Ditë të zakonshme në shtetin më të rrezikuar në botë

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 23 shtator 2017 09:46

Seul/Kore e Jugut

“Emri im është Eun Jeong, që i bie Eun bekime dhe Jeong e sinqertë, kurse mbiemri Choi. Është shumë e vështirë të shqiptohet nga të huajt, prandaj unë kam zgjedhur emrin tim të thjeshtë në gjuhë angleze, Amy. Pra Amy Choi”, tregon mësuesja 25-vjeçare. “Njësoj edhe Katniss këtu. Emrin e vërtetë e ka Seo Jeong, në përkthim bekime dhe e devotshme”.

Të dyja ato kënaqen duke e praktikuar gjuhën angleze , teksa njëra gjerb një cafee mocca dhe tjetra një caramel macchiatto në Starbucks, në lagjen “Samcheong-dong” të Seulit.

Sa i përket arkitekturës dhe po të mos ishte aty pranë edhe pallati mbretëror i dinastisë Gyeobgbokgung, secili do të mundë të besonte se biseda po zhvillohet në The Loop të Chicagos ose në Union Square të San Franciscos. Dhe natyrisht, nëse ata që parakalojnë aty nuk do të ishin popullatë aziatike.

Duket se njëjtë është edhe gjendja mendore e koreanëve, e sidomos atyre që flasin anglishten – një mishërim i americanas me traditën mijëravjeçare koreane. Ashtu siç tregon edhe përzgjedhja e emrave në gjuhën angleze, me të cilët iu prezantohen secilit të huaj, ashtu edhe mënyra e jetesës. Bashkëdyzim i dy koncepteve të jetës që bëhen në largësi prej rreth 10 mijë kilometrash njëra nga tjetra.

“Kështu si duket po na sheh edhe Kim Jong-Un, i cili në vend se të na konsiderojë si vëllezër e motra, po i dukemi të largët si SHBA-ja”, thotë Katniss, për liderin koreanoverior. “Për këtë edhe po na kërcënon”.

DY-TRI JAVËT E FUNDIT janë shënuar nga testimi i disa raketave balistike nga Koreja e Veriut, bashkë me kërcënimet për sulme ndaj Koresë së Jugut, si dhe Guamit,territorit amerikan në Paqësor, dhe vetë SHBA-së. Dy nga këto raketa kanë kaluar edhe mbi territorin e Japonisë, gjë që ka nxitur dënim të ashpër ndërkombëtar.

Gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan, Donald Trump, e quajti “njeri-raketë” liderin e Koresë Veriore, Jong-Un.

“SHBA-ja ka fuqi dhe durim të madh”, theksoi Trump para liderëve botërorë. “Por nëse do të detyrohet ta mbrojë veten dhe aleatët, nuk do të kemi zgjidhje tjetër përveçse shkatërrimin e përgjithshëm të Koresë së Veriut”.

Punimet e Asamblesë së 72 të Përgjithshme të OKB-së, në East River të New Yorkut, janë duke u dominuar me temën e kërcënimeve nga Koreja e Veriut.

Frika është e madhe se nëse sanksionet e reja ndaj Pyongyangut nuk do ta disiplinojnë diktatorin komunist, mund të shpërthejë edhe lufta, në të cilën mund të përdoren edhe armët hidrogjenike dhe atomike.

Edhe Kina, njëri nga shtetet e rralla me të cilët Koreja e Veriut ka marrëdhënie tregtare e diplomatike, tashmë ka paralajmëruar se nuk do ta pranojë kurrë atë si një shtet me armë të shkatërrimit në masë.

Mbyllja e mundësisë së tregtisë së Kinës ndaj Koresë Veriore mund të shihet si presioni më i madh që mund t’i bëhet shtetit komunist.

Edhe pse, si dhe deri më tash, Kim Jong-Un është përgjigjur se sanksionet e shtuara dhe presioni ndërkombëtar vetëm sa do ta përshpejtojnë programin e tyre bërthamor.

Analiza e përgjithshme është se çështja e Koresë së Veriut po shkon drejt një epilogu të shpejtë, paqësor ose luftarak.

MEDIA TË SHUMTA kanë raportuar se në Japoni janë duke u rritur shumë kërkesat për ndërtimin dhe shitjen e strehimoreve bërthamore.

Kompania Oribe Seiki Seisakusho, e cila merret me prodhimin e strehimoreve në rast të ndonjë sulmi bërthamor ka raportuar se vetëm gjatë vitit 2017 kërkesat për ndërtimin e strehimoreve janë rritur 38 fish.

Frika në Japoni natyrisht se është e arsyeshme, ngase vazhdon të mbetet vendi i vetëm në histori që ka përjetuar bombardimin bërthamor gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku ushtria amerikane kishte lëshuar bombat në Hiroshima dhe Nagasaki.

Tash 72 vjet më vonë, ata presin që bashkë me amerikanët të mbrohen nga një sulmues tjetër i ngjashëm, nga fqinji i tyre në anën tjetër të Detit Japonez.

“Nuk është koha për dialog, është koha për presion (ndaj Koresë së Veriut)”, është pajtuar me presidentin Trump në New York, kryeministri japonez, Shinzo Abe.

NË KORE TË JUGUT, sidoqoftë, jeta vazhdon njësoj.

“Nuk po shohim diçka më ndryshe. Nuk e kalojmë kohën duke menduar se a do të nisë sot ose nesër lufta, se ne nuk dimë mënyrë tjetër jete përveç asaj me kërcënime”, shprehet Thomas Lee, profesor i sociologjisë.

Televizionet publike si KBS dhe MBC nuk janë të mbushura me edicione speciale të lajmeve, ose me debate të shpeshtuara politike. Më tepër japin emisione “Reality TV” dhe lëshojnë muzikë të popullarizuar të zhanrit K-Pop.

Stërvitjet ushtarake të ushtrisë amerikane dhe asaj jugkoreane në afërsi të vijës kufitare me fqinjin verior, nën operacionin “Sulmi i luftëtarit”, përcillen si diçka e zakonshme.

Disa herë në vit qindra mijëra trupa amerikane kryejnë stërvitje të përbashkëta me ushtrinë vendëse në Korenë e Jugut.

“Natyrisht se vëllezërit dhe motrat tona në Korenë tjetër nuk i kanë edhe emrat në anglishte si ne. Ata nuk e duan SHBA-në, ose nuk guxojnë të tregojnë edhe nëse e duan”, flet me mërzi Katniss. “E ne pa SHBA-në s’kemi sesi ta mendojmë të ardhmen”.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi