OpEd

Një pension për Haxhi Zekën

Kosova nuk është shtet evropian në shëndetësi, është shtet darwinist.

1.

Haxhi Zeka dhe Otto von Bismarcku kanë vepruar pothuaj në të njëjtën kohë.

Haxhi Zeka u përpoq, pa sukses, me i bashku tokat shqiptare, në kryengritje pas kryengritjeje, me Lidhje të Prizrenit e me Lidhje të Pejës. Kur qe rrethuar, ushtrisë otomane i tha se i dorëzohet vetëm Sulltanit. U nis për në Stamboll, i përcjellë prej një grusht trimash, u kthye pas dy vjetësh "vetizolimi", krisi pushkë andej e këndej dhe në fund u vra në Çarshi për, siç thuhet, zënkë mes fisesh.

Otto von Bismarcku bashkoi shtetet gjermane dhe u bë "kancelari i hekurt" i Perandorisë Gjermane. Po ashtu u bë, aksidentalisht, edhe babai i njërit koncept të shtetit që, në shekullin XX dhe XXI, lidhet (gabimisht) më shumë me socialdemokratët e socialistët sesa me ideologjinë konservatore në të cilën ai besonte.

Në vitet shtatëdhjetë të shekullit XIX, duke parë se po forcoheshin socialdemokracia dhe socialistët (të cilët i konsideronte si "armiq të Rajhut"), Bismarcku vendosi në shtet reforma rrënjësore që do të krijonin sistemin e parë të arsimit pa pagesë për të gjithë, të sigurimit shëndetësor dhe atij pensional. Dhjetë vjet më pas, një bashkëbiseduesi amerikan do t'ia shpjegojë arsyet:"Ideja ime ishte ta korruptoja klasën punëtore, apo ta them, që t'i përfitoja për anën time, që ta kundronin shtetin si një institucion për të mirën e tyre dhe të interesuar në mirëqenien e tyre".

Kështu u lind ai që në gjermanisht quhet "sozialstat" (shteti social) e në anglisht "welfare state" (shteti i mirëqenies), me ngjashmëri me njërin apo tjetrin emërtim në gjuhët e ndryshme evropiane.

2.

Për shumë kë në Amerikë, Afrikë dhe Azi ekziston një emërtim tjetër, popullor, për këtë lloj shteti. E quajnë shtet evropian. Emërtimi ka marrë dimensionin e vet, të kuptueshëm, automatik nga përditshmëria, ngase pas Luftës së Dytë Botërore shteti social apo i mirëqenies është bërë normë për çdo shtet evropian. Prej Estonisë e deri në Portugali, prej Irlandës e deri në Bullgari, është e nënkuptueshme që çdo qytetar të ketë qasje në arsim cilësor falas, mbrojtje shëndetësore dhe skemë pensionale (e forma të tjera të mbrojtjes sociale). Dhe, një koncept i këtillë nuk është i kufizuar në shtetet e BE-së: shteti social qe pjesë e rëndësishme e Bllokut lindor dhe u trashëgua gjithandej edhe pas shembjes së komunizmit.

Shteti social, apo i mirëqenies, nuk vihet në pyetje as nga e djathta e as nga e majta, nuk është produkt i asnjërës ideologji. Është shndërruar në normë. Të thuash se një shtet ka sigurim social apo sistem të mbrojtjes shëndetësore për të gjithë është si të thuash se ai shtet ka polici, gjykata e administratë shtetërore.

Dhe debati në këto shtete, mes së majtës dhe së djathtës, zhvillohet kryesisht se si të bëhet më i efektshëm sistemi i "shtetit social" me paratë që janë në dispozicion.

3.

Në Kosovë është dashur që prej 1 janarit të vitit 2005 të hynte në fuqi Ligji për sigurime shëndetësore, një domosdoshmëri e konceptit të shtetit evropian. Ligji ende nuk zbatohet më 2017 dhe ka gjasa të mira që të mos zbatohet as vitin e ardhshëm.

Konceptualisht, arsyeja mund të kuptohet në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës që mbahet sot. Për shumicën e popullatës debati rreth rishikimit të buxhetit mund të tingëllojë si diçka që nuk nxit emocione, por ndoshta do të ishte emocional po të kundrohej në një kontekst tjetër, për shembull, si një takim mes Haxhi Zekës dhe Otto von Bismarckut.

Qeveria e vendit po kërkon që në vend se për sigurime shëndetësore, paratë të shkojnë për pensionet e veteranëve të UÇK-së, pra në vend të akomodimit të interesave të shumicës, të akomodohet interesi i një grupacioni të veçantë. Grupacion i veçantë, i cili identifikohet si veteranë të UÇK-së, nuk është saktësisht i përcaktuar. Në fund të luftës, më 1999, mund të ketë numëruar njëzet mijë veta, më 2017 ka shkuar tej 50 mijë dhe me këtë rritje pas dhjetë vjetësh mund të numërojë lirisht 100 mijë.

Pas dhjetë vjetësh, në analogjinë me Bismarckun, elitat mund t'i shpjegojnë një bashkëbiseduesi amerikan pse i çuan paratë e sigurimeve drejt veteranëve: meqë shkalla e numrit të veteranëve është 15 herë më e madhe sesa shkalla e rritjes së popullsisë, deshëm t'i përfitojmë, ata dhe, posaçërisht votat e tyre.

4.

Kosova vazhdon të mos e përmbushë identitetin bazik të shtetit evropian, atë të shtetit social. Në aspektin institucional prioriteti i saj (siç shihet simbolikisht sot) është një grup shoqëror i cili identifikohet apo vetidentifikohet me kryengritje. Prej vitit 1999 bëhet procesi i akomodimit të atyre që identifikohen apo vetidentifikohen me kryengritje: me poste shtetërore, poste profesori universiteti, borde drejtuese, tenderë të parasë publike, gurëthyes dhe brinjëthyes... Tash edhe me pensione veteranësh në listat që rriten mesatarisht gati 10 për qind në vit. Nëse vazhdohet kështu, pension për pension, ndoshta do t'i mbërrijë radha edhe Haxhi Zekës, të cilit, për dallim prej shumëkujt në listën e tanishme të veteranëve, vështirë mund t'i mohohet pjesëmarrja në luftëra çlirimtare.

Përderisa është marrë me rrëfime lufte, Kosova ka shënuar prapakthim, krahasuar me shekullin XX. Sot qytetarëve të saj mund t'u shërbejnë këngët e rikthyera të sharkisë për trimëri: në shëndetësi në vend të Ligjit për sigurime varen prej Ligjit të Darwinit, të mbijetesës së më të fortit nga specia jonë.