Asfalti i votave

Bekim Kupina Bekim Kupina 17 shtator 2017 08:00

Këndvështrimi i efikasitetit të pushtetit lokal prej pasluftës e këndej nuk ndalet se kundruari nga prizmi i asfaltit e kanalizimit. Kërkesa e votuesit kosovar ka mbetur e ngrirë, teksa oferta e të të votuarve është e njëjtë e ambalazhuar me dizajn tjetër. Pothuajse çdo vit, kur bëhen bilancet komunale, asfalti ende radhitet në majë të projekteve të realizuara nga pushteti lokal kosovar

***

I kthyer këtë verë si çdo tjetër, Rashiti ka manifestuar shenja pesimizmi si kurrë më parë. Prej 19 vjetësh, vitet i ngjajnë njëra-tjetrës e ai dëgjon rrëfime të zakonshme të bashkëqytetarëve, emërues i përbashkët i të cilave është humbja e shpresës për ditë më të mira. Nocion krejtësisht abstrakt formulimi për t`u bërë mirë një ditë, ama njëfarë sintagme rituale për të cilën fort janë lidhur kosovarët, ani se pakkush di ta shpjegojë në fakt se çfarë përmban paketa ëndërrimtare ‘për ditë më të mira’.

E Rashitit i ka humbur durimi, megjithëse nuk jeton këtu. I ardhur kohë pas kohe në Kosovë, ai e ka kosovarizuar optimizmin dhe më e ka ndarë mendjen ta rrallojë ardhjen në vendin e origjinës. I ndodhur këtu në fundin e fushatës për zgjedhjet parlamentare, Rashiti e ka shlyer shpresën se votat do të mundë të ndikojnë që gjendja të ndryshojë së paku afërsisht me projeksionin ‘do të bëhet mirë”.

Por, në Suedi, vota më shumë sesa obligim qytetar është përgjegjësi. Në një palë zgjedhje, atij i ishte mbushur mendja ta votonte kolegun e punës, që ishte kandidat zgjedhor. Por reagim i suedezit në kontekstin kosovar e kishte habitur Rashitin.

“A e keni lexu programin tim”, sakaq i kishte zënë ngushtë suedezi Rashitin dhe shokun e tij, pavarësisht zemërgjerësisë së tyre që ta votonin.

Natyrisht, përgjigjja e të dyve kishte qenë negative. E suedezi pa hezitim i kishte ftuar që së pari ta lexojnë orientimin programor të tij, pastaj të përcaktohen nëse ndajnë qëndrimet e njëjta për idetë e tij politike.

Këtu ishte mbyllur muhabeti.

Në Kosovë, Rashitit as që i kishte vajtur mendja ta takonte ndonjë kandidat për deputet. Por, mërgimtarë sikurse ai, nuk hezitojnë sa herë ka zgjedhje të vijnë ta vënë votën pa pasur idenë nëse po e bëjnë për kandidatin apo subjektin e duhur.

Çdo verë, rrëfimet e të afërmve të Rashitit nis e sos përmbajnë linjën e njëjtë të rrëfimit. Ndonjëri nga ta i rrëfen me krenari se si ky apo ai kryetar ua ka shtruar asfaltin deri në derë. Kjo është komuna kosovare dhe këta janë kryetarët e komunave. Kryetarë të asfaltit!

***

Këndvështrimi i efikasitetit të pushtetit lokal prej pasluftës e këndej nuk ndalet se kundruari nga prizmi i asfaltit e kanalizimit. Kërkesa e votuesit kosovar ka mbetur e ngrirë, teksa oferta e të të votuarve është e njëjtë e ambalazhuar me dizajn tjetër.

Pothuajse çdo vit, kur bëhen bilancet komunale, asfalti ende radhitet në majë të projekteve të realizuara nga pushteti lokal kosovar. I pasuar nga kanalizimi, rrjeti i ujësjellësit, apo ndriçimi publik. Pra, nevojat e votuesve kosovarë ende mbeten të njëjta me ato të para 19 vjetësh. Thuajse kurrkund asfalt të mos jetë shtruar që prej asaj kohe. Nuk të bie asnjëherë të dëgjosh për ndonjë projekt kreativ në nivel lokal, i cili e bën të dallueshme këtë qeverisje që po mbaron me ato pararendëse. Kjo ka shndërruar relacionet votues- të votuar në klienteliste, sepse të shumtën e herës asfalti konsiderohet blerje e votës qytetare në këmbim të plotësimit të kësaj nevoje elementare, që nga prizmi i politikanëve lokalë ende trajtohet njëfarë favori ndaj elektoratit.

Kjo ngecje që po shënon marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy kategorive shoqërore e ka devalvuar ofertën elektorale deri në tëhuajsim. Teksa zgjedhësin kosovar e ka shndërruar në mediokër, të cilin pushteti e stërkënaqë më një shtresë asfalti si petë piteje. Ky njëfarë raporti sikurse në ekonominë e çrregullt të tregut ku tregtarët zakonisht sjellin të njëjtin mall me vjet të tërë, ngase konsumatorët nuk duan e as nuk kërkojnë tjetër.

Për çfarë pushteti atëherë po flasim?! Pothuajse fiktiv. Pa përmbajtje, pa ofertë kreative. Pushtet, i cili veprimtarinë e vet ende e zhvillon për t`i mbajtur me pagë nga 150-300 nëpunës komune, të cilët kanë përfunduar në administratën komunale shkaku i lidhjeve familjare, miqësore, partiake apo ta ngjashme.

Komuna sociale, të cilat vjelin taksa nga biznese e qytetarë, porse në përgjithësi utilitarizmin ndaj qytetarëve e manifestojnë kryesisht nëpërmjet asfaltit, kanalizimit e ndriçimit. Edhe më paradoks, teksa dëgjon lëvdata se si i kanë hequr radhët e pritjes në sportele për dokumente elementare. Ama asnjëherë pa fuqi për t`u përballë më papastërtinë në qytetet kosovare, mungesën e sensit estetik në planifikimin urban, të çerdheve, shkollave, vendeve rekreative për të rinj e pensionist a ndonjë bibliotekë në lagje.

***

Duke e koncentruar shumicën e buxhetit për paga e mëditje, përfundimisht komunat ende veprojnë me logjikën emergjente. Kjo fazë tashmë konsiderohet e përmbyllur, ndaj në dekadën e parë të ekzistimit të këtij shteti cilësia e ofertës së komunave për qytetarët duhet ndryshojë përmbajtësisht dhe cilësorisht.

Logjikës së asfaltit e kanalizimit duhet t`ia zërë vendin ajo e projektimit të vendbanimeve të reja urbane, me theks të veçantë në aspektin estetik, ngase duke jetuar në kaos, bashkëjetesa me të është bërë e natyrshme.

Cilësia e ofertës rritet proporcionalisht me atë të kërkesës, ndaj koha është për pushtet dinamik e atraktiv, i cili së paku një çerek përmbushë sintagmën për një jetë më të mirë për qytetarët e cilësdo komunë. E panatyrshme që 20 vjet pas lufte ende kandidatë për kryetarë komunash, të premtojnë asfalt, ndriçim publik, rregullim të trafikut urban, apo shtrirje të rrjetit të kanalizimit. Këto janë gjëra të domosdoshme, dhe si të tilla as nuk duhet të përfshihen në programe zgjedhore e as të flitet publikisht për to. Nuk di pse duhet lavdërohen kryetarët në rrjetet sociale për këto gjëra?!

Prandaj, më 22 tetor, votuesit përpara se ta hedhin votën është mirë që të preferuarit e tyre t`i shoshitin nëse kanë ndonjë ide të dallueshme nga asfalti e kanalizimi.

Ndryshe, vota për asfaltin do të vazhdojë ta betonojë çdo metër të këtij vendi dhe ku ambicia për një jetë më të mirë mbetet në diskursin e debatit të çdoditshëm nëpër rrugica mëhallësh, ku ideja e së mirës konceptohet me kilometrat që bëjnë ata për vajtje- ardhje nga njëri në destinacionin tjetër!

bekim.kupina@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Bekim Kupina