1/3 “e të pagjeturve” nga luftërat në ish-YU ende mungojnë

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 30 gusht 2017 16:21

Qasja në përpjekjet për mësimin e fatit të personave të pagjetur nuk duhet të jetë e segmentuar, por gjithëpërfshirëse.

Nëse secili shtet i dalë nga ish-Jugosllavia kërkon vetëm zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të etnive të tyre respektive – atëherë kjo plagë e dhimbshme vetëm sa do të vazhdojë me hapa shumë të ngadaltë edhe për shumë vjet.

Komiteti Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur (ICMP) ka llogaritur rreth 40 mijë individë për fatin e të cilëve nuk dihet pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi.

Kosova fillimisht numëronte 4.400 persona të pagjetur, kurse aktualisht mbesin 1.658. Prej tyre rreth 1.300 janë shqiptarë, kurse të tjerët serbë, romë dhe joshqiptarë të tjerë.

30 mijë persona mbaheshin si të pagjetur nga lufta në Bosnjë. Ende nuk dihet për fatin e rreth 10 mijë prej tyre.

6 mijë mungonin nga lufta në Kroaci. Sot nuk dihet për rreth 2 mijë prej tyre.

23 persona mungonin nga konflikti në Maqedoni, kurse sot nuk dihet për fatin e 13 prej tyre.

Kur të shikohen këto shifra, vërehet se problemi i të pagjeturve nuk është vetëm i Kosovës, nuk është vetëm i Bosnjës, i Kroacisë, i Serbisë ose i Maqedonisë.

Rreth një e treta e të gjithë personave të pagjetur nga gjithë territori i ish-Jugosllavisë ende mungojnë, pavarësisht etnisë ose vendin ku ata kanë pësuar.

Kështu që, për ta trajtuar seriozisht një herë e mirë këtë plojë, politikanët në vend se të japin deklarata patetike gjatë ditëve përkujtimore, është të angazhohen me homologët e tyre në dialog të sinqertë për t’i zbuluar fatet e personave të pagjetur.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi