20 vite nga protesta e 1 Tetorit, 1997 - ku ishim dhe ku jemi

Ardian Kastrati Ardian Kastrati 01 tetor 2017 10:33

20 vite pas protestave të 1 Tetorit 1997 ne kemi dështuar të krijojmë një shoqëri të dijës dhe si pasojë hajgarellëku dhe pallavrat që serviren nga partitë politike në formë të ofertave programore ende akceptohen nga një pjesë e mirë e shoqërisë. Rrjedhimisht, Kosova sot gjendet në njërën anë në mes të partive që qeverisën e që të gjitha qeverisjet e tyre në nivel qendror e lokal përfaqësojnë anën anakronike, të prapambetur dhe feudale të shoqërisë, të mbushur me korrupsion, hajni dhe dhunë, shto këtu edhe kulturën e kapitalit politik të LDK-së të ndërtuar mbi arkivole e mbi të vdekur, dhe në anën tjetër me Lëvizjen Vetëvendosje e cila kritikon por nuk lë rrugë ndërtuese ose e ka të keqe. Në fakt kura që LVV propozon shumë shpesh është më e keqe se vet sëmundja. Ne tani jemi në një paradhomë të një kaosi përmasash më të gjera ku korrupsioni galopant në njërën anë dhe antiamerikanizmi potencial në anën tjetër janë kriza që në vitet në vazhdim mund të shfaqën si gjithëpërfshirëse dhe ciklike e këto të dyja së bashku e rrezikojnë shtetin e Kosovës edhe qenien tonë

Në 20 vjetorin e shënimit të protestave të 1 Tetorit të vitit 1997, analiza e aktivizimit politik të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP) gjatë viteve 1997-1999 nuk mund të bëhet ndaras pa e trajtuar fillimisht fotografinë e madhe të gjeopolitikës në Evropë dhe Ballkan gjatë atyre viteve. Kjo i shërben analizës së këtij shkrimi për faktin se gjeopolitika është përgjigja ndaj politikës. Politika është përplasje kryesisht për interesa të brendshme ndërsa vetëm përmes gjeopolitikës mund t’i peshojmë interesat dhe lojën politike në kontekste më të gjëra si ideologjike, historike, gjeografike, rajonale apo globale. Nga fundi i viteve 1980, reformat ekonomike dhe sociale të dizajnuara për të shuar zjarrin në BRSS, dështuan. BRSS u shpërnda. Bota komuniste u shemb. Shumica në Evropë menduan se tanimë erdhi epoka e paqes dhe paqebërjes. Tanimë bota fliste për dallimet ‘Perëndim dhe pjesa tjetër e botës’ dhe jo ‘Perëndim – Lindje’. Siç e përshkruan Samuel Huntington, entuziazmi ishte aq i madh sa që një profesori në një Universitet prestigjioz në SHBA iu refuzua kërkesa për lëndët e ‘Sigurisë Ndërkombëtare’ me justifikimin se nuk do të ketë më luftë prandaj edhe s’ka nevojë për një planprogram të tillë. Mirëpo çfarë ndodhi ndërkohë ishte se sistemi ndërkombëtar i Luftës së Ftohtë dhe dallimet mes popujve me bazë ideologjinë u zëvendësuan me dallimet kryesisht kulturore-etnike pa përjashtuar edhe ato politike e ekonomike. Njerëzit filluan të ballafaqoheshin me pyetjen më themelore: Kush jemi ne? Kjo çoi në forcimin e identiteteve etnike e kulturore gjithandej në vendet e ish-bllokut komunist.

Me demonstratat në Kosovë gjatë viteve 1989-1990 dhe anulimin ë KSAK-ut (Krahina Socialiste Autonome e Kosovës), filloi edhe shpërbërja e Jugosllavisë. Një grup inicues i disa intelektualëve të shquar të kohës inicuan formimin e LDK-së që pasoi me Kuvendin e parë të saj dhe zgjedhjen e 55 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm. Programi i saj fillimisht kërkonte trajtimin e barabartë të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Kosova bëri demonstrata, peticione, protesta si dhe u formuan disa parti politike që së bashku quheshin “Alternativa Kosovare” duke shënuar kështu fillimin e një çoroditjeje pluraliste nën kushtet e një aparteidi dhe nën kanxhat e luftës së regjimit të Millosheviqit. Por çka është më ë rëndësishme, Kosova bëri Deklaratë Kushtetuese, Kushtetutë, Referendum për Pavarësi dhe Zgjedhje. Nën udhëheqjen e dr. Ibrahim Rugovës dhe përkrahjen e një elite intelektualësh, Kosova bëri edhe lobim ndërkombëtar për njohjen e përcaktimit të saj paqësor lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në ndërkohë zhvilloheshin luftërat dhe gjenocidi i udhëhequr nga Millosheviqi në Kroaci dhe Bosnjë.

Megjithë krizat dhe luftërat në ish-Jugosllavi gjatë viteve të 1990-a, në anën tjetër Evropa Perëndimore po ndryshonte shpejt dhe në mënyrë dramatike. Me Traktatin e Mastrihtit u krijua edhe Unioni Evropian në vitin 1993. Fundi i ndarjes së kontinentit përmes Luftës së Ftohtë dhe shfaqja e një ekonomie politike globale sfidoi modelet tradicionale të politikës së shtetit kombëtar përmes rritjes së integrimit politik dhe ekonomik në Bashkimin Evropian.

Afërisht deri te viti 1995-1996, Dr. Rugova ka merita të pakontestueshme për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, kjo natyrisht dukë ju falënderuar edhe elitës politike e intelektuale që i rrinte afër e të cilët me shumicë u zhdukën pas Kuvendit të Dytë të LDK-së. Ai kishte thellësi intelektuale dhe flitej se me butësinë prej ‘pambuku’ dhe një sharmi të veçantë krijonte raporte shumë të mira me diplomatë të huaj që përkrahnin kauzën e Kosovës. Deri këtu mund të thuhet që Kosova ka ec mirë dhe në korrespondencë me frekuencat gjeopolitike të Perëndimit në raport me Ballkanin. Mirëpo, me mbarimin e luftës në Kroaci dhe Bosnjë dhe me mosfutjen e Kosovës në Marrëveshjen e Deytonit, nën udhëheqjen e Dr. Rugovës, Kosova u fut në një apati totale. Madje në elita të ngushta në Prishtinë flitej se ai pinte shumë whiskey i mbyllur në Velani. Kjo si i ri në atë kohë më kujtonte përshkrimet e Jack London kur thoshte ‘pinim kur kishim arsye për gëzim, pastaj pinim kur ishim arsye për hidhërim por pinim edhe për faktin se ndonjë ditë s’kishte arsye për të pirë’. Gjatë këtyre viteve, njerëzit vriteshin e dhunoheshin vetëm se formalisht luftë nuk kishte. Tani Kosova as që përmendej në qendrat e vendosjes. Ne ishim politikisht inert, vendnumëronim dhe mishëroheshim vetëm me konferencat e shtypit të së Premtes ku Dr. Rugova kërkonte pavarësinë e Kosovës. Mua personalisht më dukej se po sillemi sikur Perandoria Viktoriane e viteve të 1900-a mbi të cilën nuk perëndonte dielli asnjëherë sepse ishte aq e madhe edhe e fuqishme sa që kishte 11 milje katrorë dhe 390 milionë njerëz. Në mes të këtij deprimimi kolektiv, establishmenti politik e krijoi fabulën e radhës sepse ia kërkonte logjika e ngjarjeve, që shpresa disi duhej të mbahej gjallë te populli. Presidenti Rugova nënshkroi marrëveshjen e arsimit me Millosheviqin në Beograd. Tani në këtë situatë reaguam ne studentët e Universitetit të Prishtinës përmes lidershipit të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP). Ky reagim nuk erdhi se ne na kërkohej që si studentë të bëjmë fantazmën e Hamletit për t’i kujtuar popullit se si erdhi deri te vdekja jonë jo e natyrshme. Ne poashtu nuk kishim krenarinë e shigjetës së Don Kishotit por e pamë se Serbia përmes kësaj marrëveshjeje dëshironte të institucionalizonte status-quon politike në Kosovë.

Kjo gjendje horror ishte bërë e padurueshme dhe në popull vërehej nevoja e madhe për ndryshim. Fillimisht, kryesia e UPSUP-së gjatë pranverës dhe verës së vitit 1997 filloi të organizonte tribuna me studentë, profesorë dhe intelektualë për domosdoshmërinë e dinamizimit të veprimeve tona lidhur me kërkesën për kthim në objektet tona universitare pa kushte dhe jo ashtu siç parashihej në Marrëveshjen Rugova-Millosheviq. Pas një dinamike të tillë disa-javore të takimeve me studentë, me medie vendore e ndërkombëtare, me subjekte politike e jopolitike e diplomatë të huaj dhe pas shëtitjeve që UPSUP filloi t’i organizonte si hap final në ‘Korzo’ të kryeqytetit me qëllim që të përgatiste terrenin dhe ë mobilizonte masat për protestën e 1 Tetorit, ne na mungonte vetëm takimi dhe përkrahja e Presidentit Rugova. Me të drejtë, të gjithë ne anëtarët e Kryesisë së UPSUP reagonim ashpër ndaj refuzimit të pakuptueshëm që na bënte Rugova, por gjithmonë më i ashpër dhe më i artikuluar ishte Albin Kurti. Në një nga tribunat e organizuara më studentë, ai deklaronte: “Institucionet tona (duke iu referuar Presidencës) zhvillohen vetëm deri aty ku nuk e cenojnë Serbinë”. Në fakt, shumë pak orë para protestës, edhe Adem Demaçi i kishte kërkuar Dugollit ta shtynte protestën sepse frikësohej që populli nuk do ta përkrahte pas hezitimit të Rugovës. Për ne ishte pak befasi kjo sidomos duke e ditë që edhe babai i Albin Kurtit ishte anëtar i Partisë Parlamentare të Demaçit. Pavarësisht të gjitha hezitimeve dhe refuzimeve nga LDK dhe zyra e Rugovës, protesta u mbajt më 1 Tetor në Velani. Madhështore si për nga koreografia ashtu edhe për nga numri i qindra mijëra protestuesve. Pas 1 Tetorit, ne organizuam edhe dy protesta masive, më 29 Tetor dhe me 31 Dhjetor 1997. Në një ceremoni të organizuar nga rektorati në Vëlani, një gazetar i njohur i Prishtinës kishte komentuar me disa zyrtar të UPS dhe të UP-së (sa më kujtohet më duket me Rektorin Statovci dhe me asistentin e tij në rektorat Hajredin Kuçi) se Serbia tanimë kishte një plan për luftë frontale dhe dëbim masiv të shqiptarëve. Këtë ma kishte konfirmuar edhe një miku im Ylber Bajraktari në gazetën “Koha Ditore”, por ai nuk kishte specifikuar emrin ‘Patkoi’. Kjo u vërtetua me fillimin e luftës në Likoshan, Çirez dhe sulmin mbi familjen Jashari me 5, 6 dhe 7 mars, 1998.

Duke e vërejt rritjen dhe ndikimin tonë si Lëvizje Studentore, për të mos thënë ana kundërshtare por ana tjetër e proceseve, LDK-ja, filloi të angazhohet përmes një organizate italiane “Shën Egjidio” e cila e rinegocioi me Millosheviqin çështjen e kthimit tonë në objektet universitare. Kjo marrëveshje u refuzua në disa takime nga Kryesia e UPSUP-së, kurse përfundimisht në emër të Kryesisë së UPSUP e refuzuam zyrtarisht unë dhe Milot Cakaj në cilësinë e anëtarëve të Kryesisë së UPSUP-së pasi që ishim deleguar nga Kryesia e UPSUP-së të marrim pjesë në një takim të organizuar nga Ambasada Italiane në Beograd ku prezentë ishin edhe ambasadorët e Grupit të Kontaktit dhe përfaqësuesi i “Shën Egjidios”. Marrëveshja u refuzua nga ne sepse ishte parciale dhe për faktin se regjimi i Millosheviqit vetëm kërkonte të blinte kohë në situatën e re që tanimë ishte futur Kosova.

Natyrisht se pas protestave dhe aktiviteteve tona në përkrahje të UÇK-së, roli ynë si organizatë studentore tanimë kishte domethënie në skenën politike kosovare sepse duke ju falënderuar protestave tona, kori diplomatik u riaktivizua në Kosovë, mediat ndërkombëtare raportonin për ne dhe kështu ia arritëm qëllimit ta thyenim status-quon politike që kaploi Kosovën gjatë viteve të 1990-ta. Gjatë vitit 1998, ne organizuam protestat tona por edhe protesta tjera në koordinim me partitë politike me 2, 9, 13 dhe 19 mars 1998 ku krejt Prishtina ushtonte “UÇK-UÇK” dhe “Drenicë jemi ne”. Mbaj mend që gjatë muajve në vijim, në janar, shkurt dhe mars 1998 unë, Bujar Dugolli, Albin Kurti, Muhamet Mavraj e Driton Lajçi jemi takuar disa herë me të dërguarin e Presidentit Clinton për hapësirën e ish-Jugosllavisë, z. Robert Gelbard, me Nichollas Hill, Sekretar i parë i Ambasadës Amerikane në Beograd, me Wilfried Gruber, Ambasador i Gjermanisë në Beograd, me Gerard Favuveau, Sekretar i Parë në Ambasadën e Francës në Beograd, me Jan Kickert, Sekretar i Parë i Ambasadës Austriake në Beograd dhe shumë e shumë diplomatë të tjerë. Në fakt, krejt çka ata donin të bindeshin ishte se karakteri paqësor i protestave do të vazhdojë dhe në funksion të saj na i aranzhuan shumë vizita nëpër Evropë e SHBA ku na furnizonin me materiale lidhur me lëvizjet e rëndësishme historike paqësore të botës (p.sh. zyrat i kishim përplot me materiale për Martin Luter Kingun, etj.) Ishte më shumë Albin Kurti i cili merrej me këta njerëz si Alice Mead (një avokate e të drejtave të njeriut), Gene Sharp, autor i mbi 40 librave mbi lëvizjet joviolente nëpër botë e shumë të tjerë. Me sa di, Alice është edhe njëra nga themelueset e Kosova Action Network (KAN) në 1997 me Albinin që për mision ka pasur krejt diçka tjetër e që në fakt pas lufte i parapriu themelimit të një Lëvizje si Vetëvendosja e cila po zhvillon një mision politik diametralisht të kundërt me atë se çfarë parashihte KAN në vitin 1997. Rrjedhimisht, në ndërdijen dhe komunikimet tona, kjo çfarë deklaronim në takime me ambasadorët e huaj, në medie dhe në lobimet që i bënim në vizitat tona në SHBA dhe nëpër Evropë lidhur me joviolencën, e dinim së ishte një farsë sepse ne ishim një mini-shtab i UÇK-së në Prishtinë. Përkrahja e diplomatëve të akredituar në Beograd ka qenë e madhe për ne sa që në gjysmën e dytë të vitit 1998 nga Beogradi na i sillnin pasaportat me viza në Prishtinë sepse tani ishte shumë rrezik për ne të udhëtojmë në Beograd. Mbaj mend njëherë që Bukurije Gjonbalaj (ish Ambasadore e Republikës së Kosovës në Vatikan), që atëherë punonte për Ambasadën Britanike, më morri pasaportën dhe pas një jave ma dorëzoi me vizë në “Shpagetari”, siç i thoshim atëherë një lokali ku pinim kafe në katin e parë të “Shtëpisë së Mallërave” (aktualisht ndërtesë e ATK-së).

Pas përkrahjes së madhe e të gjerë të publikut dhe diplomacisë ndërkombëtare lidhur me organizimet tona, ne patëm një diskurs ad-hominem nga LDK dhe zyrat e tyre kudo në teren. Në këtë kohë, LDK organizoi zgjedhjet Nacionale dhe Presidenciale me 22 mars 1998. Edhe pse e dinim që faktori ndërkombëtar kërkonte zgjedhje për të legjitimuar liderishipin politik të shqiptarëve lidhur me bisedimet që planifikoheshin me Serbinë, përmes një komunikate ne i kundërshtuam këto zgjedhje për faktin se nuk u mbajtën në tërë Kosovën (në Drenicë pas sulmit në familjen Jashari tanimë kishte filluar lufta). LDK bëri edhe një marrëveshje të turpit për ndarjen e objekteve shkollore gjysmë-për-gjysmë me serbët më 23 mars, 1998. Marrëveshja ishte nënshkruar nga Fehmi Agani, Abdyl Rama e Rexhep Osmani me përfaqësues të Qeverisë së Millosheviqit. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, të nesërmen, më 24 mars 1998, erdhi “dhurata” e radhës nga Millosheviqi ku u sulmua familja Haradinaj në Gllogjan dhe lufta u shpërnda gjithandej. Përfaqësuesi ynë, Bujar Dugolli në G-15 dha dorëheqje së bashku me Hydajet Hysenin sepse propozimi i Rugovës erdhi pa logo dhe pa nënshkrim dhe aty Presidenti kërkonte që G-15 të përgatiste platformën për bisedime sekrete me Millosheviqin. Kjo ishte e papranueshme për ne sepse Kosova kishte nevojë për bisedimet krejt transparente si ato të Rambujesë që ndodhën më vonë. Krejt në fund, ne përkrahëm edhe Konferencën e Rambujesë ku për herë të parë u ndamë në qëndrime më Albinin që tanimë përfaqësonte Adem Demaçin në zyrën e UÇK-së në Prishtinë. Kur filluan bombardimet, disa nga ne tanimë ishim pjesë e UÇK-së, Albini dhe disa aktivistë tonë ishin arrestuar kurse disa të tjerë gjendeshin nëpër zona të ndryshme të Kosovës duke u munduar të mbijetojnë ‘Apokalipsin’.

Javën ë parë pasluftës, te universiteti unë arrita ta takoja vetëm Bujar Dugollin nga gjithë kolegët tonë të Kryesisë së UPSUP-së. Ne mblodhëm diku rreth 15-20 profesorë që arritëm t’i takonim rastësisht dhe së bashku me disa studentë (ushtarë të UÇK-së) shkuam në zyrat e Rektoratit. Aty gjetëm pro-rektorin dhe disa zyrtarë serbë të cilëve ju kërkuam që të lëshojnë zyrat që i kishin okupuar me forcë në vitin 1991. Të njëjtit dolën jashtë dhe pasi që ne nuk i lejuam të marrin asnjë dokumentacion nga zyrat e Rektoratit, ata, nën përcjelljen e KFOR-it britanik, vazhduan për te autobusët e NisExpres. Këta nuk ishin qytetarë civilë por organe të dhunshme të vendosura nga Millosheviqi në universitetin tonë. Këtu misioni i ynë si Lëvizje Studentore e viteve 1997-1999 u përmbyll.

Kush ishim ne?

Ne ishim djem dhe vajza të reja nga të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës. Në mesin tonë kishte të tillë që kishin dëgjuar muzikën e Kico Slabinac, Dino Merlin apo Bjelo Dugme (për gjeneratat e reja: kërkoni youtube), kishte të tillë që dëgjonin Riza Bllacën apo ‘Kreshtat e Kosovës’ të kënduar nga Beqa e Muja (për gjeneratat e reja: Beqir Gashi dhe Mujë Krasniqi, dëshmorë dhe luftëtarë të spikatur të UÇK-së), kishte të tillë që dëgjonin “U2’, ‘The Cure’ apo ‘Simple Minds’, kishte të tillë që ishin formuar kulturalisht duke lexuar Balzakun, Dostojevskin, Albert Kamy, Edgar Poe, kishte të tillë që idenë patriotike e kishin krijuar përmes leximit të Sami Frashërit, Hasan Prishtinës dhe të Rilindasëve tonë apo edhe prej “Kur Zoti Harron” të Adem Demaçit, kishte të tillë që ndoshta në raftet e tyre për 50 vjet kishin pasur vetëm ‘Rrushi ka nis me u pjek’ (për gjeneratat e reja: google autorin Sinan Hasani), kishte të tillë që për kohën kishin një njohuri solide në fushën e teorive politike dhe të filozofisë politike bashkëkohore dhe ndoshta kishte të tillë që kanë kaluar nëpër duar vetëm lekturën shkollore me këngë lirike dhe gjëegjëza ‘Gu-Gu Pici Gu’. Kjo nuk ishte me rëndësi. Me rëndësi ishte se ne si të rinj dhe të reja të Kosovës ishim mbledhur në këtë Lëvizje Studentore me idenë për të shpartalluar tipin e bashkimit që ishte ndërtuar gjatë viteve 1992-1997. Ky ishte tipi i bashkimit dhe i solidarizimit për t’u ndier të dëbuar, të përjashtuar dhe të margjinalizuar. Për të ikur nga një lloj i tillë i bashkimit që na çonte në një izolim të rreptë e ndoshta deri në çmenduri, ne kërkuam një tip të ri të bashkimit. Ky ishte tipi i bashkimit dhe i solidarizimit mbi bazën e idealit dhe bindjeve se ne mund të ja dalim me Serbinë. Para presionit tonë, pushteti fiktiv që mbante LDK ishte para dilemës: të vazhdohej me synimin për vetëruajtje apo të ndërronte kurs për të sakrifikuar diçka në të mirë të shumicës. Edhe pse jo në listën e autorëve të mi më të preferuar, çështja ishte pikërisht siç vëren Fromm, pra: ‘Të kesh apo të jesh’. Kurse ne ishim para dilemës së njëjtë Frommiane, por që për dallim prej LDK-së ne zgjodhëm tendencën e dytë, pra të jesh, e cila e gjeti fuqinë në kushtet e një minimumi të ekzistencës njerëzore sepse njerëzit kërkonin kapërcimin e vetmisë përmes një tipi të bashkimit të ri në mënyrë që t’i rezistohej Serbisë. Fundja, kjo ishte edhe një nevojë biologjike e jona.

Në nuk kërkuam nga Rugova që, siç thotë proverba, t’i ndërrojmë kahun erës, por vetëm t’i përshtatnim velën erës. Në këtë kohë kur e kishim Unionin Evropian më të fortë se sot politikisht, sepse kishte energjitë e fillimit të forcës së integrimeve, kur Rusia ishte më e dobët se kurrë historikisht, kur natyrshëm pritej përkrahja e SHBA-së dhe kur Serbia ishte në defanzivë totale sepse kishte dal e humbur nga luftërat dhe me ekonomi të shkatërruar, ne zgjodhëm mbylljen dhe heshtjen të shoqëruar me patologji mazohiste se ne e kemi vështirë me Serbinë, patologji kjo e rishfaqur disa herë gjatë historisë sonë. Shoqëria jonë kështu krijonte jo liderë, por karikatura liderësh grotesk që realisht i mëshonin antitezës dhe jo tezës së thelbit të problemit. Ose në rastin më të mirë nuk bënin as sintezë. Që të mos e ndjejmë veten në një izolim të tillë e që mos të dukeshim si ato personazhet e dyzuara të Dostojevskit, pra si njerëz të pezulluar në mendime, njerëz që mendojnë tepër, por nuk veprojnë asgjë, ne reaguam duke kërkuar një bashkim të ri për rezistencë ndaj Serbisë.

Lëvizja Studentore e viteve 1997-1999 e nxori Kosovën nga amullia, nga apatia dhe nga një gjendje që për shumëkënd shkonte shpesh afër një bipolariteti psikiatrik. Ne e thyem mitin e pathyeshmërisë së Serbisë në Kosovë. Provokuam debat në shoqëri dhe bota perëndimore na pa sërish. Kështu ne ishim sërish pjesë e gjeopolitikave të perëndimit nga i cili ishim harruar për disa vite. Në kontekst politik dhe të logjikës së ngjarjeve dhe jo në aspektin e ndonjë ndërlidhje thjeshtë mekanike, ne u bëmë urë-lidhëse në mes të Lëvizjes Paqësore dhe Krahut të Luftës. Kjo kulmoj me luftën çlirimtare të UÇK-së qëllimi i së cilës u realizua me bombardimet e NATO-s në vitin 1999.

Mbi simbolikën e kujtimit të 20 vjetorit të protestave të 1 Tetorit 1997 shoh të arsyeshme të bëj një reflektim se ku jemi ne sot si shoqëri. Historikisht më mirë se kurrë. Në historinë 2000 vjeçare të njerëzimit, mrekullia kishte pasur destinimin në Kosovë, pikërisht në vitin 1999. Të gjitha gjeneratat e reja të lindura pas luftës nuk e kanë idenë se çfarë privilegji kishim ne që jetuam periudhën e Millosheviqit dhë intervenimin e NATO-s. Të krishterët i bombarduan të krishterët për një shumicë myslimane, më patë thënë njëherë një diplomat amerikan, natyrisht me dozë humori dhe buzëqeshje kur punoja në Ambasadën Amerikane. Sot shqiptarët në Ballkan për shkak të rrethanave historike nuk jetojnë në një shtet dhe nuk kanë një qendër policentrike për kombin. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që me këto dy shtete dhe me shoqëritë shqiptare përreth nuk mundemi ta zhvillojmë kombin tutje. Fatkeqësisht sot ne jemi ende mbrapa kombeve fqinje konkurruese.

Kosova 18 vite pas çlirimit është në një stagnim të madh politik dhe ekonomik. Ne aktualisht jemi më larg integrimeve evropiane se sa që ishim para një dekade, kurse tani Serbia është më afër këtyre integrimeve. Fillimisht këtu fajin e ka bashkësia ndërkombëtare e cila bëri aq gjatë të zbarkohej në Kosovë sa do të zbarkonte në Mongoli. Gabimi i dytë ishte se e instaluan modelin e demokracisë nga lartë poshtë, d.m.th. organizuan drejtpërdrejtë zgjedhje pa një parapërgatitje gjithëpërfshirëse. Demokracia është më shumë së sa procedurë (zgjedhje). Në një shoqëri pothuajse gjysmë feudale, siç ishim ne kur u bënë zgjedhjet e para, kjo u keqkuptua esencialisht. Kjo demokraci e instaluar nga ndërkombëtarët me aq yrysh prodhoi liderë me prirje autokratike përballë masave më prirje për nënshtrim dhe konformizëm. Rrjedhimisht u krijuan masat nën presionin e lidershipit përderisa në vendet perëndimore lidershipi është nën presionin e masave. Përmes votës së lirë erdhën në pushtet, pa dallim partish, njerëz që në emër të zhvillimit të demokracisë, të liberalizimit të tregut, etj., u korruptuan, zhvatën, vodhën, shkatërruan edhe atë pak ekonomi që kishim dhe në fund, për të mos shkuar në burg, e kapën drejtësinë për të vazhduar të votohen nga kjo ‘demokraci’. Pra, të gjitha qeveritë qendrore e lokale, pa përjashtim, që e kriminalizuan shoqërinë tonë, u krijuan me votë të lirë nga njerëzit që erdhën nga shtofi i këtij populli e që fatkeqësisht kjo shoqëri në vitet e pasluftës nuk ishte dhe nuk është as sot një shoqëri e dijes. Prandaj, duke mos analizuar këto rrethana, ndërkombëtarët iu dhanë dhuratën më të madhe këtyre njerëzve - marrjen e pushtetit me votë të lirë. Kjo ‘demokraci’ vazhdoi t’i votojë me vite këta njerëz derisa të njëjtit mbi parimin se ‘shumica duhet të sundoj’ e katandisën popullin në varfëri të skajshme. Që shumica të mos i shkatërroj institucionet demokratike dhe të shkoj deri në tirani, Karl Popper në ‘The open society and its enemies’ thotë së teoria e demokracisë nuk është e bazuar ekluzivisht në parimin se shumica duhet të sundoj, përkundrazi ka disa rregulla e institucione që kur nis epoka e demokracisë, partitë duhet t’i miratojnë ato rregulla në mënyrë që të mbrojnë demokracinë nga demokracia (pra nga vullneti i shumicës). Shihet sot se sa vështirë është të realizohet Vettingu në Shqipëri sepse nuk u bë në fillim të epokës së demokracisë. Analog me këtë është edhe konstatimi i Fareed Zakaria në ‘The future of freedom’ kur thotë se një shtet p.sh. nuk mund t’i ulë dhe t’i ngritë interesat bankare sipas dëshirës së popullit, prandaj ekziston Banka Qendrore si një institucion i cili nuk është i zgjedhur demokratikisht por që i rregullon interesat bankare pa e pyetur qeverinë.

Tani, në vend që Kosova gradualisht të filloj rotacionin gradual përmes ndonjë lëvizje të rinjsh liberalë në natyrë dhe evropian në veprime (e di që nuk ka, s’mund ta shpikim për momentin) si opsion alternativ ndaj qeverisjeve të këqija, na vjen Lëvizja Vetëvendosje. Që kishte me thënë një mik imi ambasador, ‘on top of this’ na vjen Vetëvendosje si alternativë. Kjo Lëvizje, e cila nuk dallon nga partitë mas luftës që kur nuk fitonin argumentin të sulmonin ashpër. Kjo Lëvizje e cila i godet vetëm instinktet e ulëta të votuesit me mitraloza verbalë dhe realisht nuk ofron përmbajtje (kjo u pa me qeverisjen e gërditshme në Prishtinë ku na ka mbuluar bërlloku). Kjo Lëvizje që praktikon goditje bizantine, dukë shpall armiq të brendshëm e të jashtëm, linçime publike, dhunë ndaj institucioneve dhe dhunë fizike ndaj njerëzve (me vezë e me gaz), kjo Lëvizje e cila në mungesë të zgjidhjeve pragmatike për këtë popull të lodhur i mëshon kartës së nacionalizmit në kohën kur SHBA dhe Brukseli e kanë shumë mërzi me fol për këtë punë për momentin (s’po them se nuk mund të rihapet në vitet në vazhdim si temë apo si opsion, por jo tani), kjo Lëvizje që në mungesë të një oferte që na ofron me Brukselin dhe SHBA-në, jo rrallë e mishëruar në revolucionin bolshevik dhe me praktikat e veprimet neo-staliniste, na largon edhe më shumë nga Perëndimi, Lëvizje kjo që e deligjitimon institucionin e protestës sepse në mini-revolucionet e tyre ndjen atdhedashuri kur polici i bie vëllait dhe kur vëllai policit (sepse qëllimi është evident, ndërrimi i figurave politike në pushtet dhe jo përmirësimi i gjendjes), kjo Lëvizje që luan me zjarrin e salafizmit në Kosovë, kjo Lëvizje që kafshon ambasadoren amerikane dhe që na mbush përplot me anti-serbë në vitin 2017 për të cilët kishim aq nevojë në vitin 1999 (sidomos më qeshet me këta anti-serbët e FER-it brenda VV-së që tekstin e një nga këngët e Dervish Shaqës nuk e kanë njohur kur janë bashkuar me VV). Është pra kjo një Lëvizje e cila fjalorin e urrejtjes dhe të dhunës shpesh i ka shndërruar në identitet.

Shtrohet pyetja, si erdhi puna që alternativa e qeverisjeve të këqija është një Lëvizje si kjo VV e sotshme? E thjeshtë, sepse dukë u votuar ‘demokratikisht’ të gjitha qeveritë e mëparshme në cilindo nivel që ata qeverisën, e shndërruan demokracinë në autokraci e në raste të caktuara edhe deri në tirani. Ata e përjashtuan një pjesë të popullit nga qeverisja dhe qeverisën vetëm me një pjesë të popullit (klientelë) dhe kështu krijuan antagonizma mes popullit që tani po ju kthehet në bumerang. Por, jo vetëm pjesa e popullit që e përjashtuan nga qeverisja dhe e drejta e barabartë në të mirën publike, por edhe populli që i votoi tani u çudit dhe pyeti, a kjo qenka demokracia që na servirën ndërkombëtarët që nga paslufta? Shumë prej tyre u pyetën: si ka mundësi unë militova pas grupit, grupi pas qendrës, qendra pas partisë, partia pas liderit e lideri vetëm për prapanicën e vet? Prandaj në ndërkohë, u bënë bashkë disa njerëz që kanë qenë fillimisht idealist dhe kanë pasur ëndrra për këtë vend së bashku me shumë të rinj të cilët duke mos pasur as pjekurinë, as përvojën politike dhe duke qenë të dëshpëruar përpiqen të arrijnë të pamundurën me ndihmën e forcës. Natyrisht që më mprehtësinë që ka Albini e shfrytëzoi në mënyrë brilante këtë situatë, jo për të përmirësuar gjendjen, por për përkthim të situatës në vota. Kështu ai i krijoi grupet e vogla revolucionare të cilat godisnin me dhunë dhe shkatërrim dhe në konsistencë duke mos e kuptuar se në një të ardhme të afërt mund ta fuqizojnë tendencën e përgjithshme drejt dhunës dhe veprimeve shkatërrimtare për Kosovën.

20 vite pas protestave të 1 Tetorit 1997, ne kemi dështuar të krijojmë një shoqëri të dijes dhe si pasojë hajgarellëku dhe pallavrat që serviren nga partitë politike në formë të ofertave programore ende akceptohen nga një pjesë e mirë e shoqërisë. Rrjedhimisht, Kosova sot gjendet në njërën anë në mes të partive që qeverisën e që të gjitha qeverisjet e tyre në nivel qendror e lokal përfaqësojnë anën anakronike, të prapambetur dhe feudale të shoqërisë, të mbushur me korrupsion, hajni dhe dhunë, shto këtu edhe kulturën e kapitalit politik të LDK-së të ndërtuar mbi arkivole e mbi të vdekur, dhe në anën tjetër me Lëvizjen Vetëvendosje e cila kritikon por nuk lë rrugë ndërtuese ose e ka të keqe. Në fakt, kura që LVV propozon shumë shpesh është më e keqe se vet sëmundja. Ne tani jemi në një paradhomë të një kaosi përmasash më të gjëra ku korrupsioni galopant, në njërën anë, dhe antiamerikanizmi potencial në anën tjetër, janë kriza që në vitet në vazhdim mund të shfaqën si gjithëpërfshirëse dhe ciklike, e këto të dyja së bashku e rrezikojnë shtetin e Kosovës edhe qenien tonë.

Shtrohet pyetja, pse bash në situata të volitshme kur na përkëdhel historia‘e dhiejmë punën’, siç thoshte Ambasadorja Jackobson. E shoh me shumë dhimbje se si ne vazhdojmë ta torturojmë veten me dobësitë tona të vjetra që na kanë kushtuar keq gjatë historisë. Ne pra jemi shndërruar në një shoqëri ku egoizmi për pushtet është bërë rregull dhe solidariteti për qëllime më të larta përjashtim. Rrjedhimisht, nevoja për bashkim rreth solidarizimit për të zhvilluar vendin mbizotërohet nga egoja për të zotëruar, dukuri kjo mbi të cilën kërkohet bashkimi. Në jemi shndërruar në një shoqëri parimet e së cilës janë mënyra për të zhvatur, vjedhur dhe shantazhuar. Si pasojë, sot kemi llojin e karakterit të politikanit që është i etur për të zotëruar, dhe në momentin kur ky karakter u etablua mirë, tanimë shumë të tjerë nuk dëshirojnë të mbesin autsajderë ose të lënë anash. Të gjithë shprehin nevojën e bashkimit rreth egos për të zotëruar. Me ‘të gjithë’ po i referohem paketës që i shoqëron këta politikanë e cila përbëhet nga klientela e tyre, d.m.th. militantët partiakë ku dikush nga idiotësia e dikush nga interesat e përfitimeve jolegale vrapon mbrapa kësaj kategorie politikanësh degjenerikë dhe po ju referohem ‘prurjeve të reja’ (oportunistë dhe renegatë politikë) e deri te analistët pa biografi e me vulë të injorantit që dinë vetëm të kakarisin në media sikur pulës kur i vjen me bë vezën te ai vendi poshtë.

Pse në sot jemi në këtë gjendje, dikush mund të kërkoj edhe arsyetimet në histori. E vërteta është që ne, shoqëritë shqiptare, vuajmë nga e njëjta klinikë - probleme të njëjta që burim kanë karakterin gjysmë-feudal të shoqërive tona. Kaluam më pak kohë me Romakët e shumë më shumë me Bizantin, Perandorinë Otomane e deri te komunizmi i egër që na erdhi nga BRSS dhe kjo na bën më shumë orient se sa oksident. Pra, në luftën tonë në mes të dritës dhe errësirës, përparimit dhe prapambetjes, krijimit dhe shkatërrimit, të ardhmes dhe të shkuarës, siç shkruante Krist Maloki te ‘Hylli i Dritës’ më 1937, ‘ne zgjedhim orientalin që për kënaqjen e menjëhershme të dëshirave për pushtet është i gatshëm për gjithçka dhe rrëmben çdo flamur ideologjik. Të njëjtin fat e patën edhe fqinjët tanë, por siç konstaton Stavro Skendi në “The Albanian National Awakening”, nën Perandorinë Otomane, ata (fqinjët tanë) patën një zhvillim kulturor 100 vjeçar para se të pavarësoheshin e që ishte një avantazh për ngritjen e shteteve të tyre, ndërsa neve na u lejuan shkollat në gjuhën shqipe kur Perandoria Otomane po bënte ‘exit strategy’ nga Ballkani. Shto kësaj faktin që nga Perandoria dolëm me tri fe nuk ishte fare avantazh për kombin por për këtë në një shkrim tjetër. Krejt në fund dhe brenda këtij konteksti më pëlqen konstatimi i Mishel Fukos se ontologjia kritike e vetes tonë nuk duhet konsideruar vetëm si një teori ose doktrinë, por kritika e asaj se çfarë ne jemi është njëherazi edhe analiza historike e asaj që na është imponuar si dhe njëkohësisht një eksperiment me mundësi të shkuarjes përtej saj. Nëse Kosova ka prodhuar Hasan Prishtinën, Nexhmie Pagarushën, Fadil Vokrrin, Rita Orën, Majlinda Kelmendin, Shkëlzen Dolin, Ramë Lahajn e shumë e shumë të tjerë, dhe kur Serbia e mbështjellë historikisht me dhunë e terror mund të prodhoj një Çedo Jovanoviq, ne mbesim me shpresë që subjekti ma i madh politik që po rri në shtëpi (s’po voton në zgjedhjet në Kosovë) në të ardhmen do të prodhojë lidership politik esencialisht liberal dhe evropian. Ne na duhet një dashuri më e madhe për vendin sikur ato këngët e viteve të para të U2-së që kanë pasur një qasje platonike për dashurinë e askush më mirë se Faik Konica nuk e përshkruan këtë kur thoshte: ‘përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj’. Kosovës i nevojitet një valvulë. Definitivisht na duhet diçka më ‘genuine’.

Ky shkrim ju dedikohet të gjithë studentëve të Universitetit të Prishtinës të rënë dëshmorë në luftën e fundit të viteve 1998-1999.

Ardian Kastrati

(autori është ish-Anëtar i Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1997-1999 dhe mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Toni N Kastrati02/10/2017 09:57

Annoying good . Bravo

Hasani02/10/2017 09:59

20 vite nga protesta e 1 Tetorit, 1997 - ku ishim dhe ku jemi,vaj vatani e mjer mileti!

Shto koment