Perspektivë e qartë evropiane për Malin e Zi dhe Serbinë, por jo edhe për vendet e tjera të Ballkanit

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 20 shtator 2017 08:33

Pas fjalimit të presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, se duhet të ketë një perspektivë të besueshme të integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni paralajmëron se në pranverë të vitit të ardhshëm do të nxjerrë një strategji vetëm për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, si vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit. Në këtë mënyrë shihet se do të krijohen pako “me disa shpejtësi” në zgjerim. Shqipëria dhe Maqedonia, me status kandidati por pa nisur negociatat e anëtarësimit, duket se kanë humbur rastin të kenë një strategji më të artë, ndërsa Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina do të mbesin krejt në fund, me një perspektivë që vështirë do të mundë të quhej “e qartë dhe e besueshme”

Më në fund edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, pas tre vjetësh mandat, foli në mënyrë pozitive dhe inkurajuese për procesin e zgjerimit. Ai bëri thirrje që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u mbahet perspektiva e anëtarësimit në BE, duke përsëritur se zgjerimi nuk do të ndodhë gjatë mandatit të tij, thënie me të cilën edhe e kishte nisur mandatin në vitin 2014 dhe e cila kishte ndikuar që procesi i zgjerimit të ngadalësohej.

Kështu, mandati i Junckerit do të mbahet mend në histori si mandat gjatë të cilit BE-ja u zvogëlua nga 28 në 27 vende anëtare, pasi pritet largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja në pranverën e vitit 2019. Juncker gjithsesi ka qenë një prej mbështetësve të mëdhenj të procesit të zgjerimit. Ai i takon gjeneratës së politikanëve evropianë të cilët zgjerimin e shohin si një projekt të paqes e jo vetëm një proces teknik dhe ekonomikë. E shohin procesin e zgjerimit si një ideal të bashkimit të Evropës. Por, për shkak të problemeve të brendshme me të cilat filloj të përballej BE-ja, nga kriza financiare e deri tek ajo institucionale, procesi i zgjerimit doli nga prioritetet e BE-së dhe në disa raste zgjerimi madje u identifikua si një prej arsyeve të krizave në BE. Prandaj prioritet u bë konsolidimi i brendshëm, dalja nga kriza dhe tejkalimi i problemeve institucionale.

Me gjithë daljen e Britanisë nga BE-ja, një veprim për të cilin Juncker tha se “gjithmonë do të ndiejmë keqardhje dhe do të jetë një datë tragjike për Evropën”, Bashkimi Evropian ka dalë nga kriza. Madje, siç u pa në fjalimin e fundit të Junckerit para deputetëve të Parlamentit Evropian, BE-ja tash një kohë të gjatë nuk ka qenë në gjendje më të mirë. Është zvogëluar numri i të papunëve dhe është rritur numri i të punësuarve. Të gjitha shtetet kanë rritje ekonomike të qëndrueshme. Dhe është rritur edhe besimi në BE, ndërsa në shtetet kyç kanë filluar të humbin përkrahjen forcat euroskeptike. Prandaj tash duket se edhe Juncker ka marrë guximin të flasë për më shumë mbështetje për procesin e zgjerimit.

Presidenti i Komisionit Evropian ka thënë se, nëse duam stabilitet të qëndrueshëm në fqinjësi, duhet mbajtur një perspektivë të besueshme të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Ka përsëritur se asnjë vend nuk do të hyjë në BE gjatë mandatit të tij, sepse nuk i përmbushin kushtet. Por në vitet pas këtij mandati BE-ja do të ketë më shumë se 27 anëtarë. Ai ka rikujtuar se shtetet kandidate duhet të kenë prioritet kryesor sundimin e ligjit, drejtësinë dhe të drejtat themelore.

Por Juncker, si dhe zyrtarë të tjerë evropianë sa herë që flasin për zgjerimin tash mendojnë vetëm në vendet e Ballkanit Perëndimor e jo në Turqinë, e cila do të duhej të ishte ndër prioritetet në këtë proces.

Pikërisht për këtë, sipas tij, përjashtohet anëtarësimi i Turqisë në një ardhme të afërt. Juncker, duke thënë se përjashtohet anëtarësimi i Turqisë në BE në një të ardhme të parashikueshme, kritikoi këtë shtet për atë që ai e quajti “hapa gjigantë për t’u larguar nga BE-ja” dhe i bëri thirrje që sa më parë t’i lirojë gazetarët. “Gazetarët e kanë vendin në redaksitë e tyre e jo në burgje”, tha presidenti i Komisionit Evropian. Ai, po ashtu, e ftoi Turqinë që të ndërpresë akuzat ndaj shteteve anëtare, përmes të cilave i krahason liderët e tyre me fashistët dhe nazistët. “Unë nganjëherë e fitoj përshtypjen se Turqia qëllimisht po vendos pengesa në rrugë, në mënyrë që ta fajësojë Bashkimin Evropian në rast të ndërprerjes së negociatave të anëtarësimit”, tha ai. Presidenti i Komisionit Evropian tha se do të mbetet me duar të shtira dhe i hapur ndaj popullit të madh turk dhe atyre që janë gati të punojnë mbi bazat e vlerave evropiane.

Kjo porosi për Turqinë u përshëndet edhe nga shumë deputetë të Parlamentit Evropian, të cilët edhe më herët kanë bërë thirrje që Bashkimi Evropian të ndërpresë negociatat për anëtarësim të Turqisë në BE, për shkak të ndryshimeve që po bëhen në këtë shtet, të cilat, sipas Brukselit, shkojnë në kundërshtim me vlerat evropiane, siç janë sundimi i ligjit dhe liritë e shprehjes.

Turqia kishte nisur negociatat në vjeshtën e vitit 2005, por deri me tash, edhe pse kanë kaluar plot 12 vjet, nuk ka lëvizur shumë në to. Kroacia, e cila negociatat i kishte nisur të njëjtën ditë sikur edhe Turqia, tashmë është anëtare e plotë e BE-së, ku është anëtarësuar në vitin 2013, pas një procesi që ishte më i gjatë sesa për vendet e tjera nga Evropa Qendrore dhe ajo Lindore që u anëtarësuan në BE më herët, në vitin 2004, kur në BE hynë 10 vende të reja, apo në vitin 2007, kur u bënë anëtare Rumania dhe Bullgaria.

Por sikurse për Kroacinë që procesi ishte më i gjatë, ashtu edhe për vendet që tash janë në procesin e integrimit në BE do të zgjasë edhe më shumë sesa në rastin kroat.

Pas fjalimit të presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, se duhet të ketë një perspektivë të besueshme të integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni paralajmëron se në pranverë të vitit të ardhshëm do të nxjerrë një strategji vetëm për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, si vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit. Në këtë mënyrë shihet se do të krijohen pako “me disa shpejtësi” në zgjerim. Shqipëria dhe Maqedonia, me status kandidati por pa nisu negociatat e anëtarësimit, duket se kanë humbur rastin të kenë një strategji më të artë, ndërsa Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina do të mbesin krejt në fund, me një perspektivë që vështirë do të mundë të quhej “e qartë dhe e besueshme”.

Madje edhe strategjia për Serbinë dhe Malin e Zi, edhe pse nuk dihet pse Serbia përmendet e para, pasi Mali i Zi është shumë para saj, përmendet në kuadër të një strategjie të vitit 2025, që disa qarqe kanë filluar ta konsiderojnë si një datë kur këto vende do të mundë ta realizonin qëllimin e tyre të hyrjes në BE. Nëse këto vende, që thuhet të jenë më të avancuarat në proces, mund të llogarisin në anëtarësim në BE tetë vjet nga sot, atëherë mund të merret me mënd se në cilën periudhë kohore mund të hyjnë në BE Shqipëria e Maqedonia, e sidomos Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina.

Për procesin e zgjerimit dhe perspektivën e qartë të integrimit për vendet e Ballkanit, pos fjalëve të mira të kreut të Komisionit Evropian, duhet mbështetje edhe nga vendet anëtare dhe nga qytetarët e tyre. Kjo mbështetje nuk duket të jetë edhe aq e qartë në këtë moment.

Në shtetet kryesore anëtare, si Gjermania, Franca, Holanda, Austria dhe Luksemburgu, numri i qytetarëve që kundërshtojnë pranimin e shteteve të reja në BE është tri herë më i madh sesa i atyre që mbështesin. Sipas anketave të zhvilluara gjatë pranverës, e të përfshira në një publikim të Eurobarometrit, për vazhdimin e procesit të zgjerimit dhe pranimin e shteteve të reja në anëtarësi janë vetëm 25 për qind e qytetarëve të Austrisë, 26 për qind e atyre të Francës, 27 për qind e gjermanëve dhe shtetasve të Luksemburgut, dhe 29 për qind e holandezëve. Në nivel të mesatares së BE-së në favor të zgjerimit janë vetëm 40 për qind e qytetarëve, ndërsa kundër janë 49 për qind. Dhe kjo përqindje përmirësohet kryesisht duke iu falënderuar mbështetjes së zgjerimit nga disa vende të reja anëtare. Për shembull, në Kroaci mbështetja për vazhdimin e zgjerimit është në nivelin prej 66 për qind. Përqindja e kroatëve të cilët mbështesin zgjerimin është po aq sa edhe ajo e gjermanëve, të cilët janë kundër.

Në rrethana të tilla, kur qytetarët janë kundër, as liderët politikë nuk nxitojnë të përshpejtojnë zgjerimin. Por besojnë se ky kundërshtim do të zvogëlohej nëse do të sqarohej fati i negociatave të anëtarësimit të Turqisë në BE. Diplomatët në BE pohojnë se një kundërshtim kaq i madh për zgjerimin është para se gjithash për shkak të frikës nga anëtarësimi i Turqisë në BE, vend me katër herë më shumë banorë sesa të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor së bashku, vend i cili në këtë moment është më shumë duke u armiqësuar me BE-në sesa duke u përafruar. Sikur në BE të ketë guxim dhe të sqarohet njëherë e përgjithmonë se Turqia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së, sikur kërkojnë edhe nga Partia Popullore Evropiane (EPP) që është grupi më i madh politik evropian, atëherë besohet se mbështetja për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE do të mundë të ishte më e madhe, apo së paku kundërshtimi nuk do të ishte aq i madh. Por, pos fjalëve në raste të caktuara, në BE nuk kanë guxim të ndërpresin negociatat me Turqinë, sepse me ndihmën e saj i menaxhojnë disa kriza, përfshirë edhe atë të migrimit ilegalë.

Kështu, fjalët e Junckerit duhet kuptuar si një gjë pozitive, sepse në nivelin më të lartë në Komisionin Evropian tash po flitet për zgjerimin si një domosdoshmëri, por duhet pasur kujdes që të mos krijohen pritje se ky qëllim nga vendet e rajonit do të realizohet në një të ardhme të afërt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj