Një njeri me një grua

Bekim Kupina Bekim Kupina 09 mars 2017 10:52

Për njeriun (burrë), gruan (rob), mësuesin (injorant) dhe prindin (dembel). Heretizëm festiv...

Një njeri (burrë) me një grua (rob), mësuesi (injorant) dhe prindi (dembel). Kuartet i dhimbshëm i shoqërisë kosovare. Te të katërtët, shoqëria kosovare i tregon frikshëm dhëmbët e injorancës. Njerëz, kryesisht të rritur pa dinjitet, gra të nëpërkëmbura, mësues pa dinjitet e prindër dembelë. Shteti i injorancës zë fill këtu. Kjo i bën shumicën e festave në Kosovë me konotacion komik, teksa shoqërinë kosovare të përballet me pasojat e sintagmës arkaike “një njeri me një grua”. Ky konsensusi konformist për laudatio ndaj mësuesve e grave nuk i ndihmon çështjes. Gjithnjë kritika i paraprin lëvdatës. Mbajeni mend! Si është e mundur të festohet, t`u dhurohet lule mësuesve e grave, në kohën kur ata nuk e bëjnë vendin për to, sikundër as ne që hipokrizinë e kemi shndërruar në mjet komunikimi. Arsyet janë të shumta për të dyja palët, porse ia vlen të spostohemi të disa më esenciale.

Që prej se mbaj mend, në shkollat kosovare, era e tualeteve niset prej nyjave sanitare e deri te dera e klasës, nëpër korridore.

Korrili është autoritet i fuqishëm në shkollë. Ai e bën nëntokën arsimore, duke ndërmjetësuar për nota, mungesa e edhe për çështje më sensitive. Të shumtën e herës, ai të ngjason sikur të jetë pronari i shkollës që vendos kush me hy e kush jo në atë që kemi qejf ta quajmë me epitetin ekzotik “vatër e diturisë”

Mësuesi është ai i pakontestueshmi. Njeriu autoritar- i dyti pas prindërve, të cilit nxënësit nuk bën t`ia prishin (ta korrigjojnë), edhe atëherë kur në orën e gjeografisë mund ta ngatërrojë Irakun me Iranin.

Nxënësit janë të zhurmshmit e të heshturit njëkohësisht. Për mungesë të vetëbesimit, mendimit kritik dhe guximit për kundërvënie zhyten në llumin e klisheve dhe stereotipeve.

Sot e kësaj dite një referat- koment i tyre nis me formulimin grotesk “në këtë tregim bëhet fjalë”. Ndërkohë që as mësuesit e as nxënësit nuk kanë arritur ta kuptojnë që në këto tregime zakonisht nuk bëhet fjalë për asgjë.

Sot e kësaj dite nxënësit në bankat e shkollës trajnohen të bëhen spiunë. Duke i raportuar mësueses-mësuesit për ata që prishin rendin në klasë në kohën e pushimeve të shkurtra.

Sot e kësaj dite nxënësit dënohen pse mund t`i zërë ndonjë e qeshur, ta harrojnë ndonjë libër, fletore a detyrë.

Sot e kësaj dite, mësuesit shkojnë në shkollë 5 minuta para nisjes së procesit mësimor e largohen po kaq pas mbarimit të tij.

Sot e kësaj dite ministria e as komunat nuk e kanë objektiv që mësuesit të jenë më të spikaturit nga studimet, porse vetëm ndonjëri nga ta që ka kryer studimet me çykë zori, apo ka qenë njëri nga mbështetësit gjatë fushatave zgjedhore.

Sot e kësaj dite askush nuk bën asnjëfarë kontrolli ndaj gjendjes psikologjike shëndetësore e fizike të mësuesve.

Sot e kësaj dite mësuesit shpesh hanë darka me pushtetin, e në kohë zgjedhjesh bëhen argatë të subjekteve politike.

Sot e kësaj dite ne prodhojmë nxënës, e studentë, që në mundësinë e parë të paraqitjes në TV, formulimin e bëjnë me fjalët “ky asht një sen shumë me rëndësi për senet e tjera”. Ky send edhe sot e kësaj dite nuk dihet çfarë është?!

Sot e kësaj dite Sindikata e Arsimit, çdo gjysmëvjetor, shantazhon me grevë, sepse mision mbetet paga, jo cilësia. Sot e kësaj dite kjo sindikatë kurrë nuk është kërcënuar me bojkot për cilësinë e ulët në arsim.

Sot e kësaj dite nxënësit mësojnë me tekste jashtëkohore dhe joatraktive.

Sot e kësaj dite tekstet shkollore i bëjnë burra e gra (zakonisht tekstshkruesit e njëjtë), që mbi të gjitha këtë punë e kundrojnë nëpërmjet parasë, por jo kreacionit libror, si një mundësi që nxënësit të mos jenë recitues të mirë të njësive mësimore, por operues vigjilentë me faktet.

Nga kjo listë e gjatë anomalish, e kuptueshme që s`mund të presim trajtim dinjitoz të grave. Kësisoj, lulet që dhurohen për 8 Mars janë me gjemba. Nuk personifikojnë kurrfarë dashurie, a trajtimi njerëzor, përpos një veprim të cytur nga politika e të përvetësuar nga gjithë shoqëria për t`i bërë lajka në një ditë gruas.

Ajo, asaj, robit, epitete këto që bëjnë jetën ende në një pjesë jo të vogël të shoqërisë kosovare.

Burrat bën të kenë shokë, por jo ajo.

Burrat bën të dalin mbrëmjeve për qejfe me dosta, por jo ato.

Burrat bën të shkojnë në ‘udhëtime’ jashtë vendit pa gra, por jo ato pa burra.

Burrat bën ta presin kafenë e mëngjesit, apo çajin nga gruaja, porse jo ato nga burrat.

Burrat bën të hanë e të mos i lajnë enët, porse gratë jo.

Burrat bën të kenë veturë, porse gratë duhet ta shfrytëzojnë të njëjtën.

Burrat bën të kenë trashëgimi nga babai, porse jo gratë.

Burrat bën t`i kenë flokët e gjatë, por gratë jo të shkurtër.

Burrat bën të ankohen për gratë, porse gratë jo për burrat.

Burrat bën të jenë burra, porse gratë jo gra.

Burrat duhet të ekzistojnë, por ato jo!

Nga të gjitha këto, 7 dhe 8 Marsi bëhen sa qesharakë, po aq të dhimbshëm. Dy festa të brumosura me hipokrizi!

Këto dy ditë janë elegji për burra e gra që nëpërkëmbin dinjitetin e secilit. E në një vend ku gratë shtypen nga burrat, e burrat jetojnë nga gratë, 8 Marsi është mirë të shpallet ditë e përkujtimit, e të përkulemi para shtatoreve, që s`ekzistojnë. Sigurisht që kjo qasje për shumë kë është irrituese deri në blasfemi. Por, edhe gjendja e gruas sot është blasfemike.

Ajo s`është ajo. Jo për tjetër, por ngaqë shoqëria kosovare historikisht është peng i simbolikave. Vetëmjaftohet me kuotën, e cila ndër vite merr konotacion të kornizës jashtë së cilës nuk bën të dilet. Kjo është sindroma e Rozafës, që mëton ta betonojë gruan, duke e konsideruar sipas logjikës popullore “shtyllë të shtëpisë”.

E asaj shtëpie, ku prindërit të dërmuar nga rutina ditore, fëmijët i ‘qerasin’ me smartfonë, duke u krijuar atyre interaksion të fuqishëm me pajisjet teknologjike, por jo me njerëzit.

Prandaj, ndjeshmëria e brezave të rinj, sa vjen e shndërrohet në simbolikë, ku njeriu është sall hija. E fëmijët vazhdojnë ta ndjekin Pokemonin...

Sepse prindërit s`kanë kohë të merren me fëmijët edhe kur janë në pushim.

Sepse prindërit bëjnë kompromise me fëmijët kur e këmbejnë qetësinë, duke u lejuar atyre përdorimin e pajisjeve prej më të ndryshmeve teknologjike.

Sepse prindërit nuk kanë ide për përmbajtjen e kurrikulit me të cilin mësojnë fëmijët e tyre.

Sepse prindërit përpiqen t`i joshin edhe mësuesit me dhurata për ta blerë suksesin e fëmijëve.

Sepse prindërit mjaftohen kur fëmijët ua tundin para hundëve pesëshet, të cilat ata nuk hezitojnë t`i ekspozojnë nëpër rrjete sociale.

Sepse prindërit nuk i stimulojnë fëmijët për dije, por për nota.

Sepse prindërit më shumë i kushtojnë kujdes dukjes së fëmijëve se sa performancës së tyre të dijes.

Sepse prindërit hezitojnë të kërkojnë më shumë nga mësuesit, nga frika se mos u marrin hak fëmijëve.

Sepse prindërit kurrë nuk ulen përballë fëmijëve të tyre për ta parë botën reale të tyre.

Sepse Asociacioni i Prindërve, kurrë s`e ka adresuar asnjëherë me ndonjë letër a protestë shqetësimin për cilësinë e arsimit

Sepse prindërit më shumë janë shqetësuar nga rezultatet e dobëta të PISA-s, sesa nga dështimi sistematik në testin e arritshmërisë.

Katër në një. Gjithçka e lidhur me njeriun. Simbiozë e pakapërcyeshme dhe parakusht për normalitet. Ndryshe do të jetë vetëm atëherë kur të marrë fund tregimi “Një njeri me një grua”.

bekim.kupina@kohaditore.com

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Bekim Kupina