OpEd

Ndërmjetësuesi

Prapaskenat e negociatave për zgjidhjen e statusit final të Kosovës, të pasqyruara në librin “Ndërmjetësuesi – një biografi e Martti Ahtisaarit”, të autorëve finlandezë Katri Merikallio dhe Tapani Ruokanen (“The Mediator – a biography of Martti Ahtisaari”, Hurst&Company, Londër, 2015)

“Tung Kofi, si je?”, ishte përgjigjur Martti Ahtissari në telefonatën e natës së 14 gushtit 2005. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, kishte telefonuar dhe po i kërkonte Ahtisaarit që të angazhohej si ndërmjetësues në negociatat për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Në kohën e telefonatës, Ahtisaari vetëm se ishte i angazhuar si ndërmjetësues në zgjidhjen e statusit të provincës indoneziane, Aceh.

Sipas autorëve të librit “Ndërmjetësuesi”, një biografi voluminoze për jetën private dhe karrierën profesionale të Martti Ahtisaarit, para se Ahtisaari të konsiderohej për ndërmjetësues në negociatat Kosovë-Serbi, si emra potencialë ishin konsideruar edhe Kai Eide dhe Carl Bildt. Eide, atë kohë ambasador norvegjez në OKB, u largua nga kombinimi për shkak se vendi i tij nuk ishte anëtar i Bashkimit Evropian dhe Grupi i Kontaktit kërkonte një ndërmjetësues, i cili do të arrinte një marrëveshje të pranueshme për të gjitha vendet anëtare të BE-së. Kurse Bildt, një njohës i mirë i rrethanave në Ballkan nuk ishte i pranueshëm për administratën e George W. Bushit, ngase shihej si person i afërt me Beogradin.

“Pranoj me një kusht: që ndihmës i imi të jetë Albert Rohan”, ishte përgjigja e Ahtisaarit për ofertën e Annan. Ahtisaari po pranonte për herë të dytë detyrën e ndërmjetësuesit për rastin e Kosovës. Më 1999, ishte ai, së bashku me diplomatin amerikan Strobe Talbott dhe atë rus Victor Chernomyrdin, i cili bindi diktatorin serb Milosheviç që të pranojë kushtet e komunitetit ndërkombëtar për të larguar ushtrinë serbe nga Kosova dhe për të pranuar misionin paqeruajtës të NATO-s dhe atë të OKB-së.

“Gjatë bisedës sonë të parë telefonike pas pranimit të rolit ndërmjetësues në negociatat për Kosovën, Martti më pyeti nëse e dëshiroja Pavarësinë e Kosovës”, kujton Albert Rohan, i intervistuar nga autorët e librit “Ndërmjetësuesi”. “Po”, ishte përgjigjur Rohan. “Nuk ka asnjë rrugë tjetër”, kishte deklaruar Ahtisaari. Qartësimi i pozicioneve kishte bërë që tandemi Ahtisaari-Rohan të ishin në valë të njëjta që nga fillimi. Sipas Ahtisaarit, negociatat asnjëherë nuk fillojnë nga një pozicion neutral. Është e rëndësishme të merren parasysh rrethanat që sollën deri tek negociatat. Në sytë e Ahtisaarit, ajo çfarë Milosheviç kishte bërë në Kosovë thjesht nuk mund të injorohej. Dhe, sipas tij, Milosheviçi nuk ishte i vetëm, ai kishte mbështetjen e tërë aparatit shtetëror. Kësisoj, e tërë Serbia ishte përgjegjëse.

Ahtisaari nuk beson se një ndërmjetësues duhet të jetë neutral. “Për mua është shumë me rëndësi që t’i bëj të qarta qëndrimet e mia që në fillim, që palët të dinë se ku qëndroj dhe cilat janë vijat e mia të kuqe. Në këtë mënyrë unë mund të punoj ndershmërisht. Sa më shumë që ndërmjetësuesit përpiqen të fshehin qëllimet e tyre, aq më shumë duken si hipokritë dhe kjo e rrënon besimin e palëve në proceset negociatore.”

Për Ahtisaarin, Pavarësia e Kosovës do të duhej që të zgjidhej qysh më 1999. Sipas tij, që atëherë do të duhej të vendosej se pas një periudhe tranzicioni prej pesë vjetësh, Kosova do të jetë shtet i pavarur. Kjo do të vendoste fajin për humbjen e Kosovës tek Milosheviç, kurse qeveritë e tjera në Serbi do të pajtoheshin shumë më lehtë me këtë zgjidhje. Tani mbetej që të gjendej një zgjidhje e pranueshme edhe për Serbinë, zgjidhje e cila do t’u garantonte të drejta të zgjeruara serbëve në shtetin e pavarur të Kosovës. Ekipi i Ahtisaarit që përbëhej prej rreth 50 vetash ishte kompletuar aty nga fundi i vitit 2005. Zyrat e UNOSEK u vendosën në Vjenë. Në vitin që do të pasonte, në moshën 69-vjeçare, Ahtisaari do të kalonte 260 ditë në udhëtime mes Vjenës, Prishtinës, Beogradit, Washingtonit, Moskës, Pekinit, Brukselit e shumë kryeqyteteve të tjera evropiane.

Vizita e parë e Ahtisaarit në Prishtinë ishte realizuar në nëntor 2015, ku kishte takuar liderët kryesorë institucionalë. Ashtu siç kishte pritur, kërkesa e liderëve shtetërorë të Kosovës ishte pavarësia e plotë. Sipas intervistës dhënë autorëve të librit, ishte ideja e Ahtisaarit që Kosova të formonte një Ekip të Unitetit. Për Ahtisaarin ishte me rëndësi që liderët politikë të flisnin me një zë, ngase edhe ashtu atij i duhej të manovronte në mes kundërshtimeve të shumë vendeve të cilat mbanin qëndrime të ndryshme për statusin final të Kosovës. Por me gjithë këshillën për një ekip uniteti të lidershipit të Kosovës, për shkak të qëndrimeve të kundërta të vetë delegacionit kosovar në bisedime, shumë shpejt në Vjenë ekipi i Kosovës kishte filluar të quhet “Ekipi i Përçarjes”.

Pas Prishtinës, Ahtisaari kishte takuar në Beograd kryeministrin e atëhershëm Koshtunica dhe presidentin Tadiç, ku të dyve ua kishte bërë të qartë që ka ardhur koha për të diskutuar për Pavarësinë e Kosovës. Deklaratë e cila kishte ngjallur reagim të ashpër, sidomos nga kryeministri Koshtunica. Një deklaratë kaq e hapur e Ahtisaarit nuk ishte mirëpritur as nga shumë pjesëtarë të delegacionit që e shoqëronin atë në Beograd. Por, sipas Ahtisaarit, sa më herët që palët ta kuptonin se nuk do të kishte asnjë gjasë për kthim të Kosovës nën subordinim të Serbisë, aq më lehtë do të vazhdonin bisedimet.

Sipas Ahtisaarit, me propozim të tij, serbët e Kosovës po fitonin të drejta dhe garanci të cilat nuk i gëzonte asnjë grup minoritar në asnjë vend të botës. Por ajo që kishte vënë re Ahtisaari, liderët e Beogradit nuk ishin të interesuar për të drejtat e serbëve në Kosovë, krejt çfarë dëshironin ishte shtyrja e negociatave në pafundësi, me qëllim që askush nga ta të mos hynte në histori si lideri shtetëror nën udhëheqjen e të cilëve “Serbia humbi Kosovën”. Në sytë e Ahtisaarit, liderët politikë serbë të përfaqësuar në negociata po e ndiqnin vijën nacionaliste të Milosheviçit; ata silleshin sikurse Serbia nuk kishte kryer asnjë krim në Kosovë. Për Ahtisaarin ishte me rëndësi që negociatat të përfundonin sa më shpejt që ishte e mundur, ngase zvarritja vetëm do t’i komplikonte gjërat.

Në fund, për shkak të kundërshtimit rus, Plani i Ahtisaarit nuk kishte dalë për aprovim në Këshillin e Sigurimit. Në vitin 2006 kur filluan negociatat, Rusia kishte pranuar edhe publikisht që çdo zgjidhje për Kosovën duhet të marrë për bazë vullnetin e shumicës së popullsisë së Kosovës. Por në 2007, qëndrimi rus filloi të ndryshojë dukshëm. Sipas Ahtisaarit, deri tek ky ndryshim kishte ardhur pasi që presidenti rus, Vladimir Putin, kishte filluar të interesohej më shumë, duke mos e lënë të vetëm në këtë proces ministrin e Jashtëm Lavrov. Në të njëjtën kohë, kishte filluar acarimi i marrëdhënieve SHBA-Rusi, për shkak të planeve amerikane për të vendosur mbrojtjen raketore në Poloni dhe Çeki. Gjatë tërë procesit, Ahtisaari nuk kishte vërejtur “dashuri vëllazërore” të rusëve ndaj serbëve. Për Rusinë, bllokimi i Kosovës ishte thjesht hakmarrje ndaj Perëndimit.

Frank Wisner, ambasadori amerikan i angazhuar po ashtu në negociatat për Kosovën, ka një tjetër teori përse rusët mendonin se Ahtisaari ka një inat ndaj tyre. Në fëmijërinë e tij, për shkak të pushtimit rus, Martti ishte detyruar të zhvendosej nga shtëpia e tij dhe të merrte statusin e refugjatit. Se statusi i refugjatit kishte ndikim në formimin e qëndrimeve të Ahtisaarit, këtë e pranon edhe ai vetë për autorët e librit. Në fillim të vitit 2000, derisa po kalonte kufirin Kosovë-Maqedoni, në Bllacë, atu ky deri para pak muajsh kishin qëndruar me mijëra refugjatë kosovarë, Ahtisaari pohon t’i jenë rishfaqur të gjitha kujtimet e fëmijërisë së tij si refugjat.

Dokumenti i tij për zgjidhjen e statusit final të Kosovës nuk kishte marrë aprovimin ndërkombëtar, por ai ishte pranuar njëanshëm nga Qeveria e Kosovës. Në deklaratën e shpalljes së pavarësisë, emri i Ahtisaarit ishte përmendur tetë herë. Një vit më vonë, Komiteti Norvegjez i Nobelit do ta dekoronte atë me çmimin Nobel për Paqe, për rolin e tij në konfliktin e Namibisë, Indonezisë, Kosovës dhe Irakut. Një ndër të parët që do ta thërriste për të uruar ishte presidenti i Kosovës atë kohë, Fatmir Sejdiu.

Në fund të vitit 2010, Kosova do të vendoste që të hynte edhe një herë në negociata me Serbinë, duke i përsëritur të gjitha gabimet të cilat Ahtisaari me këmbëngulje mundohej t’i evitonte. E para, Qeveria e Kosovës nuk krijoi ekip uniteti, por negociatat u zhvilluan nga partitë në pushtet; ky gabim u kuptua tepër vonë. E dyta, përderisa Ahtisaari e kuptoi shpejt qëllimin e Serbisë për të zvarritur negociatat, ngase kjo do të dëmtonte vetëm Kosovën, liderët politikë të Kosovës vazhdojnë negociatat tani e tetë vjet, pa një datë të përmbylljes së tyre. E treta, përderisa Ahtisaari definoi që në fillim temat për të cilat do të diskutohej, siç ishin të drejtat e zgjeruara për serbët e Kosovës, riorganizimi i komunave dhe mbrojtja e objekteve religjioze, liderët politikë të Kosovës hyn në negociata pa i definuar asnjëherë temat e bisedimeve.

Kësisoj, kur shikohet prej një distance mbi një dekadë, del se Ahtisaari ishte një negociator shumë më i mirë për interesat e Kosovës sesa vetë liderët politikë të saj.