Borxhi

Flaka Surroi Flaka Surroi 26 shtator 2017 08:00

As mbajtja e mbledhjeve 24 orë në ditë e as dalja e përditshme në televizion për të shpjeguar se sa shumë punë ka për të bërë në Kosovë, nuk mund ta zgjidhin situatën në të cilën jetojmë. Sepse kaosin e ndërtuar me vite nuk mund ta zhbëjnë ata që e kanë krijuar. Sepse po të kishte pasur dije, sundim të ligjit dhe dashuri të vërtetë për këtë vend, njerëzit që e kanë udhëhequr Kosovën në këta 18 vjet nuk do të ishin ulur në kolltukët vendimmarrës me pretendimin se u kemi borxh

Dje zyrtarisht nisi vjeshta. Zakonisht për pranverën thuhet se është stina e tronditjeve dhe paralajmëruese e ndryshimeve. Por duket se kësaj radhe, e gjasat janë jo të vogla, edhe vjeshta do të sjellë së paku paralajmërimin e ndryshimeve që mbase do të sjellin kthesë në jetën jo vetëm politike në Kosovë.

Dhe nuk po e them këtë për shkak të rezultateve eventuale që do të mundë t’i arrijë Qeveria Haradinaj 2, që e ka nisur mandatin me mbledhje të dielave e pasditeve dhe vizitave në terren. Sado energjik që do që të dëshmohet Haradinaj me veprimet e tij të para, tashmë e kemi folur çështjen e Qeverisë të cilën e udhëheq: është vendosur mbi këmbët e qelqta dhe është e varur drejtpërsëdrejti nga Lista Srpska.

E nisi me disa vendime të shpejta; urdhëroi që asetet shtetërore të mos (keq)përdoreshin nga partitë për fushatën e zgjedhjeve komunale; urdhëroi blerjen e telefonave të rinj për stafin qeveritar që mund ta zërë një kompozicion jo të vogël treni; shkoi dy herë në QKUK dhe merr pjesë aktivisht në fushatën zgjedhore; takoi ambasadorët e huaj; e anuloi kandidimin e Kosovës për anëtarësim në Interpol dhe nuk shkoi në New York në punimet vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pra, nuk do të mohojmë se energji ka sa të duash dhe se nuk përton të prononcohet zëshëm si në mbledhje të Qeverisë, ashtu edhe në takime të tjera – porse problemi vazhdon të mbetet vetë Qeveria që e udhëheq, si dhe koalicioni që e mban atë në pushtet.

Gjyqësia

Pas paraqitjes së programit të vet qeverisës dhe miratimit nga Qeveria, ka premtuar se ai do të dalë në diskutim publik. Se a do të jetë kështu, mbetet të shohim. Porse plani qeverisës tashmë është miratuar dhe si i tillë mund të ndryshohet vetëm nga ekzekutivi.

Është zotuar se do të merret me shpejtësi me problemet kyç: demarkacionin, Zajednicën dhe ushtrinë. Ka folur edhe për nevojën e luftimit të krimit dhe të korrupsionit. Ka premtuar shumë gjëra, porse problemi qëndron se ka premtuar se do të merret me zgjidhjen e telasheve të cilave u ka kontribuuar edhe ai vetë që të shfaqen në shoqërinë e Kosovës. Madje, problemet janë aq të thella, saqë është shumë vështirë e besueshme se ata që ndihen rehat në kaosin e krijuar të kenë interes që ky kaos të zgjidhet.

Tashmë shumë herë e përsëritur është çështja e gjyqësisë. Pardje u shfaq një moment i ri: Gjykata Supreme mori rolin e Gjykatës Kushtetuese. Dha interpretim se Ligji i zgjedhjeve ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe prishi vendimin për decertifikimin e Zafir Berishës, kandidat për kryetar të Prizrenit nga NISMA. Me gjasë rrugën për një vendim të këtillë e trasoi Kushtetuesja, që veproi si Gjykatë e shkallës së katërt (që nuk ekziston as në Kushtetutë e as në ligj) kur kishte vendosur ta kthente në rigjykim rastin e Bajrush Xhemajlit para disa vjetësh. Pra, në praktikën juridike të këtij vendi u instalua e drejta e secilit që jepte interpretimin për çkado, kurdo dhe sido.

Një ditë më vonë, në gjykimin e aktivistëve të VV-së, të akuzuar për terrorizëm, doli në pah një provë e prezantuar nga Prokuroria, një analizë e FBI-së amerikanë që thoshte se imazhet e kamerave që kishin xhiruar sulmuesit e ndërtesës së Kuvendit nuk u përshtateshin figurave të atyre që ishin të akuzuar. Skandalozja në këtë rast është se ai raport kishte qenë në sirtarët e Prokurorisë nga prilli i sivjetmë, dhe nuk ishte paraqitur si provë. Sipas deklaratës së avokatit mbrojtës, del se edhe kjo provë dëshmonte se të akuzuarit e kishin gjetur veten në proces pa të drejtë. Por më e keqja vazhdon të mbetet fakti i vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit në Qendrën e paraburgimit në Prizren – pasojë e drejtpërdrejtë e këtij arrestimi.

Në kushtet kur gjyqësia çalon shumë, shumë; në kushtet e politizimit të skajshëm të gjyqësisë; në kushtet kur është ushqyer me vite të tëra një gjyqësi e keqe dhe joproduktive që merr vite për të zgjidhur (nëse e zgjidh) një rast; në kushtet kur provat mund të rrinë në prokurori me muaj, kurse gjykimi kundër ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit mbahet i mbyllur për opinionin – nuk mund të pretendosh se mund ta luftosh krimin. Sepse sinqerisht, po qe se u hyjmë lëndëve në gjykata, më shumë do të shohim lëndë që kanë të bëjnë me akuza politike e raste mbase të montuara, se që është zënë dikush apo është dënuar dikush për keqpërdorimin e detyrës dhe fondeve publike.

Shëndetësia

Në dy javët e fundit është folur për katër apo pesë vdekje të dyshimta në QKUK, që mund të jenë pasojë e neglizhencës profesionale, por edhe e trajtimit joadekuat me gazra të furnizuara nga një kompani e palicencuar për këso punësh. Për më tepër, flitet se ka edhe më shumë kompani që importojnë këso gazrash e që njësoj janë të palicencuara. Dhe në vend se prokurori menjëherë ta merrte në pyetje pronarin e kompanisë importuese, ish-ministrin e Shëndetësisë, e në veçanti shefin e QKUK-së, ajo që ndodh është se futet në lojë Inspektorati Shëndetësor dhe i bëhen vizita sporadike institucionit nga politikanët.

Dhe në vend se Curr Gjocaj të jepte dorëheqjen, bile për shkaqe morale, pavarësisht nëse është ose jo përgjegjës për këto raste, luhet me deklarata të stilit: po qe se Gjocaj është zgjedhur nga një Bord jolegjitim, ai do të shkarkohet nga posti. Do të kujtojmë se Gjocaj është “daja” i shefit të shefave për të cilin, në përgjimet “Pronto”, ishte dëshmuar se kërkohej një akomodim, pra një vend pune, për shkak se “kishte mbetur keq”. Tash do të kujtojmë se Qeverinë e kaluar e kanë bërë ministrat e LDK-së dhe PDK-së: pra nëse paska qenë Bordi jolegjitim, atëherë përse nuk ishte reaguar me kohë dhe anuluar rizgjedhja e Gjocajt -- por ajo vjen në pah tash, pasi që vdiqën pesë veta në QKUK. Fakti se ministri i ri nuk është marrë me politikë qeveritare më herët nuk e amniston: ka qenë nënkryetar i PDK-së në kohën kur Gjocaj, pra njeriu i PDK-së, është rizgjedhur drejtor i institucionit më të madh shëndetësor në vend.

Problemi në shëndetësi nuk do të zgjidhet me vizita të kohëpaskohshme në QKUK, e as nuk do të zgjidhet me shkarkimin eventual të Gjocajt. Do të zgjidhet kur të ndalet vjedhja e barnave; kur të ndalet keqpërdorimi me tenderët e mirëmbajtjes dhe të materialeve të nevojshme për këtë sektor; kur të dënohen ata që kanë bërë operacione kot me stenta dhe kur përfundimisht të bëhet një prerje shumë e qartë ndërmjet punës në sektorin publik dhe atij privat. Problemi në shëndetësi nuk do të zgjidhet edhe me obligimin e pagesës së sigurimeve të detyrueshme shëndetësore, sepse pos që me këtë veprim do t’u zvogëlohen rrogat të punësuarve, nuk do të ketë asnjë garanci se do ta marrin shërbimin adekuat, për shkak se paratë do të shkojnë sërish vetëm në sektorin publik, edhe nëse shërbimi nuk ofrohet.

E kjo situatë në shëndetësi nuk është krijuar rastësisht. Janë të mëdha 70 a sa milionët që buxheti i ndan për këtë dikaster, prej të cilëve një zot e di sa humbin rrugës dhe sa mbarojnë në arkat e klinikave private nëpër Maqedoni a Turqi – për shkak të memorandumeve të mirëkuptimit që janë lidhur me to.

Arsimi

Ka shumë vjet që nuk miratohet Ligji për arsimin sipëror në Kosovë, dhe si shkojnë punët zor se do të kalojë edhe kësaj radhe. Për shkak se intenca për ta vënë nën juridiksionin e Ministrisë së Arsimit edhe Universitetin e Mitrovicës do të jetë vendi kur sharra do të hasë në gozhdë: edhe Universiteti është në kombinim me zgjidhjen e autonomisë për serbët që e ka nënshkruar Thaçi e që e ka përkrahur edhe partia e Haradinajt.

Shumë universitetet publike që i ka Kosova nuk po prodhojnë kuadër cilësor. Për pasojë, një pjesë e këtyre kuadrove shndërrohen në mësimdhënës të dobët nëpër shkolla fillore e të mesme, prandaj edhe rezultatet në PISA na dalin ashtu çfarë dalin. Fakt është se institucionet arsimore që financohen nga buxheti i ka bërë ato vend shumë të përshtatshëm për punësimin e militantëve partiakë, e jo të profesionistëve të vërtetë që e duan dhe e kultivojnë profesionin e tyre.

Për partitë që e kanë mbajtur pushtetin edhe ky sektor ka pasur rëndësi tjetër: tenderët për ndërtimin e shkollave; prodhimin e librave shkollorë të cilësisë së dyshimtë; blerjen e pajisjeve të shtrenjta dhe të paefektshme shkollore, ka qenë burim i mirë i të ardhurave. Por çka është më me rëndësi, pos që ka siguruar numër jo të vogël votash, ka siguruar edhe kontroll nëpër vendvotime – sepse dihet që shefat e vendvotimeve janë kryesisht drejtorët e shkollave, të emëruar, sërish kryesisht, mbi baza politike.

* * *

Këtu u përmendën vetëm tri nga çështjet e mëdha të cilat asnjëherë nuk do të zgjidhen me deklarata politike. Ashtu siç nuk do të zgjidhen as çështja e përqindjes që kërkohet nga investitorët e huaj që na ikin prej këtu duke thënë “se kushtet juridike për punë janë të pazgjidhura”; as çështja e ndotjes së ambientit dhe dhënies së lejeve për eksploatim zhavorri, lumenjsh, grykash për hidrocentrale kot që e prishin mjedisin; as çështja e mungesës së idesë së zhvillimit të turizmit apo mbrojtjes së trashëgimisë kulturore e historike; as mungesa e stadiumeve dhe e sallave të sportit që i plotësojnë standardet ndërkombëtare; as çështja e zhvillimit të bujqësisë dhe e prodhimit të ushqimit në vend; as çështja e evazionit fiskal..., e shumë e shumë çështje të tjera që në këtë vend shkojnë keq e më keq. Për shkak se që nga starti janë vendosur mbrapsht. Për shkak se ashtu u ka konvenuar atyre që e kanë bërë këtë Kosovë kështu të mjerë çfarë është.

As mbajtja e mbledhjeve 24 orë në ditë e as dalja e përditshme në televizion për të shpjeguar se sa shumë punë ka për të bërë në Kosovë, nuk mund ta zgjidhin situatën në të cilën jetojmë. Sepse kaosin e ndërtuar me vite nuk mund ta zhbëjnë ata që e kanë krijuar. Sepse po të kishte pasur dije, sundim të ligjit dhe dashuri të vërtetë për këtë vend, njerëzit që e kanë udhëhequr Kosovën në këta 18 vjet nuk do të ishin ulur në kolltukët vendimmarrës me pretendimin se u kemi borxh.

Borxh për borxh, ata ia kanë Kosovës: kohën e humbur nuk mund të na e kthejnë prapa, porse bile të ardhmen të mos na e bëjnë edhe më të zezë seç e kemi të tashmen. Mënyra më e lehtë për të na e shpaguar borxhin, për krejt të këqijat që na i kanë shkaktuar, është që të largohen nga skena politike – sa nuk na e kanë mbytur edhe shpresën e fundit se ky vend mund të bëhet shumë më i mirë seç është.

Kush e di, mbase kjo vjeshtë do të jetë ajo e cila do të sjellë tronditje tektonike – e që me të do t’i marrë edhe krijuesit e kaosit që mund të zhbëhet vetëm pa ta.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi