Një zgjidhje e mundshme për krizën në Katalonjë

Veton Surroi Veton Surroi 15 tetor 2017 08:30

Ekziston një rrugëdalje nga situata aktuale e trishtueshme dhe jopremtuese në Katalonjë. Dhe ajo nis, fillimisht, me mosinsistimin në faktin se të njëjtit hapa që shpien në konfrontim do të shpien në gjetjen e një zgjidhjeje

1.

Pamjet e së dielës së shkuar, kur pjesëtarët e Gardës Civile të Spanjës i rrahën votuesit e padhunshëm katalonjas mund të interpretohen si shumë gjëra, përfshirë brutalitetin e policisë, ama ekziston një interpretim që mund të ndihmojë në të kuptuarit e asaj se si të ecet përpara në menaxhimin dhe zgjidhjen e asaj që tani është një konflikt kërcënues. Dhe interpretimi i përafërt është se atë të diel ndodhi një përplasje e dy të vërtetave. Garda Civile ishte një e vërtetë legale, e tillë që derivon prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli ilegal referendumin e 1 tetorit. Votuesit katalonjas ishin e vërteta legjitime, e njerëzve që besojnë se shprehja e mendimit të tyre në një referendum është legjitime, pavarësisht klasifikimit që i bëjnë autoritetet qendrore.

Përplasja e legalitetit dhe legjitimitetit nuk prodhoi një përgjigje. Përkundrazi, ka prodhuar mundësi për një qark vicioz. Besimi i qeverisë katalonjase në legjitimitet vetëm sa ka nxitur përdorimin e mjeteve (jo më të mençurave) legale prej anës së qeverisë spanjolle. Besimi i qeverisë spanjolle në shkopinjtë policorë si mjete legale vetëm sa ka nxitur më shumë legjitimitet për argumentet e qeverisë katalonjase.

Qarku vicioz nuk ka arsye të ndryshojë në rast se akterët insistojnë në këtë përplasje legaliteti dhe legjitimiteti. Qeveria katalonjase mund të ndiejë se ka më shumë legjitimitet tani, madje përbrenda atyre sektorëve jombështetës të Katalonjës, dhe mund prandaj ta shpallë pavarësinë. Mirëpo, kjo gjë do ta ftonte qeverinë spanjolle ta përdorte forcën e vet legale dhe ta suspendonte autonominë katalonjase ashtu siç aktualisht është. Qeveria katalonjase nuk do të gjejë mbështetje legale në BE; solidariteti do të vinte vetëm në rast se do të ushtrohej më shumë dhunë prej qeverisë spanjolle, gjë kjo që mbase nuk do të përjashtohej.

Pjesa tjetër e tregimit është e dhunshme dhe e trishtueshme.

2.

Legaliteti dhe legjitimiteti nuk duhet të përplasen.

Qeveria spanjolle mund ta ketë konsideruar referendumin katalonjas si ilegal, prandaj edhe rezultatet e tij si ligjërisht të pavlefshme. Përbrenda dispozitave të së njëjtës Kushtetutë që mbështet dhe mbron, mund po ashtu ta kishte toleruar referendumin si një të drejtë për vendim dhe për shprehje të lirë. Qeveria katalonjase mund ta kishte organizuar referendumin pa kërcënimin e forcës dhe çfarëdo mbështetjeje që të mblidhte, prapëseprapë nuk do ta kishte rezultatin legal të pavarësisë.

Do të ishim në të njëjtën situatë sot, por pa pamjet e shtetit spanjoll që i bind katalonjasit me shkopinj policie se nuk kanë të drejtë të besojnë në pavarësi, një argument ky që vështirë se ka prodhuar rezultate historike. Tani, pyetja bëhet paksa më e vështirë, për shkak të këtyre pamjeve, por prapë mbetet e njëjta: si të pajtohen legaliteti dhe legjitimiteti? Që do të thotë si të pajtohet tregimi i autoriteteve qendrore për prioritetin e sundimit të ligjit (të Spanjës) me tregimin e prioritetit të demokracisë (të katalonjasve)?

E po mirë, hapi i parë është që këto tregime të pranohen ashtu siç janë. Po, shteti spanjoll e ka të drejtën legale ta ruajë kushtetutën e saj dhe po, ata që besojnë se Katalonja duhet të bëhet e pavarur e kanë të drejtën legjitime për këtë.

Kjo, pastaj e krijon hapësirën për hapa të ardhshëm politikë. Shteti spanjoll ka nevojë të krijojë një legjitimitet për argumentet e veta në Katalonjë; shkopinjtë e policisë nuk do ta krijojnë. Qeveria katalonjase duhet të krijojë legalitet për veprimet e veta; të qenit i rrahur nga Garda Civile nuk e krijon.

3.

Parlamenti dhe qeveria katalonjase do të jenë ato që do të detyrohen, nga referendumi, ta hedhin hapin e parë. As Parlamenti dhe as qeveria nuk kanë marrë ndonjë mbështetje legale për shpalljen e pavarësisë pas referendumit të 1 tetorit dhe është pikëpyetje nëse do të mundë të marrin po ashtu mbështetje për legjitimitet. Ajo që tani është e diskutueshme është se e morën një legjitimitet për çështjen e natyrës së aranzhimeve aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Katalonjës dhe Spanjës.

Prandaj, si parlamenti katalonjas ashtu edhe qeveria mund ta pajtojnë legjitimitetin me legalitetin në rast se qeveria propozon, dhe Parlamenti e miraton, një pako që me fjalë të thjeshta do të shpjegohej kësisoj:

- Qeveria e Katalonjës autorizohet nga Parlamenti të angazhohet në një proces negociues me qeverinë e Spanjës për natyrën e re legale të marrëdhënieve ndërmjet Katalonjës dhe Spanjës, pa paragjykimin e rezultatit të mundshëm final të negociatave.

- Parlamenti i Katalonjës do ta thërrasë, brenda 12 muajsh, një referendum legalisht detyrues për rezultatin e negociatave ndërmjet qeverive të Katalonjës dhe Spanjës. Pyetja apo pyetjet që do të shtrohen në referendum do të ishin rezultat i drejtpërdrejtë i negociatave.

- Parlamenti i Katalonjës e krijon një komision për rishikimin e Statutit të Katalonjës, në bashkëpunim me procesin negociues ndërmjet dy qeverive. Ai i paraqet rezultatet para se Parlamenti ta thërrasë mbajtjen e referendumit legalisht detyrues për natyrën e marrëdhënieve ndërmjet Katalonjës dhe Spanjës.

4.

Nuk duhet të ketë asnjë arsye legale që do ta parandalonte qeverinë spanjolle ta shohë këtë iniciativë nga këndvështrimi pozitiv. Qeveria është vërtet e obliguar nga Kushtetuta, siç ka deklaruar kaq shumë herë, të negociojë me autoritetet katalonjase. Dhe është po ashtu e obliguar nga çfarëdo argumenti asimetrik, nëse shfaqet nevoja. Nga këndvështrimi legal, prerogativat e autonomisë katalonjase jo domosdoshmërish duhet të jenë të njëjta me ato të autonomive të tjera. Përbrenda këtij konteksti, kështu do ta mbronte Kushtetutën më shumë sesa me anë të dërgimit të Gardës Civile për t’i rrahur njerëzit që besojnë se po votojnë.

Qeveria spanjolle duhet të ulet në negociata me qeverinë katalonjase pa parakushte dhe paragjykime: të dyja janë autoritete legale dhe legjitime, përbrenda një sistemi kushtetues, dhe nuk duhet të kalojnë nëpër shoshitje shtesë me paragjykime. Qeveria spanjolle është e detyruar të flasë rreth argumenteve përbrenda Kushtetutës dhe qeveria katalonjase është e obliguar të flasë rreth asaj se pse këto argumente janë të pamjaftueshme dhe se çfarë është ajo që Katalonjës i duhet për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve të vet. Cilido të jetë rezultati i aranzhimeve të reja, ai nuk mund të paragjykohet. Ajo që mund të paragjykohet është se qeveria spanjolle, në fund të procesit të negocimit, do t’i prezantojë rezultatet për aprovim në Cortes. Qeveria do të vepronte mençurisht nëse gjatë procesit të negocimit do t’i informonte dhe të konsultohej rregullisht me partitë opozitare.

5.

Ekziston një rrugëdalje nga situata aktuale e trishtueshme dhe jopremtuese në Katalonjë. Dhe ajo nis, fillimisht, me mosinsistimin në faktin se të njëjtit hapa që shpien në konfrontim do të shpien në gjetjen e një zgjidhjeje.

(Ky vështrim është botuar në gazetën online “eldiario.es” të Spanjës)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi