OpEd

Ç’faj u kishte Svetozar Markoviqi?

Persona të panjohur nxijnë tabelën e rrugës Svetozar Markoviq në Prishtinë. Injorantët me gjasë nuk e dinë kush ka qenë socialisti Markoviq. As nuk e dinë se ai ishte kundërshtar i madh i zgjerimit të Serbisë në dëm të popujve të tjerë

Në zemër të Prishtinës, në rrugën «Bajram Kelmendi», degëzon një rrugicë që bart emrin e Svetozar Markoviqit. Nga larg shihet vetëm një tabelë e nxirë. Nga afër dallohet emri i Svetozar Markoviqit. Ata që e kanë nxirë tabelën ndoshta as që e dinë për kë bëhet fjalë. Emër sllav: nxije, fshije! Dhe ecim përpara, shtigjeve të revolucionit të injorancës. Para një viti e gjysmë në Prishtinë,në lagjen “Pejton”, është hequr emri i rrugës Radovan Zogoviq, poet i madh malazias, autor i kryeveprës «Këngët e Ali Binakut». Një sllav nuk e meritonte një rrugë në qendër të Prishtinës, mund të kenë menduar ideatorët e përzënies së Zogoviqit diku në periferi të Prishtinës. Atëbotë protestoi Shoqata e Malazezëve të Kosovës, protestuan edhe disa zëra nga shoqëria civile dhe mediat, por asgjë nuk bëri punë. Vendimi është vendim, sado i gabuar qoftë.

Rrugës «Svetozar Markoviq» nuk i është hequr emri zyrtarisht, por emri i tij është nxirë. Veprime të tilla nuk i kanë hije asnjë qyteti. As Prishtinës. Kryeqytetit të Republikës së Kosovës. E udhës do të ishte që vetë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, të dilte në vendin e ngjarjes dhe të vendoste tabelën e re. Njëkohësisht ai do të duhej të apelonte që akte të tilla të mos përsëriten. Në shumë lokalitete të Kosovës tabelat e rrugëve që mbajnë emra të personaliteteve përparimtare të sllavëve të jugut, shumica prej tyre kritikë të ashpër të politikave represive të regjimit të Beogradit, nxihen e përshkëllihen, bëhen të palexueshme. Njëjtë veprohet edhe me toponime. Këto gjeste i bëjnë dëm të dyfishtë Kosovës: tabelat e rrugëve paguhen nga buxheti i vendit dhe pamja e tyre e nxirë i hedh hije të keqe edhe imazhit të Kosovës. Duket se për këtë pakkush bëhet merak. Me rëndësi një shfryrje bajate kinse nacionaliste.

Shën Peterburg, Zvicër, Beograd

Për të gjithë injorantët disa të dhëna: Svetozar Markoviqi ishte njëri prej socialistëve të hershëm serbë. Jetoi mes viteve 1846 dhe 1875. Më 1869 dhe 1870 studioi në Politeknikun e Zürichut. Studime të tjera kreu në Shën Peterburg dhe Beograd. Më 1869 mori pjesë në Kongresin e Ligës së Paqes dhe Lirisë në Lausanne të Zvicrës. Pas kthimit në Serbi më 1870, u angazhua në përhapjen e ideve socialiste, përkrahu të drejtën e grave për të studiuar, ishte përfaqësues i materializmit dhe shteghapës i realizmit në letërsinë serbe. Gjatë studimeve në Shën Peterburg ai ra në kontakt me lëvizjen e grave nihiliste ruse dhe e kuptoi rëndësinë e gruas në jetën shoqërore. «Sidomos isha i entuziazmuar me gratë. Kurrë s’kisha parë aq shumë gra të veshura me modesti. Shumica ishin të veshura me rrobe të zeza, të errëta apo të hirta, të kopsitura deri në fyt (...). Disa i bartnin flokët të prera shkurtër, syze të kaltra apo të gjelbra. Ato janë – nihiliste ruse. Këto janë gra, të cilat refuzojnë të jenë të dëgjueshme ndaj burrave dhe bukën e fitojnë me duart e veta». Markoviq rridhte nga një familje nëpunësish serbë të Kosovës, e cila në gjysmën e dytë të shekullit të ’19 u shpërngul në Serbi.

Çdo popull, të cilin e bashkon gjaku dhe gjuha duhet të jetë i pavarur ne jetën politike dhe shoqërore, dhe nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë kombi tjetër, mendonte Markoviq. Historiani gjerman Holm Sundhaussen shkruan në veprën e tij «Historia e Serbisë» se Markoviq kundërshtonte me këmbëngulje thirrjen në «të drejtat historike». Ai e quante të gabueshme idenë e bashkimit të serbëve në «kufijtë» e Perandorisë së Car Dushanit. Serbët, thoshte Markoviq, jetojnë në katër shtete, andaj të drejtat e tyre pothuaj nuk mund të harmonizohen. Me këto qëndrime Markoviq kundërshtonte zgjerimin e Serbisë në dëm të popujve të tjerë. Kështu ai ra në konflikt me idenë shtetërore serbomadhe të Ilija Garashaninit. Markoviq u bë i njohur me qëndrimet e tij antiklerikale dhe ankohej se Kisha Ortodokse Serbe kishte më shumë pushtet politik mbi popullin serb se Kisha Katolike. Afërsia e Kishës Ortodokse me politikën për të ishte e papranueshme.

Profecia nga shekulli ‘19

Si kundërshtar i «Serbisë së Madhe» ai shkruante: «Populli serb nuk ka kurrfarë kufijsh gjeografikë apo etnografikë, të cilët do ta përcaktonin atë si tërësi unike. Për të krijuar një shtet me 5 deri 5 milionë e gjysmë shpirtra (më shumë nuk ka), populli serb do të duhej të kishte raport armiqësor me bullgarët, kroatët dhe rumunët. Do të duhej të përvetësonte rolin e pushtuesit, siç bëjnë sot hungarezët». Në fund të shekullit ’20 ndodhi pikërisht ajo që kishte paralajmëruar Markoviqi: agresioni serb ndaj popujve fqinj dhe krijimi i raporteve armiqësore mes popujve në Ballkan. Një rrugë me emrin e këtij personaliteti të madh të historisë rrallëherë të ndritshme serbe i bën nder Prishtinës.