Republika e Samsungut

Enver Robelli Enver Robelli 26 tetor 2017 08:18

Grykësia e pushtetit shihet sidomos në blerjen e telefonave mobilë me para të shtetit. Me këtë punë duhet të merret prokuroria, thoshte një zyrtar i lartë i AAK-së para zgjedhjeve. A do të merret me këtë punë tash ndonjë prokuror pasi Qeveria brenda pak javësh ka blerë telefona në vlerë prej 7 mijë eurosh?

700 euro nuk janë pak. Dy rroga mësuesi. Me 700 euro një fukara mund të blejë mbi dy mijë bukë dhe të ushqejë familjen. Mund të trajtojë fëmijën e sëmurë në ndonjë spital privat. Me 700 euro një familje e varfër mund të paguajë rrymën gjatë tërë vitit, së paku. Ose mund të blejë një telefon mobil. Këtë privilegj familja e varfër nuk e ka, ajo duhet të numërojë centët për çdo ditë, të kursejë e të mendojë për të nesërmen, të blejë çanta e libra për fëmijët që shkojnë në shkollë, të paguajë djalin e vajzën që kanë filluar studimet, të mbulojë shpenzimet për transport publik. Etj.

Privilegjin e blerjes së telefonave të shtrenjtë mobilë e kanë të pushtetshmit. Sapo të zgjidhet një qeveri, vendimi i parë që merret është: tenderi për telefona mobilë. Furnizohen ministra e zëvendësministra me “telefona të mençur”, pastaj këshilltarë e zëvendëskëshilltarë, rojtarë dhe dajë, teze e kunata që në kuadër të rrjetit të nepotizmit ulen në kolltukë të Qeverisë. Grykësia e pushtetit shihet sidomos në blerjen e telefonave mobilë me para të shtetit.

Së fundi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal bleu një telefon “Samsung S8”. Vlera? 700 euro! “Telefoni mobil është blerë për nevojat e kabinetit të ri politik sipas procedurave të Ligjit të Prokurimit Publik”, ka njoftuar ministria për kallxo.com. Pas daljes në treg ekspertët e teknologjisë e kanë vlerësuar “Samsung S8” si telefonin më të bukur në treg. Është kënaqësi të shikohen me “Samsung S8” videot, fotografitë dhe faqet e internetit, tha këto ditë një ekspert. Edhe për punën e baterisë poseduesi i këtij telefoni nuk duhet të bëhet merak: bateria qëndron edhe pas përdorimit intensiv nga mëngjesi në darkë. Në Kosovë ministrat, kabinetet e ministrave dhe zëvendësministrat kanë edhe vartës që ua bartin kabllon sa herë që niveli i mbushjes së baterisë bie nën 49 për qind (“Shef, qe ta mushi unë!”). Mbush telefona dhe zbraz arkën e shtetit. Ky është mentaliteti primitiv qeverisës në këtë vend.

Para Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal pazarin e madh me telefona e bëri kryeministri, dora vetë. Në stilin “mshoj gjanarski jarani jem”, zyra e shefit të Qeverisë bleu 14 telefona, të gjithë të fjalës së fundit të teknikës, 3 “iPhone 7” dhe 11 “Samsung A5”. Çmimi? Asgjë! Sall 6 mijë e 42 euro. Edhe 6 mijë euro janë shumë para. Një familje e varfër do të mundë të blinte nja 20 mijë bukë. Nëse kjo familje ushqehet me dy bukë në ditë, atëherë i bie që ajo afërsisht 30 vjet nuk do të duhej të brengosej për bukë. Ose: me 6 mijë euro 30 familjeve kosovare do t’u sigurohej buka për një vit. Pastaj liberalizohen vizat dhe shohim tutje.

Është interesant me çfarë shpejtësie harrohen fjalët e thëna në fushatë elektorale. Një anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në qershor kishte protestuar: “Kjo puna e telefonave është hajgare. Është e tmerrshme me ble telefona 850 euro. Kur s’e ki ti tondin personal, qysh blen ti 850 euro telefon. Kjo është punë e tmerrshme. Këtu ka punë edhe për prokurorinë”. Tash kur Qeveria brenda pak javësh ka blerë telefona në vlerë prej rreth 7 mijë eurosh – heshtje, heshtje, heshtje. Stoicizëm në heshtje. Flisni pak, burra! Nuk mund të fshiheni pas rregulloreve të pista të UNMIK-ut.

Nuk është vetëm kjo qeveri që arkën e shtetit e shfrytëzon për shërim të komplekseve të luksit. Para një viti qeveria e atëhershme e bëri me telefon mobil edhe Gjergj Dedajn, atëherë zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal. Në duart e Dedajt përfundoi një “Samsung S6”, edhe ky telefon i shtrenjtë, fjala e fundit e teknikës. Rrumbullak 630 euro i kushtoi buxhetit të Kosovës ky investim strategjik. “Administrata na ka pajisur me telefona, laptopë. Unë s’kam kërkuar asgjë”, tha atëherë zëvendësministri. Në Kosovë s’ke nevojë të kërkosh gjë po arrite të marrësh një pozitë të lartë në pushtet. Pastaj pushteti kujdeset menjëherë që argatët e tij të pajisen me telefona mobilë, me laptopë dhe mjete të tjera teknologjike. Në Republikën e Samsungut shumë prapësi janë të lejuara me ligje e me rregullore. Pas tyre pastaj mund të fshihen vendimmarrësit. Por, fundja, edhe mirë ua bëjnë taksapaguesve përderisa ata rrinë të heshtur, e pranojnë këtë keqpërdorim të buxhetit si nafakë të keqe dhe presin duarkryq aferën e radhës. Në Republikën e Samsungut. Në Republikën ku askush nuk jep përgjegjësi dhe ku turp është të mos blesh telefon me para të shtetit për 700 euro. Pse të mos pajisen ministrat në të ardhmen edhe me ndonjë sahat për kërrname? Ndonjë IWC, Omega, Breitling, TAG Heuer, Zenith, PhilippePatek, Blancpain, Jaeger-LeCoultre, Rolex, Breguet (L’Orient).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Beqa27/10/2017 11:01

Le mos jau 'shti' ner mend edhe sahatat ktyne tash.

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli