Në shënjestër të një pengmarrësi

Enver Robelli Enver Robelli 19 tetor 2017 08:30

Presidenti turk duket se ka vendosur të acarojë edhe më tutje raportet me shumë vende në betejën e tij kundër «gylenistëve», me ndihmën e të cilëve dikur erdhi në pushtet. Viktimë e radhës mund të jetë Shqipëria.

Muhammed Yasir Aydoğmuş u arrestua ditë më parë nga policia shqiptare në Portin e Durrësit. Autoritetet vepruan në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar të lëshuar nga Republika e Turqisë. Muhammed Yasir Aydoğmuş akuzohet nga drejtësia e dirigjuar turke se është ithtar i Fethullah Gülenit, një hoxhe dikur shtegtar, i cili themeloi Lëvizjen Gülen në Turqi dhe dha kontribut pothuaj vendimtar për ardhjen e Rexhep Taip Erdoanit në pushtet. Gülen jeton në ekzil, në SHBA, nga viti 1999. Raportet e tij me Erdoanin u keqësuan kur prokurorë të afërt me Lëvizjen Gülen filluan të hetojnë rrethin e ngushtë të Erdoanit për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Erdoan e akuzon Gülenin si organizatorin kryesor të përpjekjes për grusht shtet në korrik 2016. Ndonëse një kohë të gjatë është menduar se akuzat e Erdoanit janë të pabaza, hulumtime të reja të mediave ndërkombëtare, sidomos atyre gjermane, tregojnë se njerëz të afërt me Gülenin gjithsesi kanë luajtur rol në përpjekjen për puç më 16 korrik 2016. Mbetet e paqartë nëse ata këtë e kanë bërë me apo pa urdhër të Gülenit. Faktet e prezantuara nga autoritetet turke deri më tani nuk i kanë bindur amerikanët, të cilët refuzojnë ekstradimin e Gülenit në Turqi.

Sidoqoftë, Erdoan e ka shfrytëzuar tentim-puçin për të nisur një fushatë të arrestimeve joselektive dhe arbitrare. Nga frika se mund të përfundojnë në burg pa qenë fare fajtorë, qindra oficerë e diplomatë turq me punë në selinë e NATO-s, në bazat e NATO-s në Gjermani dhe në përfaqësitë diplomatike të Ankarasë në Gjermani, kanë kërkuar azil pranë autoriteteve gjermane. Për të detyruar palën gjermane që t’i ekstradojë këta njerëz, regjimi i Erdoanit ka arrestuar disa shtetas gjermanë, të cilët me gjasë synon t’i përdorë si monedhë për kusuritje: na i dorëzoni ju «gylenistët», pastaj ne i lirojmë nga burgu shtetasit tuaj gjermanë. Kjo është një politikë shantazhi.

Ende nuk dihet shumë për biografinë e Muhammed Yasir Aydoğmuş, i cili është ndaluar në Durrës dhe pastaj është lënë i lirë. Por, një letër e dërguar nga Monica Macovei, e cila është kryesuese e delegacionit të Parlamentit Evropian në Komitetin Parlamentar të Stabilizimit dhe Asocimit BE-Shqipëri, është dëshmi e shqetësimit serioz në Bruksel në lidhje me këtë rast. Politikania e njohur rumune ia ka drejtuar një letër qeverisë në Tiranë, ku përkujton se “ka një konventë evropiane mbi çështjet e ekstradimit nga Këshilli i Evropës e firmosur nga Shqipëria gjithashtu, në të cilën qartësisht në artikullin 3 thuhet se është e ndaluar të ekstradohen njerëz për arsye politike. Shqipëria është një vend evropian, që ndan të njëjtat vlera si Bashkimi Evropian dhe për këtë arsye nuk duhet të lejojë ekstradimin apo dërgimin e një personi në një vend, ku ai mund të bëhet subjekt i torturave dhe trajtimeve çnjerëzore. Është pjesë e rregullave kryesore në kartën evropiane të të drejtave të njeriut”.

Shqipëria duhet të veprojë si vend evropian. Është e mundshme që refuzimi i ekstradimit të Muhammed Yasir Aydoğmuş të acarojë nervat e Erdoanit, por në këtë rast parësore janë të drejtat e njeriut, të cilat shteti turk i sunduar nga Erdoani momentalisht nuk i garanton. Madje shpesh edhe keqpërdor fletarrestimet ndërkombëtare për të “peshkuar” njerëz që i konsideron të dyshimtë. Njëri ndër ta është Dogan Akhalni. Para dy muajsh ky shkrimtar me shtetësi gjermane dhe turke shkoi për pushime në Spanjë dhe në vend të plazhit përfundoi në burg – me kërkesë të Turqisë, e cila e akuzon për grabitje të dhunshme. Akhalni e quan këtë akuzë të motivuar politikisht. Qeveria gjermane protestoi kundër arrestimit dhe autoritetet spanjolle e lanë të lirë autorin deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Javën që shkoi Ministria e Drejtësisë e Spanjës refuzoi ekstradimin.

Dogan Akhalni jeton tashmë dy dekada në Gjermani. Ai shkruan për gjenocidin osman kundër armenëve dhe njihet si kritik i Erdoanit. Kjo, me sa duket, u ka mjaftuar autoriteteve turke ta shpallin në kërkim. Shqipëria duhet të sillet si Spanja – pa paragjykuar mbi fajësinë apo pafajësinë e Muhammed Yasir Aydoğmuş. Problemi është në Ankara: në betejën e tij për pushtet të pakufishëm, në luftën e pamëshirshme ndaj çdo kritiku Erdoan ka krijuar një klimë të rrezikshme në vendin e tij, ku çdokush duhet të ketë frikë se çfarë thotë. Në këtë luftë Erdoan e ka pas vetes gjysmën e elektoratit turk, por gjysma tjetër kundërshton tendencat autoritare të tij. Në vitet e ardhshme beteja do të zhvillohet mes këtyre dy kampeve të shoqërisë turke. Me ndihmën e pushtetit të tij Erdoan ndoshta mund të dalë edhe fitimtar afatshkurtër, por pasojat për vendin e tij do të jenë fatale. Në fakt kjo shihet që tani: ashpërsimi i raporteve me Gjermaninë dhe me SHBA-në do të ketë vetëm pasoja negative për Turqinë. Erdoan duket se nuk bëhet merak për këtë, por, pas tij nuk janë të rreshtuar të gjithë turqit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli