Politika në Kosovë nuk ka ndryshuar

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 13 shtator 2017 08:34

Mënyra se si u krijua Qeveria e re e Kosovës dëshmon se asgjë në politikën e këtij vendi nuk ka ndryshuar. Përsëri Qeveria ishte rezultat i pazareve politike e jo vetëm i votave të qytetarëve. Përsëri u dëshmua se në Kosovë lajm bëhen ata që e mbajnë fjalën, sepse kjo është risi. Ndryshime ka vetëm për të keq: Qeveria tash është edhe më e varur nga Beogradi sesa që ishte më parë. E BE-së më së shumti i intereson që Qeveria e Kosovës të jetë e pranueshme për Beogradin. Prandaj edhe i bëri thirrje që të “punojë bashkë me Beogradin për të siguruar hap kualitativ përpara” në dialog. Problem nuk është pjesëmarrja e serbëve në Qeveri, por qëndrimi i tyre kundër shtetësisë së Kosovës

Shkuarja e delegacionit të Listës Serbe në Beograd të shtunën, detyrimi i shumicës së re parlamentare në Kosovë që t’i presë derisa të kthehen, sepse pa votat e tyre nuk mund të votohej Qeveria, ishte një shfaqje përmes së cilës Beogradi donte ta demonstronte fuqinë. Nuk kanë pasur nevojë deputetët e Listës Serbe të shkojnë në “minutën e fundit” në Beograd për të marrë bekimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe të ministrit Gjuriq. Ata e kanë ditur se do ta votojnë Qeverinë dhe se do të jenë pjesë e saj. E kanë ditur po ashtu qëndrimin e Beogradit se, ndonëse për ta i akuzuar për krime të rënda, për çka edhe u arrestua në Francë, Haradinaj është më i pranueshëm sesa Albin Kurti. Por kanë dashur edhe partnerëve në Qeveri, edhe qytetarëve të Kosovës, edhe bashkësisë ndërkombëtare, t’ua dëshmojnë edhe një herë fuqinë e tyre, dhe me këtë edhe fuqinë e Beogradit.

Me këtë janë të kënaqur edhe ata në bashkësinë ndërkombëtare, shumë prej tyre edhe në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe në Komisionin Evropian, të cilët tash e sa vite vazhdojnë të thonë se Kosova nuk është mirë as të bëjë përpjekje për të bërë diçka pa u marrë vesh së pari me Beogradin. Të tillët e kishin quajtur (privatisht gjithsesi) si gabim edhe kërkesën për anëtarësim në UNESCO, sepse thanë se “është dashur të merreni vesh me Beogradin”.

Nuk duhet relativizuar varësinë e kësaj qeverie nga Beogradi, duke krahasuar rolin e Beogradit me atë të Tiranës, apo duke e devijuar debatin në atë mënyrë që kritikat për varshmëri nga Beogradi të shihen si nacionalizëm kundër serbëve të Kosovës. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka takuar liderët e shqiptarëve të Maqedonisë, por Rama, e as Qeveria e tij, nuk thonë se Maqedonia është pjesë e Shqipërisë. As nuk thotë se liderët e Maqedonisë janë “terroristë” apo “kriminelë”, e as që shpallë fletarrestime për ta.

Mënyra se si u krijua Qeveria e re e Kosovës dëshmon se asgjë në politikën e këtij vendi nuk ka ndryshuar. Përsëri Qeveria ishte rezultat i pazareve politike e jo vetëm i votave të qytetarëve. Përsëri u dëshmua se në Kosovë lajm bëhen ata që e mbajnë fjalën, sepse kjo është risi. Ndryshime ka vetëm për të keq: Qeveria tash është edhe më e varur nga Beogradi sesa që ishte më parë. E BE-së më së shumti i intereson që Qeveria e Kosovës të jetë e pranueshme për Beogradin. Prandaj edhe i bëri thirrje që të “punojë bashkë me Beogradin për të siguruar hap kualitativ përpara” në dialog. Problem nuk është pjesëmarrja e serbëve në Qeveri, por qëndrimi i tyre kundër shtetësisë së Kosovës.

Mbrojtja e pjesëtarëve të shumicës së tashme në Kuvend se “edhe në kohën e LDK-së serbët ishin pjesë e Qeverisë” nuk e zbut problemin. Edhe në Qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa anëtarët serbë të asaj Qeverie kur thoshin “qeveria jonë” mendonin në atë të Serbisë. Dhe kështu pati edhe situata absurde kur Qeveria e Kosovës bënte lobim për anëtarësim në UNESCO, lobim gjithsesi të dështuar, anëtarët serbë të kësaj Qeverie ishin kundër, ndërsa Qeveria “e tyre” (ajo e Beogradit) dërgonte letra aq të ashpra kundër Kosovës në përfaqësitë diplomatike të vendeve të tjera duke e krahasuar Kosovën me “Shtetin Islamik”.

Edhe Qeveria e Kroacisë sot varet nga 3 vota të pakicës serbe. Por ata janë shtetas të Kroacisë, luajalë dhe nuk e vënë në pikëpyetje ekzistimin e shtetit kroat. Ata nuk kërkojnë bekim të presidentit të Serbisë, Vuçiq, apo të Kishës Ortodokse Serbe para se të votojnë. E as Vuçiqi më nuk e vë në pikëpyetje ekzistimin e shtetit të Kroacisë dhe, së paku zyrtarisht, ka hequr dorë edhe nga pretendimet territoriale që ka pasur më herët ndaj pjesëve të Kroacisë, kur ishte një prej promovuesve të idesë së Serbisë së Madhe.

Ka një dallim të madh prej pjesëmarrjes së serbëve në Qeveri nga varësia e plotë e Qeverisë nga ta. Dhe kjo duhet të kuptohet si problem edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Sepse Serbia nuk ka treguar ende asnjë shenjë se dëshiron të pajtohet me faktin se Kosova është shtet. Nuk ka dhënë asnjë sinjal se nuk do ta pengojë anëtarësimin e saj në nisma dhe në organizata ndërkombëtare. Dhe bën pengesa gjithmonë aty ku ka mundësi. Në organizatat ku Kosova është pranuar, përfshirë edhe ato sportive, si Komiteti Olimpik apo FIFA dhe UEFA, Serbia nuk ka arritur të pengojë, por ka kritikuar ashpër, madje edhe me fyerje të rënda. Varshmëria nga një Serbi e tillë është problem edhe i jashtëm, edhe i brendshëm për Kosovën. Pak ka rëndësi se kush është në krye të Qeverisë së Kosovës kur situata është e tillë.

Por duhet pranuar se problemi më i madh nuk janë anëtarët e Listës Serbe dhe varësia e tyre e plotë nga Beogradi për funksionimin e duhur të Qeverisë Haradinaj. Kryeministri një ditë para betimit të Qeverisë e pranoi se nuk e di se kush do të jenë ministrat, sepse, siç ishte shprehur: “Ende nuk ia kanë dërguar partitë emrat e ministrave”. Dhe, si pjesë e pazareve, atij nuk do t’i përgjigjen direkt ministrat, por partive të tyre. Bashkimi Evropian edhe në kohën kur funksiononte Qeveria e PDK-së dhe LDK-së si pengesë më të madhe për funksionim e kishte përmendur mungesën e bashkëpunimit dhe koordinimit të ministrave që vijnë nga partitë e ndryshme. Sepse brenda Qeverisë secili ministër mbronte interesat e partisë së tij. Nga mënyra se si u krijua kjo Qeveri gjasat janë që ky problem të rritet edhe më shumë. Dhe në rrethana të tilla nuk do të jetë e lehtë që Kosova t’i kryejë ato detyra që kërkohen nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos ratifikimi i Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe dëshmitë për luftë kundër korrupsionit në nivel të lartë. Dhe në këtë mënyrë është vështirë të pritet realizimi i premtimeve për heqje vizash për qytetarët e Kosovës.

Ajo që është edhe më e rëndë është se as zgjedhjet e reja me një ligj të tillë zgjedhor nuk do të ndryshonin asgjë. Në Kosovë edhe pas këtyre zgjedhjeve mbeti vetëm një gjë e qartë: vetëm PDK dhe Vetëvendosje e përjashtojnë njëra-tjetrën. Të gjithë të tjerët shkojnë me të gjithë të tjerët në koalicion. Pazaret që mundësuan krijimin e Qeverisë nuk duhet ta befasojnë askënd. Befasi mund të quhet vetëm koha e gjatë që u desh për të arritur marrëveshjen. Por me kalimin e kohës AKR-ja rriti edhe çmimin. AKR-ja, sipas parimeve të biznesit të suksesshëm, arriti me investime minimale të maksimalizojë përfitimin, me 3 vota në Kuvend arriti të marrë 5 vende në Qeveri. Por sikur të mos ishte LDK-ja, ndoshta AKR-ja as që do të kishte ndonjë vend në Kuvend, sepse ndoshta nuk do ta kishte kaluar pragun zgjedhor.

Nga krejt ky pazar, që shumë e shohin si të pandershëm dhe të padobishëm për Kosovën, duhet nxjerrë një mësim: qytetarët nuk duhet të acarohen për shkak të fjalorit të politikanëve e as nuk duhet t’i marrin seriozisht fjalët e tyre. Sepse kanë dëshmuar se nuk hezitojnë të shkelin fjalën për interesa personale apo partiake, apo , siç thonë vetë “për shkak të qytetarëve të Kosovës, miqve ndërkombëtarë dhe për të lëvizur gjërat përpara”. Vetëm le të kujtojnë se çfarë kanë thënë për njëri-tjetrin ata që sot janë bërë bashkë, apo si kanë qenë bashkë deri dje ata që sot e shajnë njëri-tjetrin, e do të shohin se nuk ia vlen të jenë as tifozë e as militantë të tyre. Ndryshime të mëdha në Kosovë, megjithatë, nuk ndodhën, sepse Qeveria ende është rezultat i pazareve me numra e jo i zgjedhjeve të ideve apo programeve. Se nuk ka ndryshuar asgjë, apo gjërat kanë ndryshuar për të keq, u pa të shtunën, kur opozita e bojkotoi Kuvendin dhe të dielën kur këtë e bëri Qeveria dhe shumica e re parlamentare. Pra, që në fillim dëshmuan se nuk kanë as dëshirën më të vogël që ta dëgjojnë njëri-tjetrin, që të shkojnë drejt një debati parlamentar, por se më së miri u shkon shkëmbimi i akuzave dhe i fyerjeve, nëse jo para mikrofonave të medieve, atëherë përmes veglës më të lehtë që kanë, rrjeteve sociale. E të gjithë, nga politikanët në Kosovë e deri te Brukseli, vazhdojnë të thonë se “Kosova nuk ka kohë për të humbur!”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Bona15/09/2017 10:41

Qeveri me paterica beogradase dhe komanda ruse.... Qeveri e TURPIT! Qeveri e Krimit dhe e hajnave! Turp të keni edhe ju të gjithë që përkrahni këtë të sëmurë psiqik i vetë emëruar kryeministër! Turp të qoftë ty o krye analfabet e kryemizerje! Turp edhe "tufës së kopesë" që të vjen prapa ty dhe qeveritarëve tu injorantë! Ju zëntë gjaku i të rënëve për këtë tokë ... Ju zëntë nama e gjama e nënave oxhakshuar e derëmbyllur! Ju tradhtarë, ju servilë e bukëshkalë! Turp të ketë secili nga ju që përkrahni këtë qeveri mbushur me kriminelë, me hajdutë e me tradhëtarë!!! Hidhërim më të madh se këto ditë s'ka përjetuar shqiptari... !!! Zot ndihmoju se s'dinë cfarë bëjnë e cfarë duan!!!

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj