Si e zhgënjyen njëra-tjetrën Kosova dhe BE-ja

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 18 tetor 2017 08:15

Vërtet diplomatë nga BE-ja në raportet me lidershipin politik të Kosovës kanë përdorur taktikën e premtimeve dhe të kërcënimeve, sa herë që kanë dashur të nxjerrin kompromise të rënda për Kosovën, qoftë në favor të Gjykatës Speciale apo në dialog me Serbinë. Prandaj, edhe u ka konvenuar që në pushtet të jenë njerëz që janë të ndjeshëm ndaj një taktike të tillë. Por për këtë nuk kanë lënë gjurmë. Problemi ka qenë tek liderët kosovarë që premtimet taktike, shpesh nga ata që nuk kanë fuqi të marrin vendime për t’i realizuar të njëjtat premtime, i kanë konsideruar si garanci. Tash jemi në situatën në të cilën presidenti Thaçi dhe disa përfaqësues të BE-së luajnë lojën e fajësimit të njëri-tjetrit për dështime, ndërsa çmimin e paguajnë qytetarët e Kosovës

Është më se e vërtetë se për krijimin e Gjykatës Speciale politikanët ndërkombëtarë kanë bërë presione, edhe me kërcënime ndaj zyrtarëve të Kosovës. Edhe ne si gazetarë kemi dëgjuar shpesh nga diplomatë të lartë evropianë se “nëse Kosova nuk pranon krijimin e kësaj Gjykate Speciale atëherë çështja do të shkojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe atje do t’i jepet rol Rusisë në këtë çështje”. Nga ana tjetër, po ashtu, si një lloj kërcënimi të njëjtit kanë thënë se “nëse kjo nuk bëhet me pajtimin e institucioneve të Kosovës mund të ketë pengesa edhe në procesin e liberalizimit të vizave”. Të mos flasim për “vërejtjet” se “mospajtimi për mandatin e ri të EULEX-it, dhe për detajet rreth mandatit të Gjykatës Speciale do të paraqet pengesa edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”.

Dhe siç ndodh tash e shumë vite në raportet e Kosovës me BE-në, nëse Kosova nuk zbaton diçka atëherë pason dënimi përmes ngecjes në proces. Por nëse Kosova zbaton atëherë kjo nuk çon automatikisht në realizimin e premtimeve.

Vërtet diplomatë nga BE-ja në raportet me lidershipin politikë të Kosovës kanë përdorur taktikën e premtimeve dhe të kërcënimeve, sa herë që kanë dashur të nxjerrin kompromise të rënda për Kosovën, qoftë në favor të Gjykatës Speciale apo në dialog me Serbinë. Prandaj edhe u ka konvenuar që në pushtet të jenë njerëz që janë të ndjeshëm ndaj një taktike të tillë. Por për këtë nuk kanë lënë gjurmë. Problemi ka qenë tek liderët kosovarë që premtimet taktike, shpesh nga ata që nuk kanë fuqi të marrin vendime për t’i realizuar të njëjtat premtime, i ka konsideruar si garanci. Tash jemi në situatën në të cilën presidenti Thaçi dhe disa përfaqësues të BE-së luajnë lojën e fajësimit të njëri-tjetrit për dështime, ndërsa çmimin e paguajnë qytetarët e Kosovës.

Se Thaçi jepte premtime për të cilat nuk besohej se janë reale rreth vizave, integrimeve evropiane, anëtarësimeve në strukturat ndërkombëtare e kishim vërejtur qëmoti. Por në politikën e brendshme të Kosovës kjo ishte një metodë e mirë e tij për të përfituar mbështetje. Sepse shumë njerëz më me dëshirë i besonin premtimeve të tilla sesa vërejtjeve se ato nuk do të ndodhin dhe se janë joreale. Nuk ka nevojë tash të kthehemi dhe të analizojmë se sa herë Thaçi ka thënë se vizat do të hiqen “në afat rekord”. Keqdashësit do të thoshin se tashmë vërtet janë thyer të gjitha rekordet, për fat të keq për kohëzgjatje të procesit.

Edhe kur ata që më së shumti në Bruksel angazhoheshin për liberalizimin e vizave, dhe për heqjen e diskriminimit poshtërues ndaj kosovarëve, siç ishte Ulrike Lunaçek, tërhiqnin vërejtjen se premtimet për liberalizim të shpejtë janë joreale, nga zyrtarë të Kosovës dëgjonim se ata kanë “garanci direkte nga Brukseli se kjo do të ndodhë”.

Sikurse Thaçi premtonte “liberalizim të shpejtë vizash” ashtu Edita Tahiri, si kryenegociatore në një dialog që Kosovës më shumë i solli komplikime sesa zgjidhje problemesh, fliste për “Pako dhuratash” nga BE-ja.

Në tërë këtë proces, Serbia, e cila tashmë e kishte liberalizimin e vizave, ka marrë statusin e kandidatit, ka nisur negociatat e anëtarësimit dhe po hap dhe mbyll kapitujt negociues duke u shkëputur, së bashku me Malin e Zi, nga vendet e tjera të rajonit të cilat tashmë kanë një status të kandidatit të dorës së dytë. Prandaj tash vetëm për Serbinë dhe për Malin e zi flitet për një perspektivë të parashikueshme reale të anëtarësimit në BE.

Kosova, ndërkohë, ka përfituar vetëm një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit, e cila vërtet është jetike për Kosovën dhe raportet me BE-në, por ka mbetur si një prej rezultateve të vetme të dukshme në këto raporte. Kosova nuk ka liberalizim vizash, nuk ka mbështetje të BE-së në asnjë tentim të integrimeve në strukturat ndërkombëtare (sepse BE-ja duke qenë neutrale ndaj statusit nuk mund të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në to) dhe nuk ka asnjë lëvizje as në njohjet nga 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

E çka ka bërë Kosova: Ka pranuar fusnotën në emrin e saj që në një mënyrë, qoftë edhe simbolike, mund të shihej si heqje dorë nga shtetësia dhe pranim që të trajtohet ndryshe nga shtetet sovrane. Ka pranuar vazhdimin e mandatit të EULEX-it ashtu siç ka kërkuar BE-ja. Ka pranuar krijimin e Gjykatës Speciale, e cila do të merret me krimet e supozuara të disa prej ish-liderëve të UÇK-së. Është fituar përshtypja sikur Kosova duhet të marrë vendime për t’iu përshtatur nevojave të BE-së e jo anasjelltas. Pra është shndërruar në një hapësirë ku BE-ja bën eksperimente të tipit EULEX. Gjykata Speciale e të tjera. Dhe kjo Gjykatë Speciale, me mërinë e çuditshme “dhomat e specializuara të Kosovës” thuhet gjithmonë se është krejtësisht e Kosovës edhe pse vetë përfaqësuesit e Kosovës e kritikojnë atë se po bashkëpunon me Serbinë, por jo me Kosovën. Pra kemi edhe një paradoks; një Gjykatë të Kosovës, e cila nuk po bashkëpunon me Kosovën e po bashkëpunon me Serbinë!.

Mund të besojmë se qëllimi i krijimit të kësaj Gjykate nuk është që të njolloset as lufta e UÇK-së e as Kosova. Por përkundër kësaj Kosovës kjo Gjykatë që tash i ka bërë dëm historik, pa marrë parasysh se kë dhe kur do ta akuzojë dhe çfarë verdiktesh do të nxjerrë në fund. Qëkur është krijuar “Task forca” speciale kemi mbetur në pozicionet e kohës kur Dick Marty kishte nxjerrë raportin e tij me akuza për nxjerrje të dhunshme dhe shitje organesh. E ato pozicione janë se “nuk ka dëshmi, por besohet se ka ndodhur”. Në këso rrethanash kemi njollosjen e Kosovës, shantazhimin e disa liderëve politikë të Kosovës që si pasojë mund të bëjnë kompromise në dëm të shtetit, dhe kemi një krijim të hapësirës së lidershipit politikë të Serbisë që të ketë ofensiva propagandistike kundër Kosovës.

Pa marrë parasysh qëllimin e krijimit të Gjykatës, ajo në histori do të përdoret si dëshmi se Kosova ka qenë i vetmi shtet në territorin e ish-Jugosllavisë për të cilin nuk ka mjaftuar Gjykata e Hagës për krime lufte, as Gjykatat vendore të Kosovës e as ato të EULEX-it me mandat ekzekutiv, që të procedohen krimet e rënda, por është dashur edhe një ekstra Gjykatë e Specializuar. Pra vetë krijimi i kësaj Gjykate Speciale është pranim i dështimit të sistemit të drejtësisë së Kosovës, dhe me të edhe të EULEX-it. Pranimi se në Kosovë nuk ka Gjykata të pavarura dhe profesionale për t’u marrë me krime të tilla serioze, se në Kosovë nuk mund të mbrohen dëshmitarët dhe pranim i shumë dështimeve të tjera të përbashkëta evropiane-kosovare.

e dimë se çfarë personalisht mund t’i kenë “garantuar” presidentit Thaçi kur ai e quante veten në fjalime në Bruksel “Kampion i krijimit të Gjykatës Speciale”, duke thënë se “Kosova nuk ka çfarë të fshehë”. Por duket se tash Thaçi, ndoshta duke u besuar premtimeve ka dalë i dëshpëruar. Sepse sa më shumë që besohet në premtime aq më i madh edhe bëhet dëshpërimi kur ato nuk realizohen.

Por edhe në BE thonë se ka pasur premtime nga ana e Thaçit dhe e liderëve të tjerë kosovarë. Pohojnë se, kur ishte caktuar kushti për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e zi për demarkacionin e kufirit, pala kosovare ishte pajtuar me atë kusht duke thënë se “kjo është vetëm çështje teknike dhe i kemi votat e duhura”. Disa prej zyrtarëve të BE-së, madje, si ilustrim të mungesës së gatishmërisë, përmendin pyetjen se si u bë që të sigurohen votat për ta bërë Thaçin president e ato për ratifikim jo. Po ashtu, thonë në BE se ekziston mungesa evidente e palës kosovare për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivel të lartë, pa ndërhyrje politike dhe për ta dëshmuar këtë përmes vendimeve fuqiplote të gjykatave.

Pra, kemi tash një situatë në të cilën edhe BE-ja e edhe Kosova janë të zhgënjyera në një mënyrë me njëra-tjetrën.

Problemi me “garancitë” e BE-së është se ato nuk kanë ekzistuar asnjëherë në formën e garancive. Sepse në diskursin e institucioneve të BE-së nuk përdoret fjala “garanci” ndonëse mund të jepen premtime. Edhe nëse disa zyrtarë të BE-së për nevoja të përfitimeve të momentit, kanë dhënë premtime, atë e kanë bërë personat të cilët nuk kanë pasur ndikim të madh. Besohet se shumë premtime, në takime kryesisht private janë dhënë nga zyrtarë të Shërbimit të veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), përfshirë edhe për vizat. Por ky shërbim, edhe pse mund të ndihmojë në aspektin politik, nuk vendos për një gjë të tillë, sepse vizat janë kompetencë e Këshillit të ministrave të Brendshëm të BE-së.

Në kohën e dëshpërimit me BE-në, presidenti i Kosovës Thaçi ka përmendur, madje sikur në formë kërcënuese, se kosovarët do të pajisen me pasaporta të Shqipërisë. Shqipëria nuk do ta bëjë këtë, së paku jo në mënyrë masive, sepse me këtë do të rrezikonte edhe më shumë që Shqipërisë t’i ktheheshin vizat. Edhe ashtu ky kërcënim përmendet për shkak të numrit relativisht të madh të azilkërkuesve nga Shqipëria në vendet e BE-së. Gjëja e fundit që i duhet Shqipërisë është që ajo të akuzohet se po ndihmon largimin masiv të kosovarëve drejt BE-së, duke i pasur ata me pasaporta. Të rikujtojmë se as Serbia nuk mund t’i pajisë serbët e Kosovës me pasaporta me të cilët mund të udhëtojnë pa viza në BE. Serbëve të Kosovës u lëshohen pasaportat në një zyre të veçantë në Beograd, me shifra të dallueshme, për të cilat pasaporta nuk vlen liberalizimi i vizave. Natyrisht se ka raste kur kjo tejkalohet përmes dhënies ilegale të pasaportave me adresa fiktive në territorin e Serbisë. Në BE pohojnë se ka të dhëna se këtë e bëjnë edhe për shqiptarë të Kosovës si një skemë mashtruese.

Si pasojë e lojërave dhe e mungesës së transparencës e sinqeritetit të dënuar dhe të izoluar mbeten qytetarët e Kosovës, shqiptarë e serbë, ndërsa politikanët janë të njohur që të kalojnë nga dëshpërimi në kënaqësi dhe anasjelltas.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj