Roli i tezeve në politikën e Beogradit

Enver Robelli Enver Robelli 28 shtator 2017 08:18

Ministri serb i Mbrojtjes ka blerë një banesë të shtrenjtë dhe thotë se paratë ia ka dhuruar një teze nga Kanadaja. Askush nuk i beson Aleksandar Vulinit, por drejtësia serbe rri duarkryq.

Të kesh një teze në Kanada. Një teze të zellshme, e cila punon pandërprerë dhe kursen para – dhe përherë është e gatshme të ndihmojë farefisin në atdheun e dikurshëm. Këtë dëshirë e kanë shumë njerëz në Serbi. Si shembull merret ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin. Ai, siç është bërë e ditur javën që shkoi, ka blerë një banesë afër qytetit të vjetër të Beogradit – për gati 250 mijë euro. Kjo është shumë e madhe në Serbi, ku një ministër nuk fiton më shumë se 800 euro në muaj. Si e ka siguruar shumën e parave Vulini për të blerë banesën e tij? Këtë pyetje ia bëjnë vetes shumë njerëz në Serbi. Edhe Agjencia kundër Korrupsionit po interesohet për këtë rast.

Rrjeti i gazetarisë hulumtuese KRIK njoftoi javën që shkoi gjerësisht se si Vulini po kurthohet në kundërthënie. Për blerjen e patundshmërisë ai tha se kishte marrë 205 mijë euro nga një teze në Kanada. Kështu së paku u tha hetuesve të Agjencisë kundër Korrupsionit. Pastaj saktësoi se dama solidare nuk ishte tezja e tij, por teze e gruas së tij.

Vulini dhe tezja në Kanada: ky skandal i fundit në Serbi tregon në mënyre shembullore se si politikanët e nivelit të lartë në Serbi dhe në vende të tjera të Ballkanit janë të paprekshëm kur shkelin ligjet, keqpërdorin pushtetin dhe korruptohen. Pasi Vulin nuk arriti të dëshmojë prejardhjen e parave dhe ngjalli shumë dyshime me disa dokumente me gjasë të falsifikuara, Agjencia kundër Korrupsionit e dorëzoi lëndën në Prokurori. Më parë ishte sqaruar se përmes cilave banka i kishte transferuar paratë në Serbi ajo tezja e famshme. Zyrtarët nuk gjetën gjurmë të dyshimta. Pastaj u verifikua nëse paratë i ka sjellë ndokush fizikisht, përmes pikave kufitare. Edhe këtu hulumtimi ishte i pasuksesshëm. Ligji serb për luftimin e pastrimit të parave thotë se shumat në vlerë prej më shumë se 10 mijë euro duhet të lajmërohen në doganë. Në pyetjen e gazetarëve se si tezja e famshme i ka sjellë paratë në Serbi, Vulin u përgjigj se ai personalisht gjatë udhëtimeve në botën e jashtme i kishte sjellë në Serbi nga 9.000 euro. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ai nuk e ka shkelur ligjin – dhe ndoshta ka shkuar vërtet 23 herë në Kanada për t’i marrë paratë. Por Vulin edhe mund të thotë se paratë janë rritur në saksitë e kopshtit të tij, dhe pastaj shumën sipas marrëveshjes ia kishte transferuar shitësit të banesës, i cili thuhet se jeton në Marbella të Spanjës.

Vulin nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia tani për tani. Dokumentet që e ngarkonin atë përfunduan në një sirtar, dhe atje ndoshta do të ishin zhdukur, nëse nuk do të kishin raportuar mediat e pavarura. Prokuroria me nguti e ka mbyllur lëndën, duke theksuar se gjoja nuk ka dëshmi që ministri është fajtor. Partia e Vulinit, e cila quhet Lëvizja e Socialistëve dhe bashkëqeverisë me Partinë Progresive Serbe (SNS) të kryetarit Aleksandar Vuçiq, e ofendoi kryeredaktorin e rrjetit hulumtues KRIK, duke e quajtur narkoman, i cili urren Serbinë. Kjo deklaratë shumë njerëzve në Serbi ua kujtoi një skenë nga vitet ’90: një gazetar i radiostacionit atëherë të pavarur B92 e pyeti kryeministrin serb, një njeri të besueshëm të diktatorit Sllobodan Millosheviq, mbi disa pasaktësi sa i përket buxhetit. Kryeministri i tha gazetarit se nuk do të përgjigjej në pyetjen e tij, sepse «ju nuk jeni serb».

BE-ja e ka dënuar ofendimin e gazetarit, por në raportet e progresit burokratët e Brukselit janë tepër tolerantë ndaj Qeverisë së Vuçiqit. Prokuroria, sipas politologut Zoran Stojilkoviq, është vija e fundit e mbrojtjes së regjimit. Aty lëndët kundër politikanëve me ndikim vonohen, injorohen dhe manipulohen, tha ai.

Në Qeverinë serbe, 44-vjeçari Vulin njihet si provokator. Ai nuk lë rast pa folur me tone pozitive mbi regjimin e Millosheviqit dhe hedh poshtë çdo faj të Beogradit mbi luftërat e fundit në Jugosllavi. Në vitet ’90 Vulin ka qenë ithtar besnik i Mira Markoviqit, e cila bashkë me burrin e saj Sllobodan Millosheviq e tërhoqi Serbinë në humnerë. Markoviq atëbotë ishte në krye të partisë «E Majta Jugosllave», e cila ishte një makinë për shpërndarjen e posteve për mbështetësit e regjimit.

Kur Vulin u emërua ministër i Mbrojtjes në fund të qershorit, në ambasadat perëndimore në Beograd mbretëroi pakënaqësi. Ky jurist i lindur në Novi Sad konsiderohet adhurues i presidentit rus, Vladimir Putin. Deri në fund të vitit Kremlini planifikon t’i dhurojë Serbisë gjashtë avionë luftarakë të tipit MiG-29, tanke dhe mjete të blinduara. Vulin i ka premtuar Moskës se vendi i tij nuk do të anëtarësohet në NATO.

Aferën e fundit Vulin me gjasë do ta kalojë pa pasoja. Luajaliteti i tij ndaj kryetarit serb Vuçiq është i pafundmë. Para pak javësh ai propozoi që në çdo zyrë të armatës të varet një fotografi e Vuçiqit. Pas protestave të opozitës dhe të mediave të pavarura, Vulin u tërhoq. Vulin, thekson revista “Vreme” në një portret, përherë ka qëndruar në anën e gabueshme të historisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli