Pse shqetësim për krijimin e Qeverisë së Kosovës e jo për atë të Holandës

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 30 gusht 2017 08:22

Zgjedhjet në Holandë janë zhvilluar më 15 mars dhe ende nuk është formuar Qeveria. Askush nga Brukseli nuk bën ftesë që të formohet sa më parë Qeveria e Holandës. Ndërkohë, bëjnë thirrje që sa më parë të krijohen institucionet në Kosovë. Pse më shumë BE-ja shqetësohet për një shtet jo anëtar, sesa për një prej shteteve të saja më të rëndësishme anëtare?

Insistimi që në Kosovë sa më shpejt të formohet Qeveria dëshmon se sa i brishtë është shteti i Kosovës, sa të varura nga politika janë shërbimet publike, administrata dhe strukturat e shtetit që do të duhej të funksiononin normalisht pa marrë parasysh se kush është në pushtet, a është Qeveria teknike apo jo. Është e natyrshme që në një vend çfarë është Kosova, ku përkatësia e partisë politike është kusht për vende pune, për të bërë biznes dhe për shumë gjëra të tjera, jeta pothuajse të paralizohet në periudhën pas zgjedhjeve kur vazhdojnë përpjekjet për krijimin e Qeverisë.

Kësaj here, kjo është edhe më e ndërlikuar, sepse asnjëherë nuk ka pasur aq shumë struktura, parti politike, persona dhe subjekte që kanë interes dhe janë pjesëmarrës kyç në procesin e krijimit të Qeverisë. Për dikë mbetja në pushtet e sponsorit të tyre është jetike për të ruajtur vendin e punës. Për të tjerët, ardhja në pushtet e njerëzve të tyre është shpresë se do të gjejnë një vend pune apo të përparojnë në administratë. Ajo që është edhe më e rëndë në rastin e Kosovës është spekulimi, që mund të mos jetë vetëm spekulim, se pjesëmarrja në pushtet apo afërsia me pushtetin siguron edhe amnisti nga drejtësia.

Sikur të mos ishte kështu, procesi i krijimit të institucioneve të Kosovës do të ishte me më pak emocione, me më pak fyerje dhe sharje në nivel të ultë. Do të ishte një proces normal politik, ku liderët e partive politike që kanë siguruar vendet në Parlament do të negocionin për përafrimin e qëndrimeve të tyre rreth prioriteteve në punën e Qeverisë së ardhshme.

Këto negociata do të ishin një kombinim i parimeve dhe kompromisit. Sepse negociata të tilla askush nuk mund të sigurojë 100 për qind të qëndrimeve të veta, pa bërë kompromis edhe ndaj partnerëve të ardhshëm. Dhe këtu nuk mendohet për kompromise rreth tregtisë me poste, por për programet. Pasi shpesh në Kosovë liderët politikë thirren në standardet evropiane, le të shohim se si bëhen këto negociata në vendet e BE-së. Në këtë moment janë duke u zhvilluar negociatat për formimin e Qeverisë në Holandë, vend i cili do të jetë nikoqir i një Gjykate Speciale të krijuar nga institucionet e Kosovës, ku sipas ligjeve të Kosovës do të gjykohen disa nga ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për dyshime për krime të rënda, të bëra gjatë dhe pas luftës, e të cilat i ka ngritur ish-senatori nga Zvicra, Dick Marty.

Zgjedhjet në Holandë janë zhvilluar më 15 mars dhe ende nuk është formuar Qeveria. Për më shumë se 160 ditë po zhvillohen negociatat dhe kjo nuk është problem, sepse Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Mark Rute e kryen normalisht punën. Ekonomia e Holandës vazhdon të shënojë rritje, ky shtet vazhdon të jetë ndër shtetet më të zhvilluara të botës, ndër shtetet me eksportin më të madh në botë, ku papunësia është shumë e vogël dhe ku qytetarët në jetën e tyre të përditshme nuk shohin ndonjë mungesë për shkak se ende nuk është krijuar Qeveria, sipas rezultateve të zgjedhjeve të mesit të marsit.

Kështu kjo Qeveri që është në detyrë, është bërë edhe Qeveria që ka qenë në detyrë më së gjati në historinë e Holandës së pas Luftës së Parë Botërore. Por as kjo periudhë prej gjashtë muajsh sa ka kaluar pa krijimin e Qeverisë së re nuk është shumë, krahasuar me rekordin që mban vendi fqinjë i Holandës, Belgjika. Në Belgjikë u deshën plot 541 ditë për krijimin e Qeverisë pas zgjedhjeve. Në atë periudhë sa Belgjika ishte në pritje të Qeverisë së re gjithçka në shtet funksiononte në mënyrë normale, madje disa gjëra edhe më mirë. U ul papunësia, u shënua rritje ekonomike dhe nuk pati probleme në funksionimin e administratës. Në të njëjtën periudhë pa probleme Belgjika, sikur e bën tash dhe Holanda, përmbushi obligimet ndërkombëtare, siguroj buxhetin dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në shtetet dhe shoqëritë e zhvilluara jeta vazhdon normalisht pa marrë parasysh komplikimet normale politike. Por kjo ndodh vetëm në shtetet dhe shoqëritë ku administrata, shkollat, bankat, gjykatat, policia, spitalet dhe agjencitë e tjera janë vërtet të depolitizuara dhe të pavarura. Në Kosovë, ku politika përzihet që nga caktimi i kujdestarit të një klase në shkollë fillore, e deri tek niveli më i lartë krizat politike shkaktojnë edhe ngecje në jetën normale të shtetit.

Askush nga Brukseli nuk bën ftesë që të formohet sa më parë Qeveria e Holandës. Ndërkohë, bëjnë thirrje që sa më parë të krijohen institucionet në Kosovë. Pse më shumë BE-ja shqetësohet për një shtet jo anëtar, sesa për një prej shteteve të saja më të rëndësishme anëtare? Në Holandë negociatat për formimin e Qeverisë bëhen në mënyrë zyrtare, nëpër takime të partive politike, dhe ato krejtësisht bazohen në programe dhe tema e jo kush merr çka . Ndërsa, në Kosovë shumica e negociatave bëhen nëpër Facebook, nëpër kafene, përmes vizitave personale dhe familjare, dhe krejtësisht janë të bazuara në atë se kush mund të përfitojë çka, kush ka thënë kur dhe çka për kë?

Në Holandë këto ditë aktorët politikë përpiqen të gjejnë kompromis rreth fondit social, rreth pensioneve për politikën ndaj imigracionit, për disa çështje etike siç është eutanazia. Kjo është ajo pjesa më e vështirë e negociatave për krijimin e Qeverisë. Kur të arrihen kompromise për programet dhe qëllimet, atëherë shumë shpejt partitë merren vesh për ndarjen e posteve. Edhe pse Holanda ka numër më të vogël të ministrave dhe zëvendësministrave, sesa Kosova fotelet nuk janë prioritet në negociatat e tilla.

BE-ja ka bërë vetëm një koment për zgjedhjet në Holandë, dhe atë në mënyrë jozyrtare, duke u gëzuar se në këto zgjedhje nuk doli fituese partia e ekstremit të djathtë, e kryesuar nga lideri anti-islamik dhe ksenofob Gert Wilders. Se kush dhe si do ta formojë Qeverinë e Holandës, kur do të ndodhë kjo nuk është diçka që i intereson Brukselit, e as që do të duhej t’i interesojë. Por Holanda është njëri ndër shtetet më të zhvilluara të Evropës, njëri ndër shtetet që jep më së shumti për kokë banori në buxhetin e BE-së.

Kosova, ndërkaq, vazhdon të jetë shteti më i varfër në Evropë i cili, pos nga diaspora e vet, varet edhe nga asistenca financiare e Bashkimit Evropian. E pasi Kosova, me apo pa Qeveri të re është e përkushtuar të ketë raporte më të afërta me BE-në, dhe të ecë drejt standardeve evropiane, atëherë edhe politikanët e BE-së i japin të drejtë vetes që të ftojnë për krijimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës. Por nëse kosovarët dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje të reja, këtë do ta pranonte edhe BE-ja. Sikur të pyetej BE-ja, as Qeveria e kaluar nuk do të rrëzohej fare.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj