Kush është më i forti?

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 21 tetor 2017 10:32

Si mund të bëjnë një dialog të barabartë Thaçi e Vuçiqi, duke qenë se i pari ka kontrollin më të vogël të mundshëm brenda Kosovës, kurse i dyti më të madhin ndonjëherë brenda Serbisë dhe brenda Kosovës?

FEDERICA MOGHERINI flet për një fazë të re dinamike të dialogut Kosovë-Serbi, e cila do ta duhej të rrumbullakohej brenda një afati prej 18 muajsh.

Hashim Thaçi ka paralajmëruar krijimin e një Ekipi të ri të Unitetit dhe një ekipi konsultativ për të arritur “marrëveshje përfundimtare për normalizim dhe pajtim, që i hap perspektivë të sigurt Kosovës brenda OKB-së, BE-së dhe NATO-s”, dhe për të cilën qytetarët do të shprehen përmes referendumit.

Aleksandar Vuçiq ka thirrur për dialog të përgjithshëm të brendshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e cila do të jetë “diçka ndërmjet asaj se çka dëshiron bashkësia ndërkombëtare, çka dëshirojnë shqiptarët dhe çka dëshirojnë serbët”.

Këto tri qëndrime të shprehura në javët e fundit nga tre protagonistët kryesorë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Brukseli, mund të cilësohen lehtësisht si alarmuese.

Marrë për bazë kontekstin e përgjithshëm në Kosovë, Serbi dhe BE, si dhe çfarë kanë arritur të lartpërmendurit deri më tash në këtë dialog, duket se që të tre janë duke jetuar në një realitet paralel.

KA TASHMË tre vjet e gjysmë prejse Mogherini është përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri dhe deri më tash e ka vetëm një intervistë të vetme për media të Kosovës, Kohës Ditore në mars 2015, ndonëse bëhet fjalë për dialog për Kosovën. Në një jotransparencë të pashembullt, dialogu gjatë kësaj kohe ka qenë klinikisht i vdekur, me marrëveshje të pazbatueshme dhe me plot hapa mbrapa.

Plus, që këto vite kanë ndryshuar rrënjësisht politikëbërjen brenda BE-së, përgjithësisht shkaku i BREXIT-it, zgjedhjes së Trumpit si president në SHBA, si dhe fuqizimin e Kinës dhe Federatës Ruse. Se si do të ndryshojë diçka në mënyrë thelbësore, e cila do të mundësonte që të përmbyllej brenda 18 muajsh me rezultat dialogu Kosovë-Serbi, mbetet të shpjegohet prej saj.

Aq më tepër, kur të preferuarit e saj për dialog, Thaçi e Vuçiqi, janë në një situatë krejt të ndryshme njëri nga tjetri.

Vuçiqi në Serbi sot është pakontestueshëm politikani më i fuqishëm në 20 vjetët e fundit. Ai është zgjedhur president me rreth 55 për qind të votave të qytetarëve, partia e tij SNS vazhdon të mbajë në rreth 50 për qind përkrahjen, opozita serbe është e përçarë dhe e paorganizuar për faqe të zezë, gjendja e lirisë së mediave është e krahasueshme me kohën e Milosheviqit. Thjesht, vlerësohet se Vuçiqi edhe nëse nesër do të vendoste që Serbia ta njohë Kosovën, do të mundë ta bënte këtë hap historik pa ndonjë rezistencë të madhe nga serbët. Mirëpo, ja që pikërisht kjo fuqi e stërmadhe e Vuçiqit në Serbi e komplikon më tepër situatën në Kosovë. Problemi është që sot për sot Vuçiqi lëre që është individi me fuqinë më të madhe në pushtetin e Serbisë, por mund të thuhet se ai është individi me fuqinë më të madhe edhe në pushtetin e Kosovës. Nga disponimi i vartësve të tij të drejtpërdrejtë, Listës Serbe, me 9 deputetë, varet edhe fakti se a do të ketë qeveri në Kosovë, ose se a do të shkohet në zgjedhje të reja. Kjo fuqi e vë në situatë bukur të shantazhuar qeverinë Haradinaj dhe funksionimin e tërësishëm politik të Kosovës.

Në anën tjetër, homologu i tij kosovar, Thaçi, ndodhet thuajse krejtësisht në antonimi me fuqinë politike. Thaçi sot për sot e ka fuqinë më të vogël politike që e ka pasur ndonjëherë gjatë karrierës politike.

Ai është bërë president me votat e LDK-së, e cila sot është në opozitë. Ish-partia e tij, PDK-ja, më nuk është e para në Kosovë, por llogaritet si e treta. Koalicioni qeveritar ku bën pjesë PDK-ja, i njohur si PANA Plus, ka në vete numrin më të vogël të deputetëve në Kuvend, kurse përbën vetëm rreth 30 për qind të votës së përgjithshme të deputetëve shqiptarë, që i bie përfaqësuesve të popullatës së mbi 90-përqindëshit në vend.

Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, Thaçi është njëri nga më të përmendurit në Raportin e Dick Martyt, baza e të cilit ka shërbyer si pikënisje e Gjykatës Speciale, e cila do të lëshojë aktakuzat e para brenda pak muajve – gjë që e vë atë në pozitë të mundshme shantazhi.

Atëherë, si mund të bëjnë një dialog të barabartë Thaçi e Vuçiqi, duke qenë se i pari ka kontrollin më të vogël të mundshëm brenda Kosovës, kurse i dyti më të madhin ndonjëherë brenda Serbisë dhe brenda Kosovës?

PROBLEMI EDHE më i madh në këtë mes, karshi dobësisë së Thaçit, është se në Kosovë ka mungesë të përgjithshme të seriozitetit në debatin që ka të bëjë me rrumbullakimin e procesit të pavarësisë dhe dialogut me Serbinë. Partitë politike duke u marrë me vetvete në këta tre vjetët e fundit, kanë filluar ta kthejnë në sport të zakonshëm politikëbërjen e kontekstit të mëhallës. Kjo marrje me vetveten, siç jemi dëshmitarë tashmë, na kushtoi edhe me anëtarësimin në Interpol e UNESCO, e do të na kushtojë edhe në shumë procese të tjera.

Gjithsesi se ky përçudnim politik brendakosovar mund të na kushtojë shumë edhe në atë se si do të duket marrëdhënia e Kosovës me Serbinë dhe me botën përgjithësisht.

Teksa ne merremi me vetveten, proceset ndërkombëtare po ecin. E dikur mund të jetë vonë, tepër vonë për të ndryshuar diçka.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi