Votoni kë të doni, por mos gaboni ta votoni prapë PVP-në

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 07 tetor 2017 09:49

Ndryshimi pozitiv është afër, vetëm kur secili që do e ushtron të drejtën e garantuar për të votuar për të zgjedhurit e vet, kur secili di ta japë votën që do për të zgjedhurin e vet, kur vota e secilit do të numërohet si duhet, në mënyrë që dikujt t’i jepet e drejta për të udhëhequr. Është përgjegjësi e secilit prej nesh që të mos lejojmë që sërish 5% të votave të jenë të pavlefshme.

“VJEN KOHA, sa më shpejtë aq më mirë, kur duhet të themi: Çka është mjaft është mjaft - Kosova është e pavarur”, është fjalia gjatë vizitës historike të presidentit George W.Bush në Tiranë më 10 Qershor 2007, vetëm 8 muaj përpara shpalljes së pavarësisë në Kuvendin e Kosovës. Deklarata vlerësohet të jetë më e fuqishmja ndonjëherë, pa të cilën mbase nuk do të arrihej që të shpallej pavarësia e shumësynuar e Kosovës, që një popull përfundimisht të jetojë i lirë.

Natyrisht, jo vetëm kaq, meqë administrata e presidentit të 43-të të SHBA-së ishte edhe ajo që e njohu ndër të parat shtetin e Kosovës, dhe sponsorizoi edhe njohje të shteteve të tjera.

Me një fjalë, nëse nuk do të ishte pikërisht presidenti Bush në Shtëpinë e Bardhë, nuk do të dimë se a do të ishte edhe vendimi i SHBA-së karshi Kosovës, ai që ishte, rrjedhimisht rrjedha e historisë kjo që është. Ka gjasa, që as Kosova sot të mos ishte e pavarur. Se të kundërtën e kësaj situate nuk e dimë, dhe rrjedhimisht nuk mund as ta vërtetojmë.

Por, ja që, përcaktimi që George W. Bush u bë president i SHBA-së, dhe që ky president amerikan të bëhej kumbari më i madh i pavarësisë së Kosovës, është varur nga vetëm – paramendojeni! – 537 vota të qytetarëve amerikanë.

Nga gjithsej 105.405.100 vota të vlefshme në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2000, rinumërimi në shtetin e Floridas i cili nxori diferencën prej vetëm 537 votash qytetare - vulosi fitoren e republikanit Bush kundruall kundërkandidatit demokrat Al Gore.

Pra më pak se 0.0001 për qind e votave të amerikanëve ndikuan që Bush të jetë kryetar, e ndoshta ndikuan që edhe Kosova të jetë shtet i pavarur.

KJO MË LART mbase mund ta ilustrojë më së bukuri rëndësinë që e ka vota, dhe vota e dhënë si duhet në përcaktimin e fatit të një individi, shoqërie, shteti ose edhe orientimi të përgjithshëm botëror.

Dhe kurrë më të rëndësishëm nuk mund të jenë këta shembuj sesa në periudhat parazgjedhore, si këto tonat në Kosovë.

Rreth 43 mijë vota kanë qenë të pavlefshme në zgjedhjet e fundit nacionale në vend. Kjo i bie më shumë se 5 për qind e të gjitha votave në ditën e zgjedhjeve.

5 për qind është edhe pragu zgjedhor, i cili i mundëson një subjekti politik që të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës. D.m.th. aq vota të pavlefshme ka pasur në zgjedhjet e 11 qershorit sa që, po t’i jepeshin ato vetëm një subjekti të caktuar, do të ishin të mjaftueshme që ai të ishte sot brenda Kuvendit. Pra - nëse i lejojmë pak hapësirë ironisë - sot Kuvendi i Kosovës do ta kishte Partinë e Votave të Pavlefshme (PVP) me 6 deputetë të përfaqësuar aty; mjaftueshëm për të ndikuar fuqishëm edhe në formimin e institucioneve, shmangien e hapësirës për bllokada politike, prezantimin e politikave e vendime të tjera të rëndësishme për qytetarët dhe vetë shtetin e Kosovës.

Ndoshta – ku ta dimë! – me hyrjen në sistem të atyre 43 mijë votave që shkuan huq, votave të PVP-së, sot do të kishim deputetë më të mirë, Qeveri më të mirë, jetë më të mirë.

PSE PO NA ndodh kjo? Dhe pse, madje, nga zgjedhjet në zgjedhje në vend se duke u zvogëluar po shkon duke u rritur numri i votave të pavlefshme?!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organizatat që monitorojnë zgjedhjet, subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, shoqëria civile, mediat në përgjithësi – të gjithë kanë bërë përpjekje për t’i dhënë shpjegim këtij deformimi. Secili në mënyrën e vet, por më së shumti duke e drejtuar gishtin te tjetri, jo te vetvetja.

Mirëpo, meqë të këtij vendi janë të gjithë ata që i popullojnë këto institucione, janë qytetarët që kanë qëlluar të jenë në njërën ose në tjetrën anë të këtij procesi aq të rëndësishëm demokratik, siç janë zgjedhjet e lira, nënkuptohet se përgjegjësia është e secilit. Dhe se secili nga ana e tij, duhet të bëjë më shumë se ç’ka bërë deri më tash, për të siguruar jo vetëm informimin se kush po garon e çka po ofron, por edhe si të sigurohet që përcaktimi për votën të shkojë në vendin e duhur. Që vota të jepet, që vota të numërohet, që vota të vlejë, që vota ta bëjë ndryshimin.

Asnjë ndryshim pozitiv nuk do të vijë duke e përsëritur gabimin. Gabimi i njëjtë mund të sjellë vetëm rezultate të njëjta, të gabuara e të përçudnuara.

Ndryshimi pozitiv është afër, vetëm kur secili që do e ushtron të drejtën e garantuar për të votuar për të zgjedhurit e vet, kur secili di ta japë votën që do për të zgjedhurin e vet, kur vota e secilit do të numërohet si duhet, në mënyrë që dikujt t’i jepet e drejta për të udhëhequr.

Edhe kur do të varet nga më pak se 0.0001 të votave, si në rastin e zgjedhjeve të vitit 2000 në SHBA.

Si në zgjedhjet, që ndoshta vulosën fatin tonë, të shtetit tonë, të mundësisë për të zgjedhur edhe ne të lirë e në demokraci për fatin tonë, për udhëheqësit e shtetit tonë.

Vjen koha, sa më shpejtë aq më mirë, kur duhet të themi: Çka është mjaft është mjaft -të votojmë si duhet!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi