OpEd

Fjalimi i zotit Hyde

SHBA-ja dhe BE-ja kanë faj për vizat, ushtrinë dhe përfaqësuesen e futbollit, sipas Hashim Thaçit.

1.

Nuk ka kohë më të mirë për të nxitur një çështje ndërkombëtare.

SHBA-ja paralajmëron luftë me Korenë e Veriut, prishjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin apo ndonjë krizë të re, varësisht prej leximit të Twitterit të presidentit. Evropa merret me Brexitin, rritjen e forcave të skajshme të djathta, krizën kushtetuese të Spanjës - kur nuk merret me Vladimir Putinin dhe aventurat e tij prej Kaukazit e Ukrainës deri në Ballkan; me krizën e refugjatëve të Sirisë apo me enigmën se çka të bëhet me Turqinë e Erdoganit.

Kjo kohë i duket se është tamam adekuate presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të deklaruar se SHBA-ja dhe BE-ja e kanë mashtruar; atë personalisht dhe nëpërmjet tij popullin që e përfaqëson. Sipas fjalëve të tij, përfaqësuesit e fuqive perëndimore i kanë thënë se nëse ai i prin themelimit të Gjykatës Speciale, sipas rekomandimit të prokurorit amerikan Williamson, atëherë këto fuqi do ta ndihmojnë Kosovën.

Kosova e mbajti fjalën,tha ai. I bëri madje ndryshimet kushtetuese , të dy të tretat e votave, dhe instaloi në sistemin juridik të Kosovës Gjykatën Speciale. Por, pala tjetër jo. Dhe, Hashim Thaçi e ka gjetur momentin përkatës , beson ai, kur të gjithë do ta dëgjojnë; këtë besim ia demantoi aty për aty ambasadori britanik, duke u larguar dhe treguar se sa është niveli i pranueshmërisë së fjalimit të tij.

2.

Gjasat janë të mëdha që Thaçi nuk e kishte seriozisht. Gjegjësisht, nuk e kishte seriozisht me SHBA-në dhe BE-në. E kishte seriozisht me audiencën e vet, apo atë që beson se është audienca e tij. Të gjithë atyre që u bënte premtime- liberalizim të vizave dhe anëtarësim në NATO për 15 muaj - që nga viti 2008 tash gjeti momentin për të shpjeguar se ku gjenden fajtorët.

“Nga bashkësia ndërkombëtare na u premtua se do të mundë të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte liberalizmi i vizave shpejt, që do të kishim mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do të themeloheshin Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt dhe se do të kemi njohje të reja”, tha ai.

Këto janë akuza aq serioze, sa ka mundur të shtojë edhe disa faje që i kanë amerikanët dhe evropianët, si për shembull dështimin e përhershëm të përfaqësueses së Kosovës në futboll për të shënuar fitore apo mosndërtimin e godinës së re të Operës e Baletit.

Asnjëra temë - Këshilli i Evropës e UNESCO-ja, liberalizimi i vizave dhe ushtria, përfaqësuesja e futbollit dhe godina e operës dhe baletit - s’kanë lidhje me Gjykatën Speciale.

Që të gjitha, megjithatë, kanë të bëjnë me një qeverisje të paaftë dhe skajshmërisht të korruptuar.

Kur ndër të arriturat më të mëdha në pushtet ke të ndërtosh një autostradë 300 milionë euro më të shtrenjtë sesa duhet (e të mos tregosh se çka ke bërë me ato para) dhe të zhvillosh negociata me Beogradin duke ia pranuar të drejtën Serbisë që ta mohojë përgjegjësinë për luftën, të punojë aktivisht kundër sovranitetit dhe integritetit të Kosovës dhe të bllokojë perspektivën e integrimit ndërkombëtar, ke treguar, siç bën Hashim Thaçi, që je i gatshëm të dëmtosh vendin tënd për interesin tënd personal.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë faj të madh. Prej vitit 2010 e deri më sot prijësit dhe negociatorët kosovarë kanë insistuar çdo ditë në Bruksel dhe në kryeqytetet botërore - aq sa e kanë të ndërtuar në platformë negociatore të miratuar në Kuvend - se nuk mund të marrin pjesë në një proces negociator nëse ai "nuk do të merret me asnjë nga rastet e 20 mijë dhunimeve të grave shqiptare nga pjesëtarët e forcave serbe, me asnjë rast të 12 mijë shqiptarëve të vrarë e me asnjë rast të 2.500 personave të zhdukur shqiptarë”.

Prit, ku shkruan kështu? Në dokumentet e Kuvendit, udhëzimet e MPJ-së, platformën e bisedimeve të Qeverisë së Kosovës, Marrëveshjen e Brukselit mes kryeministrit Thaçi dhe Daçiq?

Jo, shkruan në fjalimin e pardjeshëm të Hashim Thaçit, ku ai përshkruan Gjykatën Speciale. Kjo nuk është njohuri e re: e kanë ditur deputetët e Kuvendit të Kosovës , Qeveria e Presidenti, opinioni publik. Pra, Gjykata Speciale është themeluar për të shqyrtuar rekomandimet e prokurorit Williamson në bazë të raportit Marty. Që të gjithë u pajtuan atëbotë - Kuvendi, Thaçi, Marty, Williamsoni - se Gjykata do të merret me veprimet e supozuara kriminale të Hashim Thaçit dhe grupit të tij të krimit të organizuar.

Pse atëherë të përmendet në fjalimin pardje? Sepse, për gratë e dhunuara shqiptare, shqiptarët e vrarë e të zhdukur, as edhe një fjalë e vetme nuk është thënë aty ku duhej dhe ku duhet thënë, në procesin negociator me Beogradin.

Por , nga pretendimet e Thaçit, të gjitha këto duhet të hyjnë tash në listën e mëkateve të Perëndimit- së bashku me vizat, ushtrinë, përfaqësuesen e futbollit dhe çfarëdo që të jetë shija e ditës në fjalimet që mbahen para audiencave vendore.

4.

Hashim Thaçi u kthye në formë të vjetër. Të këtillë e njohim në Rambouillet më 1999. Të këtillë e përshkruan anëtari i Delegacionit të Kosovës dhe këshilltari i tanishëm i presidentit të Kosovës , Blerim Shala, në librin e tij "Vitet e Kosovës 1998-1999":

"Atëherë, dhe në shumë raste të tjera më pas, do të përzdritet karakteri i dyfishtë i Hashim Thaçit, i cili mund të krahasohet me filmin e njohur dr.Jekyll dhe mr.Hyde. Pra, kishte çaste kur Hashimi sillej si një politikan modern perëndimor (...) që kupton se bashkëpunimi i Kosovës me Perëndimin, në të vërtetë aleanca e Kosovës me SHBA-në dhe me shtetet e tjera perëndimore është e domosdoshme në favor të zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës. Por, te Hashimi kishte edhe momente kur ky sillej si një politikan rigjid , i cili s'kupton fare kontekstin e një problemi a të një çështjeje dhe që refuzimin me çdo kusht (...) e kupton si të vetmin opsion të mundshëm, i cili opsion, në të vërtetë, sublimohej në atë të famshmen: le të bëhet çdo gjë shkrumb e hi, por ne nuk dorëzohemi!".

Rikthimi i Hashim Thaçit si mr.Hyde bëhet, sikur në Rambouillet, kur ai mendon se i cenohet interesi personal; ndoshta ndihet dihatja e afërt e Gjykatës Speciale. Dhe, po paralajmëron se është i gatshëm për opsionin "shkrumb e hi", së paku si kërcënim.

Mësimi i Rambouillet-së është i rëndësishëm: po të varej prej mr. Hyde, Kosova më 1999 do të armiqësohej me SHBA-në dhe aleatët e tjerë perëndimorë. Për fat të mirë, nuk varej prej tij. Për fat të mirë, as sot nuk varet prej tij.