“I pafajshmi”

Flaka Surroi Flaka Surroi 05 shtator 2017 07:58

Fakti se e mban postin e të parit në parti ia jep edhe fuqinë për të vendosur që të luajë edhe një herë bixhoz. Rreziku është se mund të hyjë në rrugën qorre, prej nga do të dalë rikverc edhe më i dobët seç është tash. Për LDK-në do të jetë rëndë për t’u kthyer aty ku ka qenë, sepse do t’i nevojiten shumë vjet për t’i meremetuar gabimet politike, për të cilat mban jo pak përgjegjësi edhe vetë Mustafa

Nuk e di nëse kishim marrë vesh ndonjëherë për ndjenjat dhe aktivitetet e pushtetarëve tanë, po të mos ishte Fejsbuku. Është bërë tashmë evidente se mediat sociale, në fakt, janë bërë ndihmesë e jashtëzakonshme për ata që nuk duan të komunikojnë me publikun nëpërmjet mjeteve klasike të komunikimit – në intervista me gazetarë, e deklarata para tyre. Është shumë më komode t’i shkruash pesë, a pesëdhjetë rreshta (mundësisht të t’i shkruajë dikush pa gabime gjuhësore) e ta thuash një mendim, a të tregosh se sa e padrejtë është e gjithë shoqëria ndaj dikujt që është krejt i pastër dhe i pafajshëm.

I tillë, gjatë javës, na u paraqit jo një, por dy herë, kryeministri në detyrë dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Për ata që duan t’i kuptojnë si duhet postimet e tij – Mustafa po tregon se nuk e ka as intencën më të vogël që të luftojë për pushtetin, dhe se ka vendosur që LDK-në ta mbajë në opozitë. Është tepër i theksuar hidhërimi që ka ndaj atyre që e rrëzuan nga pushteti në maj të sivjetmë, dhe është tepër evident inati që e bën të thotë se ai është viktimë në gjithë këtë lojë politike që është zhvilluar, sidomos në këta katër vjetët e fundit.

Të gjithë të këqij

Në dy postimet e gjata, Mustafa i akuzoi të gjithë, kë më pak e kë më shumë për situatën në të cilën gjendemi. La të nënkuptojmë, se po të ishte lejuar të vepronte si kryeministër, dhe t’i shtynte përpara agjendat siç i kishte planifikuar, gjithçka do të ishte ndryshe. U hidhërua ngase e “shpallën të korruptuar”, sepse thuhej se ishin ngritur 70 kallëzime penale kundër tij; VV-në e akuzoi për banditizëm dhe për sulm në pronë private e publike, si dhe në Kuvend me gaz lotsjellës; i akuzoi bashkëpartiakët që nuk ia përkrahnin as Zajednicën 2 e as Demarkacionin me Malin e Zi; akuzoi SHIK-un e dhe mediumet, përfshirë KTV-në, se ia kishin humbur zgjedhjet komunale në Prishtinë; akuzoi të gjithë kundërshtarët e demarkacionit, se nuk ia dëshmuan se demarkacioni ishte bërë keq. Së fundmi, iu referua atyre që e rrëzuan e që tash përpiqen të krijojnë Qeveri me sekserë; akuzoi se e rrëzuan Qeverinë e suksesshme që kishte mbajtur rritjen më të lartë në rajon; që kishte punësuar 40 mijë njerëz; që kishte rritur buxhetin në dy miliardë; që kishte ndarë pensione për veteranët; që kishte lidhur MSA-në; që kishte arritur miratimin e Kodit shtetëror telefonik të Kosovës; që i kishte integruar komunat në veri e që i kishte plotësuar 93 nga 94 kushtet për liberalizim...

Dhe kur e lexon këtë rrëfim tijin në FB, e po mos të kishim ditur për ca rrethana të tjera që lidhen për punën e tij politike, mbase e gjithë Kosova do të duhej të ndihej fajtore se përse, një njeriu kaq të pafajshëm, iu bënë të gjitha këto padrejtësi. Po ndoshta do të duhej rikujtuar disa gjëra që lidhen për të, për angazhimin e tij dhe për vendimet e tij politike që kanë ndikuar shumë në zgjatjen e krizës politike në vend.

  1. Do të kujtojmë se i humbi zgjedhjet komunale edhe për shkak se deklaroi se “do të fitonte me duar në xhepa”. Ironia, që e ka shumë për qejfi, iu kthye bumerang – një, sepse qytetarët e donin ndryshimin, dhe dy, se PDK-ja e donte në opozitë;
  2. Duke e ditur se një pjesë e votave të PDK-së i shkuan Ahmetit për t’u zgjedhur kryetar Prishtine, dhe pasi u përbetua se kurrë nuk do të bënte koalicion me PDK-në, e nënshkroi marrëveshjen për krijimin e Qeverisë bash me PDK-në;
  3. Krijoi kabinetin qeveritar me 20 ministri, me kushedi sa zëvendësministra; me një kiamet këshilltarë për ta ngarkuar buxhetin e Kosovës me 200 rroga politike për tre vjet të mandatit të vet;
  4. Gjatë 100-ditëshit të parë të qeverisjes së tij, Kosovën e lëshuan 100 mijë njerëz, për të cilët, në vend se të brengosej, tha se janë të gjithë me iPhonea, dhe se praktikisht “iknin” nga qejfi, e jo nga mungesa e perspektivës;
  5. Gjatë mandatit të tij, ministri i tij Jabllanoviq, i quajti “egërsira” nënat gjakovare. U desh të organizoheshin një sërë protestash që më në fund ky të largohej nga Qeveria. Kurrë nuk tregoi po qe se e shkarkoi, a çka ndodhi me të, sepse nuk donte ta humbte partnerin e vet qeverisës, Lista Srpskan;
  6. Po të mos ishte KOHA Ditore, Kuvendi do ta kalonte Ligjin për Trepçën, të cilin e kishte hartuar Qeveria e tij, me të cilin fuqizoheshin komunat serbe, si vendimmarrëse për punët e lidhura me gjigantin industrial;
  7. Gjatë qeverisjes së tij, u ngrit niveli i ndotjes së ajrit në Prishtinë. Asaj i kontribuuan shumë edhe veturat e vjetra deri në 13 vjet, që Qeveria e tij i autorizoi për importim, për shkak se kështu buxheti mbushej më lehtë. Njësoj sikurse deri më tash, edhe gjatë qeverisjes së tij, 80% e buxhetit të Kosovës erdhi nga dogana, duke e mbajtur evazionin fiskal në të njëjtin nivel;
  8. Ishte Qeveria e tij, ajo që shpiku Ligjin për faljen e borxheve: borxhlinjtë e këqij nuk u detyruan të paguajnë as tatime, as doganë, e as shërbimet e papaguara të ndërmarrjeve publike, duke i diskriminuar kështu paguesit e rregullt;
  9. E zbuloi FB-në, si vendin ku do t’i shprehte mendimet e veta. E “zbuloi”, gjithashtu, se krejt oponentët politikë mund të ishin edhe gomarë, kurse gratë që punonin në OJQ, lopë, ngase kishin “kullotur fonde ndërkombëtare”. Ofendimet i shprehte pa ndonjë hezitim dhe njëkohësisht rriste antipatinë e qytetarëve ndaj tij;
  10. U soll në mënyrë tejet arrogante në Kuvend. Kur nuk donte, nuk jepte përgjigje; nuk merrte pjesë në interpelanca dhe thjesht përpiqej ta impononte agjendën e vet te trupi që duhej t’ia kontrollonte punën;
  11. E vërtetë është që ua mundësoi pensionet veteranëve – porse në vend të 25 mijë veteranëve sa mendohej se kanë qenë, këtë status ua pranoi 46 mijë vetave, duke e rënduar buxhetin tej mase, dhe duke e rrezikuar raportin me FMN-në;
  12. Më 25 gusht 2015 do ta nënshkruante “nën-marrëveshjen” e marrëveshjes “historike” të prillit të 2013-s, dhe do të shkaktonte rrëmujë në Kuvend me arrogancën e tij. Gjykata Kushtetuese do ta shpallte marrëveshjen kundërkushtetuese në madje 23 pika, por kjo nuk do të ishte motiv i mjaftueshëm për të që ta kthente atë prapa;
  13. Po atë vit do të nënshkruhej marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi. Pas kundërshtimit të fuqishëm të opozitës dhe të opinionit publik, e krijoi një komision pro forma, në krye me kryetarin e ASHAK-ut (në konflikt të pastër interesi, ngase edhe Mustafa është anëtar i ASHAK-ut), i cili doli të jetë edhe më ofendues sesa ky në raport me oponentët. Tha se askush nuk e kishte demantuar demarkacionin e caktuar nga Meha – i sugjeroj që ta lexojë librin e dr. Zejnullah Grudës, “Kufijtë në dëm të shqiptarëve” (Botimet KOHA, 2016, ribotimi i zgjeruar, 2017);
  14. Gjatë mandatit të tij, dhe me fajin kryesor të partnerit të tij të koalicionit, Kosova nuk u pranua në UNESCO, pasi që edhe shtetet që ia kanë njohur shtetësinë abstenuan. Të mos harrojmë se aplikacioni shkoi në emër të Kosovës, e jo të Thaçit;
  15. E akuzoi gjyqësinë se ia kishin përndjekur djalin shtatë vjet me radhë, duke e përfunduar procesin me lirimin e tij si të pafajshëm, meqë prokurori i rastit kishte vlerësuar, një javë para se të merrej aktgjykimi, se nuk kishte prova të mjaftueshme për të shkuar tutje me lëndën. Njëkohësisht, po kjo prokurori veproi në mënyrë urgjente për ta arrestuar një person që e kishte kërcënuar të birin në FB;
  16. Gjatë qeverisjes së tij, Agjencia e Statistikave e ndërroi sistemin e matjes së numrit të të papunëve, dhe sipas kësaj, del se madje 62.4% e popullsisë aktive të Kosovës refuzon të kërkojë punë – pra teknikisht këta nuk janë të papunë. Po e njëjta agjenci nuk mund t’i përputhte shënimet prej një viti në tjetrin, pra kurrë nuk e morëm vesh se sa veta përnjëmend kanë gjetur punë në këta tre vjet;
  17. Gjatë mandatit të tij, u humb investitori që i kishte premtuar 400 milionë investime në Brezovicë. Nëse faji nuk ka qenë i Qeverisë së tij, nuk doli kurrë për të treguar se kush qe fajtori;
  18. Para se të lidhte marrëveshje me PDK-në, e kishte akuzuar për politizimin e bordeve dhe të ndërmarrjeve publike; e bëri po të njëjtën gjë aty ku mundi – së paku në ATK, dhe e delegoi një ish-kandidate për deputete në Gjykatën Kushtetuese;
  19. Në planin partiak, e rizgjodhi veten kryetar partie me aklamacion. Ia mohoi Vjosa Osmanit të drejtën që t’i bënte garë për kolltukun e kreut të partisë, dhe të gjithë deputetët që e kundërshtuan demarkacionin i kërcënoi me përjashtim nga partia;
  20. Tha se gjatë mandatit të tij, i integroi komunat e veriut, porse ende nuk e pamë tek e kalonte urën bri “murit që nuk ekziston”;
  21. Tha se gjatë mandatit të tij, Kosova u bë me Kod shtetëror telefonik, porse kurrë nuk e publikoi vendimin e ITU-së, për të na bindur se nuk bëhet fjalë për kod gjeografik;
  22. Tha se Qeveria e tij i plotësoi 93 prej 94 kushteve për liberalizimin, përfshirë këtu pra edhe luftën kundër korrupsionit. E megjithatë, Transparency International ende na kategorizon si shtetin me korrupsionin më të lartë në rajon;
  23. U bëri trysni të paparë deputetëve të tij që ta zgjidhnin Thaçin kryetar. E tash thotë se “djallit engjëll nuk mund t’i themi”.

Në rrugën qorre

Vendosja e hidhërimit të tij me gjithë spektrin politik në planin personal, tregon se Kosova do të mundë të bëhet me Qeveri qysh javën që vjen. Pacolli, përfundimisht, do të dalë e të thotë se nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje ndërmjet LDK-së dhe VV-së, sepse po shihet qartazi se vendimi për këtë nuk varet as nga udhëheqja e lartë e LDK-së, as nga deputetët, e as nga anëtarësia – por nga qëndrimi i prerë i të “pafajshmit”, Isa Mustafa.

Fakti se e mban postin e të parit në parti ia jep edhe fuqinë për të vendosur që të luajë edhe një herë bixhoz: që t’ia japë PAN-it mundësinë për ta krijuar Qeverinë me Pacollin, dhe me Teuta Rugovën, të cilën vetë e futi në listën zgjedhore të partisë së vet, dhe ta presë çastin kur do t’u hakmerret të gjithëve. Fakti se me gjasë do ta mbajë LDK-në në opozitë në nivelin qendror, i jep hapësirë manovrimi dhe marrëveshjeje për ta “rrahur” Shpend Ahmetin në Prishtinë (së bashku me PDK-në, me të cilën ka funksionuar si shumicë në Asamblenë e kaluar komunale), dhe për ta rrëzuar Haradinajn (sërish me PDK-në, e edhe me VV-në), posa të shfaqet mundësia e parë.

Rreziku është se mund të hyjë në rrugën qorre, prej nga do të dalë rikverc edhe më i dobët seç është tash, po qe se kalkulimet nuk i funksionojnë. Humbja eventuale e pushtetit në parti mund edhe të mos i dhembë shumë, duke e marrë parasysh se është “...edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesor i dhjetëra mijërave studentëve të Universitetit të Prishtinës, prind dhe gjysh” (pra, angazhime sa të duash).

Porse për LDK-në do të jetë rrugë e rëndë për t’u kthyer aty ku ka qenë, sepse do t’i nevojiten shumë vjet për t’i meremetuar të gjitha ato gabime politike që janë bërë, e për të cilat mban jo pak përgjegjësi vetë Mustafa.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Sadiku06/09/2017 10:18

E sa bukur ja ke numruar, vetëm edhe 120 mijë vendet e punës do ti shtoja. Ky njeri absolut nuk mund të flas për suksese por vetëm për humbje dhe dështime, dhe është e pakuptueshme se si elektorati i Ldk-së akoma e lajthitë.

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi