Drejtësi që cyt krim

Flaka Surroi Flaka Surroi 24 tetor 2017 08:00

Me vite të tëra i kemi akuzuar edhe UNMIK-un, edhe EULEX-in për punën e keqe që e kanë bërë në gjyqësi. I kemi akuzuar se kanë ecur me hapa të breshkës dhe se kanë lënë me mijëra raste të pazgjidhura. Porse gjithë kohën kemi injoruar faktin se profesionistët kosovarë kanë qenë të angazhuar me punë që nga paslufta, pikërisht si gjykatës e prokurorë, dhe se edhe ata bartin një pjesë të madhe të fajit së bashku me politikanët e Kosovës

Më në fund nisi heshtja zgjedhore. Bile sot do të lirohemi prej premtimeve dhe llafeve. E nesër, secili le të vendosë për vete.

Kosova e muajit të fundit qe pothuajse e vdekur nga aspekti i punës parlamentare – sepse vazhdoi pushimi i zgjatur i deputetëve që do të marrin rrogë, sepse morën pjesë në fushatë zgjedhore. E ne i paguajmë edhe ata, e edhe fushatat e tyre. Kjo tregon se sa seriozë jemi si popull e sa shtet të brishtë kemi.

Nga ana tjetër, kryeministri vazhdoi të tregojë hiperaktivitetin e tij: në mëngjes takime, me zyrtarë e jozyrtarë; një herë në javë mbledhje të Qeverisë; e çdo pasdite në fushatë – duke mos dalluar nga të tjerët në premtimet që jo rrallë kanë përfunduar si fjalë boshe pa ndonjë përmbajtje.

Në të njëjtën kohë, një aktivitet për t’u veçuar i shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, që nuk po përton t’i takojë krejt ata që duhet takuar për ta përçuar porosinë e qartë: liberalizimi nuk mund të arrihet po qe se nuk kryhet çështja e demarkacionit, por mbi të gjitha, po qe se nuk luftohet korrupsioni. Por sikurse të ishte liberalizimi problemi i vetëm mirë do t’i kishim punët; porse jo, problemet janë shumë, shumë të thella dhe do të na marrin edhe një copë të gjatë të jetës sonë për t’u rregulluar, po qe se rregullohen ndonjëherë.

“Luftimi” i korrupsionit

E thuajse secili prononcim i shefave të BE-së për nevojën e luftimit të korrupsionit disi lidhet me ndonjë veprim pasues të organeve të ndjekjes.

Kësaj radhe ishin prokuroria dhe Policia ato që u morën me deputetin e NISMË-s, Milaim Zeka, i cili u arrestua dhe u dërgua në mbajtje për 48 orë, ngase ky është i dyshuar për mashtrim dhe shmangie tatimi. Pas një hetimi me gjasë jo fort të shkurtër, Zeka doli i dyshimtë për një skemë mashtrimi të qytetarëve, të cilëve u janë premtuar viza pune në Perëndim. Seç ndodhi me ato viza, mbase do ta marrim vesh po qe se lënda do të shkojë në gjyq, porse ne kosovarëve na mbetet shija shumë e hidhur, sepse po na bëhen dy deputetë që akuzohen për punë vizash.

Nuk e di a ka turp më të madh sesa kur e sheh se ai që i ka marrë votat për të vendosur për ty, e pranon edhe vetë se nuk ka besim në shtetin e vet, dhe “perspektivën” që ua ofron bashkëqytetarëve është një vizë për të ikur prej këtu. Nuk e di a ka hala më turp se të shohësh sesi njerëzit që zgjidhen deputetë, në fakt janë tyxharë të cilët për shkak të “suksesit” afarist të dëshmuar, munden edhe t’i blejnë postet e deputetëve – të atyre që aq padinjitetshëm flasin në emrin tënd.

Pjesa e parë e rrëfimit të Zekës nisi ashtu siç askush nuk e paramendoi: me takim kokë më kokë me kryeministrin Haradinaj. Kumtesa zyrtare thoshte se kanë biseduar “për temat e aktualitetit politik, për mirëvajtjen e koalicionit qeverisës dhe për një dinamikë të re në qeverisjen e vendit”. Sinqerisht, e kam vështirë ta besoj këtë formulim, sepse Zeka paraqet një anëtar të thjeshtë të NISMË-s. Nejse, pavarësisht kësaj, ky episod përfundoi ashtu siç do të mundë të paramendohej: me arrest shtëpiak, por me lëvizje krejt të lirë. Gjë që u dëshmua që të nesërmen, kur mori pjesë në mbledhjen e një komisioni parlamentar.

Se çfarë do të mundë të dalë nga ky rast është shumë vështirë të parashikohet. Fillimisht nuk dihet se kush do të merret me lëndën dhe nuk dihet as sa kohë do të marrin ngritja e aktakuzës dhe nisja e gjykimit. Nëse mbështetemi në përvojat e deritanishme, do të mundë të kalojnë edhe dhjetë vjet, e mbase nuk do ta shohim epilogun e rastit.

Hasani fajtor

Te rasti i ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, gjykatës iu deshën dy vjet për të marrë vendimin e shkallës së parë. I akuzuar nga Prokuroria Speciale se ka bërë falsifikimin e një kontrate për përkthimin e librave universitarë që i kanë kushtuar buxhetit të UP-së 71 mijë euro, Enver Hasani u gjet fajtor së bashku me dy bashkëpunëtorët e vet.

Për veprën penale për të cilën parashihet dënimi deri në 12 vjet burgim, Hasanit iu shqiptua dënimi i një viti burgimi, por me kusht. Pra, nëse brenda një viti Hasani nuk kryen ndonjë vepër penale, nuk do të ketë nevojë të shkojë në burg.

Tash, dorën në zemër, kur krahasohet rasti i Hasanit me atë të ish-kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, që ishte dënuar dy vjet e gjysmë me kusht për shpërdorimin e tokave në vlerë prej 60 milionë eurosh – del se vendimi i këtillë bëhet i “pranueshëm”, sepse dëmi këtu ka qenë shumë më i vogël.

Megjithatë, shqiptimi i dënimeve me kusht te veprat penale, çfarëdo peshe në para që të kenë ato, janë porosia më e keqe që drejtësia ua jep qytetarëve: mund të kryesh vepër penale dhe ke shans shumë të mirë për të shpëtuar me një dënim me kusht, dhe asgjë askujt. Thuajse bëhet fjalë për një qortim që u jepet fëmijëve pse kanë hëngër bonbone fshehurazi.

Rrethanë rënduese, si në rastin e ish-kryetarit të Gjykatës Komunale, ashtu edhe të ish-rektorit dhe ish-kryetarit të Kushtetueses do të duhej të ishte fakti se që të dy kanë mbajtur poste me përgjegjësi të lartë, që supozohet se do të duhej të ishin rezervuar për njerëz me integritet e me etikë profesionale. Kështu po del se sa më afër pushtetit, cilido që të jetë ai (politik a gjyqësor), aq më të mëdha gjasat për t’i shpëtuar drejtësisë.

Te rasti i ish-kryetarit të Komunales, e gjitha përfundoi me parashkrim – dhe me mbylljen e rastit thuajse nuk ka ndodhur. Te rasti i ish-rektorit do të shohim se çfarë do të ndodhë dhe sa kohë do të marrë Apeli për të dhënë përgjigje. Ndërkohë, Hasani do të vazhdojë të japë mësim në UP, përderisa është përfaqësuesi i Kosovës në Komisionin e Venecias. Dhe, që është më me rëndësi, do ta vazhdojë luftën e tij me kryeprokurorin e Kosovës, të cilin e akuzon se ia ka kurdisur lëndën. Por kjo nuk është e vetmja akuzë.

Hasani akuzues

Që në ditën kur u shpall aktgjykimi i Themelores, Hasani doli publikisht për ta akuzuar kryeprokurorin e Kosovës, Aleksandër Lumezi, se e ka falsifikuar provimin e jurisprudencës. U kishte hyrë dokumentacioneve në Arkivin e Kosovës dhe kishte zbuluar gjëra interesante. Mbështjellësit e dosjes ishin korrigjuar me llak të bardhë, që përdorej në kohën e makinave mekanike (para kompjuterëve, natyrisht); emri ishte shkruar me shkronja latine, edhe pse pjesa tjetër e dosjes ishte shkruar në cirilikë, dhe detaje të ngjashme. Por ajo që ra më së shumti në sy ishte fakti se data e hyrjes në provim në dosje ishte ndryshe nga ajo që paraqitej në certifikatën të cilën e paraqiti Lumezi një ditë më vonë.

Kështu, pas shfaqjes së këtij dyshimi, ballafaqohemi me një situatë të çuditshme: dikush ngre dyshim se kryeprokurori ka falsifikuar një provim pa të cilin kurrë nuk do të mundë të punonte në gjyqësi, e nga ana tjetër nuk e di nëse cilido nga prokurorët do të mundë ta hetonin, duke e marrë parasysh se ai është shefi i të gjithë prokurorëve. Dhe, edhe pse Kosova e ka prezencën e EULEX-it në Kosovë, që nga modifikimi i mandatit të Misionit për sundimin e ligjit, prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX-it nuk kanë të drejtë të merren me hetimin e rasteve të këtilla me automatizëm. E aq më pak me kërkesën e kryeprokurorit. Me gjasë do të jenë instancat politike ato që do të mundë ta kërkonin një gjë të këtillë – dhe pritet të shihet se çfarë po ndodhë.

Pra, për të qenë situata edhe më dramatike, ta paramendojmë hipotetikisht se Hasani ka të drejtë dhe se diploma e provimit është falsifikuar. Në këtë rast, të gjitha lëndët të cilat i ka punuar Lumezi si avokat e prokuror dhe vendimet që i ka marrë si kryeprokuror do të duhej të shpalleshin nul, ngase janë marrë nga një njeri, i cili nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për punët që i ka kryer. Për pasojë, çfarë do të duhej të ndërmerrnin organet e drejtësisë në lidhje me këto raste dhe a do të kishin mundësi për një veprim, çfarëdo qoftë, juridik? Po qe se do të ishte e vërtetë, Lumezi do të duhej të jepte dorëheqje ose të shkarkohej dhe të ndiqej penalisht – me ç’gjë do të niste lufta për pushtet brenda Prokurorisë, ashtu siç tashmë kishte ndodhur para se të zgjidhej vetë ai. Për pasojë do ta kishim vazhdimin e kaosit që mbretëron nëpër prokurori, e sa i përket reputacionit të gjyqësisë kosovare – ai nuk do të goditej shumë, sepse edhe ashtu reputacioni është përtokë.

Por të paramendojmë se akuzat e Hasanit janë shpifje dhe se pos prishjes së karrierës së kryeprokurorit synojnë edhe prishjen e reputacionit. Në këtë rast do të duhej të zhvillohej një proces civil për fyerje dhe shpifje, e jo proces penal siç pretendon kryeprokurori, “për lajmërim të rrejshëm”. Mbase do të duhej rikujtuar njerëzve që punojnë në gjyqësi se shpifja dhe fyerja janë dekriminalizuar ka disa vite të mira. E se pse gjykatësit e Kosovës nuk dinë t’i menaxhojnë rastet e këtilla, ai është tjetër muhabet që kërkon një analizë tjetër shumë më të thellë.

Po qe se del se Hasani ka shpifur, ai do të ballafaqohet me gjyqin, dhe në rast se do të humbte do të detyrohej të paguante dëmshpërblim për dëmin shpirtëror që do të ketë mundur të përjetonte Lumezi, dhe me kaq do të mbyllej ky episod. Por do të na dilte në pah personaliteti i një njeriu, i cili megjithatë u dënua penalisht, dhe i cili derisa ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese i ka bërë dëm shumë serioz Kosovës me interpretimet sui generis që ia ka bërë Kushtetutës së Kosovës.

* * *

Me vite të tëra i kemi akuzuar edhe UNMIK-un, edhe EULEX-in për punën e keqe që e kanë bërë në gjyqësi. I kemi akuzuar se kanë ecur me hapa të breshkës dhe se kanë lënë me mijëra raste të pazgjidhura. Porse gjithë kohën kemi injoruar faktin se profesionistët kosovarë kanë qenë të angazhuar me punë që nga paslufta, pikërisht si gjykatës e prokurorë dhe se edhe ata bartin një pjesë të madhe të fajit, së bashku me politikanët e Kosovës. Në rastin e amullisë së UNMIK-ut dhe EULEX-it pse nuk kanë folur, por janë fshehur pas mospunës së tyre; në kohën e tashme, për shkak se e kanë ndërtuar një rrjet të brendshëm dhe një sistem ku i shëtisin lëndët prej një shkalle në tjetrën, e veçanërisht ato të “profilit të lartë”.

Na thuhet se ligjet i kemi të mira, porse ja, nuk i zbatojmë si duhet. Porse fakti është se Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale kanë shumë mangësi – e këto mangësi më së miri mund t’i identifikojnë ata që e kanë ligjin mjet pune. Por qe sa vjet kanë kaluar nga miratimi i tyre, nuk është dëgjuar që ndonjëri gjykatës a prokuror të ketë dalë për të kërkuar ndryshimin e neneve që nuk kanë kurrfarë kuptimi, sepse ato e pamundësojnë ndjekjen e krimit.

Me një drejtësi që nuk i ndjek ata që duhen ndjekur; që shqipton dënime me kusht aty ku duhet vuajtur burgimin; që liron njerëz të akuzuar për vepra të rënda penale dhe i lë të rrinë në arrest shtëpiak, por pa përkujdesje policore; që shqipton masën e arrestit shtëpiak edhe të akuzuarve për terrorizëm – është një drejtësi që nuk tregon fuqinë që duhet ta ketë. Fuqinë e shembullit që nuk duhet ndjekur – sepse nëse bën krim, të pret dënimi i merituar dhe i rëndë. Atë që e bën drejtësia kosovare sot është se e nxit krimin – për shkak se ndëshkimi është i madh vetëm në nenet e ligjit që nuk zbatohen.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi