Kosovatex Holding

Drenusha Zajmi-Hoxha Drenusha Zajmi-Hoxha 11 shtator 2017 08:56

Fillimi i shtatorit më duket nganjëherë sikur Viti i Ri. Shumica bëjnë plane personale, familjare e profesionale, ca afatshkurtra e ca afatgjata, por kryesisht, deri te vera tjetër, kur vrapojmë sërish pas zhegut të madh, për të kërkuar freski nën çadër ose pemë. Njerëzit qetësohen pas ngarendjeve sa në bregdet, sa në mal, sa nëpër pishina, sa vizita e ekskursione. Turma e njerëzve nëpër qytete zvogëlohet, mërgimtarët kthehen në vendet e tyre, ndërsa njerëzit u kthehen punës, ritmit dhe rutinës monotone.

Të gjithë kanë një lloj zgjimi të lodhshëm në fytyrë, të lumtur se i mbijetuan edhe një vere vullkanike, thua ti se na detyroi dikush të fërgohemi si zhapinj plazheve shqiptare pa kabina, pa tualete, pa kushte, pa investime, pa mirësjellje dhe pa shpëtimtarë.

Të tjerët ndihen akoma më të lumtur që nuk ishin pjesë e atij numri të madh të mbyturish në valët e detit sivjet, për të cilët askush nuk dha ndonjë raport më të detajuar, askush nuk bëri hetime dhe askush nuk mori përgjegjësi ose largqoftë të japë dorëheqje. Pse ishte ky numër alarmues sivjet? Askush nuk e di dhe askush nuk lodhet që ta dijë.

Kështu pra, të gjithë fillojmë e këndellemi sikur kemi qenë në beteja të mundimshme dhe planifikojmë gjoja njëfarë sistemimi jetësor.

“Paçurrkat” e tabutit

Sidoqoftë, mos thoni se askush nuk ka punuar si sahati derisa mileti është zhdergjur brigjeve me rërë. Nën tokë, në errësirë, prapa shpine e para syve, pothuajse në kushte migjeniane kanë punuar politikanët tanë, të pazëvendësueshëm që 17 vjet. Janë lodhur e janë këputur për ne, ndaj dhe koha është që pas shitblerjeve njerëzore e partiake që kanë bërë, të ulen në kolltukët e merituar bindshëm dhe ta fillojnë sundimin mbi popullin e përçarë.

Telallët e paguar dhe ata që thjesht urrejtjen e kanë hobi, kanë punuar tërë verës me zell nëpër rrjete sociale. “Shikoni tipin si hipi në barkë”, “shikoni filanin si po fotografohet”, “shikoni filania po pi kafe serbe”, e lloj-lloj paçavuresh e thashethemesh tjera, që t’i përziejnë zorrët me sabah. Populli i etur për “muhalife” gjuhet vrullshëm menjëherë në komente e linçime, për të kaluar të intriga e radhës ditën tjetër. Dita-ditës, urrejtja u bë shprehi, rrahja normalitet, vrasjet si bukë e përditshme, vjedhjet si formë jetese.

Gojëkëqijtë thoshin se jemi në krizë. Për cilën krizë e keni fjalën? Thonë kemi krizë identiteti, dikush krizë qeveritare, krizë ekzistenciale, krizë buxhetore, krizë politike, krizë financiare, krizë shtetërore. Thjesht popull i gatuar mbrapsht. Veç keq di të mendojë.

Unë them përkundrazi. Kurrë më mirë nuk kanë lulëzuar gjërat në Kosovë. Edhe vetë shtatori disi sjell njëfarë “fillimi të ri” me shumë ngjyra, lule, kërpudha, pemë e perime, “paçurrka” e speca lloj-lloj, tamam mjaftueshëm sa për ta mbuluar për disa muaj zymtësinë kosovare.

Gjithandej lulëzim. Asnjëherë më shumë nuk kanë lulëzuar krimi, korrupsioni, hajnia, vrasjet, rrahjet, trafikimi, varfëria, narkomania e fenomenet e tjera trishtuese. E çka ka rendësi çfarë janë përderisa lulëzojnë? Popullit i mjafton të shohë “rozë” dhe jo zi. Gjithmonë nga perspektiva e “tabutit” premtues për ata që kanë vdekur kaherë.

Mesia

Dhe ja ku vjen dita dhe zbret Mesia me aeroplan privat. Pas Darkës së Shenjtë me apostujt e krimit, vjen Shpëtimtari ynë, të cilit ia shtruan rrugën me lule pikërisht ata, që ende nuk po e gjejnë veten nëse janë me ferrin a parajsën.

Mesia, i njohur për paratë e shumta dhe udhëtimet luksoze qiellore, ofron paqen dhe zgjidhjen për të gjithë, i lumtur se tash e pas, ndërmarrja e tij e dashur Kosovatex Holding, është në duar të sigurta dhe do t’i ofrojë këtij populli të vuajtur një vend për të vdekur më mirë, jo vetëm financiarisht, por edhe moralisht.

Njerëzit, të lumtur për krijimin e institucioneve, thonë se ndodhi mrekullia. Haleluja! Qenkan lutur për ne Skënderbeu me ferexhen që ia vunë me zor dhe, Shën Tereza nga qielli. Ama që na ra nga një gur prej zemrës që më në fund, dy garuesit famozë për karrige kryeministri dhe presidenti i ardhshëm, po e arrijnë finishin e maratonës së lodhshme. Qe sa vite kjo ngarendje pas këtyre posteve me çdo kusht. Dhe të gjitha po i bëjnë për popullin. E bukur kjo. Skenar për film.

Dhe krejt këta njerëz bashkë me sekserë, hajdutë, mafiozë e servilë të tjerë, tani do shërohen me dorën e shenjtë të Mesias. Do ta krijojnë një qeveri të ndershme. Dhe kjo qeveri ia di hallin popullit. Ia bën lule në të gjitha anët. I jep gjelbërim e bar. I ushqen dhe ai e ha. Lum ne për këta liderë e politikanë. Njerëz të palodhshëm për të ardhur në pozita interesi. Breh, sa popull gjynahqar që jemi, që gjallojmë kot në kurriz të kësaj elite. Nuk ua dimë mundin, që thonë. Por, nuk ka rendësi, sepse ata ia dinë vetes dhe e shpërblejnë me rroga të mëdha, ryshfete, biznese e allëshverëshe ilegale.

Mirë po bëjnë. Se mos po ia ndien kujt. Se mos po bën gjë far prokurori a prokuroreje. Del biri i botës nga opozita dhe thotë se së shpejti paskan për të dalë në lëndinë bota e krimit dhe akterët e saj. Çfarë batute e fortë. Të shkrihesh gazit. Akoma më interesant se kur mendoja se Gymyshi do të dalë mashkull. Pse bre njerëz po bëheni xhelozë? Po ne jetojmë në botën e krimit, jemi vetë akterët e saj! Sa rrahja, sa vjedhja, sa ryshfeti, sa vrasja. Sa jemi pjesëmarrës, sa dëshmitarë, sa bashkëpunëtorë, sa statuja të heshtura. Po çfarë bote bre! Bile disi më duket bajatllëk kur nuk ndodh diçka e keqe në Kosovë. Kur po mendoj më mirë, kaherë nuk kemi ndonjë arrestim shtëpiak për “terrorizëm” ose lirim burgimi për hajna buxheti. Flaka më doli për ndonjë vaki të re.

Prostitutat e pafajshme

Tani çfarë ka mbetur më shumë. Mund të ndodhë që Shpëtimtari ynë na e blen nga një avion privat. Ose hajde nga një shtëpi. Mirë de, së paku nga një pasaportë të Kushediku-stanit , veç le të ketë vizë në të.

Apo e shndërron rezidencën e tij përrallore në diçka si Shtëpia e Bardhë, të cilën ne vdekatarët shkojmë për ta vizituar. Nuk guxoj as ta mendoj, ama sinqerisht, e tëra jam nën ethe.

E tekefundit, çdo fillim i ri i ka edhe hallet e reja, por edhe privilegjet. Tani që arsimimi dhe teknologjia do të avancojnë me hapa gjigantë në vendin tonë, duke u bazuar në programin kryeqeveritar intensiv: “Si të bëheni doktor shkence për dy ditë” do të vijë dita kur ju, për shembull, hani kokoshka në fotelen tuaj të preferuar, ndërsa e shijoni ndonjë përjetim virtual sikur jeni vetë president, deputet, jeni në seancë Kuvendi ose duke notuar në det. Nuk keni nevojë për të shkuar fare e t’i nënshtroheni masakrës së mushkonjave dhe diellit të pashpirt. Besa do të avancojë edhe prostitucioni politik, sepse është tepër i kërkuar dhe i konsumuar. Mbase hapet edhe si degë fakulteti, më herët, duhej të shkonit në shtëpi publike-politike dhe krejt rezerva të shihni andej këndej mos po u sheh kush. Sot shtypeni butonin dhe paguani paratë, bëni marrëveshje e tregti me gjymtyrët e Kosovës duke hëngër drekë si mbret. Sapo mshel e çel sytë, prostituta (sa shumë paskemi pasur!) pa fijen e turpit, e me sy të “pafajshëm” do t’ju vijë vetë.

Sindroma e Stokholmit

Mezi po pres t’i shoh edhe seancat e Kuvendit. Pas një morie telenovelash zemërthyese indiano-turko-spanjolle, ka nevojë njeriu për pak freski. Sidomos kur për çdo vendim jetik për vendin, do ta pyesim Lista Srpskën, e cila haptas ka thënë se i përgjigjet Beogradit, wow sa nostalgji!

Me dashtë Perëndia, në të ardhmen, meqë veç kemi estradë në Kuvend, konkurrojnë si deputete të Kosovës edhe Ceca me Zoricën ose Lepa Brena. Më rrëqethët mishi nga qejfi i madh. M’u bë kokrra-kokrra. Po më duket se pikërisht atëherë do të na bashkangjiteshin edhe shumë deputetë nga Shqipëria more njerëz. Muzika e preferuar i bashkon njerëzit kur e duan me shpirt. Edhe këto deputetet që nuk kanë zë që 8 vjet dhe votohen përsëri nga trupeshqit, mund të inkuadrohen aty me playback dhe të këndojnë ashtu si u thuhet e shkruhet. U ngazëlleva shumë. Ja çfarë më gjen sa herë më kap kjo dreq sindrome e Stokholmit, po nuk kam çfarë i bëj së shkretës. Me ndodh qindra vite, gjithmonë. Dhe është epidemike kjo kolera jonë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Fact check13/09/2017 15:49

Permbledhje e mire e asaj se si po ndihemi shume nga ne. Mirepo, Pacolli nuk eshte pronar i Kosovatex Holding. Se paku kontrolloni faktet para publikimit.

Doni12/09/2017 15:33

Natyrisht qe nuk ka komente sepse thjesht, nuk mund te komentohet teksti i Drenushes. Vetem te lexohet ... te lexohet ... te lexohet duke qeshur e vajtuar. Ajo eshte ma e mira ... pa koment. Doni

Visari12/09/2017 15:44

Të lumtë për këtë shkrim Drenushë!

Shto koment

Tjera nga Drenusha Zajmi-Hoxha