OpEd

Në kërkim të një shteti rezervë

Kërkesa që Shqipëria t'u japë pasaporta kosovarëve është kërkesë për të mbuluar dështimin vetjak.

1.

Në fakt duhej të ishte Zvicra.

Zvicra duhej të ishte shteti i cili do t'u jepte kosovarëve pasaportat. Meqë Kosova nuk po arrin të përmbushë premtimin e Hashim Thaçit dhe të vartësve të tij të ndryshëm - jo brenda 15 muajsh, jo 18 muajsh, jo 2 vjetësh, jo deri në fund të këtij viti, jo të atij tjetrit-për liberalizim vizash, atëherë do të ishte mirë që Zvicra në emër të ndihmës qytetarëve të Kosovës t'u japë nga një pasaportë zvicerane. Edhe ashtu, kur duhej, u ka dhënë azil politik e strehim shumë qytetarëve të Kosovës, nuk e ka kundërshtuar themelimin e UÇK-së në territor të vetin, nuk ka penguar që aty të mblidhen fondet për shkolla e libra, uniforma e kallashë...

Por, nëse nuk bën Zvicra, ndoshta do të ishte mirë që kosovarëve t'u jepej nga një pasaportë amerikane. SHBA-ja edhe ashtu e çliroi Kosovën; për një shtet kaq të madh, çka do të ishte t'i jepej pasaporta popullit që më së shumti e do Amerikën në botë. Për më tepër, s'ka edhe kush ta kundërshtojë këtë duke thënë se Kosova nuk është shtet i Amerikës: as Puerto Rico nuk është, por portorikanët kanë pasaportë amerikane.

Ah, nuk bëka as Amerika. Dakord atëherë. Le të jetë Shqipëria. Le t'ia japë Shqipëria çdo shqiptari të Kosovës pasaportën. Shqiptarët e Kosovës edhe ashtu e duan më shumë flamurin kuqezi sesa që e duan ata të Shqipërisë. Është edhe një lloj borxhi historik: lufta për çlirimin e Shqipërisë filloi në Kosovë, aksidentalisht përfundoi aty ku përfundoi.

2.

Kështu mund të vazhdojë më tutje ky rrëfim lehtësisht sarkastik që ka për bazë vizitën e presidentit të Shqipërisë Kosovës, takimin e tij me homologun kosovar dhe një këmbim bizar në publik që shkoi pak a shumë kështu:

- A bon me na dhonë pasaportat e ju'ja?

- Jo, ore, bëni tuajat të pranueshme për BE-në.

Këmbimi bizar do të shënohet tek diplomatët e akredituar në Prishtinë. Një, se duhet tërhequr vërejtjen qeverive të veta: çdokush që takohet me Thaçin, mund të ballafaqohet me pyetjen e njëjtë: a bon me na dhonë pasaportat e juaja? Dy, sepse del që presidenti i këtij vendi është duke kërkuar një shtet rezervë.

Nuk ka si të kuptohet ndryshe gjesti i një presidenti të një shteti adresuar presidentit të një shteti tjetër në lidhje me pasaportat: meqë shteti të cilin e përfaqësoj nuk arrin të prodhojë dokument me besueshmëri të mjaftueshme juridike, dua që shtetasit e mi të përfaqësohen me dokumentin e shtetit tuaj, që ka besueshmëri të mjaftueshme juridike.

Kurrgjë e re, mund të thotë kush. Është ai shqiptari nga Radivojci në Zvicër që është me pasaportë zvicerane, dhe ajo nga Gjakova me pasaportë suedeze, dhe ai çifti shqiptar nga Podujeva që ka pasaportë amerikane. Ç'ka të keqe që tash të gjithë ta kenë atë të Shqipërisë dhe të udhëtojnë pa viza nëpër Evropë?

Dallimi është se shqiptari nga Radivojci, ajo nga Gjakova dhe çifti nga Podujeva morën pasaportat jo sepse janë shqiptarë, por sepse u bënë shtetas të atyre vendeve. Pasaporta është pjesë e besueshmërisë juridike të shtetit të tyre, gjegjësisht të lidhjes juridike mes tyre si qytetarë dhe shtetit të Zvicrës, Suedisë e SHBA-së.

është se Hashim Thaçi kërkon që çdo shqiptar të kualifikohet automatikisht për besueshmëri juridike me të qenit shqiptar, gjegjësisht me të qenit shqiptar i Kosovës. Për dallim prej Zvicrës, Suedisë dhe Amerikës, që ka kërkesa specifike që ai shtet të jetë garantues për qytetarin (sepse këtë, mes tjerash, e bën pasaporta, shndërrohet në garanci shteti për qytetarin), Thaçi kërkon që Shqipëria të mos ketë kërkesa, por të jetë garantuese automatikisht për çdo qytetar (shqiptar) të Kosovës. Rrjedhimisht, kërkon që Shqipëria ta sakrifikojë besueshmërinë e vet juridike në raport me shtetet e Schengenit (të fituar me shumë mund e shtytje politike) në mënyrë që të akomodojë dështimin e Kosovës që të ngrihet në këmbë si shtet nga gjendja e vet e kapur prej krimit të organizuar politik.

3.

Nëse presidenti i Kosovës kërkon që Shqipëria të jetë garantuese për sigurinë juridike të shqiptarëve të Kosovës, atëherë ai është ngutur në hapa. Para se ta bënte këtë kërkesë është dashur ta pranonte njërën prej këtyre gjërave.

Ose ai si president i vendit personalisht nuk është në gjendje të garantojë sigurinë juridike (të nënkuptuar me pasaportë) për shqiptarët e Kosovës.

Ose ai si president i vendit personalisht nuk sheh mundësinë që Kosova me institucionet e veta të jetë në gjendje ta garantojë sigurinë juridike për shqiptarët e Kosovës.

Po të pranonte njërën prej këtyre gjërave ai duhej të pranonte, po ashtu, se nuk është në gjendje të përmbushë detyrën e presidentit të Kosovës. Rrjedhimisht, do të kishte kuptim, atëherë, që ose të kërkonte që posti i presidentit të shpallej vakant, ose që institucionet e shtetit të Kosovës të shpallen të paafta, e që detyrat e tyre përkohësisht (apo pa afat) të administrohen nga institucionet e Shqipërisë.

Sepse, ky është kuptimi juridik i kërkesës që Shqipëria t'u japë shqiptarëve të Kosovës pasaporta: është kërkesa që Shqipëria të marrë përsipër një pjesë të rëndësishme të obligimeve që ka shteti i Kosovës ndaj qytetarëve të vet.

4.

Shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të gjitha viseve autoktone shqiptare, e besa edhe të Shqipërisë në njëzet vjetët e fundit, janë mësuar të kërkojnë shtet rezervë. Sot mbi një çereku i shoqërive tona jeton diku në shtetet evropiane e në Amerikë.

Por, për shqiptarët e Kosovës, në përpjekje gjysmëshekullore për të bërë e ndërtuar shtet, kërkesa për shtet rezervë vjen me shpejtësi marramendëse. Njëherë ishin dhjetëra e qindra qytetarë, që një vit e ca pas pavarësisë filluan të kërkojnë një shtet që do të ishte më i mirë se ky që sapo ndërtuan. Pastaj u bënë 100 mijë njerëz që u nisën nëpër dimrin e madh hungarez për të arritur tek shteti i ëndërruar rezervë. Tash, presidenti i vendit, kërkon që shteti rezervë i Kosovës të jetë Shqipëria.

Por, diplomatët nuk duhet të nguten e të shohin tek veprimi i Thaçit kërkesë për bashkim kombëtar. Hashim Thaçi është njeri praktik dhe në skemën ideale të organizimit të punëve Amerika duhet të merret me mbrojtjen e vendit dhe së bashku me shtete të mëdha evropiane t'i marrë njohjet ndërkombëtare të Kosovës; Evropa duhet të merret me financimin e zhvillimit, Serbia me serbët e Kosovës, Shqipëria me pasaportat, ndërsa ai dhe Klani i tij me kapjen e tenderëve, dhe të çdo gjëje që vlen në shtet.

Në atë ndarje të punëve, qytetari dhe pushteti njëkohësisht shpresojnë që sa më shpejt të bëhet liberalizimi i vizave: që çdokush ta ketë më lehtë të gjendet shteti rezervë.