Hidhërimi i Gjarpnit

Flaka Surroi Flaka Surroi 17 tetor 2017 07:55

Kuptuam se te Thaçi mund të ekzistojë frika se mund të jetë ndërmjet atyre që do të ftohen në Hagë, jo për vizitë kurtuazie, dhe se eeeendra e tij për ta bërë Kosovën anëtare të BE-së dhe NATO-s, siç e ka përsëritur sa herë që ka mundur, nuk do të realizohet, për shkak se mund të mbetet pa post politik. Atë që kuptuam është se kur hidhërohet mund edhe të kërcënojë apo edhe shantazhojë, siç veproi për punën e pasaportave të Shqipërisë, dhe, fare në fund, se mund edhe ta destabilizojë Kosovën vetëm për ta “shpëtuar” veten.

Javë interesante kjo që shkoi. Fillimisht morëm vesh që katër kosovarë do të jenë pjesë e Qeverisë së Shqipërisë në cilësinë e zëvendësministrave, lajm i cili po aq sa u duartrokit, aq edhe u diskutua në kuptimin e psesë së një vendimi të këtillë. Më pas, morëm vesh që kryeministri Haradinaj kishte marrë një vendim dhe e kishte shlyer një borxh prej gati 50 milionësh – të tatimeve të grumbulluara e të papaguara nga mbushësit e shisheve të ujit, që është njëri nga bizneset më fitimprurëse që ka Kosova. Edhe këtu u debatua gjatë çështja e psesë, dhe natyrisht përfunduam me një mori teorish konspiracioni që pak a shumë u kufizuan në “larjen e borxheve” për përkrahje politike.

Megjithatë krejt këto disi mbetën në hijen e protagonistit të javës: Hashim Thaçit dhe paraqitjes së tij bajagi si skandaloze në një tryezë ku shqyrtohej çështja e Gjykatës Speciale. Deklaratat që tingëllonin si përralla; dalja e ambasadorit britanik nga salla teksa Thaçi po e mbante fjalimin; qortimi publik që Thaçi ia bëri O’Connellit, dhe më në fund fshehja pas “më keni keqkuptuar” e përmbylli javën në të cilën Thaçin e pamë shumë të shqetësuar. Jo për Kosovën. Për veten.

Zëvendësministrat

Rama vendosi t’i emërojë katër kosovarë për zëvendësministra dhe do të ngarkohen me resorët e turizmit, arsimit, shëndetësisë dhe kulturës. Si të tillë nuk do të kenë ndonjë fuqi ekzekutive, porse do të kenë mundësinë të mësojnë: megjithatë Shqipëria është shtet shumë më moti se Kosova; ka hyrë thellë në agjendën evropiane, pra edhe duhet t’u përmbahet udhëzimeve dhe rregullave të BE-së; dhe do të kenë mundësinë që të kontribuojnë mbase në përafrimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, sidomos te çështja e turizmit e mjedisit (ani pse te kjo e dyta, si Kosova ashtu edhe Shqipëria çalojnë, dhe shumë bile), si dhe, arsimi, kultura e shëndetësia. Kurrë nuk i dihet, mbase prezenca e tyre do ta lehtësojë depërtimin e librit kosovar në tregun e Shqipërisë; këmbimin e përvojave mjekësore dhe shmangien e shërimit të shtrenjtë jashtë vendeve përkatëse; pastrimin e teksteve shkollore nga gjërat që nuk e kanë vendin aty dhe mbase mbrojtjen e përbashkët të trashëgimisë sonë historike.

Shumë do të thonë se kjo ka qenë një lëvizje e Ramës për t’ia dëshmuar botës se është përfaqësuesi më i shquar panshqiptar. Mbase. Porse Rama e ka luksin të emërojë kë të dojë, sepse e ka shumicën absolute në Kuvend dhe nuk i ka borxh askujt asnjë pozitë – pra edhe mund të eksperimentojë edhe me njerëz “teknikë” e jo politikë, që mund t’i sjellin dobi qeverisjes së tij. Për Kosovën – është leksion: se njerëzit e mirë profesionistë do të mundë të ishin emëruar në dikastere të caktuara pa pasur nevojë të anëtarësoheshin në asnjë parti politike. Angazhimi i këtyre njerëzve dhe të tjerëve të ngjashëm që kanë një qasje tjetër ndaj çështjeve dhe zhvillimeve në Kosovë, përfundimisht nuk do të ishte akomodim i atyre që kanë mbetur pa punë apo të cilëve dikush, për një votë, u ka diçka borxh.

Haradinaj dhe uji

E borxh duket se ka pasur Haradinaj ndaj fabrikave që merren me mbushjen e shisheve të ujit, se nuk ka ndryshe si të shpjegohet falja e gjithë atyre milionave që këto firma nuk i kanë paguar me vite të tëra. Arsyetimi se po qe se do t’i paguanin, shumë njerëz do të mbesnin pa punë, nuk qëndron, ama bash hiç. Borxhi kaq i madh i akumuluar nënkupton se këto firma kanë pasur edhe qarkullim të majmë, pra edhe fitim, se ndryshe do të mbylleshin moti.

Po edhe të supozojmë se ashtu qenka, që me faljen e këtij borxhi po shpëtonin vendet e punës – çka bëhet atëherë me të gjithë të tjerët që në kushte kaq të rënda të afarizmit në Kosovë paguajnë tatime dhe krejt obligimet e tjera ndaj shtetit dhe punëtorëve. Përse bëhet dallimi kaq i madh ndërmjet një industrie krahasuar me industritë e tjera, dhe përse nuk shtyhet me më shumë vendosmëri obligimi që tatimet, për shembull, t’i paguajnë edhe pompat e benzinës, që edhe pas një dekade mbesin të pafiskalizuara.

Në çastin kur dilet me faljen e këtij borxhi, të këtij apo atij aseti, apo vazhdohet me mosshtrëngimin e masave për ta zgjidhur problemin e evazionit fiskal, porosia që u shkon të gjithëve është se sundimi i ligjit është një gjë që nuk ekziston në Kosovë dhe se shpresa bazë e biznesit këtu është që të mos paguhen tatime kurrë, sepse çdoherë do të gjendet dikush që do t’i falë ato, në emër të ruajtjes së vendeve të punës.

Kryeministri që nga dita e parë ka thënë se në Kosovë korrupsioni është endemik. Endemike është diçka që gjendet në mesin e njerëzve apo të trevave ku jetojnë këta – dhe sëmurjen e përhapin njerëzit te njerëzit. E vendimi i këtillë i Haradinajt nuk e dallon atë nga endemikja më të cilën jetojmë që nga çlirimi.

Thaçi i frikësuar dhe nervoz

E njëri nga ata që nuk u ndal duke na treguar se na solli çlirimin është Hashim Thaçi. Deklaratat tashmë të njohura të tij se pos çlirimit na e solli pavarësinë dhe se do të na e sjellë edhe integrimin euroatlantik – të thëna herë të mbështjella me rrot’lla e herë drejtpërsëdrejti, i kanë shërbyer shumë në mëtimin për ta krijuar një imazh të një burrështetasi të madh.

Shtatë vjetët e qeverisjes së tij me Ekzekutivin e vendit i kanë shkaktuar Kosovës dëme shumë të mëdha, që mbase në çaste duken të pariparueshme. E vetmja gjë që ka funksionuar mirë në këta gati dhjetë vjetët e fundit ka qenë ndërtimi i karrierës së tij personale dhe mbajtja nën kontroll e kaosit në të cilin është shndërruar pothuajse gjithçka në Kosovë.

Në këta dhjetë vjet do ta kemi parë dy herë tepër të shqetësuar dhe nervoz: një herë me rastin e desantit të dështuar të policisë në veri, kur u vra Enver Zymeri, dhe, herën e dytë, pas ndonjërës demonstratë masive, ku me cinizëm përmendi shala e bishta. Hera e tretë qe të hënën, kur foli në një diskutim publik për Gjykatën Speciale. Ndër të tjera tha: “Pranimi ynë ndodhi me forma imponuese diplomatike ndërkombëtare, nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë, me arsyetimin se duhet të kënaqim akterët e tjerë, në veçanti Beogradin dhe Rusinë, që kjo çështje të mos delegohet në Këshillin e sigurimit të OKB-së..., Kjo është një Gjykatë njëetnike, e cila nuk do të shqyrtojë asnjë nga 400 masakrat e kryera në Kosovë nga shteti i Serbisë. Nuk do të merret me asnjë nga rastet e 20 mijë dhunimeve të grave shqiptare nga pjesëtarët e forcave serbe, me asnjë rast të 12 mijë shqiptarëve të vrarë e me asnjë rast të 2.500 personave të zhdukur shqiptarë”.

Teksa fliste, rrezatonte hidhërim, dhe nuk ngurroi së thëni se bashkësia ndërkombëtare e paska mashtruar dhe se gjërat do të duhej të ishin zhvilluar ndryshe. Edhe sikur hipotetikisht bashkësia ndërkombëtare ta kishte mashtruar, mbase hidhërimi i tij ka të bëjë me faktin se në botë po ekzistuaka dikush që mund ta mashtrojë mjeshtrin e mashtrimeve. Dhe se ajo që në të vërtetë po i dhemb është se dikush e ka mashtruar atë -- të pamashtrueshmin.

Porse, shikuar nga zhvillimi i ngjarjeve rreth Speciales, mbase gjërat qëndrojnë më ndryshe. Natyrisht, pa paragjykuar asgjë, për shkak se ne nuk dimë se kush ka folur me kë dhe për çka, sepse Thaçi nuk është dalluar kurrë për nga transparenca. Nuk është ky një tipar i personalitetit të tij politik, sepse kurrë në fakt nuk kemi marrë vesh asgjë, derisa nuk na ka sjellë para aktit të kryer.

Sidoqoftë, do të duhej kujtuar se Specialja u themelua në bazë dhe për shkak të Raportit Marty, i cili merret me “Grupin e Drenicës” dhe në të cilin emri i Thaçit përsëritet me duzina herë. Raporti kurrë, në asnjë çast, nuk është marrë me krimet e serbëve – prandaj ka qenë iluzore të besohet se do të merret edhe me këto krime. Kjo, posaçërisht kur tashmë ka ekzistuar një Tribunal në Hagë dhe kur Serbia, mjeshtërisht, e ka themeluar një odë të veçantë gjyqësore për krime lufte brenda Gjykatës së vet Supreme: një diçka që Thaçi nuk e ka bërë në Kosovë, e ka mundur.

Gjatë qeverisjes së tij thuajse nuk është bërë asgjë për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë. Libri që i përmban përshkrimet e shkurtra dhe emrat e të gjitha viktimave u botua falë punës së një entuziasti të arkivit; një donatori shqiptar nga Maqedonia, i emigruar në Amerikë, dhe një shtëpie botuese që e konsideroi këtë si kontributin më të vogël që do të mund ta jepte për shmangien e harresës së tmerrit që e kemi përjetuar. Gjatë qeverisjes së tij thuajse u injorua dhe më në fund me zor u shty çështja e grave dhe burrave të dhunuar gjatë luftës; dhe gjatë qeverisjes së tij kur nuk u dol me asnjë dokument gjithëpërfshirës që do të tregonte për dëmin që e ka pësuar Kosova në luftë, e natyrisht, nuk u bë as përpjekja më e vogël që të paditet shteti i Serbisë për krimet në Kosovë.

Ishte ai që u hyri negociatave me Serbinë si “pula pa kry” – as nuk e pyeti Kuvendin e as nuk u konsultua me të tjerët se si t’ia bëjë. Hyri pa e vënë asnjë kusht të vetëm – as të pagjeturit, as reparacioni, asnjë send. Për shkak se në kohën kur u hyri atyre negociatave, raporti Marty tashmë kishte dalë në qarkullim – dhe mbase do të ketë besuar se nëpërmjet atyre negociatave do të mundë ta negocionte edhe amnistinë e tij.

Vajtje-ardhjet në Amerikë në muajin e fundit do ta kenë pasur mbase epilogun e njëjtë: meqë nuk marrim vesh kurrë më tepër seç na thotë zyra e tij, vetëm mund të imagjinojmë se një pjesë e muhabeteve të kryera në SHBA kanë pasur të bënin me statusin e tij të ardhshëm: sepse, duke u mbështetur në logjikën e thjeshtë, meqë emri i tij përmendet aq shumë herë në atë raport, është thuajse e pabesueshme që bile të mos merret në pyetje nga Prokurori Special (nëse tashmë kjo punë nuk ka ndodhur, e ne nuk e dimë). Fytyra e tij të hënën i zbulonte të gjitha.

E në këtë vrull, i erdhi Meta në vizitë dhe doli me kërkesën që kosovarëve t’u njihet dyshtetësia e që të pajisen me pasaporta të Shqipërisë, ashtu që ta eliminojmë bllokadën e imponuar nga BE-ja, me punën e demarkacionit dhe të luftimit të korrupsionit. Kjo deklaratë as që ishte aq populiste sa është më shumë paralajmërim kundër “atyre që e kanë mashtruar” se prej tash e mbas “më nuk do t’i dëgjojë e as nuk do të veprojë sipas udhëzimeve të tyre”. E problemi është se Shqipëria edhe po të na jepte pasaporta të gjithëve, nuk do të mundë t’i shmangej vendimit të BE-së që do të mundë të thoshte se të lindurit në Kosovë nuk mund të kenë lëvizje pa viza edhe nëse bartin pasaporta të Shqipërisë.

Nuk e di çka ka menduar kur i ka thënë krejt këto që i tha, porse “miqtë ndërkombëtarë” ia bënë të qartë se nuk ia përkrahin diskursin. Dhe, i gjendur në situatën e mbështetjes për mur, shkroi në FB se “ishte keqkuptuar” – term ky që në Kosovë është bërë eufemizëm për “shkretova, por ju e keni fajin që nuk po kuptoni ashtu siç kam qejf unë që të kuptoni”.

Atë që kuptuam fare mirë është se gjërat rreth Speciales i janë afruar pikës kur ajo do të nisë të ndërmarrë veprimet e para që nuk kanë të bëjnë me letra e rregullore. Po kuptojmë se te Thaçi mund të ekzistojë frika se mund të jetë ndërmjet atyre që do të ftohen në Hagë, jo për vizitë kurtuazie, dhe se eeeendra e tij për ta bërë Kosovën anëtare të BE-së dhe NATO-s, siç e ka përsëritur sa herë që ka mundur, nuk do të realizohet, për shkak se mund të mbetet pa post politik. Atë që kuptuam është se kur hidhërohet mund edhe të kërcënojë apo edhe shantazhojë, siç veproi për punën e pasaportave të Shqipërisë, dhe, fare në fund, se mund edhe ta destabilizojë Kosovën vetëm për ta “shpëtuar” veten.

E kuptuam se interesi i tij personal përherë ka pasur më shumë peshë sesa Kosova.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Vala18/10/2017 10:34

Shum me vend

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi