OpEd

Po ky ankth, a kryhet ndonjëherë?

Vaj halli për ne kur secili formim i ri i institucioneve është si ta kesh përjetuar tashmë një apo shumë herë: i njëjti problem me buxhetin; me krimin dhe korrupsionin; me Kuvendin; me kryeministrat; me ministra kot; me administratën e stërngarkuar; me varfërinë, me papunësinë, me arsimim të dobët, me shëndetësi të ligë, me kulturë të kufizuar...

Çka është ajo që sjell cikli i ri paszgjedhor e që nuk e kemi parë në këta 17 vjet që nga zgjedhjet e para të pasluftës? Asgjë. Sjell ndërrimin e titujve dhe të posteve që mbajnë fytyrat e njëjta që prej vitesh na riciklohen në skenën politike, herë në qeverisje e herë në opozitë. Na sjellin kapadaillëkun e njëjtë me të cilin sillen ata që mendojnë që janë të gjithëfuqishëm; sjellin qasjen e njëjtë ndaj punës; pallavrat e njëjta; shpërfilljet e njëjta. Na bëjnë të besojmë se gjumi yni i rëndë, po e përjeton një ankth të lodhshëm e të tmerrshëm, të cilit nuk po i shihet fundi.

Thuajse është një video sekuencë, e cila, sikurse në autoplay, nis prej fillimit posa të kryhet.

Kuvendi, prioriteti 0

Mbledhja e fundit, e dështuar, e Kuvendit është mbajtur para tri javësh. Pra, pasi që na maltretuan gati dy muaj – jo ka numra, jo s’ka numra; jo bëjmë pauza dyorëshe, jo dyjavëshe – më në fund u konstituua një Kuvend me një kryetar që shumëkush nuk e deshi dhe u votua një Qeveri që nuk diti as t’i përkufizojë emrat e ministrive të reja që nuk kanë kurrfarë kuptimi, pos dhënies së postit dikujt nga ndonjëra parti. Dhe ajo mbledhje mbaroi si mbaroi; u thirr një seancë e jashtëzakonshme që u injorua nga kryeministri dhe kabineti qeveritar. Pra, asgjë që nuk kemi parë deri tash – sa e sa herë janë injoruar seancat parlamentare nga ekzekutivi: e besoj se thyejmë rekord botëror aty.

Prej asaj date, pra qe 22 ditë, Kuvendi nuk mblidhet, dhe nuk merr në shqyrtim madje as Ligjin e buxhetit, që aq shumë përmendej gjatë bllokadës institucionale. Ama me rëndësi që taksimetri punon dhe se të gjithë deputetët do t’i marrin rrogat në fund të muajit për punën që nuk e kanë bërë. Edhe këtu asgjë e re – sa e sa muaj morën rroga në mandatin e shkuar për secilën mbledhje që e shtynin qoftë për mungesë kuorumi, qoftë për hedhje vezësh, gazi lotsjellës apo spreji me shije piperi.

Për turp qe reagimi i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, që pas presionit kryesisht mediatik, më në fund vendosi ta mbante mbledhjen e vet të radhës. Për turp, për shkak se ajo u caktua të enjten mbrëma në orën 21:00. Demek, aq të zënë krejt këta me fushatën zgjedhore për nivelin komunal, sa nuk kanë kohë me u marrë me punën për të cilën e kanë dhënë betimin. Dhe vendosën ta mbajnë mbledhjen të hënën (se të premten s’bën, se fundi i javës e mos po ua prish planet kund për vikend me bâ me u zgjatë seanca), kurse Qeveria vendosi me ardhë në mbledhje, vetëm nëse diskutohet për programin qeverisës, e jo për sende të tjera – se s’bën të humbet koha e vlefshme për fushatën...

Kështu, vazhdimin e vazhdimit të vazhdimit të seancës do ta “shijojmë” nga fillimi i javës – kur ta kemi të qartë se kush do të bëhen kryetarët e komisioneve funksionale – sepse edhe për këtë punë, partive iu deshën shumë muaj për të vendosur. Dhe të veprojnë në trajtë të improvizimit, ashtu siç, thuajse, veprojnë përherë. Pra, asgjë e re.

Mbase një copëz shijeje na e ofruan paraprakisht deputetët Milaim Zeka dhe Frashër Krasniqi që një “debat” të mbushur banalitete e shndërruan në një përleshje fizike, ku dajakun e hëngri ai që e provokoi me gjuhën e tij të pakontrolluar. Zeka, që nga dita e parë në cilësinë e deputetit nuk ngurroi së përdoruri një gjuhë rrugaçërie – që nuk e bën as më popullor e as më të sinqertë, por e zbulon atë si një njeri të paedukuar. Krasniqi, i mësuar me aktivizimin e protestave edhe të dhunshme, lejoi që gjuha ofenduese e Zekës ta qiste prej taktit për të mbaruar me dy kroshe, të cilave do t’ua kishin lakmi edhe Luani e Robini (edhe këta Krasniqe). Humbës që të dy në këtë “debat”, e më së shumti humbës elektorati i Kosovës që ka për përfaqësues njerëz të këtillë që animozitetin e ndërsjellë e shprehin në këtë formë, e jo me argumente a kundërargumente.

Shkarkuesi Haradinaj

E ai që ka zgjedhur të japë argumente dhe “argumente” që nga java e tretë në post të të parit në Qeveri është Haradinaj. Pa një pa dy, i dha urdhër ministrit të Arsimit që ta shkarkonte Bordin e Agjencisë së Akreditimit. I akuzoi për punë joprofesionale dhe inkompetencë. Pa ditur shumë detaje për punën e këtij Bordi, u mbështeta në një postim në FB që e kishte bërë dr. Lul Raka, anëtar i Bordit. Duke e njohur Lulin nga koha kur punonte si vullnetar i shërbimit shëndetësor të SHHB “Nëna Terezë” në ambulancën e Bobit në Kaçanik, jam e prirë të besoj se ky vendim i Haradinajt ka qenë i ngutshëm dhe se arsyeja e vërtetë për këtë veprim është tjetër.

Në letrën e tij, Luli shkruan: “Kam qenë kategorikisht dhe jam ende kundër hapjes së drejtimeve të Mjekësisë së Përgjithshme në cilindo institucion privat të arsimit të lartë të Kosovës. ‘Rezonanca’ dhe UBT-ja kanë aplikuar, por akreditimi i tyre është refuzuar nga Agjencia (me sugjerimin tim).

2. Kam qenë edhe kundër hapjes së drejtimeve të Stomatologjisë e Farmacisë, por votova ‘pro’, për shkak të numrit të kufizuar të studentëve të regjistruar. Në mbledhjen e së premtes së shkuar këto institucione kërkuan rritjen e menjëhershme të numrit të studentëve.

- Kolegji AAB kërkoi që në vend të 25 studentëve në Stomatologji t’i regjistrojë 120 sish. Kurse në Radiologji në vend të 30 studentëve t’i regjistrojë 120.

- Kolegji UBT kërkoi që në vend të kuotave të votuara në Farmaci prej 20 studentësh, ta rrisë numrin në 50; në Stomatologji në vend të 20 studentëve në 50, dhe infermieri në vend të 50 studentëve të regjistrojë 300 studentë. Kam votuar kundër rritjes edhe për një student të vetëm.

3. Kolegji AAB vetëm në Infermieri për një vit ka regjistruar mbi një mijë studentë! Rregullsi se jo mahi!

4. Në periudhën sa kam qenë në Agjenci janë mbyllur 140 programe në të gjitha institucionet publike e private në Kosovë.

5. Unë vazhdoj të jem i qetë për këto ‘parregullsi’ që kam bërë dhe do të vazhdoj kurdo që kam mundësi me parregullsi të tilla, duke mos u pajtuar që arsimi i lartë në shëndetësi të duket si një biznes qebaptoresh”.

Pra, nëse ky Bord për dy vjet pune i ka mbyllur 140 programe, ka futur rend në angazhimin e profesorëve që kanë mbajtur mësim në disa institucione dhe ka eliminuar nga lista profesorë fiktivë që vetëm kanë figuruar si emër – është se paskësh prekur në esencën e ekzistimit të këtyre institucioneve që së bashku me shumicën e universiteteve publike prodhojnë analfabetë funksionalë. Shkarkimi i këtij Bordi ndodh edhe në kohën kur KTV-ja zbulon se në fshatin Jezerc të Ferizajt nxënësit e klasës së tetë nuk dinë shkrim-lexim.

E tmerrshme që në dekadën e dytë të shekullit XXI, me gjithë këtë avancim teknologjie, ne të ballafaqohemi me analfabetizmin, të cilin kishim besuar se e kishim çrrënjosur pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe fajet për këtë nuk na i ka okupimi, por na i ka shndërrimi i arsimit në biznes dhe në institucione ku rehatohen militantët partiakë. Ashtu siç është vepruar edhe me krejt sferat e tjera të shoqërisë – ku hairin ia panë vetëm ata që u përfshinë në këto makinacione.

Shkarkimi i bordeve vazhdoi edhe disa ditë më vonë – u goditën Aeroporti i Gjakovës dhe “Infrakosi”. Haradinaj kësaj radhe iu referua Agjencisë Kundër Korrupsionit, që kishte akuzuar se këta njerëz ishin emëruar kundërligjshëm dhe ishin të lidhur politikisht për ndonjë parti. Porse problemi i bordeve nuk do të zgjidhet me vetëm këto dy veprime, për shkak se këta do të zëvendësohen sërish me njerëz të preferuar të politikës, me dallimin e vetëm se tash do ta ndërrojnë petkun dhe do të vijnë nga një parti tjetër. Pra, sikurse edhe në krejt qeveritë e mëparshme, do të veprohet njësoj! Dallimi? Nuk ka dallime në esencë – vazhdojmë me avazin e vjetër: aty ku janë paratë, aty janë militantët partiakë.

Kuku për neve çfarë ministrash kemi

Militantë janë edhe ministrat që na i zgjodhën, e që në fund nuk e mora vesh a janë 21 a 22 a 20 e sa t’jua ka ënda atyre që e ndërtuan harmonikën e re kineze. Ca prej tyre janë edhe liderë partish, dhe që në hapat e parë na bëjnë të mendojmë se me çka merituam që këta njerëz të na përfaqësojnë.

Pacolli shkoi në Mal të Zi dhe e hëngri një flakaresh. Nuk e di nëse është dashur të shkohej pa e pasur bile idenë minimale çka do të dalë nga Komisioni i ri për demarkacion, porse shkoi, e prej aty vazhdoi në BE dhe u ndesh me përgjigjet e njëjta: kalojeni demarkacionin, luftojeni korrupsionin nëse doni lëvizje të lirë. Pikë.

Ndërkohë, pas vdekjes së tre a katër pacientëve në QKUK, u premtua se do të punohet shumë në zgjidhjen e problemit të këtij institucioni. Dhe me gjasë, si shpëtimtar, u angazhua për këshilltar politik të ministrit ish-drejtori i QKUK-së, Nijazi Gashi, në kohën e të cilit ndodhi skandali “Stenta”; afera e shitjes së citostatikëve; kur u ble material shpenzues në vlerë prej 2 milionë eurosh e nuk u dit se përse; kur u hodhën në bërllok me qindra filma të rëntgenit dhe, për shllag, kur iu ble një “Touareg” në vlerë prej 70 mijë eurosh, sepse drejtorët nuk bën të qarkullojnë pa xhipa.

Ministër të Bujqësisë e kemi dikë që mund të akuzohet për keqtrajtim në kohën e luftës, kurse ministër të Inovacionit e kemi njeriun që e fali distribucionin e rrymës së bashku me katër hidrocentrale, plus na futi në arbitrazh për punë të PTK-së, sepse lidhi kontratë me një firmë fantome. Ministër të Drejtësisë e kemi njeriun, i cili po ka telashe t’i artikulojë fjalitë me kuptim dhe që takimin e parë të rëndësishëm e mban me kryeprokurorin e shtetit – mbi të cilin nuk ka asnjë autoritet. Për fund të kësaj paraqitjeje telegrafike na vjen ministrja e Integrimeve, e cila e pati kënaqur krejt si ministre e Drejtësisë në mandatin e shkuar. Kësaj radhe, në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e korit diplomatik të akredituar në Prishtinë, u takua me ambasadoren turke, nga i cili takim doli komunikata ku ministrja thotë se “Turqia (është) përkrahëse e Kosovës në agjendën euroatlantike”. Ministres me gjasë nuk i kanë treguar se Turqia ka njëzet vjet që është shtet kandidat për BE, e që ende nuk është pranuar...

* * *

Vaj halli për ne që as pas gjashtë palë zgjedhjesh qendrore nuk po mund të dalim nga ankthi në të cilin na kanë futur këta që na udhëheqin me ndërrime gjithë këta vjet. Është e pabesueshme që secili formim i ri i institucioneve i ngjason atij paraprakut: i njëjti problem me buxhetin; i njëjti problem me krimin dhe korrupsionin; i njëjti problem me Kuvendin që merret me gjithçka, pos me punët e veta; i njëjti problem me kryeministrat që mendojnë se janë të gjithëpushtetshëm dhe sillen përherë arrogantë ndaj çfarëdo kritike a debati; i njëjti problem me ministra që bëhen ministra veç pse janë zyrtarë politikë e jo pse përnjëmend janë aty për të kryer punë për të mirën e Kosovës; i njëjti problem me administratën e stërngarkuar; i njëjti problem me varfërinë, me papunësinë, me arsimim të dobët, me shëndetësi të ligë, me kulturë të kufizuar...

Po ky ankth, a kryhet ndonjëherë?

flaka@koha.net