Konsorciumi qeveritar në anën e falsifikuesve

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 08 tetor 2017 08:00

Shkarkimi i Bordit të Akreditimit, që i kishte hapur luftë krimit në arsim, nuk është se dëshmon përkushtimin e Qeverisë së ndarë në pesë pjesë për ndryshime apo për të çuar deri në fund ultimatumin që BE-ja i ka dhënë për “bordet politike”. Mesazhi më shumë kuptohet si paralajmërim se kontrolli mbi ministritë dhe institucionet vartëse nga liderët e partive në koalicion tash e tutje do të jetë i tipit të ndërmarrjeve private, ndërsa Qeveria një si tip i konsorciumit

Në zyrat e “Kohës Ditore”, disa vite më parë pati mbërritur një ftesë për pjesëmarrje në konferencë shkencore nga një kolegj privat me qendër në Prishtinë. Ftesa ishte futur në zarf, kishte dizajn të bukur dhe ishte punuar prej letre cilësore. Ta mbushte mendjen se bëhet fjalë për organizim serioz shkencor dhe me karakter ndërkombëtar. Por, kjo ndjesi pozitive zgjat derisa përfundon së lexuari rreshtin e parë me fjalë respekti për të ftuarin dhe mbërrin tek “menyja” e konferencës.

“Ftoheni të merrni pjesë në konferencën shkencore me temën: “Kontributi i N.N. në demokratizimin e shoqërisë kosovare”, shkruante në të. Kur lexon emrin dhe mbiemrin gati sa nuk të ik truri. Provon më kot ta heqësh dyshimin dhe ta bindësh veten se me këtë emër dhe mbiemër ka shumë njerëz, dhe se nuk bëhet fjalë për Filan Fistekin kontrovers që mbahet në burg dhe akuzohet për krime...

Nuk e njihja as pronarin e as drejtuesit e atij kolegji. Por, e dija vendndodhjen e tij. Një shtëpi trekatëshe me 3-4 arë oborr, e mjaftueshme për të akomoduar një familje mesatare, aq sa ka mundur të jetë familja e qiradhënësit. Hapësira e saj do t’i mjaftonte edhe ndonjë OJQ-je të vogël për zyrë, apo në variantin më të keq të shndërrohej në motel. Por assesi në institucion të arsimit të lartë.

Përveç emrit dhe vendndodhjes, njihja edhe njërin nga profesorët që ishte angazhuar me honorar në atë kolegj, dhe meqë na ra të takoheshim pak ditë pas mbajtjes së “konferencës”, nuk mund të mos e diskutoja këtë budallallëk. E pyeta se si është e mundur që një i akuzuar për krime të rënda të jetë edhe kontribuues i demokratizimit të shoqërisë. I thashë se edhe po të jetë i pafajshëm, organizimi i një konference që mban firmën e tij nuk i bën nder as kolegjit e as shkencës.

Pastaj fjala-fjalën, me profesorin, e shkuam deri aty sa i bëmë llogaritë se çfarë sikur një kureshtar, apo edhe më keq, një studiues i huaj, pasi të ketë parë njoftimin publik, të shfaqë interes për të marrë pjesë në këtë konferencë.

E para, atij do t’i interesonte emri dhe mbiemri i “kontribuuesit”, e pse jo, nëse është gjallë, edhe një dorështrëngim me të. Meqë në sallë nuk do ta gjente “demokratin”, do të përpiqej të gjente katalogun për të parë aktivitetin e tij krijues e shkencor. E në mungesë të katalogut (Filani jo që nuk ka regjistruar asnjë veprimtari të ngjashme, por nuk di mirë as shkrim e lexim), ai do të përdorte internetin. Dhe do të tmerrohej. Në të gjitha faqet ku lakohet emri dhe mbiemri i tij ka vetëm një të vërtetë publike – është akuzuar për disa vepra të rënda. Askund, asnjë rresht, që dëshmon se ai ka një të vetëm aktivitet që i shërben demokratizimit dhe paqes.

Pasi “u gëzuam” që konferenca shkencore nuk ka pasur jehonë përtej mureve të shtëpisë trekatëshe, profesori më tregoi edhe historinë e shkurtër të kësaj iniciative. Më tha se personalisht ka pasur përplasje me drejtuesit e kolegjit dhe se u ka kërkuar që të mos bëhet ky organizim. U betua se vetë s’ka marrë pjesë, por se disa nga kolegët e tij me “emër” kanë referuar në këtë konferencë. Në përgjigjen që ka marrë nga “rektori” i kolegjit i është thënë se Filan Fisteki është student yni dhe i duhet kjo për të përmirësuar imazhin që ka në publik pas akuzave të rënda. I ka thënë se kjo bëhet edhe për arsye financiare dhe të ndikimit politik që kanë emri dhe partia prej nga vjen.

Se çfarë ka ndodhur me “demokratizuesin e shoqërisë kosovare” pas promovimit të “veprës” dhe pas daljes nga burgu është rrëfim tjetër. Dhe më shumë sesa konferenca për të akuzuarin për krime, dramën tragjike mbi të cilën është ndërtuar sistemi i arsimit në Kosovë e vërtetojnë dy arsyet që ka përmendur pronari i kolegjit - interesi financiar dhe varësia nga të fortët e politikës.

Tregojnë se ashtu siç janë kapur institucionet publike, po nga kapësit janë krijuar edhe disa celula private të arsimit, e që në shoqëritë normale me drejtues normal do të duhej të krijonin një mekanizëm konkurrues e të shëndosh në këtë sektor. Por, meqë ato janë ngritur ose janë ndihmuar të mbahen në këmbë nga paratë e vjedhura të taksapaguesve të Kosovës, nga individë dhe struktura politike që kanë menaxhuar e menaxhojnë institucionet qeveritare, nuk ka se si të jenë ndryshe pos qendra krimi - ku shiten diplomat e ku falsifikohet dokumentacioni për qëllime licencimi e akreditimi.

Hapja e disa kolegjeve apo edhe përfshirja e mëvonshme në to si “aksionar” nga qeveritarë e ish-qeveritarë është konsideruar adresë ku mund të kamuflohen milionat e vjedhur, ashtu siç kanë bërë në sektorin e ndërtimit, në sektorin privat të shëndetësisë, të karburanteve, në privatizimin e ndërmarrjeve dhe pronave shoqërore. Kuptohet, meqë kanë kultivuar për vite shkollën e mashtrimit e të përfitimit të paligjshëm, ata kanë evituar çdo mundësi që emrat e tyre të lakohen si pronarë të atyre institucioneve apo bizneseve.

Pasi ua kanë bërë vendin parave të vjedhura politikanët janë përkujdesur që për kurrfarë çmimi të mos heqin dorë nga partitë dhe nga pushteti, meqë është e vetmja garanci për mbarëvajtjen dhe afarizmin pozitiv të pompave të naftës, spitaleve e biznes-shkollave të tyre.

Edhe riciklimi i fytyrave publike që bëhet që nga paslufta në Kuvend e Qeveri, tregon se fuqia e politikanëve-afaristë nuk është zbehur asnjëherë në Kosovë. Janë po ata që zvarritin me vite procesin e fiskalizimit të pikave të karburantit (biznes 700 milionësh në vit), që i paaftësojnë dhe i bllokojnë qëllimshëm shërbimet shëndetësore në spitalet publike (biznes 200 milionësh në vit), që kanë krijuar artificialisht krizë energjetike në vitet e pasluftës (biznes miliardësh), që kanë nxjerrë prioritet në çdo mandat infrastrukturën rrugore (biznes miliardësh)... dhe meqë së fundi u ka dalë dikush në rrugë, janë po ata që kanë shkarkuar Bordin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, për kolegjet që së bashku arkëtojnë mbi 100 milionë euro në vit.

Shkarkimi i Bordit të Akreditimit që i kishte hapur luftë krimit në arsim nuk dëshmon përkushtimin e Qeverisë së ndarë në pesë pjesë për ndryshime apo për të çuar deri në fund ultimatumin që BE-ja i ka dhënë për “bordet politike”. Mesazhi më shumë kuptohet si paralajmërim se kontrolli mbi ministritë dhe institucionet vartëse nga liderët e partive në koalicion tash e tutje do të jetë i tipit të ndërmarrjeve private, ndërsa Qeveria një tip i konsorciumit.

Nuk ka shumë rëndësi nëse Akreditimi ua ka vënë drynin tetë institucioneve private të arsimit të lartë dhe shumë të tjerave ua ka pezulluar programet studimore, që në total arrijnë në 140 sosh, sa është dëmi që ato i kanë shkaktuar arsimit nëpër vite. Nuk ka shumë rëndësi se sa institucione private janë “lënduar” nga kriteret e vendosura, apo edhe kanë pësuar “vdekje klinike”. E keqja është se më shumë sesa ato është lënduar perspektiva e shoqërisë dhe është deformuar vlera e shkollimit.

Prandaj në institucionin e Akreditimit nuk është dashur të ndërhynte Qeveria, të paktën derisa të mos bëjë raport të detajuar për rezultatet e bordit të saj, që ka shumë të ngjarë se nuk ka qenë perfekt, se ka pas hile në punën e tij dhe para se gjithash ka qenë edhe partiak.

Aty para Qeverisë është dashur reagimi i Prokurorisë, pasi vetë kreu i Bordit të Akreditimit ka treguar publikisht se si janë kapur në mashtrim dhe falsifikim shumë nga institucionet private të arsimit të lartë. Apo se si profesorë të angazhuar nga Shqipëria e Maqedonia kanë rrëfyer se janë manipuluar emrat dhe gradat e tyre shkencore.

Prokuroria ka shansin të hetojë një nga mashtrimet më të mëdha të pasluftës. Madje, me të palara që janë në sipërfaqe.

Çfarë duhet të bëjnë prokuroria dhe institucionet e tjera të drejtësisë e të sigurisë, është që të mos dorëzohen para politikanëve të fuqishëm dhe bosëve të krimit. Të mos frikësohen se do t’i gjejë fati i anëtarëve të Bordit të Akreditimit. Ngase ky shkarkim dhe të tjera veprime kërcënuese të politikanëve bëhen për të çuar pikërisht këtë mesazh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi