OpEd

Qeverisje me padrejtësi

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të falur borxhin që ambalazhuesit e ujit ia kanë shtetit tregon fytyrën e vërtetë të qeverisjes në Kosovë: Jemi një vend ku interesat e politikës dhe të biznesit vihen mbi ligjin, ndërsa qytetari kërkohet të paguajë çdo faturë për mashtrimet dhe vjedhjet që i bëjnë të pushtetshmit...

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të falur borxhin që ambalazhuesit e ujit ia kanë shtetit, përveçse është potencialisht i kundërligjshëm dhe krijon një precedent të rrezikshëm, është dhe një vendim që, me padrejtësinë thelbësore që ka, tregon fytyrën e vërtetë të qeverisjes në Kosovë: Jemi një vend ku interesat e politikës dhe të biznesit vihen mbi ligjin, ndërsa qytetari kërkohet të paguajë çdo faturë për mashtrimet dhe vjedhjet që i bëjnë të pushtetshmit.

Kjo, njëkohësisht, është edhe në kundërshtim të logjikës dhe rregullave të tregut të lirë, aq shumë të propaganduar nga qeveritarët dhe partitë kosovare; tregu i lirë është një, ku Qeveria nuk ndërhyn për të favorizuar disa palë në dëm të të tjerëve.

Natyrisht, nuk është ky një tipar i veçantë i kësaj Qeverie; ka një vazhdimësi në politikat e qeverive të ndryshme të Kosovës, kur është fjala e trajtimit të pabarabartë të qytetarëve të Republikës.

Nuk është hera e parë dhe, fatkeqësisht, nuk do të jetë kjo as e fundit që Qeveria të lirojë dikë nga obligimet ndaj shtetit, derisa të tjerët do të paguajnë jo vetëm borxhet e veta, por edhe të këtyre që po lirohen. Kështu, shembull, ndodh vazhdimisht me pagesën e rrymës. E gjithë rryma e shpenzuar në veri të vendit, por edhe ajo që vidhet në gjithë Kosovën nga hajna të përkatësive të ndryshme etnike, politike e rajonale, paguhet nga secili qytetar i ndërgjegjshëm i Kosovës që e di se shteti nuk ndërtohet pa i respektuar obligimet ndaj tij.

Dhe, nuk janë vetëm rryma dhe uji. Qeveria e kaluar ua fali borxhet një numri të madh shfrytëzuesish të shërbimeve publike. Edhe më problem janë sektori i ndërtimit, tregtia dhe bizneset e ndryshme, të cilat në shumë raste paguajnë tatime minimale dhe joproporcionale, derisa pronarët e tyre pasurohen brenda natës. Le të përmendim këtu, si edhe një shembull tjetër, derivatet e naftës – një sektor ky i populluar nga biznese prej të cilave shumica i shmangen tatimit milionësh, ndërsa importojnë derivate jashtë standardeve. Naftëtarët suksesshëm kanë refuzuar të fiskalizohen me vite, në kohën kur shteti ka gjobitur rëndë edhe byrektoret dhe qebaptoret e vogla që nuk ishin pajisur me arka fiskale.

* * *

Shembuj të tillë ka shumë më shumë.

Por, nuk janë bizneset (apo qytetarët që ia hedhin shtetit) ato që e krijuan këtë situatë.

Është politika. Janë partitë politike, të cilat më shumë funksionojnë jashtë sistemit ligjor të Kosovës. Janë këto parti që financohen nga paraja e qytetarit, ndërsa kurrë nuk raportojnë as për shpenzimet, as për të punësuarit që kanë, as nuk paguajnë taksat.

Janë këto parti që, kur e marrin pushtetin, paratë e qytetarit i konsiderojnë si një lloj plaçke, të cilën duhet ndarë me ortakët e shumtë që ndihmuan në marrjen e timonit të Qeverisë dhe çelësit të arkës së shtetit.

E ndër këta ortakë, përveç familjarëve dhe bashkëpartiakëve që i punësojnë, janë edhe bizneset që financojnë fushatat e ndryshme politike dhe jopolitike të partive, me para “nën tavolinë”, të cilat më pas është disi e natyrshme se do t’iu kthehen nga njeriu i tyre në pushtet, përmes ndonjë tenderi, favorizimit në privatizim të pronës publike, apo faljes së ndonjë borxhi të madh.

Një skemë e njohur e keqpërdorimit të pozitës dhe shtetit, që në Kosovë funksionon prej kohësh.

Dhe e cila vazhdon të “lulëzojë” falë një prokurorie dhe gjyqësie të politizuar, e cila kurrë nuk do t’i hetojë e dënojë këta që janë në pushtet dhe që janë të pasur.

* * *

Po, t’i kthehemi faljes së borxhit të ambalazhuesve.

Edhe të jetë kjo falje e ligjshme. Edhe të jetë ky vendim i Qeverisë i marrë me besimin e sinqertë se po e zgjidhin një problem ekonomik. Edhe nëse ky vendim nuk bën pjesë në skemën korruptivo-politiko-biznesore të e përshkruar më lart. Edhe të jetë e vërtetë se bizneset në fjalë nuk kanë si të paguajnë këtë borxh, dhe se imponimi i borxhit do të shkaktojë mbylljen e fabrikave të ujit dhe mbetjen e njerëzve pa vende pune. Edhe të jetë gjithçka e kryer sipas ndonjë modeli ligjërisht të justifikueshëm perëndimor të faljes së borxheve – do të mbetet një vendim në thelbin e tij skajshmërisht i padrejtë dhe moralisht i paqëndrueshëm.

Sepse, kemi një situatë ku Qeveria, me një veprim të vetin politik, do të falë një grup qytetarësh të pandërgjegjshëm që shpërfillin shtetin, që me automatizëm nënkupton ndëshkim për ata të cilët gjithë kohën e respektuan po atë shtet, duke i paguar obligimet që kanë, madje edhe kur kjo është një barrë e padurueshme për mundësitë e tyre financiare.

Një vendim i tillë, me të cilin dikush falet e dikush ngarkohet të paguajë edhe më shumë, është amnisti për mashtrues e hajna, dhe ndëshkim për të përgjegjshmit.

Dhe kjo e bën konceptin e sundimit të ligjit të jetë hiç më shumë se një shaka e pakripë, të cilën jo vetëm se nuk e beson kush. Por me të cilën askush nuk mund të qeshet.

Përkundrazi!