Rroftë Qeveria, poshtë Qeveria

Agron Bajrami Agron Bajrami 10 shtator 2017 08:00

Thënë shkurt: Qeverisja në Kosovë nuk duket se do të ndryshojë, vetëm ndërrohen dhe shtohen akterët në krye të saj

I.

Historia e koalicioneve politike në Kosovë prej fundit të luftës deri sot është një që e nxjerr në shesh përmasën në të cilën sistemi politik kosovar është i korruptuar: gjithçka i nënshtrohet interesit dhe përfitimit të ngushtë, individual e politik, në dëm të funksionalitetit të përgjithshëm qeverisës. Jo vetëm mungesa e çdo parimi mbi të cilin ndërtohen koalicionet, qoftë qeverisëse, qoftë parazgjedhore, por edhe përqendrimi ekskluziv në ndarje të posteve, dëshmon për mungesë të rëndë të vëmendjes së politikës për interesin publik dhe shtetëror.

Të gjitha koalicionet e mëdha politike kanë vuajtur nga tiparet e njëjta: mungesa e përcaktimit ideologjik dhe programor mbi të cilin ndërtohet aleanca politike dhe qeverisëse, ndarja e resorëve dhe e posteve sikur të ishin plaçkë dhe jo përgjegjësi, lufta brenda koalicioneve për vendosje të kontrollit partiak mbi institucionet dhe agjencitë, politizimi i të gjitha sferave qeverisëse, keqpërdorimi i shumëfishtë i buxhetit, si dhe fenomenet tashmë tradicionale në qeverisjet tona: nepotizmi, punësimet partiake dhe manipulimet me tender në favor të grupeve të interesit të ngushtë politiko-ekonomik.

Rrjedhimisht, të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë ishin më shumë konfederata ministrish sesa një ekzekutiv i vetëm që zbaton programet dhe politikat e aprovuara nga legjislativi.

Bazuar në marrëveshjet e fundit politike që do të duhej prodhuar një Qeveri të re pas zgjedhjeve të 11 qershorit, rezultati do të jetë i njëjtë; Qeveria e ardhshme e Kosovës duket sërish si një konfederatë politike, në të cilën parti të caktuara udhëheqin me ministritë që kanë në mënyrë krejt autonome, derisa kreu i Qeverisë do të ngarkohet të merret me menaxhimin e krizave që do të lindin pashmangshëm si pasojë e mungesës së vullnetit politik brenda koalicionit, por edhe për shkak të presioneve të jashtme, si ndërkombëtare ashtu edhe nga opozita.

Në një konstruksion politik si ky, nuk ka si të mos thellohet edhe më shumë problemi i korrupsionit, ndërsa kapaciteti për koordinim të efektshëm të politikave qeverisëse do të reduktohet edhe më tej si pasojë e shtimit të vendimmarrësve individualë që jo domosdoshmërisht do të kenë vullnetin për të ecur në të njëjtën rrugë si të tjerët brenda Qeverisë.

Thënë shkurt: Qeverisja në Kosovë nuk duket se do të ndryshojë, vetëm ndërrohen dhe shtohen akterët në krye të saj.

II.

Problem të theksuar do të paraqesë fakti që Qeveria do të ketë varësi ekzistenciale nga votat e Listës Serbe, ndërsa Lista Serbe nuk e fsheh se është nën urdhrat e presidentit të Serbisë.

Ky raport nuk ka të bëjë me mbrojtjen dhe përparimin e pozitës së minoritetit serb në Kosovë (që edhe ishte ideja e garantimit kushtetues të përfshirjes së përfaqësuesve serbë në qeverisje), por ka të bëjë me mbrojtjen dhe përparimin e interesave të Beogradit, e që janë hapur në dëm të shtetësisë së Kosovës. Si funksionon kjo e dinë mirë të gjithë ata që i shërben kujtesa: Lista Serbe tashmë ka aplikuar veton e saj kushtetuese duke kundërshtuar krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Dallimi kësaj radhe është se pa votat e Listës Serbe, Qeveria e Kosovës nuk mund të llogarisë as në shumicën e thjeshtë në Kuvend.

Koalicioni i ndërtuar kështu, bashkë me armiqësinë e shtuar ndaj opozitës, i jep të drejtën e plotë të vetos Beogradit për të gjitha çështjet që Qeveria duhet t’i kalojë në Parlamentin e Kosovës.

Thënë shkurt: Beogradi do të ketë rol më të madh në qeverisjen e Kosovës se që ka pasur ndonjëherë që nga fundi i luftës.

III.

Bazuar në përvojën e deritanishme, edhe kjo Qeveri ka më shumë gjasa ta shohë fundin e vet para se të skadojë mandati i paraparë me Kushtetutë.

Natyrisht, nuk është e mundur të parashikohet sa mund të zgjasë koalicioni që tani përgatitet ta marrë pushtetin, edhe pse ka shumë që japin edhe vlerësime të tilla.

Por ajo që duket qartë është se dy faktorët që ia kanë rënduar funksionimin edhe Qeverisë paraprake – mungesa e një shumice stabile në Kuvend dhe mungesa e një programi të detajuar dhe të dakorduar politiko-ekonomik – tani do të jenë edhe më të theksuar.

Në një rrethanë të tillë nuk do të ishte për habi që thellimi krejt i mundshëm i krizës, paaftësia për të dakorduar politika reformuese, mungesa e vullnetit politik për të ndërtuar shtetin ligjor, apo edhe ndonjë zhvillim i paparashikueshëm që mund të destabilizojë vendin (Gjykata Speciale, pakënaqësia sociale, rënia ekonomike) mund të sjellin fundin e hershëm të këtij koalicioni dhe zgjedhje të reja të parakohshme.

Tekefundit, ky është trendi që nga Shpallja e Pavarësisë.

Thënë shkurt: Nuk do të ishte hera e parë që marrëveshjet e interesit prishen për interesa të reja.

IV.

Qeveria PANAS (PDK-AAK-Nisma-AKR-Srpska) është një koalicion i pasprovuar deri më tani, por i udhëhequr nga persona me histori të gjatë në skenën politike të ngarkuar edhe me hipoteka të mëdha. Një pjesë e këtij koalicioni me të drejtë akuzohet si arkitekt i sistemit të kriminalizuar e të korruptuar që e sundon Kosovën prej vitesh.

Në anën tjetër, rrethanë vështirësuese për Qeverinë e re do të jetë opozita, e cila tani është më e fortë se kurrë më parë në historinë e parlamentarizimit kosovar. VV-ja dhe LDK-ja, edhe nëse nuk veprojnë bashkërisht, mund ta bllokojnë këtë Qeveri, madje pa pasur nevojë të përdorin gaz lotsjellës, gurë apo protesta të dhunshme.

Sikur që u pa qartë në tre muajt paszgjedhorë, ishte PAN-i ai që kërkonte zvarritjen e procesit.

Thënë shkurt: Kësaj radhe opozita mund të ketë pozitë më të favorshme se pozita.

V.

Uroj shumë ta kem gabim.

Sepse vendi ka nevojë për një Qeveri stabile, të përqendruar në prioritete ekonomike e sociale, si dhe në politika e strategji që definojnë qartë dhe e mbrojnë atë që rëndom quhet interes nacional dhe shtetëror. Kosova ka nevojë për vendime, jo vetëm të rënda, por edhe të shpejta, ndërsa qytetarët, edhe përmes votimit, janë shprehur qartë se duan ndryshime të mëdha, jo vetëm në kushte të jetës dhe punës, por, para së gjithash, në mentalitetin politik dhe qeverisës të partive.

Them, uroj ta kem gabim, por, fatkeqësisht, krejt këto nuk po shihen kund në pamjen që krijon koalicioni PANAS. Mënyra se si është ndërtuar ky koalicion qeverisës – së pari me një koalicion parazgjedhor në minutën e fundit, e më pas me zvarritje tremujore dhe me blerje votash përmes ndarjes së posteve dhe premtimeve të tjera, jo vetëm politike – nuk lë shumë optimizëm se gjërat do të ecin në drejtimin e duhur.

Thënë shkurt: Jo vetëm dita e mirë shihet në mëngjes.

agronb@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami