Pse Hashim Thaçi nuk duhet të udhëheqë dialogun e Kosovës me Serbinë

Belul Beqaj Belul Beqaj 19 shtator 2017 18:13

Ndoshta Hashim Thaçi si idealist e ka rrezikuar jetën për formimin e shtetit të pavarur të Kosovës gjatë konfliktit të fundit me Serbinë. Ai në paqe ka arritur kulmin e suksesit politik duke sakrifikuar çdo kënd dhe çdo gjë. Sot është shumë e dukshme se ai si materialist është i gatshëm të rrezikojë shtetin e Kosovës për të mbijetuar politikisht, prandaj nuk duhet për ta udhëhequr këtë dialog.

Fillimisht, si dëshmitar i procesit e di se Hashim Thaçi, më parë se çdo kush tjetër pas luftës ka pasur mundësinë dhe rastin që në mënyrë të ndershme, njerëzore të përfitojë besimin e shumicës, por edhe të serbëve të mbetur në Kosovë. Ai këtë nuk e bëri. Ai iu kthye serbëve pasi me vonesë e kuptoj se roli i tyre për karrierën e tij politike ishte vendimtar. Filloj të përfitojë “besimin” e tyre në mënyrë hipokrite, duke dhuruar traktorë dhe vendosur lule në pllakat përkujtimore të serbëve të vrarë?! HTH e kuptoi pushtetin si qëllim e jo si instrument për realizimin e qëllimeve politike. Si pasojë e kësaj politike, ishte orientimi edhe i atyre serbëve që filluan të integrohen në realitetin e Kosovës të kërkojnë mbështetje në Beograd. Pra, e vërteta për të, nuk mund të jetë në funksion të pajtimit.

Së dyti,Thaçi, gjatë kësaj periudhe ai është protagonisti kryesor politik i degradimit të moralit dhe etikës politike. Është protagonisti kryesor që shkaktoi krizën e moralit, që derivoi ciklet e vazhdueshme të politikës së krizave. Së fundi, nga kriza e bllokadës institucionale në krizën e mungesës tremujore të institucioneve e deri te ndërtimi i institucioneve që do të degradojnë edhe më shumë funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Ai është sajues i ndërtimit të sistemit të pushtetit me njerëz poltronë, kryesisht të pandershëm dhe të paaftë, të cilët janë shndërruar në pengesa kryesore për të depërtuar të rinjtë e ndershëm dhe të aftë. Ç’është edhe më keq, ai në vend se të ndalet nga makiavelizmi në një paraqitje para audiencës tha se është lehtë të “kritikosh dhe akuzosh”... Jam shumë i bindur se më lehtë se kritika ime dhe e të tjerëve, ndaj synimit të HTH për të udhëhequr dialogun, për të krijuar Komisionin e së vërtetës dhe të pajtimit, është lehtësia e shfrytëzimit të privilegjeve të pushtetit në adresë të dialogut e për të shpëtuar veten duke degraduar shtetin e krijuar me mund dhe sakrifica të shumë gjeneratave, të cilat i kurorëzoi NATO-ja, nga ajri dhe rezistenca e UÇK-së nga toka. Disa argumente (jo të gjitha) që po i paraqes janë dëshmi se e vërteta për të nuk mund të jetë në funksion të pajtimit, e as së vërtetës për të cilën, gjoja se, po angazhohet. Reagimi im po bëhet në kohën kur po mendoj se pasojat e politikës “thaçiste” do të rriten, pavarësisht se ndikimi i tij është në rënie.

Së treti, është bërë publike se HTH është kryeprotagonisti i Raportit të Dik Martit, si i dyshuari kryesor për krime të supozuara të luftës. Pra, ai është i stigmatizuar si i dyshimtë për krime të luftës dhe deri sa të mos hiqet kjo hije ai nuk mund të jetë komod karshi palës tjetër. Përkundrazi, fakti se është i dyshuar potencial atë dhe Kosovën e vendos në pozicion inferior karshi palës tjetër. Deri sa të jetë i varur potencialisht nga Gjykata Speciale, çdo veprim i tij mund të kuptohet se po bëhet nën shantazhin e politikës që ka ndikim në Gjykatë. Prandaj, duhet Gjykata të largojë emrin e tij si i dyshuar, ose ky duhet vetë ta harrojë këtë nismë. Përndryshe, Raporti i Dik Martit do të kuptohet si akuzë e paramenduar për shantazh të Kosovës dhe HTH, që do të reflektohet negativisht në dialogun me Serbinë, në kohën kur autoriteti dhe fuqia politike e Aleksandar Vuçiqit dhe Listës Serbe është në rritje, ndërsa HTH në perëndim.

Së katërti, dialogu po mendohet të vazhdojë në kohën kur koalicioni i krijuar është produkt i politikës makiaveliste. Meqë janë bashkuar subjektet që me çdo kusht kanë dëshiruar të mbeten në pushtet, me lider që me çdo kusht ka dëshiruar të udhëheqë këtë politikëbërje, me parti të vogla që kanë kapitalizuar maksimalisht situatën, dhe Listën Serbe, e cila do të përfitojë më së shumti nga ambiciet e paepura për pushtet të subjekteve politike të shumicës duke kushtëzuar platformën e dialogut duke degraduar funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Së pesti, insistimi i HTH që të udhëheqë dialogun si kryetar i Republikës, zbulon motivin e fshehur të dialogimit derisa ka qenë kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Kosova, sipas Kushtetutës, i ka pushtetet e pavarura. Në anën tjetër, dihet mirëfilli se arritjet e dialogimit të deritanishëm janë të kufizuara, prandaj, nuk ka asnjë arsye pragmatike që dialogun të vazhdojë dikush që është dëshmuar si i pasuksesshëm në procesin e deritanishëm.

Së gjashti, HTH edhe pse duhet, sipas Kushtetutës të jetë faktor unifikues, ai është dëshmuar si përçarësi më me ndikim në skenën politike të Kosovës. HTH angazhohej për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, derisa i ka raportet abnormale mes pozitës dhe opozitës sa i përket dialogut. Ai fillimisht e përçau PDK-në, pastaj dhe skenën politike. Ai po shtiret se është faktor unifikues derisa nuk ka shans për të krijuar Grupin e Unitetit. Ngase, publikisht kundër tij janë Vetëvendosja,si parti kryesore opozitare, por edhe partnerët e deridjeshëm të koalicionit. Shkurt ,Grupin e Unitetit ai dëshiron për të përdorë si instrument të mundshëm për të (ri)ngritur “fuqinë” politike para ndërkombëtarëve me shpresë se kjo do ta largojë nga lista e të dyshuarve për Gjykatën Speciale. Përfundimisht, gjasat për të krijuar Grupin e Unitetit janë zero, por gjasa për të krijuar grupin e poltronëve unifikues që do të improvizonin një proces që nuk duhej të improvizohet - nuk përjashtohet.

Ndoshta Hashim Thaçi si idealist e ka rrezikuar jetën për formimin e shtetit të pavarur të Kosovës gjatë konfliktit të fundit me Serbinë. Ai në paqe ka arritur kulmin e suksesit politik, duke sakrifikuar çdo kënd dhe çdo gjë. Sot, është shumë e dukshme se ai si materialist është i gatshëm të rrezikojë shtetin e Kosovës për të mbijetuar politikisht, prandaj ai nuk duhet ta udhëheqë këtë dialog. Fundja, këto janë disa arsye, pse nuk duhet lejuar që frika që e ka kapluar HTH nga pasojat e humbjes së pushtetit dhe fuqisë, të instrumentalizojë dialogun si mënyrë e normalizimit të raporteve të Kosovës me Serbinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Mala21/09/2017 10:23

Mire qe "analistet" nga Kosova nuk caktojne kush duhet te udheheq Bisedimet,se na kish marr lumi krejt.Ate,fatmiresisht e vendos Ai qe ka fuqi mendore e politike e paqesore per bisedemi.

Ymeri21/09/2017 10:23

Deri kur më ky mosbesim ndaj një Kryetari shteti i zgjedhur demokratikisht!

Shto koment