtetit dhe mediave. Politikanët, në pushtet dhe opozitë, kanë të drejtë, dhe detyrë, të reagojnë përmes dhënies së informacioneve të sakta, përmes hapjes së tyre për gazetarët, përmes përgjigjeve në pyetjet e gazetarëve. Por nuk kanë të drejtë t’i kritikojnë dhe akuzojnë gazetarët. Duhet të kufizohen në dhënien e informacioneve, sqarimeve dhe mund të shprehen edhe se nuk pajtohen me diçka që është shkruar apo raportuar në media. Por duhet të përmbahen nga ligjëratat ndaj gazetarëve, qortimet dhe akuzat e sulmet ndaj tyre. Dhe kjo vlen për të gjithë, jo vetëm për ata që sot janë në pushtet.

Do të ishte mirë sikur konferenca në Tiranë vërtet të shërbejë për të ndihmuar mediat në Ballkan që të jenë më të mira. Do të ishte mirë sikur edhe Komisioni Evropian të jetë më i prerë kur kërkon respektimin e lirisë së shprehjes në rajon e jo ta thotë një gjë të tillë vetëm sa për të kryer detyrën, e në të njëjtën kohë pa problem të mbrojë ata që bëjnë presion ndaj mediave. E ata politikanë që duan lirinë e shprehjes le ta lënë politikën dhe lë të bëhen gazetarë. Por edhe ata gazetarë që duan të jenë argatë të politikanëve më mirë është, dhe më e ndershme, të hyjnë aktivisht në politikë sesa ta përdorin profesionin e tyre për t’i shërbyer politikës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj