Dhuna policore në Katalonjë vë në siklet gjithë BE-në e jo vetëm Spanjën

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 04 tetor 2017 08:22

Nëse bëhen krahasime me ish-Jugosllavinë, duket se pikërisht dhuna policore do ta bëjë pavarësinë e Katalonjës të pakthyeshme. Nëse deri më tash kemi mundur të themi se Spanja nuk mund të krahasohet me ish-Jugosllavinë, prej së dielës një gjë e tillë nuk mund të thuhet. Ky referendum e vë në siklet tërë BE-në. Ajo ka përvojë të reagimit kur krijohen shtete të reja në Evropë, prej shteteve Baltike, ndarjes së Çekosllovakisë e deri te Pavarësia e Kosovës, por nuk ka pasur asnjë shembull të krijimit të një shteti të pavarur në territorin e BE-së. Situata në Spanjë tash e bën njohjen e Kosovës nga BE-ja edhe më të vështirë sesa që ishte deri më tash

Një popull kërkon demokraci. Së pari kërkon barazi me popujt tjerë e më vonë edhe të drejtën për vetëvendosje. Pushteti reagon me dhunë. Dërgon njësi speciale policore, ajo hyn me dhunë nëpër shkolla, vendos të “zbatojë ligjin” duke arrestuar njerëz për shkak të veprimeve politike. Protestat në rrugë rriten e me këtë edhe dhuna policore. Fotot dhe pamjet televizive të njerëzve të përgjakur shfaqen në tërë botën. Sa më e fortë është dhuna policore aq më e vendosur është rezistenca dhe padëgjueshmëria qytetare. Të gjitha këto ndodhën në Kosovë në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Por të gjitha këto ndodhën javën e shkuar në Katalonjë, ende rajon në përbërje të Mbretërisë së Spanjës. Ne që e kemi përjetuar gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, të mbajtur nga njësitë speciale të ish-Jugosllavisë, me qëllim të parandalimit të realizimit të vullnetit të popullit, që donte fillimisht barazi dhe republikë sikur popujt e tjerë e më vonë edhe pavarësi, nuk mundemi që situatën e sotme në Barcelonë të mos e krahasojmë më atë periudhë.

Nëse bëhen krahasime me ish-Jugosllavinë, duket se pikërisht dhuna policore do ta bëjë pavarësinë e Katalonjosë të pakthyeshme. Nëse deri me tash kemi mundur të themi se Spanja nuk mund të krahasohet me ish-Jugosllavinë, prej së dielës një gjë e tillë nuk mund të thuhet.

Ky referendum e vë në siklet tërë BE-në. Ajo ka përvojë të reagimit kur krijohen shtete të reja në Evropë, prej shteteve Baltike, ndarjes së Çekosllovakisë e deri tek Pavarësia e Kosovës, por nuk ka pasur asnjë shembull të krijimit të një shteti të pavarur në territorin e BE-së. Situata në Spanjë tash e bën njohjen e Kosovës nga BE-ja edhe më të vështirë sesa që ishte deri më tash.

Kur Kosova e shpalli Pavarësinë e saj, Spanja ishte ajo që kërkoi që BE-ja në deklaratën e përbashkët të shprehet se “ky është një sui generis (rast i veçantë). Nuk ishte problem që të gjithë të bien dakord, sepse edhe ashtu për një kohë të gjatë bashkësia ndërkombëtare e trajtonte rastin e Kosovës si të veçantë. Këtë e bënte për shkak të rrethanave të shumta. Merrej parasysh se Ish-Jugosllavia ishte shpërbërë dhe Kosova kishte mbetur e vetmja njësi federale e saj që nuk e kishte statusin e zgjidhur. Dhuna dhe okupimi serb e kishin bërë të pamundur çfarëdo zgjidhjeje që Kosova të mbetej nën Serbinë apo me Serbinë në të njëjtin shtet. Ndërhyrja ndërkombëtare ushtarake dhe vënia e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar, pastaj procesi politik ndërkombëtar për të vendosur statusin e saj, propozimi i të dërguarit ndërkombëtar për statusin dhe shumë gjëra tjera e bëjnë Kosovën si rast të veçantë. Ndoshta për secilin element mund të gjendet ndonjë lidhje me rastet e tjera, por jo për të gjitha elementet që Kosovën e kishin bërë “sui generis”. Prandaj edhe habiti sjellja e Spanjës, e cila edhe pse Kosova trajtohej si rast i veçantë, nuk e njohu pavarësinë e saj dhe bëri çmos për të parandaluar njohjet nga disa shtete të tjera. Kudo ku ka pasur ndikim Spanja është penguar njohja. “Koha Ditore” madje kishte zbuluar një dokument që Qeveria e Spanjës e dërgonte nëpër botë kundër njohjes së Pavarësisë së Kosovës, dhe, edhe pse ai ishte botuar, Qeveria e Kosovës shprehej se “nuk është në dijeni për një gjë të tillë”. Në Amerikën Latine, në Afrikën Veriore dhe në pjesë të tjera të botës qëndrimi spanjoll ka pasur ndikim që disa shtete të mos e njohin Pavarësinë e Kosovës.

Spanja madje për këtë shkak edhe i kishte tërhequr ushtarët e saj nga Misioni i NATO-s në Kosovë, ushtarë që, sipas shumë dëshmive, kishin bërë një punë të madhe në ndihmë të popullit të Kosovës. Dhe sot Spanja, më shumë se cilido vend tjetër anëtar, bën pengesa të mëdha sa herë që tentohet të lëvizë diçka në BE dhe në NATO drejt trajtimit të Kosovës si shtet të pavarur.

Tash është e qartë se e gjithë kjo sjellje e Spanjës është e bazuar në frikën që ka për shpërbërjen e saj. Belgjika, për shembull, nuk ka nguruar fare që ndër të parat ta njohë Kosovën. Qeveria e Belgjikës ishte e para të dielën që dënoi dhunën policore në Katalonjë. E në Belgjikë ka, po ashtu, lëvizje që duan ndarjen e shtetit në mes të pjesës së pasur Flamane dhe asaj më pak të pasur Valone. Por, thonë në Belgjikë, ne vetë do të vendosim a të rrimë bashkë apo të ndahemi, këtë nuk do ta bëjmë në bazë të asaj se çfarë po ndodh në Kosovë apo në Katalonjë.

Janë të paqëndrueshme edhe argumentet që Spanja i përdori në rastin e Kosovës, sikurse nuk qëndrojnë as të gjitha argumentet që Madridi po i përdor në rastin e Katalonjasë. Spanja mund të ketë ndoshta të drejtë të thotë se Kushtetuta e Spanjës nuk e mundëson ndarjen. Por kushtetutat ndryshohen me ndryshimin e rrethanave politike. Nuk ka shembull më të mirë se sa të papranueshme janë pohimet e Spanjës se me referendume për pavarësi shkelet edhe e drejta ndërkombëtare.

Spanja, në argumentimet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës doli me argumentet se “nuk mund të krijohet shtet në territorin e një shteti pa pajtimin e atij shteti”. Me fjalë të tjera, vetëm nëse Serbia do të pajtohej me Pavarësinë e Kosovës ajo mund të shpallej. Njëlloj sikurse sot thonë se vetëm me lejen e Madridit në Barcelonë mund të shpallet pavarësia e Katalonjasë. Por ky argument u hodh poshtë nga shumë ekspertë të shteteve të tjera dhe në fund edhe nga vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila e dha mendimin se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. As pas kësaj, Spanja nuk e ndryshoi qëndrimin, e për fat të keq nuk ndryshon asgjë as në qëndrimet e Bashkimit Evropian. Shumë ekspertë pohonin se, sikur të ishte i qëndrueshëm argumenti se “vetëm me lejen e shtetit ekzistues mund të krijohet një shtet i ri në territorin e tij”, sot në botë do të kishte vetëm dhjetëra shtete. Shtetet e reja janë krijuar kryesisht në territorin e shteteve ekzistuese, ose të perandorive ose kolonive, me apo pa lejen e tyre.

Kroacia dhe Sllovenia kishin shpallur pavarësinë pa lejen e Beogradit. Beogradi e kishte quajtur atë si një “vepër armiqësore kundër integritetit territorial të Jugosllavisë” dhe ata që donin t’i njihnin shtetet e reja i kritikonin për “ndërhyrje në punët e brendshme”. Edhe kjo u dëgjua në dëshmitë për Kosovën para GJND-së, sidomos nga Kroacia dhe Sllovenia, të cilat me argumentimet e tyre ndikuan shumë që të kuptohen më mirë rrethanat që sollën deri tek shpallja e Pavarësie së Kosovës. Sikur të vlente argumenti i Spanjës, Sllovakisë dhe disa shteteve të tjera, vetëm pavarësia e Malit të Zi (sepse kishte një marrëveshje me Serbinë për mundësinë e mbajtjes së referendumit) dhe ndarja e Çekosllovakisë (sepse ishte me marrëveshje) janë legale.

Referendumi në Katalonjë dhe reagimi nervoz i Madridit kanë vënë në sfidë BE-në. Tash ajo do të përballet me presionin që të dënojë dhunën nga një qeveri e shtetit anëtar. BE-ja tash është në sfidë që të dëshmojë se edhe në shtetet e saj anëtare do t’i mbrojë liritë e shprehjes, të mediave, liritë e veprimit politik dhe thirrjet që mospajtimet të zgjidhen pa përdorimin e dhunës. Këto parime BE-ja i mbron sa herë që prononcohet për zhvillimet jashtë territorit të saj dhe tash ka një rast të paprecedentë, që për të njëjtat gjëra të prononcohet edhe për një shtet të vet anëtar, madje shtetin që bën pjesë në grupin e katërshes së madhe të BE-së (pasi Britania tashmë nuk konsiderohet si shtet anëtar edhe pse formalisht do të jetë deri më 29 mars të vitit 2019).

Deri me tash, në BE kanë refuzuar që të përzihen në referendumin e Katalonjasë, por i kanë dalë kështu në mbrojtje qeverisë së Spanjës duke e quajtur këtë si një “çështje të brendshme të Spanjës”. Më parë, në rastin e Referendumit të Skocisë, ku populli në fund votoi për të mbetur pjesë e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë dhe Madhe dhe Irlandës së veriut, në BE patën thënë se: “Në rast të pavarësisë, shteti i ri duhet nga fillimi të kërkojë anëtarësim në BE”. Një sqarim i tillë ligjor nga ekspertë dhe politikanë katalonjasë është parë me dyshim. Ata thonë se nuk mund të trajtohet njëlloj një shtet i ri anëtar, që krijohet brenda territorit të BE-së. Sepse, për shembull, Katalonja ka në fuqi të gjitha ligjet e BE-së, dhe nuk ka nevojë që të nisë nga fillimi procesin e anëtarësimit. Dhe këtu qëndron problemi kryesor i atyre popujve dhe rajoneve që duan të bëhen shtete, dhe llogarisin që me automatizëm do të mbeten në BE. E Katalonja e sheh të ardhmen jashtë Spanjës, por jo jashtë Bashkimit Evropian. Nëse procesi i zgjerimit të BE-së do të mbetet proces ku do të vendoset me konsensus të të gjitha vendeve anëtare, atëherë pa pajtimin e Spanjës asnjë shtet i ri nuk mund të hyjë në BE.

Gjithsesi do të ketë në të ardhmen debate të shumta, politike e ligjore, rreth mundësive që për herë të parë brenda BE-së të krijohet një shtet i ri. Për gjithçka ekziston “hera e parë”. Por tash prioritetet në debat do të jenë rreth tensioneve që ka shkaktuar referendumi në Katalonjë dhe dhuna policore e urdhëruar nga Madridi. Në kohën kur BE-ja ka dalë nga kriza ekonomike, kur është forcuar edhe uniteti i BE-së si reagim ndaj vendimit të britanikëve për të dalë nga unioni, kur punohet në plane të mëdha për të ardhmen e BE-së, më së paku që ajo ka nevojë është që një shtet aq i madh dhe i rëndësishëm si Spanja të destabilizohet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj