Ardhmëria e Kosovës varet më shumë nga shkollimi sesa nga përbërja e Qeverisë

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 06 shtator 2017 08:15

Në një vend ku për t’u bërë mësimdhënës në shkollë duhet të kesh lidhje politike, sikur është Kosova, është vështirë të bëhen ndryshime rrënjësore të sistemit të dështuar të shkollimit. Shembuj të shumtë nga Evropa dëshmojnë se për një gjë të tillë kushtet materiale nuk janë kriteri kryesor. Me performancë në testimin e Pisas, shtetet si Estonia dhe Sllovenia janë shumë para shteteve të pasura, Suedisë dhe Luksemburgut

Këtë javë, kur në Kosovë nis viti i ri shkollor, qytetarët, prindërit, mësimdhënësit, nxënësit dhe studentët duhet të mendojnë për një vetëdijesim rreth rëndësisë së sistemit shkollor për të ardhmen e tyre e me këtë edhe për të ardhmen e Kosovës. Madje mirëvajtja e vitit shkollor, suksesi i sistemit të arsimimit dhe performanca e nxënësve janë më të rëndësishme për vendin sesa përgjigjja në pyetjen që e ka preokupuar aq shumë Kosovën se kush dhe kur do ta krijojë Qeverinë.

Ka qenë një lloj terapie shoku publikimi i rezultateve të testimit ndërkombëtar të nxënësve 15-vjeçarë PISA, sipas të cilit Kosova doli ndër të fundit në botë. Është folur shumë për këtë. Disa e kanë kuptuar si tragjedi, të tjerët si turp. Por kanë mundur ta shfrytëzonin kosovarët edhe për t’u këndellur. Sepse, nëse asgjë tjetër, ky testim na dha një pasqyrë reale dhe një goditje që të përballemi me realitetin duke mos vazhduar me iluzionet që kemi. Sikur se kemi menduar se Kosova ka “ajrin më të mirë në Evropë”, e doli që në pjesë më të mëdha të Kosovës niveli i ndotjes është shumë mbi mesataren e lejuar, ashtu edhe iluzioni se ne kemi një rini shumë të aftë dhe të shkolluar pësoi një goditje me këtë rezultat, i cili na dëshmon se jemi ndër më të dobëtit në botë. Në mjekësi thonë se hapi i parë drejt shërimit është diagnoza e mirë. E ky test i PISA-s mund të jetë një diagnozë e duhur, e cila do të duhej të shërbente si thirrje për Kosovën që të ndryshojë diçka.

Sikur të kishte pasur vesh për të dëgjuar Kosova nuk ka pasur nevojë të presë rezultatet e PISA-s për të ditur se sa keq e ka sistemin e shkollimit. Për një gjendje të tillë, me thirrje për reforma, ka tërhequr vërejtjen disa herë Komisioni Evropian në raportet e progresit. Por nga ato raporte gjithmonë më shumë vëmendje ka pasur për situatën politike sesa për gjërat që kanë ndikim direkt në jetën e qytetarëve, dhe e ardhmja e fëmijëve është padyshim e tillë.

Në një vend ku për t’u bërë mësimdhënës në shkollë duhet të kesh lidhje politike, sikur është Kosova, është vështirë të bëhen ndryshime rrënjësore të sistemit të dështuar të shkollimit. Shembuj të shumtë nga Evropa dëshmojnë se për një gjë të tillë kushtet materiale nuk janë kriteri kryesor. Me performancë në testimin e PISA-s shtetet si Estonia dhe Sllovenia janë shumë para shteteve të pasura Suedisë dhe Luksemburgut.

Estonia në vendin e 3-të, Finlanda në të pestin dhe Sllovenia në vendin e 13-të janë më të mirat nga vendet e BE-së në testimin e fundit të PISA-s. Këto shtete nuk janë në mesin e shteteve më të zhvilluara dhe më të pasura të Bashkimit Evropian. Ndërsa në listën e 20 më të mirave janë edhe Holanda, Belgjika, Irlanda, Britania e Madhe dhe Gjermania. Suedia, për shembull, është në vendin e 28-të edhe pse kushtet për shkollimin e fëmijëve janë fantastike. Luksemburgu, shteti më i pasur në Evropë për kokë banori, është në vendin e 33-të. Kjo dëshmon mirë se për të pasur një performancë të mirë të shkollave kriter kryesor nuk është investimi material, por më shumë qasja e duhur.

Nga vendet e rajonit, Kroacia, edhe pse në vendin e 36-të, e ka kuptuar këtë si një dështim, sepse nuk e konsideron si sukses nëse je në mesataren e botës. Shqipëria, në vendin e 51-të, nuk do të kishte arsye të mburrej, por kur krahasohet me Kosovën është shumë mirë dhe shënon së paku një trend pozitiv.

Kosova është një shtet i ri, me një sistem i cili ishte shkatërruar nga periudha e diktaturës së Slobodan Milosheviqit. Në politikën serbomadhe për shkatërrimin e shqiptarëve mbyllja e shkollave për shqiptarët ishte pjesë përbërëse dhe ndoshta edhe kryesore. Por tash, 18 vjet pas çlirimit, po skadon koha gjatë së cilës mund të vazhdojmë ta marrim okupimin nga Serbia si arsyetim për dështime në sistemin e shkollimit. Madje pikërisht përvoja nga koha e Milosheviqit dhe sakrifica që bënë shqiptarët në atë kohë për të mbajtur gjallë shkollimin e fëmijëve është dashur të ishte një motiv shtesë që pas luftës të bëhet një revolucion në kuptimin pozitiv të fjalës, në sistemin e shkollimit. Por, në vend të kësaj është bërë politizimi i mëtejmë i sistemit dhe degradimi i vlerës së shkollave. Sepse vlerë në Kosovë nuk konsiderohen as diplomat e as aftësitë, por lidhjet dhe përkatësia politike. Kjo i ka dekurajuar edhe të rinjtë të cilët gjithnjë e më pak e shohin vlerën e shkollës e më shumë mendojnë për t’u larguar nga vendi, ose duhet të hyjnë në politikë për të pasur gjasa për një vend pune.

Se çfarë mund të bëhet pas pavarësisë mund të mësojmë ndoshta edhe nga kampioni i testimit të PISA-s, nga Singapori.

Singapori kishte fituar pavarësinë në vitet ‘60 të shekullit të kaluar dhe kishte një popullatë kryesisht analfabete. Por sot është shteti, fëmijët e të cilit kanë dalë të parët në botë në testim.

Të gjitha problemet që sot ka Kosova do të tejkalohen disi, në një afat të mesëm apo të gjatë. Por pasojat e një sistemi të dështuar të shkollimit do të ndihen për shumë kohë. Kosova, e integruar në të ardhmen në BE apo jo, do të përballet me konkurrencë me shtetet dhe kombet e tjera. Me një konkurrencë të tillë do të përballen edhe të rinjtë e Kosovës. Dhe për t’u përgatitur sa më mirë për një përballje të tillë me konkurrencën Kosovës i duhet një sistem tjetër i shkollimit, i cili do të jetë më real, i depolitizuar dhe i profesionalizuar. Për ta arritur një sistem të tillë duhen vizion dhe gatishmëri për reforma. Për këtë kërkohen edhe aftësi, edhe guxim politik. Të shpresojmë se me nisjen e këtij viti shkollor Kosova të hyjë në një fazë të re edhe në ndërtimin e një të ardhmeje për fëmijët e vet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj