Jo pagesës për Rrugën e Kombit nëpër Shqipëri

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 30 shtator 2017 08:45

Pjesa e Rrugës së Kombit që kalon nëpër territorin e Shqipërisë nuk ka asnjë logjikë që tash për tash të bëhet me pagesë. Kjo, mes të tjerash, se nuk ekziston edhe një rrugë alternative, e cila do të mundësonte rrugëtimin nga Kukësi në Milot për ata udhëtarë të cilët nuk do të dëshironin të paguanin për rrugë, dhe si e tillë vetëm sa do të bëhej pengesë e komunikimit të shqiptarëve nga Kosova dhe Shqipëria.

NË VEND SE të shkojë duke u lehtësuar, çështja e udhëtimit të një qytetari të Kosovës jashtë vendit vetëm sa po vjen duke u vështirësuar dhe komplikuar. Dhe këtu e kësaj radhe fare nuk ka të bëjë me problemin më të madh të kosovarëve momentalisht, duke qenë të vetmit në Evropë pa liberalizim të vizave, por edhe më thjesht – qarkullimin në vendet e rajonit, e madje edhe vetë Shqipërinë.

Lajmi se nga dhjetori do të fillojë pagesa prej rreth 5 eurosh në një drejtim për qarkullimin nëpër pjesën e Shqipërisë të Rrugës së Kombit, vetëm sa i shton edhe një shtresë izolimit të udhëtarëve e ngasësve nga Kosova, përveç mungesës së Kartonit të Gjelbër, pagesës së sigurimit TPL Plus për Shqipëri, Maqedoni e Serbi, si dhe pagesës së sigurimit dyjavor për Mal të Zi.

Dhe është e çuditshme se si paralajmërimi i kësaj pagese për autostradë nuk u problematizua fare në masën që do të duhej as në Kosovë e as në Shqipëri.

PJESA E RRUGËS së Kombit që kalon nëpër territorin e Shqipërisë nuk ka asnjë logjikë që tash për tash të bëhet me pagesë. Kjo për faktin se nuk ekziston edhe një rrugë tjetër, alternative, e cila do të mundësonte rrugëtimin nga Kukësi në Milot nga ata udhëtarë të cilët nuk do të dëshironin të paguanin për rrugë.

Qasja në rrugë është e drejtë themelore e njeriut. Autostradat përgjithësisht në Evropë janë rrugë shtesë, kryesisht të menduara si rrugë luksi, për ata ngasës e udhëtarë, të cilët dëshirojnë të arrijnë më shpejt nga pika A në pikën B dhe për këtë janë të gatshëm të paguajnë.

Por autostrada nuk mund të mbetet asnjëherë si rruga e vetme në dispozicion të qarkullimit të automjeteve. Meqë nëse dikush nuk dëshiron ta përdorë “rrugën luksoze”, do të duhej të ketë gjithsesi në dispozicion një rrugë tjetër të hapur, pa pengesa dhe pa pagesë.

Fatkeqësisht, siç duhet, me realizimin e projektit madhor dhe aq të nevojshëm të autostradës, të quajtur Rruga e Kombit, është prishur rruga e vjetër ekzistuese, e cila do të duhej të mbetej si mundësi zgjidhjeje për ata që nuk duan ta përdorin autostradën.

Aq më tepër që Rruga e Kombit ka edhe funksionin shumë të rëndësishëm e të veçantë - atë të lidhjes së shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë. Me futjen e pagesës, prej rreth 5 eurosh në një drejtim, dhe në pamundësi për të përdorur një rrugë tjetër, kjo rrugë e cila sapo filloi t’i bashkojë shqiptarët, ashtu mund t’i kthejë sërish disa hapa prapa.

TË KUPTOHEMI, askush nuk mund të pretendojë se autostrada, qoftë kjo edhe Rruga e Kombit, do të duhej të ishte gjithmonë pa pagesë. Mirëpo, para se të fillonte të zbatohej pagesa, së pari do të duhej të sigurohej edhe qasja në një rrugë alternative, pa pagesë, siç është edhe standardi ndërkombëtar.

Për shembull, për dallim nga pjesa e Shqipërisë, Rruga e Kombit që kalon nëpër territorin e Kosovës ka edhe disa rrugë alternative, të cilat mund të përdoren për të arritur nga secili rajon i Kosovës në kufirin e Shqipërisë, nëse dikush zgjedh të mos kalojë nëpër autostradë.

Së këndejmi, do të ishte edhe më e kuptueshme nëse do të aplikohej tarifë për shfrytëzim autostrade nga pjesa kosovare, meqë kush nuk do të dëshironte të paguante mund të zgjidhte rrugën alternative.

Aksi prej rreth 100 kilometrash nga Kukësi në Milot hëpërhë nuk ka alternativë dhe për këtë do të duhej ose të ishte pa pagesë derisa të krijohej rruga alternative.

Dhe mbi të gjitha, nëse Tirana zyrtare nuk e ka marrë parasysh shumë çështjen e mosofrimit të rrugës alternative pa pagesë për kosovarët, mbase së paku do të duhej të llogariste edhe ndikimin ekonomik sa i përket pjesës së turizmit.

Nëse për secilën veturë nga Kosova për vajtje-ardhje nga Shqipëria shtohen nga 10 euro taksë rrugore, atëherë te disa edhe mund të ndikojë që të mos udhëtojnë fare.

TASH LLOGARITENI se sa i kushton një udhëtari nga Kosova një udhëtim jashtë vendit.

E para, nëse i duhet vizë, personalisht i duhet të ndajë prej 35 deri në 60 euro për pagesën e vizës, pa llogaritur shpenzimet e tjera që mund t’i dalin gjatë procesit të kompletimit të aplikacionit, përfshirë këtu edhe sigurimin shëndetësor në udhëtim.

E dyta, nëse udhëton me automjet në tri vende me të cilat kufizohet, i duhet së paku 35 euro sigurim TPL Plus, kurse për të katërtin, Malin e Zi, 15 euro.

E treta, nëse ia mësyn Greqisë, do t’i paguajë rreth 180 euro sigurim automjeti, Karton i Gjelbër, për vetëm një muaj; ngjashëm edhe me vendet e tjera, si Kroacia, Hungaria, Italia etj. Një opsion më i lirë është nëse dëshiron të shkojë në Bullgari, ku paguan rreth 60 euro për një muaj.

Dhe e katërta, si qershia mbi tortë, me taksën e Rrugës së Kombit, tash i duhet t’i ndajë edhe 10 euro shtesë, nëse dëshiron ta vizitojë Tiranën ose bregdetin shqiptar.

Mirë po na shkojnë punët, për besë (sic!).

Liri, barazi gjithandej!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Bilalli03/10/2017 14:46

pagesa duhet te behet sa me shpejt,aq me mire nese duam rruge cilesore dhe pa gropa dhe plot shenja te komunikacionit dhe incidente sa me pak

Alba02/10/2017 09:57

O Adriatik kudo ne bote i ke rrugrt me pagese..cka kujton si duhet shteti me i mirembajt rruget...ai qe ka nje kerr e ja msyn me dal me dal jasht shtetit duhet me i pas edhe 5 deri 10 euro per rruge....mos u mundoni vec cka me mar prej shtetit po mendoni edhe cka me dhon....kushte po lypni ama me pagu uu dhem dora....bile edhe ktu ne kosove po gabin shteti qensi ben rruget e reja me pagese.....keshtu ndertohet shteti.....analizojini mire artikujt para se me i publiku...

ali pashe tepelena02/10/2017 10:05

e vertet, duhet te kete rruge alternative por nuk ka! rruget dikush duhet te kujdeset! per tu kejdese duhet leke pra keta leke dikush duhet pagu apo? ne slloveni neqoftese hyn ne kufi nga maribori duhesh te blej nje vinjet qe kushto 15 Euro per nje kohe te shkurte pra per te dale prap 15 euro dhe askush nuk ankohet! neper kroaci gjithashtu paguan cdo gje, nuk kuptoj pse ankohen per rrugen e kombit? nqoftese paguaj per disa KM. ne slloveni pse mos te paguaj rrugen tone aqe shume te pritur? ne kosove dhe shqiperi duhet te paguhet nje sume nga 40-50 euro qe do te vlente per nje vjet. kja do te ishte e drejte kurse ne nga "dispora" me se paku 70-80 euro, keshtu tregohet patriotizmi e jo duke ankuar per cdo gje, patriotizmi me "shigjuk" caj rusi e me qifteli ne dore ka kaluar pra eshte nje histori.

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi