Për Havain dhe gjumin e thellë

Flaka Surroi Flaka Surroi 10 tetor 2017 07:58

Vetë i kemi fajet – sepse vetë po i votojmë këta që lypin qendra islamike; që falënderojnë Manchester Unitedin për parkun me të cilin MU nuk ka kurrfarë lidhjeje; që kërkojnë ekipe uniteti kur e bëjnë llom procesin e negociatave; që caktojnë komisione për demarkime, e që merren me delimitime, me punë të kryera para shtatëdhjetë vjetësh...

A mos e dini pahiri se sa fletëvotime do t’i kemi në këto zgjedhje dhe si duhet votuar?

Nëse ju kujtohet përvoja e herës së shkuar, atëherë do të mbani mend se i kemi pasur dy fletëvotime: një për kryetarin e Komunës dhe një për zgjedhjen e asamblistëve.

Te fleta ku votohet kryetari i Komunës do ta zgjidhni kandidatin tuaj të preferuar. Pra, do ta vini shenjën te emri i kandidatit.

Te fleta e asamblistëve, në anën e majtë do ta keni listën e partive garuese, ku do ta përzgjidhni një numër – të partisë të cilën do ta votoni. Nga ana e djathtë do t’i keni gjithsej 55 numra (nga numri 2 deri në 56) dhe do të keni të drejtë ta zgjidhni vetëm një numër. Kjo, ngase bartës liste janë kandidatët për kryetar komune, dhe vota për ta regjistrohet edhe për asamble.

KQZ-ja në gjumë

Këtë që e shpjegova më lart është në fakt detyrë, të cilën është dashur ta ketë kryer tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por ja që edhe pas dy javësh fushate KQZ-ja nuk i ka sjellë videospotet në televizionet kombëtare dhe lokale, në të cilat do ta shpjegonte procedurën e votimit.

Një nga konstatimet e Komisionit vëzhgues të BE-së, që përcolli zhvillimin e fushatës dhe të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, dy nga trupat më të kritikuar dolën të ishin KQZ-ja dhe Komisioni i Pavarur i Mediave. Institucioni i parë për shkak të fushatës së dobët të “edukimit” të votuesit që rezultoi madje me 42.554 fletëvotime të pavlefshme (apo 5,8% të fletëvotimeve të përgjithshme), kurse i dyti për mosaktivitet dhe mosndërmarrje të asnjë veprimi për të parandaluar shkeljet gjatë fushatës, përfshirë edhe shkeljen e heshtjes zgjedhore.

Nga institucioni i parë doli sqarimi se fushata ishte e shkurtër dhe se, meqë bëhej fjalë për zgjedhje të parakohshme, ajo pak a shumë i kishte zënë të papërgatitur. Në kushtet kur Ligji zgjedhor nuk ka ndryshuar, pos që nuk dihej se sa subjekte do të certifikoheshin, të gjitha të tjerat ishin të njëjta që nga 2014-a. Pra, arsyetimi i afatit të shkurtër ka mundur të vlente vetëm sa i përket prokurimit (edhe pse edhe aty Ligji lejon përjashtime nga rregulli), por jo edhe te veprimet e tjera. Posaçërisht jo te numërimi i votave që u stërzgjat, siç tashmë është bërë zakon.

Tash bëhet fjalë për zgjedhjet të cilat mbahen me afat, pra është ditur se do të mbahen në krye të katër vjetëve që nga të kaluarat. Certifikimi i partive dhe i kandidatëve u bë para se të niste fushata – pra çka ishte ajo që tash do të shërbejë si arsyetim për vonesën në përgatitjen e fushatës: mungesa e buxhetit (që nuk është ndonjë arsyetim, se institucionet përherë vonohen në pagesën e obligimeve që kanë ndaj palëve të treta) apo prokurimi?

Fakti është se çështja e fituesit të tenderit për informimin publik ka përfunduar më 2 gusht 2017 – pas ankesave për të cilat ka vendosur OSHP-ja. Fushata ka nisur më 21 shtator, por ende nuk pamë asnjë material “edukues” për zgjedhjet. Pra, dikush ka rënë në gjumë të thellë, dhe përnjëmend, si do të arsyetohet mungesa e fushatës nga KQZ-ja? Nëse mëton të arsyetohet me atë animacion njëminutësh e gjysmë që e ka realizuar një OJQ me paratë e danezëve dhe zviceranëve, gabim e ka. Sepse, pavarësisht shtrirjes së gjerë të internetit në Kosovë, KQZ-ja megjithatë duhet ta dijë që jo të gjithë votuesit e vizitojnë uebfaqen e saj, dhe nuk mund ta shohin atë animacion “të lodhtë”.

Kështu, nëse në fund do të na dalin përsëri me mijëra fletëvotime të pavlefshme – e dimë se adresa kryesore për ta shënjuar fajtorin do të jetë KQZ-ja.

Kandidatët

Skandalin tjetër që e shkaktoi KQZ-ja ishte fillimisht certifikimi, më pas decertifikimi dhe në fund ricertifikimi i kandidatëve që e kanë shkelur ligjin dhe nuk i kanë plotësuar kushtet për të garuar. Përderisa kontrolli, përkatësisht raporti nga KGJK-ja nuk i kishte ardhur KQZ-së me kohë gjatë zgjedhjeve parlamentare, për komunalet kishte mbërritur pak pasi ishin certifikuar kandidatët. Një vendim fatkeq i Gjykatës Supreme e detyroi KQZ-në ta kthente Zafir Berishën në listë, dhe për pasojë, KQZ-ja mori vendim që ta shkelte ligjin dhe t’i kthente të gjithë të decertifikuarit prapa. Keq, sa më nuk ka ku shkon.

Pra, me gafat që e përcjellin punën e KQZ-së dhe ankesat e përditshme të OJQ-ve për përdorimin e aseteve shtetërore nga partitë politike, si dhe për shkelje të njëpasnjëshme të rregullave zgjedhore, po hyjmë në javën e tretë të fushatës, mbase më të mërzitshmes që kemi përjetuar deri tash.

Të gjitha mediumet elektronike janë përplot debate të kandidatëve për kryetar komunash, tek-tuk të asamblistëve të ardhshëm, si dhe të analistëve që flasin për rrjedhën e fushatës. Dhe, në shumë pak sish marrim informata për atë se çfarë mund të presim nga pushtetet e ardhshme komunale. Sepse, si në çdo palë zgjedhje, na premtohen sende që nuk realizohen kurrë, ama që tingëllojnë mirë në fushatë. Shumë syresh do t’i quanim “për havaje”, e nuk do të çuditesha po qe se ndonjëri do të na i premtonte edhe Havain veç për ta marrë votën...

E se sa janë të rëndësishme këto zgjedhje komunale e dëshmon angazhimi i theksuar i liderëve institucionalë që njëkohësisht janë edhe udhëheqës partish. Në vend të përqendrimit në punët e Kuvendit, përkatësisht Qeverisë, Veseli e Haradinaj e kalojnë ditën duke shkuar prej komune në komunë, për t’u dhënë mbështetje personale kandidatëve të caktuar. E zgjedhjet në fakt do të duhej të ishin shumë të rëndësishme: jo për partitë, por për qytetarët që kërkojnë zgjidhje për shumë problemet me të cilat ballafaqohen dita më ditë.

Për partitë është me rëndësi trysnia sa më e madhe te votuesit dhe përkrahësit, ashtu që kur të mbërrijë balotazhi për kryetar komune, të cilit duket se shumë pak komuna do t’i ikin, të kenë në duar më shumë numra e mundësi lidhjeje koalicionesh edhe me partitë që tash e quajnë njëra-tjetrën armike – sepse pushteti në Kosovë është dëshmuar të jetë shumë i ëmbël.

Pacolli “fillozofik”

E sa është i ëmbël e dëshmon një deklaratë e Behgjet Pacollit, teksa e bënte prezantimin e kandidatit të tij për kryetar të Prishtinës, të vëllanë Selimin:

“Aty ku osht Fakullteti Fillozofik, Selimi e ka në programin e vet se do të bohet një qendër që do të quhet “Pa Muri”...kemi një kishë ortodokse, kemi një kishë katolike, aty do të ketë edhe një qendër islamike dhe tri katet nën te do të jenë parkingje...”

Pra, fare pa asnjë skrupull qasja te sentimenti fetar për të mbledhur vota shndërrohet në momentin më neveritës të kësaj fushate. Vetë ideja e shkatërrimit të një objekti arsimor për t’u zëvendësuar me një të kultit, për fat të keq, nuk është e re dhe tashmë është realizuar në Prishtinë. Ndërtimi i katedrales pas rrënimit të ndërtesës së gjimnazit “Xhevdet Doda”, që para saj ka shërbyer si kazamat, e më pas edhe si shkollë fillore, ka qenë gabimi më i madh që ka bërë udhëheqja e LDK-së kur e ka mbajtur pushtetin në Prishtinë. Arsyetimet se Kisha Katolike ka paguar dëmshpërblim të majmë dhe se ka ndërtuar objekt tjetër në lagjen “Lakërishte”, nuk e amniston gabimin e rrënimit të një objekti arsimor me shumë histori në vete, për ta zëvendësuar me një objekt kulti.

Edhe Fakulteti Filozofik paraqet një objekt me shumë histori dhe domethënie për Kosovën: është e para ndërtesë universitare dhe si e tillë, me gjithë intervenimet që i janë bërë në fasadë, do të duhej të ishte objekt nën mbrojtjen e shtetit, si monument i trashëgimisë kombëtare. Nga ana tjetër, vetë ideja e zëvendësimit të një objekti arsimor, në kohën kur Kosova ballafaqohet me gjithë këtë analfabetizëm funksional, pasojë e udhëheqjes tmerrësisht të keqe politike që nga paslufta, veç tregon se arsimi në Kosovë është, siç e shkrova para ca ditësh në FB, bira e fundit e kavallit. Është prioriteti i fundit – sepse siç na tregonin edhe serbët kur na i mbyllnin shkollat: është përherë më lehtë ta sundosh një popull të paarsimuar dhe analfabet.

Nëse intenca e Pacollit është të na bëjë me një qendër kulturore fetare, le ta shndërrojë hotelin e tij në institucion kulti – bile, bile, nuk ka nevojë me u lodhë për parking, se tashmë e ka të siguruar aty.

* * *

I kemi edhe dy javë fushatë para ditës së zgjedhjeve dhe do të vazhdojmë të dëgjojmë përralla “për Havain”. Do të dëgjojmë akuza e kundërakuza dhe do të kemi vazhdim të fjalimeve të pafund që tashmë na kanë lodhur në këtë stad. Ndërkohë, do ta kemi Kuvendin në pushim të zgjatur, me ndonjë seancë të thirrur pas presioneve ndërkombëtare, dhe do ta mbërrijmë ditën e zgjedhjeve me, mbase, kalimin e Ligjit për buxhetin, që ka mbetur as në qiell, as në tokë – e thuhej se ishte aq urgjent në kohën kur po bëheshin allishverishet për formimin e Qeverisë.

Vetë i kemi fajet – sepse vetë po i votojmë këta që lypin qendra islamike; që falënderojnë Manchester Unitedin për parkun me të cilin MU nuk ka kurrfarë lidhjeje; që kërkojnë ekipe uniteti kur e bëjnë llom procesin e negociatave; që caktojnë komisione për demarkime, e që merren me delimitime, me punë të kryera para shtatëdhjetë vjetësh...

Porse më interesantja pritet të vijë më vonë – rundi i dytë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave do t’i zbulojë krejt prapaskenat e politikës kosovare. Ende nuk e kemi parë të gjithën dhe jam e sigurt se as që mund t’i parafytyrojmë skenarët që do të ndodhin.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi