Vendi që do të bëhet Evropë, Palestinë dhe klient i Rusisë

Veton Surroi Veton Surroi 29 shtator 2017 08:07

Në mungesë të politikës, riciklohet ideja e anëtarësimit në UNESCO. Çfarëdo që të jetë rezultati, do të jetë i dobët për Kosovën.

1.

Politika e jashtme e Kosovës po përpiqet njëkohësisht ta bëjë vendin me "perspektivë euroatlantike", t'i ngjasojë Palestinës dhe të jetë përfaqësuese e interesave të Rusisë në regjion, Evropë e botë. Kjo gjë mund të lexohet fare lehtë nga pozicionimet e forcave politike dhe të funksionarëve kryesorë të pushtetit në vend. Qeveria e re e Kosovës, në fakt, vazhdon të përsërisë atë që kanë bërë Qeveritë e përparme: që kryeministri t'u thotë ambasadorëve të BE-së se dëshiron të shpejtojë rrugën e integrimit në BE, që shefi i diplomacisë së bashku me presidentin e vendit të deklarojnë se vendi dëshiron të anëtarësohet në UNESCO, ndërsa që një anëtar i rëndësishëm i koalicionit t'i falënderohet Rusisë për mbështetje kundër shtetësisë së Kosovës.

Mirëserdhët në leksionin e ardhshëm të asaj që quhet politikë e jashtme e Kosovës (e që nuk është politikë, nuk është e jashtme dhe nuk është e Kosovës).

2.

Prej vitit 2010 e këndej, Qeveria e Kosovës ia ka dorëzuar njërin timon të politikës së vet të jashtme Serbisë. Pas Mendimit pozitiv të GJND-së për shpalljen e Pavarësisë së vendit, kryeministri i atëhershëm Thaçi, koincidentalisht me botimin e raportit të Dick Martyt, që e quan atë si kreu i një kupole të krimit të organizuar, pranoi që të bisedojë me Serbinë për rirregullimin e brendshëm të Kosovës. Për më tepër, për ta bërë këtë, duhej të pranonte se ishin të barasvlefshme shpallja e Pavarësisë së Kosovës (e sapopërkrahur nga GJND-ja) dhe mohimi i së drejtës që Kosova të shpallë Pavarësinë.

Prej fillimit të "bisedimeve teknike", çdo gjë që ka të bëjë me politikën e jashtme të Kosovës ka të bëjë edhe me kutin e bisedimeve me Serbinë. Nëse nuk ka progres në "dialog" me Serbinë, nuk ka progres në njohje ndërkombëtare të Kosovës, integrim të Kosovës në BE, integrim në NATO, integrim në Interpol e organizata të tjera. Natyrisht, jo se jo, integrim në OKB.

Pushteti i Kosovës arriti që më 2010 ta kthejë prapa, nga një rrjedhë historike që kishte filluar më 1945, kur pas aneksimit të dhunshëm të Kosovës në Serbi, çdo garniturë shqiptare në pushtet kishte negociuar largimin e ndikimit të Serbisë në Kosovë, duke arritur kulmin më 2007, në negociatat e ndërmjetësuara nga presidenti Ahtisaari. Prej vitit 2010 e deri më sot, negociatat janë zhvilluar për të kthyer dhe institucionalizuar ndikimin e Serbisë në Kosovë. Qenë negociata për timonin e dytë të kësaj veture që quhet Kosovë.

3.

Më 2017 nuk ka ndryshuar gjë në politikë të jashtme, pos përbërjes së Qeverisë. Kapaciteti shantazhues i Serbisë është i njëjtë, dhe këtë e ka pranuar Qeveria e vendit, duke pranuar ta fusë në agjendën e vet qeveritare themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit, që do të ishte një goditje e drejtpërdrejtë Kushtetutës së vendit. Po të mos ishte në agjendë qeverisëse themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, kjo Qeveri nuk do të mundë të mbahej as një ditë të vetme, ngase atë e mbajnë votat e Listës Serbe. E kreu i Listës Serbe zhvillon një politikë të jashtme, që është edhe e Kosovës, kur falënderon Rusinë për përkrahjen që i jep politikës së mohimit të shtetit të Kosovës.

Dhe, meqë nuk ka ndryshuar gjë në politikë të jashtme, ka riciklim idesh. Sikur në vitin 2015, sërish ka hyrë në opsion iniciativa për aplikim në UNESCO. Kjo iniciativë do të duhej të tregonte se Serbia nuk mund të vendosë për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, gjegjësisht se Kosova është aq shtet, saqë të zhvillojë politikë të vet të jashtme pa shantazh të Serbisë.

Por ky është një mashtrim i rëndomtë politik që del keq çfarëdo që të jetë rezultati. Nëse është si në vitin 2015, kur Kosova nuk arriti të sigurojë as votën e shteteve që e kishin njohur, do të ishte një debakël krejtësisht i panevojshëm diplomatik. E nuk do të ishte as fitore e madhe, edhe po të pranohej në UNESCO. Në rast pranimi, Kosova do të ishte në shoqëri me Palestinën, Ishujt Cook dhe Ishujt Niue. Këto janë shtete që nuk janë anëtare të OKB-së, por janë anëtare të UNESCO-s. Për më tepër, Ishujt Cook dhe Niue - i pari me 21 mijë banorë e i dyti me 1190 sish - janë dy vende sovrane, të cilat të drejtën e përfaqësimit në OKB ia kanë dhënë Zelandës së Re, ndërsa Palestina ka status të shtetit vëzhgues joanëtar. Kosova do të ishte, nga aspekti i relacionit me OKB-në, në nivel më të ulët se Palestina e dy ishujt e Paqësorit, por do të ishte së bashku me ta në UNESCO.

4.

Në konstelacionin e tanishëm qeverisës në Kosovë nuk ka zgjidhje për politikën e jashtme. Brumit të tanishëm politik i është bashkëngjitur ministri i Jashtëm, Pacolli, i cili gjatë mandatit të tij të kaluar prej zëvendëskryeministri arriti të tregojë vendosmërinë që të mos vendoset asnjë kufi i vetëm i konfliktit të interesit. Nëse duhej organizuar grup të rinjsh e të rejash kosovarë për të vallëzuar për Muamer al Gadafin në një tendë të tij në Libi për të fituar tender ndërtimi apo nënshkruar kontrata energjetike në Nigeri, herë si zëvendëskryeministër e herë si përfaqësues kompanie, Behgjet Pacolli ishte në gjendje të tregonte se nuk kishte mundësi kurrfarë që të bëhej ndarje mes interesit të tij privat dhe funksionit të tij publik.

Ekzotikja e pranisë së tij mund të jetë e vlefshme për anekdota, barsoleta e nesër edhe për libra. Por, për politikë të jashtme, ai është pjesë e brumit të njëjtë që mund të prodhojë vetëm bukë të njëjta.

E vetmja gjë që mund të shpresojë vendi rrjedhimisht - pos mandatit të shkurtër - është që të bëhen sa më pak dëme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi