Si do ta çajë rrethimin Ramush Haradinaj?

Enver Robelli Enver Robelli 21 shtator 2017 08:36

Presioni për të kaluar demarkacionin po shndërrohet në sfidë serioze për kryeministrin e ri të Kosovës. Dikur Haradinaj i ofendonte zyrtarët e sigurisë në Kuvend me fjalët «ik, shtyju, budallë», e quante kryeministrin e atëhershëm «Isë qeni» dhe e fuste me forcë një peticion në Kuvend. Nga do të shtyhet dhe në ç’drejtim do të ikë tash Haradinaj sa i përket demarkacionit?

Popullist, tribun popullor apo demagog? Apo të gjitha nga pak? Së shpejti opinioni i Kosovës do të ballafaqohet me njërën nga shumë fytyrat e Ramush Haradinajt. Kuptohet, ai do të donte të ishte tribun popullor, i cili e korrigjon Marrëveshjen për caktimin e kufirit me Malin e Zi, pastaj menjëherë do të hiqen vizat e Schengenit për qytetarët e Kosovës, dhe të gjithë, i madh e i vogël, do të jenë të lumtur. Së shpejti do të shihet se si do ta çajë këtë rrethim Haradinaj: a do të tërhiqet nga deklaratat e tij se vija kufitare me Malin e Zi është gabim, madje krim, i kryer nga PDK-ja dhe LDK-ja? Apo do të përpiqet ta kontrabandojë disi këtë marrëveshje me ndonjë arsyetim banal? Haradinaj ka ardhur në pushtet sidomos me kauzën e demarkacionit. Ka thënë se kufiri i Kosovës është në Çakor dhe te Kulla e Zhlepit.

Për ta dëshmuar këtë ai ka përdorur metodat dhe gjuhën, e cila duket tipike për të. Kryetarin e dikurshëm të Komisionit qeveritar për caktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, Murat Meha, e pati quajtur «peder» dhe e pati përplasur një hartë, duke dalë në mënyrë demonstrative nga takimi. Pastaj si pjesë e opozitës së bashkuar me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me Nismën, Haradinaj organizoi mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion kundër Marrëveshjes për demarkacion. Skena kur Haradinaj futet në Kuvend për t’i dorëzuar nënshkrimet është ndër më poshtërueset dhe më frikësueset për mentalitetin politik, të cilin e përfaqëson Haradinaj. Zyrtarët e Kuvendit kishin urdhër të mos e lejonin të futej në Kuvend atë ditë, me arsyetimin se ishte ditë e shtunë, ditë pushimi. Me nonshalancën e një ngatërrestari ai u tha zyrtarëve të Kuvendit të këshillohen «me Hashimin», «me Kadrinë» dhe «me Isë qenin». E kishte fjalën për kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa. Tani që Isa Mustafa ia ka dorëzuar postin Haradinajt në një ceremoni dinjitoze, i mbetet Haradinajt t’i heqë qafe edhe «qentë» e tjerë, në mënyrë që ta bëjë realitet kërkesën e peticionit që e kishte dorëzuar. Duke u futur me forcë në Kuvend, ai atëbotë i ofendoi zyrtarët e sigurisë me fjalët «ik, shtyju, budallë». Nga do të shtyhet dhe në ç’drejtim do të ikë tash Haradinaj sa i përket demarkacionit?

Kjo çështje është shndërruar tashmë në sfidën e parë me të cilën duhet të ballafaqohet. Bashkimi Evropian nuk ka lëvizur nga qëndrimi se vija kufitare është në rregull. Departamenti amerikan i Shtetit mendon ngjashëm. Mesazhi i kancelares gjermane, Angela Merkel, për Haradinajn ishte i qartë: «Ngritja dhe forcimi i shtetit ligjor, përmirësimi i situatës ekonomike, dialogu me Serbinë, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, si dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkojnë vëmendjen tuaj». Presidenti i Kosovës ka shtuar presionin ndaj Qeverisë që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt, që «procesi të lëvizë», që demarkacioni të marrë përgjigje «meritore, pozitive, përfundimtare», «të saktë, të qartë, të shpejtë». Kur u pyet se a do ta pranojë rrëzimin e Marrëveshjes për demarkacion në Kuvend, presidenti i Kosovës nuk tha po. Nënkryetari i Kuvendit dhe njëri nga drejtuesit e PDK-së, Xhavit Haliti, tha se «historia është histori, realiteti realitet». Një deklaratë e tillë s’mund të interpretohet ndryshe pos si porosi Haradinajt që tani të gjejë zgjidhje për demarkacionin në bazë të realitetit. E cili është realiteti? Është arritur një marrëveshje me Malin e Zi për caktimin e vijës kufitare, dhe ky shtet fqinj nuk po jep shenja se është i gatshëm për korrigjime. Së paku jo për korrigjime siç i ka premtuar Haradinaj në betejat e tij.

Për PDK-në si parti që bart përgjegjësinë kryesore për këtë marrëveshje ky është një rast i mirë për ta vënë në siklet apo edhe për ta poshtëruar Haradinajn: hajde tash vendosi gurët e rinj të kufirit!

Nervozizmi i Haradinajt dhe i ekipit të tij është i madh. Dhe kjo po vërehet në çdo paraqitje publike. Sapo mori postin e kryeministrit, Haradinaj shkarkoi Komisionin qeveritar për caktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, por u pa se AAK-ja, si parti minore dhe klanore, nuk ka as ekspertë për këtë çështje. Në hall e sipër Haradinaj u përpoq t’ia lërë në duar pataten e nxehtë Shpejtim Bulliqit nga LDK-ja, i cili ka qenë mjaft aktiv në fushatat populliste kundër demarkacionit. Nëse Bulliqi s’arrin ta varrosë marrëveshjen, a do të përpiqet Haradinaj të bëjë një «tërheqje taktike»?

Në kabinetin Haradinaj ka njerëz që thonë se «e kemi strategjinë dalëse». Do të shihet së shpejti se cila është ajo. Me bashkësinë ndërkombëtare aspak të gatshme për t’u marrë me këtë çështje, me PDK-në e cila ka interes të dëshmojë para publikut se marrëveshja e negociuar është në rregull, me presidentin e Kosovës, i cili me çdo kusht do të përpiqet të tregojë se nuk janë bërë gabime, Haradinaj gjendet para një muri të lartë. Ndoshta do ta shtyjë atë. Fundja, a nuk ka thënë gjatë fushatës elektorale se demarkacioni dhe asociacioni «kanë vdekur» si marrëveshje. Menjëherë pas marrjes së postit të kryeministrit Haradinaj filloi të «zbutet». Tash ai më shumë duket si një punëtor i Kryqit të Kuq që merret me reanimimin apo ringjalljen e atyre marrëveshjeve që i kishte shpallur të vdekura. Kështu është puna e politikanëve të papërgjegjshëm: fillojnë si tribunë popullorë, kalojnë në popullizëm dhe përfundojnë si demagogë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

EDI25/09/2017 11:05

Ani shume mir pse spo shkon ti me i rregullu me demarkacion e me asocacionin etj se me fol prej korrnerit eshte lehte!

Arben25/09/2017 13:42

Ramushi e ka veshtire me ndryshu dicka tuj e pas PDK n si parti me e madhe e parnerve te koalicionit .

Fatoni nga Gjermania22/09/2017 10:56

Pershkrim i mrekullueshem.... Thjesht Aktor i pershtatshem per ndoni film te Mel Gipsonit me lufta qe i ka si patriot

N.S.21/09/2017 15:11

Briliant!

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli