Kronika e dosjes së manipuluar

Flaka Surroi Flaka Surroi 31 tetor 2017 07:54

Nga përvoja e hidhur me shumë lëndë të mbyllura në sirtarë, nuk është larg mendsh që edhe këto dosje të lihen në ndonjë qoshe, ku do të mundë të mblidhnin pluhur. Nga ana tjetër, përvoja edhe më e keqe me vjedhjen e dy dhomave të dëshmive në Polici në të kaluarën, me të drejtë ngjall frikën se edhe këto dëshmi do të mundë të mbaronin njësoj

E tëra nisi me një akuzë për falsifikimin e një dosjeje. Akuza vinte nga një njeri që e ka vënë në dyshim vetë, me veprimet e veta, integritetin e tij profesional. Ai u deklarua se kjo ishte masë e ndërmarrë për ta mbrojtur veten prej atij që “ia kishte kurdisur gjyqin”: Shumëkush e pa këtë veprim si hakmarrje, e tjetërkush si akuzë të kotë me qëllim diskreditimi. Çfarëdo që do të jetë arsyeja, bërja publike e një dosjeje të manipuluar ishte arsye e mjaftueshme për një hulumtim përtej sipërfaqes. Për shkak se bëhej fjalë për njeriun që është përgjegjësi kryesor për ndjekjen e krimit në Kosovë.

Dosja

Ajo që u zbulua javën që shkoi është se një pjesë e madhe e dosjeve dhe e librave amzë të administratës së Kosovës krahinë kishin gjetur strehim në Arkivin e Kosovës. Pa ndonjë procesverbal për pranimin e dokumentacionit në fjalë, ishin edhe ato që dikur kishin qenë pjesë e punës së Sekretariatit për Judikaturë e Administratë, pra të ish-ministrisë kosovare për këta dy resorë. E në mesin e atyre, edhe dy kuti dosjesh të personave që u ishin nënshtruar provimeve profesionale dhe provimit të judikaturës.

Në mesin e shumë dosjeve u veçuan disa që ishin “korrigjuar” me llak të bardhë. Njëra nga to e mbante edhe emrin e kryeprokurorit të Kosovës, Aleksandër Lumezi. Dosja me numër 02 nr. 152-1-217/90 e datës 17.10.1990, ishte e shkruar me dorë dhe në alfabetin cirilik. Në të thuhej se kandidati kishte parashtruar kërkesë për t’iu nënshtruar provimit të judikaturës. Por, në të shihej qartë se emri i kandidatit ishte mbuluar me llak të bardhë (për eliminimin e gabimeve tipografike kur shkruhej me makina mekanike) dhe mbi të, me shkronja latine dhe me dorë shkruante Aleksander Ljumezi. Shikimi nga afër i dokumentit dhe drejtuar nga drita e zbuloi emrin e shkruar përfundi dhe në cirilikë: Zymer (apo Zumer) Krasniqi.

Librat amzë

U zbulua ekzistenca e dy librave amzë: një e paraqitjes së provimit dhe një e përfundimit me sukses të provimit. Në librin e parë, nën numrin rendor 217, u gjet edhe emri Aleksandar Llumezi (kur transkriptohet nga alfabeti cirilik), njësoj mbi një emër të fshirë me llak të bardhë. Shikimi nga afër edhe i kësaj faqeje dhe e kthyer nga drita sërish e zbuloi emrin e Zymer (apo Zumer) Krasniqit, nga Deçani.

Libri tjetër amzë, ai i kalimit me sukses të provimit të judikaturës u gjet pas disa ditësh në Ministrinë e Drejtësisë. Aty, nën numrin rendor 30, më datë 06.05.1991, u gjet emri Aleksandar Ljumezi (në cirilikë), i shkruar pastër, pa intervenime mbi çfarëdo emri. Sidoqoftë, libri amzë nuk ishte i llojit të qepur me penj. Fletët mund të shkapen fare lehtë dhe nuk kanë numra rendorë të faqeve.

Datat e provimit

Në dosje gjendet procesverbali për hyrje në provim nga kandidati Aleksander Ljumezi (shkruar me shkronja latine) më 25 dhe 26 shkurt 1991. Nuk ka datë të hyrjes në provim me gojë, porse ka datë kur kandidati ka hyrë në riprovim: më 24 prill 1991. Edhe kjo pjesë e dokumentit është e korrigjuar me llak të bardhë, dhe, sipas kësaj pjese të dosjes, del se kandidati i është nënshtruar provimit me shkrim dhe me gojë nga e drejta penale, nga ajo civile dhe nga e drejta ekonomike – pra tri lëndë, kur në fakt ligji e lejon riprovimin vetëm në dy lëndë.

Sipas po të njëjtit dokumentacion, kandidati e ka kaluar provimin e judikaturës më datën 26 prill 1991, dhe mbi këtë bazë është lëshuar certifikata.

Faktet

Aleksandër Lumezi, sipas biografisë së botuar në faqen e Prokurorisë së Shtetit, ka qenë praktikant në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës prej datës 01.11.1989 deri më 31.10.1991. Kjo do të thotë se Lumezi e ka paraqitur provimin e judikaturës pa i plotësuar kushtet ligjore: Neni 2 i Ligjit mbi provimin e judikaturës (Gazeta Zyrtare e KSAK 10/77) thotë se: “Provimin e jurisprudencës mund ta japin personat si juristë të diplomuar që kanë punuar një vit në punët juridike në gjykatën e rregullt...”. Më datën 17.10.1990, Aleksandër Lumezi ende nuk e kishte përfunduar vitin e parë të praktikës në gjykatë, pra, e kishte paraqitur provimin dy javë më herët, kurse Sekretariati për Judikaturë ia kishte miratuar hyrjen në provim më datën 30.10.1990.

Më datën 06.05.1991, Sekretariati për Judikaturë e kishte lëshuar certifikatën në të cilën thuhet se “Aleksandër Lumezi e ka dhënë me sukses provimin e judikaturës më 25 prill 1991” (nënvizim, sepse data nuk përputhet me atë të dosjes).

Përpunimi i lëndës së provimit të kandidatit është mbyllur më 09.05.1991, pra tri ditë pas lëshimit të certifikatës.

Dosja e Aleksandër Lumezit (emri i shkruar në tri variante, në tri dokumente të ndryshme, por me të njëjtin numër protokolli) nuk është e vetmja e korrigjuar me llak të bardhë. Intervenimet me llak të bardhë janë gjetur edhe në së paku shtatë apo tetë (nëse jo më shumë) raste në librin amzë të paraqitjes së provimit dhe në mesin e tyre janë emrat e së paku dy gjyqtarëve aktivë në sistemin gjyqësor të Kosovës sot.

Komunikimi me komunikata të prokurorit dhe veprimi i prokurorisë

Aleksandër Lumezi ka zgjedhur të komunikojë me publikun nëpërmjet komunikatave. Fillimisht e akuzoi Enver Hasanin për akuzë të rrejshme dhe e kërcënoi me kallëzim penal e më pas e dërgoi një reagim pas emetimit të stories në KTV, duke thënë se dokumentacioni nga ana e tij është në rregull dhe se e gjithë kjo është një kuazihulumtim që ka për qëllim diskreditimin e tij.

Nga ana tjetër, për rastin u prononcua edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës që në mes tjerash ka thënë se ata që kanë ngritur dyshime për provimin e judikaturës së Lumezit do të duhej t’i tërhiqnin publikisht.

Sidoqoftë, që nga e enjtja askush pos hetuesisë më nuk ka qasje te dokumentet e ish-Sekretariatit që deri atë ditë kishin qenë në Arkivin e Shtetit. Policia, me urdhër të Prokurorit (të paidentifikuar ende publikisht), i ka marrë të gjitha dokumentet dhe me gjasë do të ketë nisur hetimet. Flitet me supozim, ngase përgjigjja edhe nga Policia e edhe nga Prokuroria ka qenë e njëjta: nuk mohojmë, e as nuk konfirmojmë.

Hetimi

Në situatën e krijuar besoj se hetuesia do ta bëjë punën e vet dhe do të përpiqet ta zbulojë të vërtetën. Gjithsesi, për opinionin do të ishte me rendësi t’i kuptonte shumë gjëra që janë të paqarta, si për shembull se:

Lumezi do të mundë të ishte viktimë e fabrikimit të dosjeve për qëllime diskreditimi. Sidoqoftë, për ta bërë këtë, e besoj se do të duhej të konstatohej se dosja e tij mbase nuk është e vetmja në të cilën është intervenuar me llak të bardhë. Gjithashtu do të duhej të konstatohej se libri amzë origjinal gjithashtu ka pësuar intervenime jashtë rregullave administrative: në to nuk ka vërejtje të shkruar me shkrim, nuk ka nënshkrim të zyrtarit administrativ, skaj së cilës shpesh është vënë vula e institucionit administrativ;

Do të ishte mirë që të gjendej zyrtari serb për të kuptuar se çfarë di ai për librat amzë që kanë qenë nën përkujdesjen e tij pas shuarjes së autonomisë;

Do të ishte mirë të identifikoheshin të gjithë ata të cilëve u janë fshirë emrat dhe u janë zëvendësuar me emra të tjerë. Do të ishte mirë të kuptonim po qe se kanë certifikata për dhënien e provimit apo nëse atë provim nuk e kanë dhënë kurrë;

Do të ishte shumë me rëndësi të dihet po qe se ekzistojnë certifikata për dhënien e provimit që mbajnë numër të njëjtë protokolli, por që mbajnë emra të ndryshëm profesionistësh. Po qe se ky do të ishte rasti, do të zbulohej një skemë e qartë falsifikimi, viktimë e së cilës do të mund të ishin shumë njerëz;

Do të ishte mirë që ekspertët grafologë ta thonë fjalën e tyre për ndërhyrjet në dokumente. Llaku i bardhë kaherë nuk përdoret në administratë a kudo – mbase kjo do të duhej të ishte një shteg nga do të duhej nisur hulumtimin.

* * *

Çështja e dosjes së manipuluar të kryeprokurorit ngjall dyshime – kjo nuk do të thotë me automatizëm se bëhet fjalë për falsifikim. Porse, detajet që ndërlidhen me të tregojnë për shumë gjëra që nuk kanë logjikë. Shkelja e procedurës ligjore te paraqitja e provimit, te miratimi i hyrjes në provim, te rënia nga provimi, te riprovimi dhe mospërputhja e datës së dhënies së provimit -- janë arsye për të ngjallur dyshim se diçka nuk është në rregull me gjithë procesin.

Marrja e lëndës nga prokurori vendas me mjaft nguti, edhe pas thirrjes që Lumezi ia bëri EULEX-it të merret me çështjen e tij, duket pak e çuditshme, edhe pse do të duhej të ishte normale. Por, këtu kemi një problem, për shkak se e besoj se me këtë rast do të duhej të merrej dikush nga Prokuroria Speciale – e edhe në këtë rast është pak e çuditshme për shkak se objekt hetimi do të mundë të ishte shefi i të gjithë prokurorëve. Sinqerisht nuk e di nëse ky është konflikt interesi. Më së miri do të ishte po qe se Lumezi do të tërhiqej nga posti i tij së paku deri në përfundimin e hetimeve.

Duke qenë temë kaq e ndjeshme, do të mundë të ngjalleshin dyshime edhe për neutralitetin dhe korrektësinë e ekipit që do t’i udhëheqë hetimet. Nga përvoja e hidhur me shumë lëndë të mbyllura në sirtarë, nuk është larg mendsh që edhe këto dosje të lihen në ndonjë qoshe ku do të mundë të mblidhnin pluhur. Nga ana tjetër, përvoja edhe më e keqe me vjedhjen e dy dhomave të dëshmive në Polici në të kaluarën, me të drejtë ngjall frikën se edhe këto do të mundë të mbaronin njësoj.

Kosovës i nevojitet një përgjigje e vërtetë dhe e argumentuar mirë për rastin e dosjeve të manipuluara.

I nevojitet e vërteta, edhe nëse ajo del të jetë e dhimbshme.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

MIKU07/11/2017 09:56

Lu lutem mos ju hyni gjërave kat thellë se do mbesim pa prokurorë, gjygjtarë e kam drojen edhe pa profesorë. Politika ka me mebtë edhe më keq, a e dini se gjysma e politikajve tand kanë mbaru shkollat (shumës), pra të mesmen, fakultetin, masterin dhe PHD në të njejetën kohë, ose krahas punës/burgut etj, A e dini se ata kanë diploma pga Univerziteti i Prishtinës, Tetovës e Tiranes pa injoruar do UNIVERZITETE online... qe JU as IDEN nuk e keni ku janë?! Mosni ju lutem, mos na e lëkundni SISTEMIN!

flora01/11/2017 11:25

Se pari,Enver Hasanaj duhet te hetohet dhe te gjykohet per faktin qe i ka ditur keto te dhena dhe nuk i ka paraqite!

Bardhi01/11/2017 11:25

Nje artikull i shkelqyer, i shkruar me doren dhe logjiken e juristit

Blerim31/10/2017 15:09

Ky fakt kriminal#i hetuar me sukses#do te ishte ndryshimi qe deshirojne qytetaret ta shohin////

Taulanti31/10/2017 09:54

Ai i ka bile stafin e kfalifikum? Ata qi punojn per ta a kane diplloma, a i kan fallc, masi i kini hi ksaj pune qone deri nfund. respekt

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi