OpEd

Përtacia e një llafemadhi

Nuk zgjidhen problemet me retorikë. Këtë e tregon shembulli i Edi Ramës, dhe fjalimi i tij i mbajtur në vitin 2013 në Kuvendin e Kosovës. Çfarë ka ndryshuar nga atëherë? Dhe përse polemikat e tij të fundit me politikanë të Kosovës janë një zhvillim i mirë?

Javën që shkoi shpërtheu një polemikë e vogël mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Kryeministri i Shqipërisë së pari i tha shefit të Qeverisë së Kosovës të ndahet nga pozicioni i deritanishëm sa i përket vijës kufitare me Malin e Zi. Ndoshta një kërkesë të tillë, faqe botës, nuk e ka pritur as Ramush Haradinaj. Rama ka mundur t’ia thotë këtë në takim, së paku, jo para mediave. Por ndoshta kalkulimi i Ramës ka qenë i menduar mirë: që para opinionit mbarëshqiptar ta poshtërojë liderin e AAK-së, duke i treguar se demarkacioni është një kauzë e rrejshme e tij. I mbetur në shi, Haradinaj belbëzoi disa fjalë pa ndonjë kuptim dhe konferenca për shtyp mbaroi.

Pasoi reagimi i Albin Kurtit, i cili u koncentrua në domosdoshmërinë e realizimit të premtimeve që janë bërë prej vitesh sa i përket integrimeve ndërshqiptare. Reagimin e tij, Kurti e shoqëroi me një kërkesë që Rama të mos përzihet në punë të kufijve të Kosovës, sepse kjo çështje do të rregullohet nga vetë kosovarët. Është mirë që ndodhi ky debat, kjo përplasje e lehtë, sepse shpalosi para opinionit një ambicie në rritje të Edi Ramës për t’u sjellë si paternalist në raport me Kosovën, dhe për të marrë rolin e një lideri rajonal të shqiptarëve, ngjashëm siç e ka presidenti serb për serbët në rajon.

Ky debat është një rast i mirë për të përkujtuar se përveç retorikës boshe nuk po shohim pothuaj asgjë prej vitesh, sa i përket konsolidimit të faktorit shqiptar në Ballkan. Përtej polemikave për demarkacionin, i cili si çështje është komplikuar aq shumë, saqë as dreqi, as engjëlli nuk i bie në fije se kush ka të drejtë, ka shumë fusha ku Kosova dhe Shqipëria do të mundë të bënin ndonjë punë të hairit, po të kishin Qeveri të hairit. Shembulli i Edi Ramës tregon se si retorika, sado e rrufeshme dhe atdhetare, kur nuk shoqërohet me projekte konkrete mbetet vetëm një përjetim momenti.

Në shtator të vitit 2013, pas dekretimit në postin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama vizitoi Kosovën. Fjalimi i tij i atëhershëm i shikuar nga perspektiva e sotme është dëshmi se si shumë politikanë shqiptarë (andej e këndej) nuk e kalojnë dot pragun e llafazanërisë. Kur kjo shoqërohet edhe me përtaci, atëherë punët bëhen edhe më të komplikuara.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Rama më 2013 tha: “Vij sot tek ju me peshën e rëndë të përgjegjësisë, që ndiej si kryeministër i sapo dekretuar i Shqipërisë, prej vetëdijes së sfidave të mëdha të kohës që ka filluar në rajonin tonë, me firmosjen e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë”. Siç e dimë tashmë, një pjesë e madhe e kësaj marrëveshjeje është shpallur kundërkushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, dhe pjesë të tjera nuk janë zbatuar ende – ose janë zbatuar në atë mënyrë, saqë udhëtimi i çdo kosovari nëpër Serbi është një akt vetëposhtërimi. Pasaportën e Kosovës nuk guxon t’ia tregosh policit kufitar serb. Regjistrohesh me letërnjoftim dhe pajisesh me një letër, të cilën duhet ta dorëzosh në kufirin tjetër serb (nëse vazhdon rrugën drejt Evropës Perëndimore). Në kufi, po ashtu, duhet t’i mbulosh simbolet e Kosovës në targa të automjetit, sepse kështu ka pranuar delegacioni i Kosovës.”Evropa e Bashkuar m’u si ajo e Rilindjes Evropiane, shkruan Liza Hopkins tek Kufijtë Shekspiran, s’do të ketë veçse kufij natyrorë, dete, lumenj, liqene, pyje dhe lartësi malore”, vazhdonte Rama. Jo, ka edhe ca gjëra të tjera, targa të mbuluara, pasaporta të fshehura, mohim shtetësie.

Në fjalimin e tij, kryeministri i Shqipërisë paralajmëroi “një praktikë të bashkëqeverisjes strategjike përmes mbledhjesh, që do të mbahen rregullisht, të paktën çdo gjashtë muaj”. A i ka parë ndokush ato mbledhje në 6 muaj? Jo. A ka bashkëqeverisje strategjike? Nëse bashkëqeverisje është paternalizmi, atëherë rezultat i tyre janë polemikat si e javës së shkuar.

Në vitin 2013, Rama thoshte: “Dua t’ju siguroj se ne do të shkojmë ende më tutje duke bërë çdo përpjekje, që kjo linjë strategjike gazi (projekti TAP, v.j.), që do të kalojë edhe nëpër Shqipëri për t’u ngjitur lart në Mal të Zi, Kroaci e më tej, të ketë me patjetër edhe një degëzim në Kosovë”. A është bërë diçka në këtë drejtim në katër vjetët e fundit? Për aq sa shihet jo.

“Më lejoni ta them, se ne do t’i japim fund patatofobisë nga ana jonë, e cila ka shkaktuar në kufi luftëra doganore sa të dëmshme aq edhe qesharake mes nesh”. Në të vërtetë, për patatet e Kosovës që bllokohen në kufirin shqiptar është folur edhe në vitin 2017. “Por fatkeqësisht, nuk ka qenë vetëm patatja viktimë e ngushtësisë së horizontit të derisotëm të bashkëpunimit mes nesh. Janë plot raste e mallra të kësaj ane që kanë ngecur pa kaluar dot në atë anë. Prandaj, ne jemi të gatshëm që të realizojmë bashkimin doganor”. A kanë lëvizur të dy Qeveritë një centimetër sa i përket bashkimit doganor? Që nga premtimi i Ramës, kanë kaluar katër vjet.

“E padiskutueshme është gatishmëria jonë për krijimin e një Komiteti Ndërshtetëror Shqipëri-Kosovë me qëllim përafrimin e legjislacionit në dy kahe; Legjislacionit tregtar mes njëri-tjetrit, legjislacionit me Bashkimin Evropian”. Edhe ky ishte një premtim i dhënë në Kuvendin e Kosovës. Pastaj: “Nëse flasim për sistem të unifikuar arsimor asgjë nuk na pengon të nxisim edhe organizimin e kampionateve të përbashkëta universitare. Po ashtu, asnjë nuk na pengon të shkojmë më tej me sportin duke organizuar Super Kupën e Flamurit Kombëtar, në rang skuadrash profesioniste, në futboll, se në basketboll nuk jemi më aq mirë sa kemi qenë”. A ka parë ndokush ndonjë gjurmë të këtij projekti?

Në fjalimin e tij të vitit 2013 Rama citoi Martin Camajn, Faik Konicën dhe Rexhep Qosjen (dy herë). Dhe asnjëherë Ibrahim Rugovën, i cili ka një grusht meritash për pavarësinë e Kosovës. Atëbotë, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës e kritikuan këtë qasje të Ramës. Pas fjalimit, Rama u përpoq të zvogëlojë dëmin dhe vrapoi te varri i Rugovës, duke thënë se e adhuronte veprën e tij. Më 2016 Rama foli për Vetëvendosjen: “Unë e kam thënë dhe përsëris, që Lëvizja Vetëvendosje është pasuri kombëtare, një Lëvizje që ka një potencial të rëndësishëm në shërbim të Kosovës dhe shqiptarëve. Ajo ka një lidership që është i veçantë”. Në vitin 2017 për Edi Ramën lideri i VV-së, Albin Kurti, nuk është më shumë se një opinionist. Dhe, sipas Ramës, “faktet s’janë opinione dhe kufijtë nuk përcaktohen me opinione!”