Ogur jo i bardhë

Flaka Surroi Flaka Surroi 19 shtator 2017 07:50

Nuk besoj se i kemi pasur punët më keq ndonjëherë sesa tash me këtë Qeveri komandantësh e tyxharësh. Jetëgjatësia e saj do të varet nga cilido që do të mundë ta shantazhojë për një post, a për një tender, a për një vendim politik sado me peshë të vogël. Do të doja të besoja se ky është fillimi i fundit i një brezi politikanësh të këqij e të paaftë, të cilët do të duhej të largoheshin nga politika për t’u hapur vend ndryshimeve këtu

Dhe, Kosova u bë me Qeveri, pothuajse tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, në një ceremoni absurde dhe qesharake, që përfundoi pa debat parlamentar për programin qeverisës, si dhe me fjalimin më të shkurtër të mundshëm të kryeministrit të zgjedhur atë ditë.

Me shkelje eklatante të Rregullores së Kuvendit dhe me injorimin e ftesës për seancë të jashtëzakonshme, atë që pa asnjë dyshim e dëshmoi qysh në ditën e parë kjo Qeveri, është se u ndërtua mbi kontrabandën e votave të AKR-së; se u përul ndaj Lista Srpskas që e diktoi si orarin e mbajtjes së seancës, ashtu edhe tonin me të cilin iu drejtua Haradinaj deputetëve kur i lexoi parimet e përgjithësuara programore; arrogancën tipike të atij që njëherë kur bëhet me pushtet e tregon fytyrën e vërtetë dhe, në fund, shpërfilljen ndaj opozitës - e nëpërmjet tyre edhe të shumicës absolute të elektoratit.

Qeveri mbi këmbë të qelqta

Sa për të rikujtuar, mbase nuk do të ishte keq të dihen emrat e partive që e krijuan Qeverinë e 61 votave “për” dhe 1 abstenim:

1. Partia Demokratike e Kosovës

2. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

3. Nisma për Kosovën

4. Partia e Drejtësisë

5. Lëvizja për Bashkim

6. Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës

7. Partia Konservatore e Kosovës

8. Alternativa Demokratike e Kosovës

9. Republikanët e Kosovës

10. Partia e Ballit

11. Partia Socialdemokrate

12. Balli Kombëtar i Kosovës

13. Aleanca Kosova e Re

14. Građanska Inicijativa Srpska Lista

15. Kosova Demokratik Türk Partisi

16. Koalicija Vakat

17. Nova Demokratska Stranka

18. Samostalna Liberalna Stranka

19. Partia Demokratike e Ashkanlinjve të Kosovës

20. Partia Liberale Egjiptiane

21. Jedinstvena Goranska Partija

22. Partia e Ashkalinjve për Integrim

23. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës

Do të kujtojmë që nga kjo listë, partitë shqiptare dolën me 42 deputetë, kurse madje 20 vota erdhën nga minoritetet, përkatësisht nga vendet e garantuara me Kushtetutë. Pra, në opozitë mbesin 57 deputetë shqiptarë, kurse për Teuta Rugovën nuk dihet ku mbetet, sepse prej ditës kur kishte votuar për shtyrjen e seancës konstitutive nuk u pa më tek sillej nëpër Kuvend. Absurd Made in Kosova që rezulton me shpotitjen më të madhe që i bëhet Kosovës, që në formën më poshtëruese të mundshme tash dhe kështu, paraqitet si “shtet shumetnik”.

Për t’i rehatuar të gjithë u formua Qeveria me 21 dikastere; me pesë zëvendëskryeministra, dhe hëpërhë një numër të papërcaktuar zëvendësministrash që do të mundë ta kalojnë numrin 50 dhe minimum 120 këshilltarë politikë, nga minimum pesë, për secilin ministër e zëvendëskryeministër... pra një brigadë prej nja 200 vetash që do të paguhen nga buxheti. Për më keq, gjasat janë që shumica e të angazhuarve do të jenë të njëjtët njerëz që riciklohen qe sa vite me radhë herë këndej e herë andej, por gjithmonë aty ku përfshihet paraja publike. Kaq sa për një qeveri reformatore.

Haradinaj e nisi mandatin e vet duke e injoruar Kuvendin që kërkoi debat për programin e tij qeverisës. E tregoi se në atë aspekt nuk do të ketë qasje tjetër nga paraardhësit e tij, që ama bash hiç nuk janë mërzitur t’i japin llogari Kuvendit, pra për pasojë, as popullit. E mandej e shkarkoi Murat Mehën nga Komisioni që logjikisht pushoi së funksionuari në çastin që u arrit Marrëveshja për demarkacionin. Natyrisht se këtë e bëri për efekt medial, meqë Mehën e kishte ofenduar në Kuvend dhe e kishte shpallur diletant e pothuajse armik të popullit. E caktoi Shpejtim Bulliqin për kryetar të ri – e ky tash të shohim a do të jetë në gjendje të mbledhë njerëz përreth vetes që do ta dëshmojnë përfundimisht se demarkacioni i Mehës ka qenë gabim. Dhe nëse e vërteton këtë, do të ketë punë që ta bindë Malin e Zi që të pajtohet të shkojë në arbitrazh; ta bindë Ambasadën amerikane që demarkacioni i vjetër ka qenë gabim, dhe ta bindë edhe BE-në për të njëjtën gjë. E nëse s’paska qenë gabim, atëherë ta qesë në votim Marrëveshjen e vjetër, dhe të dështojë, sepse gjasat janë se kurrë nuk do t’i mbledhë 80 vota për kalimin e saj. Së paku jo derisa Mustafa të jetë kryetar i LDK-së.

Pas kësaj e nisi serinë e vizitave institucioneve problematike (QKUK dhe KEK) dhe në njërën ofroi zgjidhje të stilit të Hades për Shipitullën – njërit nga dështimet më të mëdha që kishte krijuar dikur dora e tij e djathtë, Et’hem Çeku, dhe u zu në rrenë menjëherë. Gjatë kësaj kohe arriti t’i ofendojë edhe gazetarët që, sipas tij, “duhet të shkojnë shkollë”, sepse nuk po ditkan t’i kuptojnë gjërat. Sinqerisht, nëse duhet shkuar në shkollat e njëjta ku kanë shkuar edhe pushtetarët tanë, do të preferoj t’i mbaj gazetarët në punë vetëm me diploma të shkollave të mesme, të cilat i kanë kryer përnjëmend.

Fare në fund, doli problemi me ministrin Rikalo, të cilin ish-fqinjët e kishin denoncuar si pjesëtar të beretave të kuqe paramilitare serbe. Doli të thoshte se as Prokuroria, as AKI-ja e as Policia nuk kishin asnjë evidencë për këtë punë. Edhe bëhet të jetë e vërtetë, për shkak se evidencimi i kriminelëve, i viktimave të luftës, i shkatërrimit që ka pësuar Kosova dhe i përgatitjes së materialit për konfrontim gjyqësor me Serbinë ka qenë prioriteti zero për secilën Qeveri të Kosovës që nga paslufta. Po qe se del se Rikalo është njeri që duhet ndjekur penalisht, si do t’ia bëjë Haradinaj? A do ta shkarkojë, e të rrezikojë të bjerë, apo do t’i mbyllë sytë dhe të thotë i kam edhe plot të tjerë me aktakuza, pra kurrgjë kurrkujt...

Sido që të jetë, nisja e punës së Haradinajt në mandatin e tij të dytë – ku thotë se do ta luftojë korrupsionin endemik me një sërë ministrash që kanë problem me ligjin madje edhe në Kosovën ku nuk ka sundim ligji – shumë i ngjet nisjes së mandatit të Pacollit si kryetar. Do të kujtojmë se atëherë ai shkoi në veri; e fali rrogën e vet, e nuk e di çka tjetër bëri, për t’u dëshmuar njeri i popullit. Të njëjtën gjë po e bën edhe Haradinaj tash, duke treguar se “ai është këtu për punë”, duke e anashkaluar, megjithatë, faktin se në pushtet arriti falë votës së atyre që në javën e parë të punës së tij shkuan në Rusi, për t’iu falënderuar babës Putin për përkrahjen që ua jep, si dhe për luftën që po e bën që Kosova të mos njihet ndërkombëtarisht. Nisja e “rrufeshme” mund të jetë ogur jo i bardhë për Haradinajn: sikurse edhe te Pacolli, çka niset mbrapsht, mund të përfundojë shpejt.

Thaçi në prapavijë

Ai që e ka marrë mandatin e kryetarit me fizkultura dhe përkrahje pothuajse të parezervë të LDK-së, nuk është njeri që e humb atë shumë lehtë. Për më tepër, pavarësisht përfshirjes aktive në fushatë zgjedhore dhe pavarësisht deklaratave të stilit të një kryetari cinik partie (“Pse s’u bâ opozita bashkë me Haradinajn për ta bërë një qeveri të koalicionit të gjerë, për ta qitur Lista Srpskan në opozitë?”) që tregojnë se ky nuk mund të jetë simbol unifikimi i shtetit në asnjë variant, nuk ka kush e heq prej kolltukut. Për më tepër, i lejon vetes që të mungojë gjatë betimit të Qeverisë së re (në kundërshtim me ligjin), për shkak se e ka parë më me prioritet shkuarjen në Amerikë për ta nënshkruar një dokument ku Kosovës i falen vetëm 50 milionë dollarë, nga 500 milionët e premtuar, dhe këtë ta paraqesë si sukses të vetin. Nuk lodhet të arsyetojë se 450 milionët e humbur janë pasojë e korrupsionit endemik, për të cilin flet Haradinaj, të cilin e ka mbjellë vetë ky gjatë qëndrimit në krye të Qeverive të “përkohshme” dhe të “përhershme”.

Thaçi është njeriu i prapavijës së kësaj Qeverie. Hiç nuk është larg mendsh se gjatë takimit që pati me Vuçiqin në Bruksel ta ketë shtjelluar përfshirjen e Srpskas në këtë koalicion dhe të ketë premtuar kush e di për të satën herë se Zajednica do të formohet. Natyrisht, për shkak se ky vetë e ka nënshkruar atë, kurse partia e Haradinajt ia ka dhënë votat për ta kaluar tutje. Tash e kemi situatën që e kemi dhe gështenjat e nxehta, që të gjitha, ia ka hedhur në dorë atij që pati ëndërr shumë të gjatë të bëhej kryeministër. E meqë ëndrra u realizua, tash Thaçi mund të merret me gjëra të tjera, shtetërore.

Ka kohë që e përsërit nevojën për krijimin e një ekipi të unitetit për të vazhduar me negociatat me Serbinë. Insiston që aty të jetë ai, të jetë kryekuvendari, kryeministri dhe shefat e partive parlamentare. Insiston që të ketë konsensus nacional për çështje jetike. Përafërsisht thotë se ajo që ka ndodhur deri tash në Bruksel kanë qenë çështje sekondare e që tash vjen ajo primarja. Çështje sekondare natyrisht e konsideron krijimin e një autonomie për serbët, që lirshëm, dikur në perspektivën jo të largët, mund të shkëputen prej Kosovës dhe ta marrin një copë jo të vogël territori me vete. Për atë “çështje sekondare” e theu krejtësisht konsensusin; e injoroi Kuvendin dhe e shpërfilli opozitën dhe opinionin publik përherë kritik ndaj akaparimit të vendimmarrjes, në një proces që do të duhej të ishte i të gjithëve.

Nuk po e paramendoj situatën ku rreth tavolinës së tij do të mblidheshin të gjithë për ta diskutuar se si duhet dalë nga lloçi në të cilin na ka futur me mendjelehtësinë e tij dhe me bindjen se është negociator i përkryer. Sepse tash me Serbinë nuk e di çka tjetër do të diskutojë kur prej fillimit ka thënë se bisedat me Serbinë bëhen vetëm për çështje teknike. “Çështjet teknike” qenë thellësisht politike dhe nuk dihet se çka është ajo që do të jetë më ndryshe e që tash ka nevojë për konsensus nacional.

Do të insistojë në formimin e këtij ekipi, dhe qysh qëndrojnë gjërat, do t’i ketë me vete edhe Veselin edhe Haradinajn – të cilët tash janë të varur nga ky. Do t’i ketë edhe minoritetet, porse zor se do ta ketë opozitën shqiptare në të. Për ngushëllim, mund ta marrë Edita Tahirin në ekip, meqë tashmë ajo ka mbetur jashtë kombinimeve për poste shtetërore, e s’bën me ia humb gruas “gjithë atë përvojë në politikë e diplomaci” që e ka.

* * *

Nuk besoj se i kemi pasur punët më keq ndonjëherë sesa tash me këtë Qeveri komandantësh e tyxharësh. Jetëgjatësia e saj do të varet nga cilido që do të mundë ta shantazhojë për një post, a për një tender, a për një vendim politik sado me peshë të vogël. Do të doja të besoja se ky është fillimi i fundit i një brezi politikanësh të këqij e të paaftë, të cilët do të duhej të largoheshin nga politika për t’u hapur vend ndryshimeve këtu.

Porse e di që për ta bërë hapin e parë në këtë drejtim do të duhej ndryshuar Kushtetutën për ta eliminuar absurdin që e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, e që dy herë na solli bllokadë – dhe dyshoj shumë se këto ndryshime mund të ndodhin lehtë.

Kjo për një arsye shumë të thjeshtë: sepse secili ndryshim në Kushtetutë do të varet nga Lista Srpska dhe nga kërkesa e tyre për themelimin e autonomisë së serbëve në Kosovë, të cilën me aq shumë pompë e nënshkroi Thaçi.

Janë shumë gabime që janë bërë e që kanë nevojë për riparim a amortizim. Por është shumë problem i madh që ato telashe t’i zgjidhin ata që i kanë krijuar.

Nuk munden, sepse pushtetin për të mirën e popullit nuk e kanë përnjëmend.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi