OpEd

Gjermania edhe pas zgjedhjeve e drejton BE-në nga e ardhmja

Në një vend tjetër evropian nuk do të shqetësoheshin nëse e djathta ekstreme do të fitonte afro 14 për qind të votave dhe do të dilte e treta. Por në Gjermani këtë e kuptojnë si turp dhe goditje të rëndë. Megjithëkëtë, të gjitha partitë e tjera që mund dhe pritet të hyjnë në koalicionin qeverisës, të udhëhequr nga kancelarja Merkel edhe për një mandat, janë të përkushtuara për ruajtjen e Bashkimit Evropian. Këto zgjedhje, megjithatë, dëshmuan se ekstremistët në Evropë nuk janë shkatërruar ende, se socialdemokratët po vazhdojnë të bien. Por edhe Merkel nuk fitoi aq sa pritej

Evropa nuk shqetësohej shumë në pritje të zgjedhjeve gjermane. Ishin të sigurt se kushdo që të fitojë, kushdo që të formojë Qeverinë, do të vazhdojë përkushtimin e Gjermanisë ndaj BE-së. Natyrisht se nga Evropa partitë e ndryshme u shprehën mbështetje partive simotra që vijnë nga grupet e njëjta partiake. Kështu, nga qendra e djathtë u erdhi mbështetja konservatorëve demokristianë të CDU-së së kancelares Merkel dhe partnerit të tyre bavarez CSU. Nga qendra e majtë mbështetën Socialdemokratët dhe ish-presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Shulz, dhe njëlloj bënë edhe liberalët dhe të gjelbrit për partitë e tyre. Debati që u hap në Kosovë lidhur me zgjedhjet gjermane, sidomos rreth asaj se si Vetëvendosja thirri që të mos votohet e djathta ekstreme dhe shprehi simpati për SPD-në, tregon se si partitë politike, por edhe disa media në Kosovë, janë larg nga emancipimi evropian. Në Evropë sot mbështetja e partive që vijnë nga familjet e ngjashme ideologjike dhe programore nuk kuptohet si përzierje në punë të brendshme, por është diçka e zakonshme. Por kjo duhet bërë gjithmonë në emër të funksioneve partiake e jo atyre shtetërore. Kështu Merkel, sa herë që mbështet partitë e qendrës së djathtë në shtetet e tjera evropiane, e bën këtë gjithmonë në cilësinë e presidentes së CDU-së e jo si kancelare.

Për partitë e Kosovës dhe për Kosovën si shtet është mirë që të gjitha të jenë anëtare të grupimeve të mëdha partiake evropiane. Për fat të keq, vetëm LDK-ja bën pjesë formalisht në grupin e partive të qendrës së djathtë EPP (Partia Popullore Evropiane) dhe është e natyrshme që ajo ta ketë mbështetur CDU-në gjermane. AKR-ja e Behgjet Pacollit, me sa dihet, është ende e lidhur me Liberalët Evropianë, ndërsa Vetëvendosja, me ndihmën e disa pjesëtarëve të SPD-së gjermane, është në përpjekje për t’u lidhur edhe formalisht me Socialistët dhe Demokratët Evropianë, grupimit të dytë më të madh në Evropë nga qendra e majtë. Prandaj ishte e natyrshme edhe simpatia që Vetëvendosja tregoi në prag të zgjedhjeve në Gjermani për SPD-në. Partitë e tjera në Kosovë duket se janë në kërkim të identitetit të tyre, ndërsa formalisht nuk janë pjesë e ndonjë grupi evropian. Sa më të lidhura që të jenë partitë e Kosovës me partitë e ngjashme në Evropë, aq më shumë do të mundë të promovojnë edhe interesat e Kosovës nëpër strukturat evropiane, pa marrë parasysh se a janë në pushtet apo në opozitë. Edhe përmes partive politike hapen dyert e shumta.

Interesat e Kosovës, edhe të kosovarëve, edhe të gjermanëve me prejardhje nga Kosova, do të ruhen nga Qeveria e ardhshme gjermane, e cila në politikën e jashtme do të ketë vazhdimësi, ndërsa ndryshime nuk do të ketë as në qasjen ndaj të huajve që integrohen dhe duan të integrohen. Të gjitha partitë që do të mundë të krijojnë Qeverinë janë të përkushtuara që të vazhdohet kujdesi i Gjermanisë edhe ndaj rajonit të Ballkanit, edhe ndaj Kosovës dhe të mbështetet edhe politika legale e emigrimit, të luftohen emigrimi ilegal dhe kriminaliteti, dhe të ndihmohet integrimi i të huajve që kanë gjetur në mënyrë ligjore strehimin në Gjermani.

Kosova ka pasur mbështetjen e Gjermanisë për një kohë të gjatë, pa marrë parasysh se kush ka qenë në pushtet. Për të ishte angazhuar ministri liberal, Klaus Kinkel, pastaj ndërhyrjen në NATO e bëri koalicioni i majtë i Socialdemokratëve dhe të Gjelbërve, kancelari Shroder dhe ministri i Jashtëm, Fisher, ndërsa njohjen e Pavarësisë e bëri koalicioni i madh i CDU-së dhe SPD-së, kancelarja Merkel dhe ministri Steinmeier. Kjo nuk do të ndryshojë, sepse edhe sot, përfshirë edhe në Parlamentin Evropian, Kosova ka mbështetje të madhe edhe nga të djathtët e qendrës CDU, të majtët e SPD-së, nga Liberalët edhe nga të Gjelbrit. Prandaj nga ky aspekt askush në Kosovë nuk duhet të shqetësohet për rezultatin e zgjedhjeve në Gjermani, por më mirë të merren me punët që vetë Kosova duhet t’i kryejë, e nuk po i bën.

Rezultati i zgjedhjeve, edhe pse jo shqetësues, megjithatë u kuotua si një goditje për forcat demokratike, proevropiane në Gjermani, sidomos për dy partitë më të mëdha që ishin deri tash në koalicionin e madh. Edhe CDU-ja e zonjës Merkel si fituese shënoi rënie të votave. SPD-ja ra në nivelin më të ulët në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore dhe kjo bëri që të përjashtojnë mundësinë e hyrjes në Qeveri, qoftë edhe përmes koalicionit të madh, sepse në të si partner i dytë shënon vetëm rënie. Goditje e rëndë u kuptua hyrja në Bundestag e partisë së ekstremit të djathtë, antiislamike dhe anti-BE, Alternativës për Gjermaninë (AFD). Kjo parti tejkaloi edhe sondazhet dhe doli e treta me afro 14 për qind të votave. Kancelarja Merkel do të duhet tash të lidhë koalicion deri me tash të pashembullt me Liberalët dhe të Gjelbrit. Kjo, për shkak se nuk do t’i dalin votat e CDU/CSU-së dhe Liberalëve dhe duhet të tentojnë t’i marrin të Gjelbrit. Tradicionalisht në Gjermani CDU/CSU ka shkuar me Liberalët, ndërsa SPD-ja me të Gjelbrit, në të kundërtën kanë bërë koalicionin e madh. Ky koalicion i madh është dëshmuar të jetë i mirë për ekonominë gjermane, por edhe për Bashkimin Evropian.

Në një vend tjetër evropian nuk do të shqetësoheshin nëse e djathta ekstreme do të fitonte afro 14 për qind të votave dhe do të dilte e treta. Por në Gjermani këtë e kuptojnë si turp dhe goditje të rëndë. Përkundër kësaj, të gjitha partitë e tjera që mund dhe pritet të hyjnë në koalicionin qeverisës, të udhëhequr nga kancelarja Merkel edhe për një mandat, janë të përkushtuara për ruajtjen e Bashkimit Evropian. Këto zgjedhje, megjithatë, dëshmuan se ekstremistët në Evropë nuk janë shkatërruar ende, se Socialdemokratët po vazhdojnë të bien. Por edhe Merkel nuk fitoi aq sa pritej.

Edhe pse nuk kanë dallim sa i përket domosdoshmërisë së ruajtjes së BE-së, mes partive ka dallime në qasje. Prandaj BE-ja pret të shihet se kush do ta formojë Qeverinë në Gjermani dhe çfarë kompromisesh do të duhej të bëjë kancelarja Merkel. Mes së majtës dhe së djathtës gjermane ka dallim sa u përket masave shtrënguese financiare. Konservatorët duan të kursehet, ndërsa të majtët që të investohet më shumë. BE-ja ka problem me Gjermaninë, e cila nuk është edhe shtet aq i disiplinuar evropian sa mendohet. Edhe Gjermania është në shkelje të rregullave makroekonomike të BE-së, sepse ka për një periudhë të gjatë suficit buxhetor. Pra, këtij shteti i shkon aq mirë, saqë i teprojnë me dhjetëra miliarda euro në vit. Dhe ky është problem, sepse në të njëjtën periudhë kur gjermanët kursenin, pjesa tjetër e BE-së ishte në krizë financiare. Të Gjelbrit me siguri do të kërkojnë një politikë më të fortë të ruajtjes së mjedisit. Kjo nuk do të jetë e lehtë për industrinë gjermane, përfshirë edhe atë të veturave, që u zu duke mashtruar rreth nivelit të ndotjes së ambientit. Pra, ka gjëra që edhe në Gjermani duhet të rregullohen dhe ku ky shtet duhet t’i prijë tërë BE-së dhe më gjerë.

Nga reagimet e para nga Brukseli ishte e qartë se kënaqësi më të madhe patën të Gjelbrit dhe Liberalët. Liderët e këtyre dy grupeve ishin të parët që përshëndeten rezultatin e zgjedhjeve. Shprehën kënaqësi se partitë e tyre, Të Gjelbrit dhe Liberalët, shënuan rritje, ndërsa për rritjen e mbështetjes për ekstremistët e djathtë fajësuan dy partitë e mëdha, të cilat ishin deri tash në pushtet. Liberalët dhe të Gjelbrit evropianë presin që në Gjermani të krijohet koalicioni “Xhamajka” (kombinim i tri ngjyrave të tri partive; zi, gjelbër dhe verdhë sikur flamuri i këtij shteti të vogël) dhe përmes këtyre dy partive në Qeverinë e ardhshme Gjermane të zgjasin ndikimin e tyre edhe në politikën evropiane. Në këtë mënyrë do të sigurohet stabiliteti i BE-së, sepse edhe SPD-ja në opozitë do të vazhdojë me politikën proevropiane. Ky gjithsesi është një lajm lehtësues për tërë Evropën.